Besimi i ehli sunetit dhe xhematit është besimi i paraardhësve tanë të mirë. Ai është besimi i saktë që duhet të ketë secili musliman, sepse ai është besimi i të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe i shokëve të tij të nderuar. Ai që i kundërshton në këtë besim e ka ekspozuar veten ndaj dënimit të rëndë të Allahut dhe zemërimit të Tij.
I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thotë për grupacionet që do të ekzistojnë në mesin e muslimanëve, të cilat janë 73 grupe: “Të gjitha do të jenë në zjarr përveç njërit grup, e ai është Xhemati (grupi, kolektivi).” 1
Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e ka përshkruar këtë grup i cili ka shpëtuar nga kërcënimi me zjarr, duke thënë: “Ai i cili është në atë rrugë që jam unë dhe shokët e mi sot.” 2
Ky është një kriter i ehli sunetit dhe xhematit. Ata pasojnë rrugën e të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe të pasardhësve të tij të drejtë, dhe kapen fort pas saj me dhëmballë. Prandaj ata janë grupi i shpëtuar, janë të shpëtuar nga zjarri i Xhehenemit në ditën e gjykimit dhe të ruajtur nga risitë (shpikjet) në fe në këtë botë. Ata janë pala e ndihmuar sepse i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë për ta:
“Do të vazhdojë të ekzistojë një grup nga umeti (populli) im fitimtar derisa të vijë çështja e Allahut, e ata do të jenë të fituar.” 3
Edh-Dhuhur (kjo fjalë gjendet në hadith në tekstin arabisht sh.p.) ka kuptimin e fitores.
Ka thënë Allahu i Madhëruar:
“Kështu Ne u dhamë fuqi atyre që besuan kundër armiqve të tyre dhe ata u bënë ngadhënjimtarët.” |Saf: 14|
“Dhe se ushtritë Tona do të jenë fitimtare.” |Saffat: 173|
Ata do të jenë mbizotërues me fuqi ose me argument.
Ata janë një grup që nuk përçahen dhe për këtë shkak janë quajtur Xhemati (grupi, kolektivi). Allahu i Madhëruar ka thënë:
“Pas së vërtetës ç’gjë tjetër mund të ketë përveçse të gabuarës?” |Junus: 32|
Ata nuk etiketohen me emra të tjerë përveç Islamit, sunetit (rrugës së të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe asaj që të orienton për tek ato të dyja (Islamit dhe sunetit). Ka thënë imam Maliku, Allahu e mëshiroftë:
“Ehlu suneti nuk ka ndonjë emërtim me të cilin njihen; as Xhehmi, as Kaderi e as Rafidi (tre ëmërtimet e fundit janë emra të disa grupeve të devijuara).“
Gjithashtu ai është pyetur për sunetin dhe është përgjigjur:
“Ai është ajo gjë që nuk ka emërtim tjetër përveç sunetit.” Kjo do të thotë që ehli suneti nuk kanë ndonjë emërtim të cilit i përkasin përveç sunetit.
Akides (besimit) së paraardhësve tanë të mirë i është kushtuar një vëmendje e madhe, duke e ruajtur atë me dokumentime dhe duke sqaruar argumentet e saj. Atë akide e kanë shpjeguar shumë nga dijetarët e mëdhenj në libra të shumtë, qoftë në libra të veçantë apo bashkë me tema të tjera. Prej tyre janë librat e titulluar “Suneti” (Es-Suneh), pra “Besimi” të cilët e kalojnë numrin e 250 librave. Prej tyre janë: “Suneti” i Ibn Ebi Asim, “Suneti” i Abdullah ibn Ahmed (imamit të njohur sh.p.), “Suneti” i El-Khalel, “Suneti” i Ahmed ibnul Ferat ebi Mesud er-Razi, “Suneti” i Ismail ibn Esijd el- Medini, “Suneti” i Ibnul Kasim (shokut të Malikut), “Suneti” i Muhamed ibn Selam El-Bejkendi, “Cilësitë dhe kundërpërgjigja ndaj Xhehmive” i Nuajm ibn Hamed, “Suneti” i El-Ethram, “Suneti” i Harb ibn Ismail el Kermeni, “Suneti” i Ibn Ebi Hatim, “Suneti” i Ibn Xherir et Taberi, “Meditimi në botën e fesë” i Ibn Xheririt, “Suneti” i Taberanit, “Suneti” i Ebush-Shejh el-Asbehani, “Suneti” i Ebu-Kasim el-Lelikai, “Suneti” i Muhamed ibn Nasr El- Meruezi, “Besimi i paraardhësve tanë të mirë dijetarëve të hadithit” i Es-Sabunit, “Qartësimi” i Ibn Bettah, “Teuhidi” i Ibn Huzejmes, “Teudihi” i Ibn Mendeh, “Besimi” i Ibn ebi Shejbes, “Besimi” i Ebu Ubejdil-Kasim ibn Selam, “Shpjegimi i Sunetit” i El-Muzejni (shokut të Shafiut), “Shpjegimi i sunetit” i Begauiut, “Shpjegimi i rrugëve të ehli sunetit” i Ibn Shehin, “Argumenti në sqarimin e rrugës së drejtë dhe shpjegimi i besimit të ehli sunetit” i ruajtësit të sunetit Ebul-Kasim El- Esbahani, “Bazat e sunetit” i Ebu Abdilah ibn ebi Zemenejn, “Sheriati” i El-Exhurri, “Besimi i ehli sunetit” i Ebu Bekr el- Ismaijli, “Suneti” i Berbaharit, “Besimi” i Ibn Mendeh, “Besimi” i El-Adeni, “Arshi” i Ibn Ebi Shejbes, “Kaderi” i Ibn Uehbit, “Kaderi” i Ebu Daudit, “Shikimi”, “Të vendosurit në rradhë”, “Zbritja” të Ed-Derakutni (tre të fundit janë libra të tij sh.p.), “Përgjigja e banorëve të Damaskut në lidhje me cilësitë (e Allahut)” i El-Hatib el-Bagdadit, e shumë e shumë të tjerë.
Në këtë mënyrë shkruan ata që erdhën pas tyre prej ehli sunetit, siç janë; librat e Ibn Abdil-Berr, Ibn Kudameh El- Makdesi, Ibn Tejmije, Ibn Kajimi, Edh-Dhehebij, Ibn Kethiri, Muhamed ibn Abdil-Uehab dhe të tjerë përveç tyre. Në to sqarohet besimi i saktë, argumentet e tij dhe zbardhja e dyshimeve të pasuesve të epsheve dhe dëshirave.
Shkëputur nga libri: “Besimi i saktë”.
Shkroi: Abdus-Selam ibën Berxhes AbdulKerijm
Përktheu: Ardit Ulqinaku
————————————————————–
1- Hadithin e ka nxjerrë Imam Ahmedi dhe Ebu Daudi nga hadithi i Muauijes, dhe e ka saktësuar Hakimi, Dhehebiu, Shatibiu dhe të tjerë përveç tyre. Hadithin e ka nxjerrë gjithashtu; Ahmedi, Ibn Maxheh, Ibn ebi Asim nga hadithi i Enesit.
2- Hadithin e ka nxjerrë El-Axhurri në “Esh-Sheriah” nga Abdullah ibn Amr, dhe Taberaniu në “Es-Sagir” dhe në “El-Eusat” nga hadithi i Enes ibn Malikut.
3- Hadithin e ka nxjerrë Buhariu dhe Muslimi nga hadithi i El-Mugirah ibn Shubeh.
Të Ngjashme
- Emrat dhe atributet e Allahut të Madhëruar Udha e Besimtarëve
- Kur pasionet bëhen idhull dhe Zot Ibën Rexheb el Hanbeli
- A mund të ndikojë mësyshi edhe në këtë rast? Emin Bilali
- Si ka mundësi që Allahu ua jep dynjanë jobesimtarëve?! Emin Bilali
- Cilat ishin fjalët e fundit që tha Profeti para se të largohej nga kjo botë? Udha e Besimtarëve