Pse shtëpinë e parë të Allahut në tokë duhej ta ndërtonte Ibrahimi -alejhi selam-?

July 26, 2016

Pse shtëpinë e parë të Allahut në tokë duhej ta ndërtonte Ibrahimi -alejhi selam-?

Ska dyshim se kjo zgjedhje ka urtësinë e saj dhe për ta mësuar atë duhet patjetër të meditojmë pak në historinë e Ibrahimit -alejhi selam-.
Ne duke parë në historinë e Ibrahimit -alejhi selam- gjejmë disa karakteristika që e kanë dalluar atë nga profetët e tjerë:

1- Ibrahimi -alejhi selam- simboli i thirrjes në njësimin e Allahut.
Ibrahimi -alejhi selam- thirri në njësimin e Allahut në një kohë kur token e kishte mbuluar idhujtaria. Njerëzit e asaj kohe ishin zhytur në idhujtari: dikush adhuronte statuja të ndërtuara nga dora e njeriut dhe dikush adhuronte yjet dhe trupat qiellorë, dy lloje shirku këto që përmenden në historinë e tij.
Ibn Kethiri -Allahu e mëshiroftë- në librin Kasas El-Enbija thotë: “Të gjithë njerëzit e tokës (në atë kohë) ishin mohues (qafirë) me përjashtim të Ibrahimit, gruas së tij dhe Lutit -alejhim selam- ”.
Thirrja e Ibrahimit -alejhi selam- për në teuhid në këto rrethana me doemos do ta dallonte atë nga të tjerët duke shtuar këtu edhe faktin se ai ishte profet që ka lëvizur shumë në tokë:
1- Thirrja e tij për në njësimin e Allahut për popullin idhujtar që adhuronte statujat dhe që mendohet të ketë ndodhur me popullin e Babilonisë (vend ky në Irakun e sotëm) dhe mbretin e saj Nemrudin.
2- Thirrja e tij për popullin që adhuronte yjet, diellin dhe hënën dhe që mendohet të ketë ndodhur në Harran (vend ky sot mes Turqisë dhe Sirisë).
3- Emigrimi i tij për në Sham dhe konkretisht në vendin e quajtur Hibron (qyteti i Khalilit në Palestinën e sotme).
4- Udhëtimi i tij për në Egjipt dhe historia e tij me mbretin tiran të Egjiptit.
5- Kthimi i tij në Sham.
6- Udhëtimi i tij për në Meke për të lënë atje Haxheren bashkë me Ismailin.
7- Lëvizja e tij mes Mekës dhe Shamit e cila ka ndodhur disa herë.
Të gjitha këto vende ishin qendrat e qytetërimit të lashtë dhe ai kudo që shkeli nuk u pajtua asnjëherë me idhujtarinë madje ky qëndrim i palëkundur i tij gati sa nuk i kushtoi edhe jetën me banorët e Babilonisë sikur të mos ishte kujdesi i Allahut për të siç thuhet në Kuran:
“Ata thanë digjeni atë (Ibrahimin) dhe shpëtoni idhujt tuaj nëse e doni këtë gjë * Ne i thamë (zjarrit): o zjarr, bëhu i freskët dhe i padëmshëm për Ibrahimin! * Ata deshën ti bëjnë atij grackën por ne i bëmë ata të dështojnë * E shpëtuam atë së bashku me Lutin për në tokën për në tokën të cilën e kemi bërë të bereqetshme për të gjithë botët” Suretu 68-71.

2- Ibrahimi -alejhi selam- profeti i dorëzuar ndaj vullnetit të Allahut dhe i bindur ndaj urdhrave të tij.
Allahu i madhëruar njofton në Kuran: “Përkujto kur Ibrahimin e provoi zoti i tij me disa fjalë dhe ai i plotësoi ato atëherë ai i tha: Unë do të bëj ty prijës për njerëzimin” suretu El-Bakara: 124.
Fjala e Allahut [e provoi zoti i tij me disa fjalë] dmth: me disa urdhra dhe ndalesa sepse kjo është praktika e Allahut në lidhje me robtë e tij, i vë në provë për ta dalluar të sinqertin nga gënjeshtari.
Është folur shumë për këto fjalë me të cilat Allahu e provoi Ibrahimin dhe ndoshta përgjigjja më e plotë është ajo që ka dhënë Xhelaludin El-Kasimij (Dijetar i Shamit dhe komentues i kuranit i vdekur në vitin 1332H): Më e saktë për mua në lidhje me kuptimin e këtyre fjalëve është se Allahu e provoi atë me:
1- E provoi atë me islam (për të hyrë në islam i cili është feja e përbashkët e profetëve dhe që është dorëzimi para Allahut dhe refuzimi i shirkut) dhe ai iu dorëzua Allahut Zotit të botëve.
2- E provoi atë me emigrim (hixhret) dhe ai doli nga vendi dhe populli i tij dhe shkoi në Sham duke bërë hixhret për hir të Allahut.
3- E provoi atë me hedhjen e tij në zjarr dhe ai bëri durim.
4- E provoi atë me synetllëk dhe ai e kreu atë.
5- E provoi atë duke i kërkuar therjen e birit të tij dhe ai iu dorëzua vullnetit të Allahut.
Pastaj thotë: Kjo gjë përfitohet nga ndjekja me imtësi e historisë së tij si në Kuran sikurse dhe në Teurat sepse aty është qartësimi i asaj që përmenda dhe zbatimi i tij këto detyra në formën më të plotë; kjo është fjala e Allahut [dhe ai i plotësoi ato].

3- Profetësia pas Ibrahimit -alejhi selam- në mesin e pasardhësve të tij.
Allahu i madhëruar në Kuran thotë: “Ne i dhamë atij (Ibrahimit) Is’hakun, Jakubin dhe i lamë pasardhësit e tij të trashëgojnë profetësinë dhe librin” suretu El-Ankebut: 27.
Ibn Kethiri -Allahu e mëshiroftë- në komentimin e këtij ajeti thotë: Nuk ka ardhur profet pas Ibrahimit veçse prej pasardhësve të tij. Të gjithë profetët e Beni Israilëve janë nga pasardhësit e Jakupit, i biri i Is’hakut, i biri i Ibrahimit derisa erdhi i fundit prej tyre Isa i biri i Merjemes i cili lajmëroi në mesin e tyre ardhjen e një profeti arab, kurejshit, hashimit, vula e gjithë profetëve dhe më i miri i bijve të Ademit në dynja dhe në ahiret të cilin e zgjodhi Allahu nga arabët e pastër, nga pasardhësit e Ismailit birit të Ibrahimit.
Trashëgimi i familjes së Ibrahimit profetësinë dhe librat e udhëzimeve të Allahut e ktheu atë në pikë referimi për ata që erdhën më vonë prandaj dhe në Kuran gjejmë se Allahu porosit për ndjekjen e rrugës së tij:
“Thuaj të vërtetën ka thënë Allahu! Ndiqeni rrugën e Ibrahimit duke njësuar Allahun sepse ai nuk ishte prej mushrikëve” suretu Ali Imran: 95.
“Ne më pas ne të shpallëm ty që të ndjekësh rrugën e Ibrahimit duke njësuar Allahun sepse ai nuk ishte prej mushrikëve” suretu En-Nahl: 123.
Po ashtu edhe sa herë që ndodh ndonjë kundërshtim mes pasardhësve të tij në lidhje me rrugën që duhet ndjekur, gjejmë se Allahu i madhëruar u kujton atyre Ibrahimin siç ka ardhur në shumë ajete psh: “Ata thanë: Bëhuni hebrenj apo të krishterë që të udhëzoheni! Thuaju, jo vetëm se në fenë e Ibrahimit i cili anonte nga njësimi i Allahut dhe nuk ishte prej mushrikëve” suretu El-Bekara: 135.

Tani, pasi përmendem këto karakteristika të Ibrahimit -alejhi selam- për ti dhënë përgjigje pyetjes që shtruam më lart , le të kthehemi edhe njëherë te ajeti që njofton për Qaben si shtëpia e parë e Allahut në tokë:
“Shtëpia e parë e vënë për njerëzit është ajo e Bekës, e bereqetshme dhe udhëzim për mbarë botët”.
Fjala e Allahut [dhe udhëzim për mbarë botët] për Qabenë, e bën atë simbol: të besimit të drejtë, të njësimit të Allahut, të adhurimit të tij sipas mësimeve profetike dhe të refuzimit të idhujtarisë.
Kështu që duhej një njeri që i përshtatej këtyre cilësive dhe askush nuk mund ti përshtatej atyre më mirë sesa Ibrahimi i cili ishte simboli i adhurimit të Allahut një, prijës i mbarë njerëzimit dhe babai i profetëve të tyre pas tij dhe Allahu e di më së miri.

Dr. Abdullah Nabolli

Loading...