Rëndësia e çështjeve të vogla të fesë.
Allahu i Madhëruar kur i ka përmendur dijetarët në Kuran, për t’u treguar se si duhet të jenë në lidhje me dijen e tyre, ka thënë:
“Por jini edukatorë të asaj që keni nxënë prej dijes së Librit dhe të asaj që mësonit.” Sure Al Imran: 79.
Për domethënien e fjalës edukator të përmendur në këtë ajet është folur shumë, por një nga më spikaturit është një komentim i përmendur nga Buhariu në librin e tij të saktë, i cili thotë: “Janë ata të cilët i edukojnë njerëzit me çështjet e vogla të dijes para të mëdhave.”
Mendimi i këtij dijetari në lidhje me domethënien e këtij udhëzimi është shumë i hollë, sepse ai është kapur pas domethënies së fjalës edukator. Kjo sepse fjala edukator thuhet për një njeri i cili do shpëtimin e të tjerëve, u mëson atyre atë që u duhet dhe i edukon me praktikë.
Domethënia e fjalës edukator te ky dijetar e bën të nevojshëm shkallëzimin e përmendur prej tij, sepse çështjet e vogla të dijes kanë disa karakteristika:
1- Çështjet e vogla janë bazë për çështjet e mëdha.
Nuk mund të ndërtohet ndonjë dije e cila konsiderohet e madhe apo fryt i dijes, pa kaluar tek të voglat të cilat janë elementaret e dijes apo baziket e saj.
Bazike për dijen e fesë është besimi në Allahun dhe adhurimi i Tij i vetëm, prandaj dhe pesë shtyllat e Islamit janë baza e fesë. Mbi këto shtylla ndërtohen degëzimet e fesë dhe arrihen frytet e mëdha të saj. Kush nuk e ndërton fenë e tij mbi këto baza të përhershme dhe bazike, nuk do t’i vlejnë atij degëzimet e mëdha dhe për pasojë nuk ka shpëtim.
2- Pa çështjet e vogla nuk kuptohen çështjet e mëdha.
Në asnjë dije nuk kalohet tek të mëdhatë pa kaluar tek të voglat, sepse moskuptimi i të voglave do jetë pengesë për kuptimin e të mëdhave. Ai që nuk i ka kuptuar mirë të voglat ka për të gabuar në qëllimin e të mëdhave, domethënien e tyre, kohën e tyre etj.
Porositë e brezit të parë ishin gjithmonë: U flisni njerëzve me aq sa kuptojnë! Mos doni të përgënjeshtrohet Allahu dhe profeti i Tij?
Apo rregulli i sheriatit thotë: Kush e shpejton një gjë pa i ardhur koha do të ndëshkohet me pengimin e saj.
Prandaj, dijetari edukator nuk mund ta fillojë me të mëdhatë përderisa pengesa e tyre është kuptimi i të voglave.
3- Rreth çështjeve të vogla është puna e përditshme.
Të voglat në përgjithësi janë të arritshme dhe të mundshme dhe prandaj janë të përditshme, ndërsa të mëdhatë herë mund të jenë të arritshme dhe të mundshme e herë jo, në varësi të asaj që njeriu do arrijë të realizojë prej të voglave, që do të thotë se puna me të mëdhatë do të jetë kur ato të jenë të mundshme.
Detyrat e përditshme në fe janë: Pesë shtyllat e Islamit, hallalli dhe harami, morali, marrëdhëniet mes njerëzve etj. Ndërsa detyra që kërkohet kur të jetë e mundshme është ngritja e pushtetit të fesë.
Dijetari edukator nuk mund ta fillojë edukimin veçse me ato që janë punë të përditshme dhe të mundshme, dhe jo me punët e rrallat e të pamundura. Përndryshe, njerëzve do t’u ikin shumë detyra dhe do të ngarkohen me përgjegjësi para Allahut të Madhëruar.
4- Çështjet e vogla pastrojnë shpirtin dhe nijetin.
Që dija të ketë dobinë e saj duhet pastruar shpirti dhe nijeti me të voglat, sepse njerëzit në përgjithësi janë të barabartë dhe nuk hyn tek ato fama dhe ambicia. Ndërsa tek të mëdhatë njerëzit dallojnë dhe janë të rrallë ata që i mbajnë ato. Nëse ata nuk e kanë pastruar nijetin me të voglat që dijen ta zotërojnë për punë dhe praktikë, do të kërkohet me të mëdhatë fama dhe pozitat e kësaj bote dhe nuk do t’iu vlejë ajo dije.
5- Ai që nuk i mban dot çështjet e vogla nuk mund t’i mbajë as çështjet e mëdha.
Çdo dije ka peshën e saj e cila rëndon mbi atë që do ta mësojë. Nëse njeriu nuk e mban dot të voglën, qoftë nga ana logjike ashtu edhe nga ana praktike, nuk mund t’i mbajë ato që janë në peshë më të rënda se ato. A nuk e ke parë profetin Muhamed -alejhi selam- kur i tregonte Muadhit -radiallahu anhu- se si t’i ftonte në fe banorët e Jemenit? Ai i tha ta fillonte me besimin pastaj me punët praktike sepse besimi është çështje zemrash, dhe ato në këtë këndvështrim janë më të lehta se punët praktike të cilat duan forcë dhe vullnet.
Në lidhje me çështjen e edukimit dhe të edukatorëve mund të thuhet shumë, por po mjaftohemi me kaq për të treguar se pse dija duhet të fillohet me çështjet e vogla e jo me çështjet e mëdha.
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve