Përse u dërgua Isai?

Përse u dërgua Isai (alejhi selam)?

Dërgimi i Isait -alejhi selam- me udhëzime të qarta dhe mrekulli të mëdha u bë për shkak të përkeqësimit të gjendjes së Beni Israilëve pas Sulejmanit -alejhi selam- dhe kundërshtimeve të mëdha të tyre.

Në Kuran janë përmendur disa kundërshtime të Beni Israilëve dhe prej tyre janë:

1- Shkelja e udhëzimeve të Teuratit dhe ndryshimi i tij.

Allahu i Madhëruar në Kuran thotë:

فَبِمَا نَقْضِهِمْ مِيثَاقَهُمْ لَعَنَّاهُمْ وَجَعَلْنَا قُلُوبَهُمْ قَاسِيَةً يُحَرِّفُونَ الْكَلِمَ عَنْ مَوَاضِعِهِ

“Për shkak të thyerjes së besës së tyre i mallkuam ata dhe ua bëmë zemrat e ngurta, duke ndryshuar fjalët nga vendi i tyre.” En-Nisa: 155.

Thyerja e besës e përmendur në këtë ajet është shkelja e ligjeve të Teuratit për të cilin ata u kishin dhënë besën profetëve se do t’i përmbaheshin udhëzimeve të tij, ndërsa ndryshimi i fjalëve është ndryshimi i ligjeve të Teuratit.

Ky përshkrim do të thotë se Beni Israilët ligjet e Teuratit herë i shkelnin qartazi e herë i ndryshonin ato në libër që të duket se në veprat e tyre ka përputhje me ligjet e tij, dhe kjo është më e keqja në të cilën ata ranë gjatë kohës së fundit të tyre.

2- Vrasja e profetëve dhe luftimi i besimtarëve të sinqertë.

Allahu i Madhëruar në Kuran thotë:

إِنَّ الَّذِينَ يَكْفُرُونَ بِآيَاتِ اللَّهِ وَيَقْتُلُونَ النَّبِيِّينَ بِغَيْرِ حَقٍّ وَيَقْتُلُونَ الَّذِينَ يَأْمُرُونَ بِالْقِسْطِ مِنَ النَّاسِ فَبَشِّرْهُمْ بِعَذَابٍ أَلِيمٍ

“Ata të cilët mohojnë ajetet e Allahut, vrasin pa të drejtë profetët dhe vrasin ata që urdhërojnë për në të drejtën prej njerëzve, përgëzoi me një dënim të dhembshëm.” Ali Imran: 21.

Në librat e tefsirit thuhet:Kur i vinte shpallja ndonjërit prej profetëve të Beni Israilëve por jo me libër, ngrihej për t’i përkujtuar Beni Israilët dhe vritej. Pastaj ngriheshin njerëz prej ndjekësve dhe besimtarëve të tij për t’i përkujtuar ata dhe vriteshin gjithashtu prej tyre.”[1]

Ky përshkrim tregon se Beni Israilët me kalimin e kohës u shndërruan në armiq të profetëve dhe ndjekësve të tyre, madje në kulmin e armiqësisë duke vënë dorë mbi ta dhe mbi besimtarët e sinqertë.

3- Rreshtimi përkrah idhujtarëve.

Allahu i Madhëruar në Kuran thotë:

تَرَى كَثِيرًا مِنْهُمْ يَتَوَلَّوْنَ الَّذِينَ كَفَرُوا لَبِئْسَ مَا قَدَّمَتْ لَهُمْ أَنْفُسُهُمْ

“Sheh shumë prej tyre duke u miqësuar me ata të cilët kanë mohuar. Sa punë të keqe bënin për vetet e tyre!” El-Maide: 80.

Ky përshkrim tregon për humbje pushteti nga ana e Beni Israilëve në favor të popujve të tjerë idhujtarë të asaj kohe, dhe ata për të ruajtur ndonjë pozitë të tyre miqësoheshin me kundërshtarët qoftë edhe në kundërshtim të fesë apo kundër njerëzve të tyre.

Kjo është gjendja në të cilën përfunduan Beni Israilët para Isait -alejhi selam- duke humbur kështu të gjitha vlerat me të cilat Allahu i Madhëruar i dalloi mes gjithë njerëzve të asaj kohe. Për përmirësimin e kësaj gjendjeje u dërgua Isai -alejhi selam- me udhëzime e mrekulli, i cili – siç thamë – konsiderohet një prej profetëve më të mëdhenj të tyre.

————————————-

[1] Shih ‘Tefsir Muxhahid’: 1/250.