Realiteti i sektit Sufi sipas sheih Albanit

November 6, 2018

 

Pyetësi: Cili është realiteti i propagandës apo tarikatit Sufi? Mbi ç’bazë mbështetet? Dhe a kanë të gjitha tarikatet e Sufive të njëjtin gjykim?

Sheih Albani -Allahu e mëshiroftë- ka thënë: Sufizmi pa dyshim që është një metodologji e veçantë. Origjina e tij ka qenë e lidhur me sjelljen e njeriut në jetë, pastaj evoloi dhe u bë filozofi me idetë e tij karakteristike. Kjo filozofi bie në kundërshtim me shumë prej normave të Islamit dhe ideve të tij. Sufizmi në formën e tij më të lehtë i ngjan murgjërisë që kanë shpikur të krishterët në fenë e tyre dhe që Allahu nuk ua obligoi. Pastaj erdhi Islami i cili e konsideroi të pavlerë murgjërinë në Islam. Ka thënë Profeti -alejhi selam- : “Nuk ka murgjëri në Islam”. Sufizmi në të vërtetë duket si ndikim nga murgjëria që kanë shpikur të krishterët pas së cilës u kapën fort, dhe siç thotë Allahu i Madhëruar: “Ata nuk i’u përmbajtën asaj ashtu siç duhet.”

Disa muslimanë u ndikuan nga murgjëria e të krishterëve dhe u shëmbëllyen me ta, ndërkohë që Profeti -alejhi selam- na ka tërhequr vërejtjen nga diçka e tillë në fjalën e tij kur thotë: “Do të ndiqni rrugën e atyre që ishin para jush pëllëmbë më pëllëmbë dhe hap pas hapi. Edhe nëse hyjnë në strofkën e hardhucës ju do të hyni! Ata thanë: Hebrejtë dhe të krishterët. Ai -alejhi selam- tha: E kush tjetër veç tyre.”

Nga ajo që bënin murgjit e krishterë u ndikuan disa muslimanë dhe i imituan ata, aq sa murgjëria filloi të shfaqte kryet në kohën e Profetit -alejhi selam- . Murgjëria në të vërtetë është diçka në të cilën prehet nefsi i njeriut, e cila anon nga lënia e bukurive të kësaj bote dhe nefsi i’a zbukuron njeriut këtë. Ajo filloi të shfaqet në kohën e Profetit -alejhi selam- tek disa nga shokët e tij.

Prej tyre është ajo çfarë është përcjellë në Sahihun e Buhariut, se Profeti -alejhi selam- vëllazëroi mes Ebu Dardasë dhe Selman Farisiut, një vëllazëri që nuk gjen të tillë në të gjithë botën. Kjo ishte mjet për përforcimin e lidhjes mes Muhaxhirëve dhe Ensarëve, banorëve të Medines. Në mesin e atyre që vëllazëroi Profeti -alejhi selam- ishte Ebu Derda dhe Selman Farisiu ku si rrjedhojë e kësaj vëllazërie ishte shpeshtimi i vizitave. Një ditë erdhi Selman Farisiu tek shtëpia e Ebu Dardasë, hyri, dha selam dhe gjeti gruan e tij, e nuk e pa vëllain e tij Ebu Derdanë.

Atij i bëri përshtypje gjendja e Umu Derdasë dhe paraqitja e saj e leckosur, dhe i tha asaj: “Ç ‘është kjo o Umu Derda?! Ajo tha: Vëllai yt Ebu Derda… ai falet natën dhe agjëron ditën dhe ska më nevojë për dynjanë. Selmani E mbajti të fshehur këtë dhe shumë shpejt Ebu Derda u kthye. Ai nxitoi t’i shtronte ushqim por kur u ul nuk hëngri. Ndërkohë ai (Selmani) e dinte prej Umu Derdasë se ai ishte agjërueshëm. Ebu Darda këmbënguli që ai të hante, kurse ai i tha: Për Zotin, nuk ha derisa të hash edhe ti! Dhe kështu i’a çeli atij agjërimin dhe ai u ul të hante me të. Pastaj i tha atij ato fjalë të cilat i’a miratoi edhe Profeti -alejhi selam-: O Ebu Derda, trupi yt ka hakun e vet, vetja jote ka hakun e vet dhe gruaja jote ka hakun e vet, prandaj jepja secilit hakun e vet! Pastaj shkoi tek Profeti -alejhi selam- dhe i tregoi historinë. Profeti -alejhi selam- tha: Të vërtetën ka thënë Selmani.”

Ebu Derda bëri atë që bëjnë murgjit që është largimi nga gruaja dhe kënaqja me hallallin prej saj, si dhe nga të ngrënët e të pirët vetëm se me masë.

Po në këtë mënyrë u dukën shenjat e saj tek një sahabi tjetër i vogël në moshë por që u edukua me bindjen e Allahut dhe adhurimin e tij, e që është Abdullah bin Amër bin El As -radiallahu anhu-.

Atë e martoi i ati Amër bin Asi me një vajzë nga Kurejshët, dhe pas disa ditësh (nga martesa) e pyeti atë se si po shkonte martesa me birin e tij. Ajo i tha: Akoma s’kemi fjetur në një shtrat bashkë. Domethënë është martuar por s’është martuar, dhe i tregoi Amrit se ai falet natën e agjëron ditën. Natyrisht që Amrit nuk i pëlqeu kjo gjë, dhe shkoi tek Profeti -alejhi selam- të ankohej për birin e tij. Ka thënë Abdullah bin Amër: Më takoi Profeti -alejhi selam- ose më çoi fjalë. – I tha atij: O Abdullah, më kanë thënë se ti falesh natën dhe agjëron ditën dhe nuk u afrohesh grave. Ai tha: Po, kështu kam vepruar o i dërguar i Allahut. Profeti -alejhi selam- i tha: Nefsi (vetja) yt ka hakun e vet, trupi yt ka hakun e vet, gruaja jote ka hakun e vet, miku yt ka hakun e vet… (hadithi është i gjatë dhe e kemi përmendur disa herë).

Fakt është se edhe këtu ka anim nga murgjëria, prandaj Profeti -alejhi selam- e hodhi poshtë këtë gjë me këto lloj zgjidhjesh personale me hadithin e përgjithshëm: “Nuk ka murgjëri në Islam.”

Kjo është më e pakta tek Sufitë. Me kalimin e kohës Sufizmi ka përparuar derisa ka arritur në kufër më shumë se kufri i hebrenjve dhe i të krishterëve së bashku, aq sa kanë arritur deri në panteizëm (besimi se Zoti është gjithçka dhe gjithçkaja është zot). Që do të thotë se nuk ka krijues dhe të krijuar por ato janë një e vetme, siç thonë; materialistët, natyralistët dhe ateistët të gjithë, si komunizmi dhe mentalizmi. Ata thonë se nuk ka tjetër përveç natyrës, por ky panteizëm ku kanë arritur në të vërtetë është më i rrezikshëm sesa ateizmi i hapur.

Kjo pasi ata që e mbështesin argumentohen për të me fakte nga Kurani dhe suneti, kjo natyrisht duke luajtur me argumentet e jo duke i shpjeguar  por duke i ndryshuar ato. Për shembull fjala e Allahut të Madhëruar: “Nuk gjuajte ti kur gjuajte, por Allahu gjuajti.” Ata argumentohen me këtë ajet duke thënë se ai që gjuan është Allahu!! Po Muhamedi, i dërguari i Allahut? Thonë: Muhamedi është një prej shfaqjeve të dukshme të madhështisë së Zotit!! Muslimani nuk duhet të bier preh e atij që quhet Sufizëm, sepse më e pakta dhe më e lehta prej tij është humbje dhe më e keqja është kufër, mohim i të gjitha legjislacioneve qiellore. Këtë përgjigje munda t’i jap kësaj pyetje që lidhet me Sufitë duke ditur se pas kësaj kanë dalë shumë tarikate të njohura, secila me mënyrat, zakonet dhe adhurimet e veta. Asnjëra nga këto nuk është nga Islami.

 

Marrë nga libri ‘Silsilet El-Huda ue En-Nur’, kaseta me nr. 16.

Përgatiti: Teuta Xeka

 

Loading...