Rëndësia e hytbes së xhumasë

Rëndësia e hytbes së xhumasë

 Hytbja vazhdon të mbetet një nga mjetet më ndikuese në përhapjen e thirrjes Islame, për këtë arsye ajo zë një vend të veçantë në ndikimin e përhapjes së thirrjes dhe kumtimin e saj, që në kohën kur filloi të përhapej mesazhi muhamedan.

Sekreti qëndron në faktin se hytbja është gjëja më e shpejtë që kuptojnë njerëzit e thjeshtë dhe lë gjurmë të mëdha duke ndikuar tek të gjithë. Veç të tjerash ajo zotëron ndikim të shpejtë dhe drejtpërdrejt në drejtimin e mendimit të shumicës. Për këtë arsye hytbja e xhumasë duhet të realizojë qëllimet e mëposhtme:

1- Këshillimin dhe përkujtimin për Allahun, ditën e fundit dhe idetë që ngjallin zemrat, pa lënë mënjanë thirrjen në gjërat e mira, urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja.

2- T’u mësojë muslimanëve të vërtetat rreth fesë së tyre nga libri i Allahut dhe Suneti i Profetit (SalAllahu alejhi ue selem), duke i kushtuar

një rëndësi të veçantë besimit të pastër larg nga legjendat, ruajtjen e adhurimit nga depërtimet e bidateve, ruajtjen e moraleve dhe normave nga shmangiet dhe gjërat e neveritura.

3- Korrigjimi i mendimeve të gabuara rreth Islamit duke iu kundërvënë dyshimeve dhe kotësive që publikohen nga armiqtë e Islamit, të cilët kanë si qëllim çoroditjen e mendimeve duke përdorur metoda bindëse, larg injorimeve dhe sharjeve. Pra, duhet t’u bëjmë ballë mendimeve shkatërruese duke parashtruar Islamin e vërtetë.

4- Kërkohet që hytbja të ketë lidhje me jetën dhe aktualitetin që jetojnë njerëzit, gjithmonë të jetë në shërbimin e kurimit të sëmundjeve shoqërore, duke parashtruar zgjidhjen konkrete të problemeve sipas dritës së Legjislacionit Islam.

5- Shfrytëzimi i rasteve të volitshme Islame, siç është muaji i Ramazanit, haxhi, sprovat dhe fatkeqësitë e ndryshme e gjëra të tjera, të cilat u interesojnë dëgjuesve dhe kërkojnë që të hidhet sadopak dritë në kuptimin e tyre.

6- Të rrënjosë tek ata kuptimin e saktë të Vëllazërisë Islame dhe solidaritetin e umetit të tij, duke luftuar çdo lloj fanatizmi, racizmi apo medhhebizmi të sëmurë, e shumë gjëra të tjera, të cilat e përçajnë unitetin e umetit. Nga ana tjetër t’u kushtojë rëndësi gjërave që e mbajnë të lidhur me muslimanët, pra, duhet të lidhet mendërisht dhe shpirtërisht me vëllezërit e tij muslimanë.

7- Kërkohet që hytbja të jetë larg shndërrimit të saj në vend ku bëhen reklama apo sharje ndaj një personi. Ajo duhet të jetë e pastër vetëm për Allahun e Madhëruar, kumtimin dhe lartësimin e fesë së Tij. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Xhamitë i janë kushtuar vetëm Allahut, prandaj mos iu lutni askujt, krahas Allahut!” (Sure Xhin, 18.)

[Hytbet e Xhumasë]

Përktheu Fatjon Isufi