Pse janë të rëndësishme tregimet profetike?
Profeti Muhamed -alejhi selam- në fjalët e tij ka tregime ngjarjesh të ndodhura tek popujt e hershëm, të cilët kanë qenë në kontakt me mësimet e profetëve të mëparshëm dhe me librat e tjerë të Allahut, siç gjejmë edhe në Kuran ngjarje të tilla me profetët e Allahut -alejhim selam-.
Këto tregime janë të një rëndësie të veçantë në tre këndvështrime kryesore:
1- Vërtetësi.
2- Përmbajtje.
3- Dobi.
E para: Rëndësia e këtyre tregimeve në lidhje me vërtetësinë qëndron te fakti se këto tregime nuk janë produkt i fantazisë njerëzore që t’a shtyjnë njeriun drejt një bote dhe jete jo-reale, por ato janë ngjarje të vërteta të ndodhura në historinë e hershme.
Ato tregojnë me saktësi se çfarë ka ndodhur në atë periudhë të historisë njerëzore, fare të panjohur ose e njohur por e lënë në harresë, ose e shtrembëruar. Siç thotë Allahu i Madhëruar kur rrëfen historinë e Isait -alejhi selam-:
“إِنَّ هَذَا لَهُوَ الْقَصَصُ الْحَقُّ وَمَا مِنْ إِلَهٍ إِلَّا اللَّهُ وَإِنَّ اللَّهَ لَهُوَ الْعَزِيزُ الْحَكِيمُ”
“S’ka dyshim se këto janë tregime të vërteta. Nuk ka të adhuruar tjetër veç Allahut. Vërtet, Allahu është i Plotfuqishmi dhe i Urti.”
Kjo ngase Allahu i Madhëruar e ka nderuar këtë umet me isnad (ruajtja e zinxhirit të transmetimit dhe përzgjedhja e transmetuesve) në përcjelljen dhe ruajtjen e thënieve profetike.
Dijetari i njohur Hatib El-Bagdadi kur flet për pozitën e shkencës së hadithit, ndër të tjera sjell edhe këto citate të dijetarëve të hadithit:
Ebu Hatim Er-Razi -Allahu e mëshiroftë- thotë: “Nuk ka pasur në asnjë prej umeteve që kur Allahu ka krijuar Ademin -alejhi selam-, njerëz më të besuar në ruajtjen e gjurmëve profetike sesa në këtë umet.”
Muhamed bin Hatim bin El-Mudhaffer thotë: “Allahu i Madhëruar e ka nderuar dhe privilegjuar këtë umet me isnad. Nuk ka asnjë umet tjetër, i vjetër apo i ri qoftë, me isnad të lidhur (të pa shkëputur). Ata në duart e tyre kanë vetëm disa fletë dhe kanë përzier në libra lajmet e tyre. Ata nuk bëjnë dot dallimin mes asaj që ka zbritur në Teurat dhe në Inxhil dhe asaj që u kanë sjellë profetët e tyre, dhe as nuk dallojnë dot ato që kanë futur në libra prej lajmeve të marra nga njerëz jo të besueshëm.”
Ruajtja e isnadit ka bërë që të ruhen fjalët e profetit tonë Muhamedit -alejhi selam-, dhe mes tyre edhe këto tregime të sakta ashtu si kanë ndodhur në të vërtetë.
E dyta: Rëndësia e këtyre tregimeve në lidhje me përmbajtjen qëndron te fakti se ato trajtojnë çështje të ndryshme; të besimit, të adhurimeve, të moraleve të larta, të hallallit dhe haramit, të ruajtjes së porosive të Allahut të Madhëruar dhe ato të shkeljes së tyre.
Të gjitha këto te përcjella nga profetët tek të gjithë popujt, siç thotë Allahu i Madhëruar në Kuran:
“وَإِنْ مِنْ أُمَّةٍ إِلَّا خَلَا فِيهَا نَذِيرٌ”
“Nuk ka pasur asnjë popull që të mos i ketë ardhur paralajmërues.”
Katade, komentuesi i njohur i Kuranit, në lidhje me ajetin e mësipërm thotë: “Çdo popull ka pasur profetin e tij.”
Njerëzit mësuan prej profetëve të Allahut dhe prej librave të Tij dhe kjo gjë ndikoi në jetën dhe veprimet e tyre. Dikush u kap fort pas mësimeve të tyre, dikush më pak, dikush i shkeli ato dhe dikush i luftoi. Kjo bëri që në këto tregime nga njëra anë të shpaloset bukuria e besimit, e devotshmërisë, e pendesës, e durimit, ngadhënjimi i së vërtetës, etj. dhe nga ana tjetër të shpaloset shëmtia e mohimit të Allahut, e shkeljes së porosive të Tij dhe e arrogancës.
Allahu i Madhëruar kur tregon historinë e Jusufit -alejhi selam- me vëllezërit e tij, thotë:
“نَحْنُ نَقُصُّ عَلَيْكَ أَحْسَنَ الْقَصَصِ بِمَا أَوْحَيْنَا إِلَيْكَ هَذَا الْقُرْآنَ وَإِنْ كُنْتَ مِنْ قَبْلِهِ لَمِنَ الْغَافِلِينَ”
“Ne po të tregojmë ty (Muhamed) historinë më të bukur nëpërmjet këtij Kurani të shpallur, ndonëse nuk ke qenë në dijeni më parë.”
Historia e Jusufit -alejhi selam- nuk është quajtur e tillë veçse për shkak të këtyre domethënieve të cilat mishërohen në tregimin e saj, dhe të këtij lloji janë të gjitha tregimet profetike.
E treta: Rëndësia e këtyre tregimeve në lidhje me dobitë që përfitohen prej tyre, qëndron te fakti se në to ka shembuj të mirë për t’u marrë model, ose shembuj të këqij për të mos u përsëritur, ose mundësi meditimi për të nxjerrë mësime prej tyre.
Ebu Hatim Er-Razi -Allahu e mëshiroftë- thotë: “Tregimet e Profetit -alejhi selam- rreth profetëve dhe umeteve të mëparshme janë tre llojesh:
Lloji i parë: Ato që janë sjellë për lavdërimin e disa gjërave të caktuara dhe ka dashur prej këtij ymeti të punojë me to.
Lloji i dytë: Ato që janë sjellë për kritikë dhe ka dashur me to ndalimin e këtij ymeti nga përsëritja e shembullit të tyre.
Lloji i tretë: Ato që janë sjellë për përshkrim dhe ka dashur që ky ymet të nxjerrë mësime prej atyre përshkrimeve.”
Ndjekja e shembullit të mirë apo largimi nga shembulli i keq është shumë i nevojshëm në jetën e çdokujt, sepse veprimet për të cilat janë lënë ato shembuj janë veprime të provuara që u dihet përfundimi. Kështu, kur puna është e mirë dhe me përfundim të mirë atëherë ai shembull duhet ndjekur sepse rruga e tij është rrugë e sigurtë, siç i thotë Allahu i Madhëruar profetit të Tij në Kuran kur e nxit për të ndjekur shembullin e profetëve të tjerë:
“أُولَئِكَ الَّذِينَ هَدَى اللَّهُ فَبِهُدَاهُمُ اقْتَدِهْ”
“Këta janë ata të cilët Allahu i ka udhëzuar në rrugën e drejtë, andaj edhe ti (o Muhamed) ndiq rrugën e tyre.”
Dhe kur puna është e keqe dhe me përfundim të keq atëherë ndjekja e atij shembulli është gabim, sepse nuk është e nevojshme për atë që ka logjikë që për të njëjtin gabim t’a pësojnë edhe të tjerë. Allahu i Madhëruar shpeshherë nxit në Kuran për të nxjerrë mësime nga popujt e ndëshkuar, p.sh. siç thotë në një ajet:
“وَكَمْ أَهْلَكْنَا مِنَ الْقُرُونِ مِنْ بَعْدِ نُوحٍ وَكَفَى بِرَبِّكَ بِذُنُوبِ عِبَادِهِ خَبِيرًا بَصِيرًا”
“Sa e sa brezni kemi shkatërruar pas Nuhut! Të mjafton Zoti yt në lidhje me gjynahet e robëve të Tij si Njohësi dhe Shikuesi më i mirë.”
Imam Kurtubiu në komentimin e ajeteve të tilla thotë se domethënia e tyre është: Pse nuk nxirrni mësime prej atyre që kemi shkatërruar prej popujve të mëparshëm për shkak të përgënjeshtrimit të profetëve të tyre?!
Këto janë dobitë e përgjithshme dhe në këto tregime ka edhe më shumë për të përfituar, sepse siç thamë më lart, ato trajtojnë shumë çështje dhe çdo përshkrim i përmendur ka dobinë e tij.
Dr. Abdullah Nabolli
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve