Për tu sqaruar më mirë që në hyrje të kësaj teme: me raportin burrë grua kam për qëllim raportin bashkëshort – bashkëshorte, duke e studiuar çështjen në këndvështrimin e të drejtave dhe detyrave që ka secili karshi tjetrit dhe sa ndikon zbatimi i tyre në harmoninë e një jete bashkëshortore.
Nisur nga diferenca e gjatë kohore mes nesh sot dhe kohës së Profetit (alejhis selam) dhe gjeneratave të para, ku njerëzit ishin të lidhur fort pas fesë së Allahut, them se ekziston një hendek i thellë mes asaj që Allahu ka ngarkuar secilin prej të dyve dhe asaj që bashkëshortët realisht sot i përmbahen.
Fatkeqësisht në shumë vende – po ashtu dhe në Shqipëri – mbizotëron zakoni, dhe njerëzit zgjedhin nga sheriati islam ajo që u shkon më tepër për shtat, pasionit apo zakonit, duke rënë ndesh direkt me ajetet apo hadithet e sakta. Si rrjedhojë ne, në vend që të zëvendësojmë zakonet shekullore me ato të fesë së pastër të të Lartit (ALLAHUT), por hedhim dhe një shtresë tjetër balte mbi këtë mur të pathyeshëm.
Allahu (i Lartësuar) ka ngarkuar secilin me përgjegjësi dhe detyra.
Së pari: Të drejtat e gruas:
Të drejta që lidhen me pasurinë: mehri (dhuratë e detyrueshme që burri ja jep gruas për martesë: flori, para, veshje etj, gjithësecili sipas mundësisë), shpenzimi dhe vendbanimi.
Të drejta që nuk lidhen me pasurinë si: bashkëjetesa normale, respekti për të, drejtësia mes grave (nëse ka më shumë se një grua), mosbërja dëm asaj etj.
Së dyti: Të drejtat e burrit ndaj gruas:
Burri gëzon shumë të drejta ndaj gruas së tij si: bindja, mundësia për ta kënaqur, moslejimi i futjes në shtëpi të atyre që burri i urren, mosdalja nga shtëpia vetëm se me lejen e burrit, disiplinimi, shërbimi, dorëzimi i vetes atij, bashkëjetesë normale.
Në ditët e sotme rrethanat dhe gjendja ekonomike, e detyrojnë gruan jo rrallë herë të dalë e të punojë, për siguruar jetesën. Kjo e përmbys rregullin që Zoti ia ka përcaktuar secilit: gruaja për shtëpinë dhe burri për punë dhe, bën që të rëndohen përgjegjësitë që bien mbi gruan. Si krijesë e brishtë që është ajo nuk mund t’i perfeksionojë të dyja, aq më tepër kur ka dhe fëmijë e i duhet të kryejë detyrat që ka ndaj secilit sipas moshës së vet. Siç e përmendëm edhe më lartë, burri gëzon shumë të drejta ndaj saj, por dalja jashtë ia bën asaj të pamundur të kryejë gjithë çfarë i kërkohet. Për rrjedhojë prishet dhe harmonia në marrëdhëniet mes tyre dhe lind pyetja se mbi kë bie faji.
Nëse do të thonim mbi gruan, do ta ngarkonim atë kështu me një përgjegjësi të katërt, që sigurisht që nuk do ta mbajë dot dhe do t’i bënim padrejtësi.
Kujtoj këtu se në hadithe të sakta tregohet se Profeti – sala Allahu alejhi ue sel lem – ndihmonte gruan në punët e shtëpisë: Është pyetur Aishja – radija Allahu anha – se çfarë bënte Profeti në shtëpi? Ajo tha: Ishte në shërbimin e njerëzve të shtëpisë, kur thirrej namazi dilte për namaz[1].
Në një transmetim të Ahmedit: “Ishte si të gjithë njerëzit, qepte rrobat e veta, milte bagëtinë, dhe i shërbente vetes”.
Në një transmetim tjetër: “Qepte rrobat e veta, ngjiste nallanet e veta, dhe bënte atë që bëjnë burrat në shtëpinë e vet” edhe pse gratë e tij rrinin në shtëpi dhe nuk dilnin vetëm se për ndonjë nevojë. Po ashtu ka patur dhe gra që ndihmonin burrat në punët e bujqësisë nga nevoja që kishte ai për ndihmë.
Po t’i krahasosh këto realitete me atë të burrave sot, shumë prej tyre u duket se u bie autoriteti po të ndihmojnë gruan, të lajnë enët, të gatuajnë apo të pastrojnë shtëpinë. Madje njerëzit mendojnë se këto janë virtyte të burrave evropianë dhe nuk e kthen njeri origjinën e kësaj tek Islami dhe muslimanët.
Pra duke i sjellë paralelisht pse gruaja sot e ndihmon burrin (kur del dhe punon si ai) dhe burri nuk e ndihmoka dot gruan (?!) them se jemi ndikuar shumë nga brezi para nesh, ku nënat tona dilnin në punë dhe punonin çdo ditë nga në të gdhirë deri në të ngrysur dhe kur ktheheshin në shtëpi fillonte turni i dytë: ai i përkujdesjes së fëmijëve, gatimit, pastrimit dhe mirëmbajtjes së shtëpisë. Dhe shqiptarët si të familjarizuar me këtë fenomen jo vetëm që ecin me të njëjtin zakon, por çuditen se pse ankohen gratë sot!
Përjashtoj këtu rastin kur burri e ndalon gruan të dalë të punojë, rastet më të shumta janë se burri vetë e nxit gruan, apo ia gjen një vend pune për të punuar, sepse do një dorë ndihme, apo ajo gjen punë dhe ai është dakord për këtë sepse ia ka nevojën. Pra gjërat janë bërë paraprakisht me kompromis.
Nga shkaqet e tjera që prishin harmoninë në marrëdhëniet burrë grua është dhe e anasjellta, kur burri punon tërë ditën dhe gruaja në pozicionin shtëpiake. Ka nga këto gra që, ngaqë nuk e vlerëson mundin dhe djersën që derdh i shoqi për të siguruar jetesën, jo vetëm që shpenzon shumë por edhe nuk kënaqet asnjëherë me “kaq pak” sa po i siguron ai për familjen, apo ankohet duke thënë: duam të dalim, të shëtisim, të vizitojmë …etj, gra që gjithmonë janë mosmirënjohëse.
Kjo është përmendur dhe në hadith: Transmetohet nga Ibën Abbasi – radija Allahu anhuma – se ka thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut – sala Allahu alejhi ue sel lem: “Mu tregua Zjarri dhe pashë se pjesa më e madhe e banorëve të tij ishin gra që mohojnë. – I thanë: Mohojnë Allahun? – Ai tha: Mohojnë burrin, mohojnë mirësinë. Sikur t’i bësh mirë ndonjërës prej tyre gjithë jetën, pastaj sheh diçka (të keqe), thotë nuk kam parë prej teje asnjëherë hajër.” (Muttefekun alejhi)
Allahu thotë në Kuranin kerim: “Nga argumentet e Tij, është se ka krijuar nga vetet tuaja bashkëshorte që të preheni tek ato dhe, ka bërë mes jush dashuri dhe mëshirë. Këtu ka argument për një popull që mendon.”
Siç duket qartë nga ajeti, themelet bazë mbi të cilat ngrihet jeta bashkëshortore janë: dashuria dhe mëshira. Mëshira është shenjë e dashurisë dhe ekzistenca e të dyjave sjell mirëkuptim dhe harmoni. Këto duhet të mbijetojnë gjithmonë me çiftin dhe s’duhet të jenë vetëm në fillimet e martesës, ku secilit i duket tjetri i përsosur. Gjithmonë problemet lindin kur vitet kalojnë dhe dalin në pah karakteri i vërtetë dhe mangësitë e secilit.
Allahu ka krijuar çdo gjallesë në çift dhe ka nderuar njeriun mbi të gjitha krijesat. Ai e ka ngarkuar burrin me detyra në përshtatje me fizikun dhe karakteristikat morale të tij dhe e ka ngarkuar gruan me detyra, në përshtatje me fizikun dhe karakteristikat morale të saj. Këto i ka përcaktuar Ai që i di më së miri se si e ka krijuar secilin. Ai është i urtë dhe i gjithëdijshëm. Detyrat dhe urdhrat e Tij duhen zbatuar gjithmonë, nëse duam dhe kërkojmë efektin pozitiv të tyre.
Përgatiti Teuta Xeka
[1] E transmeton Buhariu.
Të Ngjashme
- Edukimi i suksesshëm Udha e Besimtarëve
- Dobitë e dhikrit të mëngjesit dhe të mbrëmjes Udha e Besimtarëve
- Një dijetar si Ibn Tejmije Udha e Besimtarëve
- Rregull i pandryshueshëm: Çdo gjë që përdoret për të kundërshtuar Allahun, ajo ka për tu prishur. Udha e Besimtarëve
- Fjalë të arta nga Ibn Kajim Udha e Besimtarëve