Pyetja 1: Cila është shtylla mbajtëse e fesë?
Përgjigja 1: Falja e namazit.
Pyetja 2: Plotëso hadithin: I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Shenja dalluese mes nesh dhe atyre (jomuslimanëve) është namazi…”
Përgjigja 2: “…prandaj kush e braktis atë, ka mohuar.”[1]
Pyetja 3: Cili është përkufizimi i namazit?
Përgjigja 3: Namazi është adhurimi i Allahut me fjalë dhe veprime të caktuara. Fillon me tekbir (thënien Allahu ekber) dhe përfundon me teslim (thënien Esselamu alejkum ue rahmetullah).
Pyetja 4: Sa është numri i namazeve të obligueshme të cilat muslimani duhet t’i falë gjatë një ditë-nate (njëzet e katër orëve), dhe sa rekatë ka secili namaz?
Përgjigja 4: Gjatë një ditë-nate (çdo njëzet e katër orë) muslimani obligohet të falë pesë namaze:
Namazin e mëngjesit (Sabahun) dy rekate.
Namazin e drekës (Ylenë) katër rekate.
Namazin e pasdites (Ikindinë) katër rekate.
Namazin e mbrëmjes (Akshamin) tre rekate.
Namazin e darkës (Jacinë) katër rekate.
Pyetja 5: Cilat janë kriteret që duhet të plotësohen për të qenë namazi i saktë?
Përgjigja 5:
– Ai që falet duhet të jetë musliman.
– Të jetë i saktë mendërisht.
– Të jetë rritur aq sa është i aftë të kuptojë.
– Të ketë hyrë koha e namazit.
– Të largojë çdo papastërti nga trupi, rrobat dhe vendi i faljes.
– Të jetë i pastër (me abdes).
– Të mbulojë auretin (pjesët e trupit që duhen mbuluar).
– Të drejtohet nga Kibla (Qabeja).
– Të bëjë nijet faljen e namazit.
Pyetja 6: Cilat janë farzet (obligimet) e abdesit?
Përgjigja 6:
– Larja e fytyrës, ku bën pjesë dhe shpëlarja e gojës dhe e hundës.
– Larja e duarve dhe parakrahëve, duke përfshirë dhe bërrylat.
– Fërkimi i kokës një herë me duar të lagura.
– Larja e këmbëve duke përfshirë dhe kyçet.
– Ruajtja e radhitjes së veprimeve gjatë larjes së pjesëve të abdesit.
– Vijueshmëria. Të mos e vonojë larjen e ndonjë gjymtyre aq sa të mund të konsiderohet si ndërprerje e marrjes së abdesit.
Pyetja 7: Çfarë e prish abdesin?
Përgjigja 7:
– Çdo gjë që del nga organi gjenital dhe anusi, siç janë; urina, jashtëqitja, gazrat etj.
– Humbja e vetëdijes për shkak të gjumit të thellë apo gjendjes së të fiktit.
– Ngrënia e mishit të devesë.
– Çdo gjë që e bën të obligueshëm marrjen e gusulit[2] natyrisht që prish edhe abdesin.
Pyetja 8: Plotëso hadithin: I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Kush merr abdes dhe pastaj thotë: Esh-hedu en la ilahe il-lall-llah uahdehu la sherike lehu…”
Përgjigja 8: ”… ue esh-hedu en-ne Muhameden abduhu ue resuluhu’, do t’i hapen tetë dyert e Xhenetit që të hyjë nga cila derë të dëshirojë.”[3]
Pyetja 9: Cila sure duhet të lexohet patjetër në namaz?
Përgjigja 9: Surja El Fatiha (Elhamdulilahi Rabbil alemin…).
Pyetja 10: Çfarë themi gjatë namazit kur qëndrojmë në ruku?
Përgjigja 10: “Subhane Rabijel-adhim.”
(I Dlirë nga çdo e metë është Allahu, Zoti im i Madhërishëm.)
Pyetja 11: Çfarë themi gjatë qëndrimit në sexhde?
Përgjigja 11: “Subhane Rabijel-ala.”
(I Dlirë nga çdo e metë është Allahu, Zoti im i Lartësuar.)
Pyetja 12: Çfarë themi gjatë pushimit midis dy sexhdeve?
Përgjigja 12: “Rabi-gfirli, Rabi-gfirli.”
(O Zot më fal mua! O Zot më fal mua!)
Pyetja 13: Çfarë themi gjatë qëndrimit ulur në teshehud?
Përgjigja 13: Themi Et-Tehijatin; “Et-tehijatu lilahi, ues salavatu uet-tajibatu. Ues selamu alen-Nebij ue rahmetullahi ue beraketuh. Es-selamu alejna ue ala ibadilahi salihin. Esh-hedu en la ilahe il-lall-llah, uahdehu la sherike leh. Ue esh-hedu en-ne Muhameden abduhu ue resuluhu.”[4]
Pyetja 14: Çfarë themi pas Et-tehijatit?
Përgjigja 14: Pas Et-Tehijatit themi ‘Salavatet Ibrahimijeh’ :
“Allahume sal-li ala Muhamedin ue ala ali Muhamed, kema sal-lejte ala Ibrahime ue ala ali Ibrahim. Inneke hamidun mexhid. Allahume barik ala Muhamedin ue ala ali Muhamed, kema berakte ala Ibrahime ue ala ali Ibrahim. Inneke hamidun mexhid.”[5]
Pyetja 15: Cilat janë ato katër gjëra prej të cilave besimtari i kërkon mbrojtje Allahut të Madhëruar në mbyllje të namazit, para se të japë selam?
Përgjigja 15: I kërkon mbrojtje Allahut duke thënë: “Allahume ini eudhu bike min adhabi xhehenem, ue min adhabil kabr, ue min fitnetil mah-ja uel memat, ue min sherri fitnetil mesihi dexhal!”[6]
Pyetja 16: Plotëso hadithin: I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Çdo muslimani i cili fal për Allahun e Madhëruar përveç farzeve edhe dymbëdhjetë rekate sunet…”
Përgjigja 16: ”… Allahu do t’i ndërtojë një shtëpi në Xhenet.”[7]
Pyetja 17: Cilat janë dymbëdhjetë rekatet sunet të rëndësishme (rauatib)?
Përgjigja 17: Ato janë:
2 rekate para namazit të sabahut,
4 rekate para namazit të drekës,
2 rekate pas namazit të drekës,
2 rekate pas namazit të akshamit,
2 rekate pas namazit të jacisë.
Autor: Salim bin Sead Tauil
Përktheu: Edmond Ajdini
——————————————————-
[1] E transmeton Tirmidhiu me nr. 2623 dhe Ibën Maxheh me nr. 1079, nga Burejdeh (Allahu qoftë i kënaqur prej tij). Shejh Albani e ka vlerësuar këtë hadith si të saktë, ashtu siç gjendet në librin e tij “Sahihu tergib uet Terhib” me nr. 564.
[2] Gusuli është larja e gjithë trupit për shkak të ejakulimit dhe kryerjes së marrëdhënieve intime.
[3] E transmeton Muslimi me nr. 234.
[4] E transmeton Buhariu me nr. 6230 dhe Muslimi me nr. 402, nga Ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij).
[5] E transmeton Buhariu me nr. 3370 dhe Muslimi me nr. 406, nga Keab bin Uxhrah (Allahu qoftë i kënaqur prej tij).
[6] E transmeton Muslimi me nr. 588.
[7] E transmeton Muslimi me nr. 768, nga Umu Habibeh (Allahu qoftë i kënaqur prej saj).