Psikologji profetike: Shpirtrat janë si ushtarët.
Pyetja e parë nga fetvaja me numër 15129, vëll.3, fq. 198.
Ju lutemi na shpjegoni hadithin: “Shpirtrat janë si ushtarët që bashkohen…” deri në fund të hadithit.
Përgjigje: Ky hadith ka ardhur me rrugë të saktë nga Ebu Hurejra i cili përcjell se i Dërguari i Allahut sal-lAllhu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Shpirtrat janë si ushtarët që bashkohen (ndihmohen dhe bashkëpunojnë mes tyre). Ata që përputhen mes veti afrohen, ndërsa ata që nuk pëlqehen largohen.” Transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Në këtë hadith Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem sqaroi se shpirtrat janë krijuar për tu bashkuar apo për tu kundërshtuar, njësoj si ushtritë e organizuara dhe të grumbulluara kur përballen me njëra-tjetrën. Kjo në varësi të lumturisë apo trishtimit që gjendet në to. Trupat e tyre ku gjenden këto shpirtra kur takohen në dynja bashkohen ose ndahen, në varësi të përputhjes apo mospërputhjes që ekziston mes tyre. Për shembull; e shikon të devotshmin dhe të mirin se si anon kah i ngjashmi i tij dhe e do atë. Ndërsa i prishuri pëlqen atë që është si ai dhe anon kah ai, dhe secili prej tyre ikën prej të kundërtit të tij.
Dhe ka përmendur (Ibn Haxheri) në “El fet’h” se Hatabi ka thënë:
“Ka mundësi që kjo të aludojë për përputhjen në mirësi apo ligësi, në rregullim apo prishje. I miri prej njerëzve anon nga ai që është i ngjashëm me të, po ashtu edhe i ligu anon nga i ngjashmi i tij (sh.p. binjaku i tij shpirtëror apo shpirti i tij binjak). Nëse përputhen afrohen, e nëse janë me natyra të ndryshme largohen dhe kundërshtohen.”
Prej Allahut vjen suksesi! Lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi profetin tonë Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij!
Komisioni i përhershëm për kërkime shkencore dhe fetva:
Anëtar: Salih el Feuzan
Anëtar: Abdulaziz Al esh Shejh
Anëtar: Abdullah bin Gudejan
Zëvendës kryetar: Abdurrazak Afifij
Kryetar: Abdulaziz bin Abdullah bin Baz
Dosje: hadith