Dijetari i madh i Andaluzisë Ebu Abdullah el Kurtubi, Allahu e mëshiroftë (v. 671 H /1273 G), i cili ka përjetuar rënien e qyteteve islame njëri pas tjetrit në Andaluzi, teksa komenton fjalën e Allahut të Lartësuar: “Sa e sa herë një grup i vogël ka mposhtur një grup të madh me lejen e Allahut”. Ai shpreh dhimbjen e thellë për gjendjen e myslimanëve në kohën e tij.
Ai flet me zemër të djegur për dobësinë që i kishte kapluar, për përçarjen mes tyre, për triumfin e armiqve dhe rënien e umetit islam në humbje të njëpasnjëshme, duke thënë:
“Ajeti kuranor nxit për përgatitje, për durim dhe ndjekje të shembullit të atyre që e besuan me sinqeritet Zotin e tyre, e kështu duhet të veprojmë edhe ne.
Por veprat e shëmtuara (gjynahet) dhe qëllimet e prishura e penguan këtë derisa ndodhi që shumica jonë të thyhet para pakicës së armikut, dhe këtë e kemi parë jo një herë, e kjo nuk është veçse për shkak të asaj që kanë bërë duart tona!”
Në Sahihun e Buhariut përmendet se Ebu Derda ka thënë: “Ju luftoni vetëm me veprat tuaja.”
Po në të gjithashtu gjendet hadithi ku Profeti ﷺ ka thënë: “A nuk furnizoheni dhe ndihmoheni (nga Allahu) veçse për shkak të të dobtëve tuaj?”
Por… veprat janë të prishura, të dobëtit janë të lënë pas dore, durimi është i pakët, mbështetja (tek Allahu) është e dobët, dhe devotshmëria është zhdukur!
Allahu i Lartësuar ka thënë: “Bëni durim, tregohuni të qëndrueshëm, qëndroni të gatshëm dhe kini frikë Allahun.” | Al Imran: 200.
“Dhe vetëm tek Allahu mbështetuni.” | Ibrahim: 11.
“Allahu është me ata që kanë devotshmëri dhe bëjnë mirësi.” | En-Nahl: 128.
“Allahu do ta ndihmojë patjetër atë që e ndihmon Atë.” | El Haxh: 40.
“Kur të përballeni me një grup qëndroni të vendosur, dhe përmendeni Allahun shumë që të shpëtoni!” | El Enfal: 45.
Pasi përmend shkaqet dhe kushtet e fitores të cilat janë përmendur në librin e Allahut dhe sunetin e të Dërguarit të Tij ﷺ, përfundon me një pohim rrënqethës:
“Këto janë shkaqet e ndihmës së Allahut, por ato nuk ekzistojnë më mes nesh.
Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi, për çka na ka goditur dhe për atë që kemi humbur!
Nuk ka mbetur nga Islami veçse emri.
Shthurja është bërë e dukshme, padrejtësia është përhapur, udhëzimi është pakësuar.
Armiku ka pushtuar lindjen e perëndimin, tokën dhe detin.
Sprovat janë bërë të rënda, fatkeqësitë të mëdha dhe nuk ka shpëtim përveçse për atë që Allahu e mëshiron!”
Këtu përfundon fjala e Kurtubiut, e nëse kjo ishte gjendja në kohën e tij, atëherë çfarë mund të thuhet për kohën tonë më shumë se shtatë shekuj më vonë?
Ku shirku dhe ateizmi janë përhapur me të madhe, ku shfaqja e gjynaheve është bërë mëse normale, ku dituria fetare është harruar dhe njerëzit janë larguar nga Libri i Allahut dhe suneti i të Dërguarit të Tij ﷺ!
Padrejtësia ka arritur një nivel që të trondit zemrën ndërsa fatkeqësitë që përjeton umeti të lënë pa fjalë.
Prandaj rruga e vetme drejt ndihmës dhe largimit të fatkeqësive është kthimi tek Zoti i qiejve, kapja pas besimit të pastër dhe pas shkaqeve të fitores që Allahu i ka treguar në Librin e Tij dhe të cilat Profeti ﷺ i ka praktikuar në jetën e tij.
Dr. Fatmir Strumi
Dosje: vendet Islame
Të Ngjashme
- A është e vërtetë se shejhul Islam Ibn Tejmije lejon festimin e mevludit? Udha e Besimtarëve
- Vlera e fjalës “nuk e di” në metodologjinë e dijes islame Meshhur Hasen
- Dallimi mes metodolgjisë së Selefëve dhe atyre që erdhën më pas Udha e Besimtarëve
- Fanatizmi dhe ndjekja e verbër Shehul-Islam Ibn Tejmie
- Kush janë Ehli Suneti Udha e Besimtarëve