Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje duhet të ndalemi tek një çështje tjetër që ka lidhje me temën: A ka sëmundje ngjitëse (ose: A ngjiten sëmundjet)?
Ka ardhur një hadith nga Profeti alejhi selam që flet për të dhe thotë: “Nuk ka sëmundje ngjitëse (ose: nuk ngjiten sëmundjet).” Transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Sipas mendimit të shumë dijetarëve ky hadith ka për qëllim mohimin e ngjitjes vetvetiu të sëmundjeve, siç mendonin në kohën e injorancës dhe jo me veprimin e Allahut. Pra, Profeti alejhi selam u ka mësuar atyre se këto sëmundje i ngjiten dikujt se do Allahu dhe jo vetvetiu.
Ky lloj kuptimi shfaqet qartë tek një version tjetër më i gjatë i hadithit, ku Ebu Hurejra radiallahu anhu tregon se një bedevi pasi dëgjoi nga Profeti alejhi selam fjalën e tij “Nuk ka sëmundje ngjitëse”, i tha: “O i dërguar i Allahut! Si është çështja e deveve në shkretëtirë të cilat janë si sorkadhet (të shpejta dhe të shëndetshme). Pastaj kur vjen ndonjë deve me zgjebe dhe hyn mes tyre, i sëmur të gjitha? Profeti alejhi selam i tha: Kush ia ngjiti zgjeben të parës?!” E përcjell Buhariu dhe Muslimi.
Fjala e tij “Kush ia ngjiti zgjeben të parës?!” d.m.th. Ai që ia ngjiti të parës është Ai që ua ngjiti të tjerave, dhe Ai është Allahu.
Profeti alejhi selam nuk ka dashur të thotë se nuk ka sëmundje që ngjiten, por ka dashur të thotë se nuk ka sëmundje që ngjitet vetvetiu pa caktimin e Allahut dhe fuqinë e Tij.
Prej Profetit alejhi selam gjejmë shumë këshilla ku ndalon të bashkohet i sëmuri me të shëndetshmin, dhe ja disa prej tyre:
1- “Largohu prej të zgjebosurit (atij me lebër) siç largohesh prej luanit.” E transmeton Buhariu.
2- Një burrë me zgjebe nga përfaqësuesit e Thekifit të cilët kishin ardhur për t’i dhënë besën Profetit alejhi selam, Profeti i tha: “Zëre se ta dhamë besën dhe kthehu.” E transmeton Muslimi.
3- “Të mos kalojë ai i cili ka deve të sëmura nga ai që ka deve të shëndetshme.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
4- Profeti alejhi selam ka thënë për murtajën: “Nëse dëgjoni se ka rënë në ndonjë vend mos shkoni atje, dhe nëse ka rënë në vendin tuaj mos dilni prej tij.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Tani le të kthehemi tek pyetja: A lejohet ai që është me grip të shkojë në xhami?
Për sa i përket sëmundjeve të rënda ngjitëse, nuk ka dyshim se ndalimi i Profetit alejhi selam që ata të bashkohen me njerëzit e përfshin edhe xhaminë, dhe ja çfarë thonë dijetarët e islamit.
Ibën Rexhebi thotë: Ndalohet nga xhamia personi me zgjebe nga përzierja me njerëzit në xhami apo në ndonjë vend tjetër, për shkak të urdhrit për largimin prej tij.
Kjo që thotë Ibën Rexhebi është ajo që ka përmendur edhe një dijetar tjetër që quhet Kadi Ijad në shpjegimin e Muslimit, dhe ai aty citon se ky është mendimi i disa dijetarëve.
Gripi nuk është prej sëmundjeve të rënda ngjitëse prandaj dhe nuk e gjejmë atë të përmendur në librat e fikhut. Disa studiues bashkëkohorë, kur e përmendin këtë çështje mundohen të bëjnë krahasimin e saj me çështjen e ngrënies së hudhrës dhe të qepës ku për ngrënësit e tyre është ndaluar xhamia. Ata thonë se nëse xhamia është ndaluar për një gjë që nuk është sëmundje por thjesht mundim me anë të erës së tyre, atëherë për një gjë që është sëmundje është më parësore.
Ky lloj arsyetimi duket i pranueshëm sikur të mos ishte fakti se gripi është një sëmundje që ka qenë gjithmonë e pranishme mes njerëzve, dhe nuk gjejmë prej dijetarëve të kenë dhënë një fetva të tillë për të ose të paktën unë nuk di të jetë përmendur në veçanti. Gjithsesi, ata mund të kenë të drejtë, por është e sigurt që njeriu i sëmurë nuk e ka detyrë xhaminë dhe kjo mund të thuhet pa u rezervuar. Profeti alejhi selam thotë: “Ai i cili e dëgjon ezanin dhe nuk i përgjigjet, nuk ka namaz veçse nëse është me arsye.” E transmeton Ibën Maxhe dhe e saktëson sheih Albani. Tek arsyet dijetarët fusin edhe; frikën, shiun, sëmundjen, udhëtimin etj. Allahu e di më së miri!
Shkroi: Dr. Abdullah Nabolli
Të Ngjashme
- Çfarë gjykimi ka këndimi i sures El Fatiha në namazin e xhenazes? Udha e Besimtarëve
- Namazi me xhemat Udha e Besimtarëve
- A lejohet që një person të punojë si haxham (praktikues i hixhames)? Udha e Besimtarëve
- Kush e fal namazin e sabahut është nën mbrojtjen e Allahut Udha e Besimtarëve
- Vlera e faljes së namazit vullnetar në shtëpi Udha e Besimtarëve