Rregullat e Kurbanit

Në emër të Allahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti

Gjithë falënderimet dhe lavdërimet janë për Allahun. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi profetin tonë Muhammed, familjen e tij dhe mbi të gjithë shokët e tij.

1- Me kurban kuptojmë atë që therret prej kafshëve në ditët e Kurban Bajramit për shkak të festës, për t’u afruar tek Allahu.

2- Shejkhul-Islam Ibën Tejmijjeh (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kurbanet janë nga simbolet më të mëdha të Islamit, që është Kurbani i njohur në të gjitha vendet, kurbani i atyre që pohojnë namazin, që është prej fesë së Ibrahimit, dhe Allahu na urdhëroi të pasojmë fenë e tij (Ibrahimit).” (Mexhmu’ul-Fetaua 23/161)

Kurbani është i ligjshëm me argumente të sakta dhe të njohura nga Sunneti, me fjalët e  profetit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) dhe me veprën e tij.

3- Dijetari i njohur Esh-Shenkijti (Allahu e mëshiroftë) thotë në librin e tij (Edh’ual-Bejan 5/619): “Shumica e dijetarëve prej sahabëve dhe atyre që erdhën më pas, janë të mendimit se Kurbanet janë Sunnet dhe jo Uaxhib (detyrë).”

Ibën Hazmi (Allahu e mëshiroftë) thotë në librin e tij (El-Muhal-la 6/10, çështja me nr. 973): “Nuk ka ardhur nga ndonjë burim i saktë, se ndonjë nga sahabët ka thënë se Kurbanet janë detyrë.”

4- Kurbani është i ligjshëm edhe për udhëtarin. Këtë e kanë thënë shumica e dijetarëve, duke iu referuar hadithit të Theubanit (Allahu qoftë i kënaqur me të), i cili thotë: “I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) therri Kurbanin e tij dhe tha: O Theuban! Ma rregullo këtë mish. Dhe unë vazhdova t’i japë prej atij mishi derisa mbërriti në Medine.” (E transmeton Muslimi me nr.1795)

5- El-Hafidh Ibën Abdul-Berr (Allahu e mëshiroftë) thotë në veprën e tij “El-Istidhkar: “Nuk ka ardhur nga ndonjë burim, ku të thuhet se profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) e la Kurbanin. Aq më tepër që ai e nxiti atë, prandaj kush ka mundësi nuk duhet ta lëjë atë.”

6- Kafshët me të cilat bëhet Kurbani sipas mendimit unanim të të gjithë dijetarëve janë këto katër lloje:

Devetë, lopët, delet dhe dhitë, meshkuj dhe femra.

Kush bën Kurban me diçka tjetër përveç këtyre kafshëve atij nuk i mjafton për Kurban. Imam En-Neueuij (Allahu e mëshiroftë) ka thënë, se ka prej dijetarëve që kanë komunikuar Ixhmain (mendimin unanim) e dijetarëve se nuk mjafton asgjë tjetër përveç këtyre që përmendëm.

7- Nga këto katër lloje kafshësh më e mira është të therren: Devetë, pastaj lopët, pastaj delet, pastaj dhitë. Pastaj shtatë veta një deve dhe shtatë veta një lopë. Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve të të parëve tanë të mirë dhe i atyre që erdhën më pas.

8- Sipas shumicës së dijetarëve është e lejueshme që të marrin pjesë në një deve ose në një lopë shtatë veta për Kurban, çdokush për veten e tij. Argument për këtë është krahasimi me kurbanin në Haxh, sepse të gjitha janë kurbane dhe koha e therrjes së tyre është një.

9- Më e mira është të bëhet Kurbani me një dele të plotë. Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve. Ngaqë gjëja më e madhe që synohet me Kurbanin është derdhja e gjakut, për t’u afruar tek Allahu i Lartësuar, dhe ai që bën Kurban një dele është afruar tek Allahu me të gjithë gjakun. (Shiko: “El-Mugnij” 13/336, dhe “El-Mexmu’” 8/368)

10- Një dele ose një dhi mjafton për një burrë dhe familjen e tij, dhe për një grua dhe familjen e saj. Si dhe nga një prej vëllezërve që janë në një shtëpi të vetme për të gjthë pjesëtarët e shtëpisë.

El-Kadhi Ijadh (Allahu e mëshiroftë) thotë në librin e tij “Ikmalul-Mu’lim” 6/413:

“Të gjithë dijetarët e vendeve janë të mendimit se burri bën një Kurban për veten e tij dhe për pjesëtarët e shtëpisë së tij, dhe ata e shoqërojnë atë në këtë Kurban.”

Por, kush janë pjesëtarët e shtëpisë së burrit?

El-Kadhi Ijadh (Allahu e mëshiroftë) ka përmendur në librin e tij “Ikmalul-Mu’lim” 6/414, tre rregulla tek Medh’hebi Maliki:

I pari: Që ata të jenë prej të afërmve të tij ose prej atyre që janë në gjykimin e tyre si gruaja.

I dyti: Të jenë nën kujdesjen e shpenzimeve të tij në formë të detyrueshme ose vullnetare.

I treti: Të banojnë bashkë me të dhe jo thjesht të flenë tek ai.

11- Kurbani më i mirë prej deleve është ai që përputhet me kurbanin e profetit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) në të gjitha anët, pastaj ai që është më afër.

12- Më e mira është që një burrë të bëj Kurban për veten dhe pjesëtarët e shtëpisë së tij një dele të vetme.

13- Kurbanet, përsa i përket moshës ndahen në dy lloje:

Lloji i parë; Devetë, lopët dhe dhitë, për këto dijetarët kanë thënë se deveja duhet të ketë mbushur pesë vjeçe dhe të ketë hyrë në gjashtë, lopët të kenë mbushur dy vjeç dhe të kenë hyrë për tre dhe dhitë të jenë mbi një vjeç.

Lloji i dytë: Delet, që duhet të jenë gjashtë muaj e lartë, në bazë të mendimit të dijetarëve në përgjithësi.

14- Është fiksuar se profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Katër lloje kafshësh nuk quhen në Kurbane: Ajo që është qorre dhe duket qartë, ajo që është e sëmurë me sëmundje të qartë, çalamanja që duket qartë dhe e trasha që nuk ka tru.” (E transmeton Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesai dhe Ibën Maxheh).

15- Dijetarët kanë rënë dakord se dita e parë për therrjen e Kurbanit është dita e dhjetë e muajit Dhul-Hixh-xheh, pas namazit të festës. Ndërsa therrja e Kurbanit para namazit për ata që ndodhen në vendin e vet dhe jo larg fshatrave dhe qyteteve, nuk mjafton si Kurban. Sepse profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Kush ther (Kurbanin) para namazit, le të përsërisë në vend të tij një tjetër (kurban).” (E transmeton Bukhariu me nr. 5562 dhe Muslimi me nr. 1960)

Kjo është koha më e mirë për Kurban, se kështu veproi profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të). Ndërsa ata që ndodhen larg fshatrave dhe qyteteve, ata të  presin pas lindjes së diellit, aq sa mjafton për kryerjen e namazit të festës dhe hytbes dhe më pas të therrin Kurbanet e tyre.

Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve.

16- Koha e fundit për therrjen e Kurbaneve është:

Perëndimi i diellit të ditës së dytë të ditëve të Teshrikut.

Pra ditët e Kurbanit janë tre:

Dita e festës dhe dy ditë pas saj. D.m.th.: Dita e dhjetë, dita e njëmbëdhjetë dhe dita e dymbëdhjetë deri në perëndimn e diellit të kësaj dite.

Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve prej të parëve tanë dhe i atyre që erdhën më pas.

17- Më mirë është që Kurbani të therret ditën, sepse kështu veproi profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të). Por është e lejueshme të therret edhe natën, sipas mendimit të shumicës së dijetarëve.

18- El-Kurtubij (Allahu e mëshiroftë) thotë në Tefsirin e tij 12/32:

Shumica e dijetarëve janë të mendimit se është e pëlqyeshme që një të tretën ta japë sadaka, me një të tretën të ushqejë të tjerët dhe një të tretën ta hajë ai me familjen e tij.”

Gjithashtu Imam Ibën Kudame (Allahu e mëshiroftë) në librin e tij El-Mugnij 13/380,  ka thënë se është e pëlqyeshme ndarja e Kurbanit në tri pjesë, sepse ky është mendimi i Ibën Mes’udit dhe Ibën Umerit, dhe nuk dimë ndonjë që i kundërshton ata nga sahabët, prandaj është Ixhma’.

19- Kurbanet që therren janë dy lloje:

Lloji i parë: Devetë.

Sunneti është që ato të therren në palcë, duke qenë në këmbë dhe të lidhura.

Lloji i dytë: Lopët, delet dhe dhitë. Këto është e pëlqyeshme që kur të therren të shtrihen në krahun e tyre të majtë dhe pastaj të therren.

Dijetari i nderuar Ibën Kasim (Allahu e mëshiroftë) thotë në librin e tij “Er-Raudhul-Murbi’ 4/226”: “Muslimanët kanë rënë dakord për shtrirjen e deles dhe të lopës gjatë therrjes”

20- Më e mira është që Kurbanin ta therri ai që e bën atë me duart e veta, sepse kështu veproi profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të).

21- Ka ardhur në hadithin e Enes ibën Malik (Allahu qoftë i kënaqur me të), se profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) kur therri Kurbanin e tij: “Përmendi emrin e Allahut dhe madhëroi Allahun.” (E transmeton Bukhariu me nr. 5565 dhe Muslimi me nr. 1966)

Në një transmetim të Muslimit ka ardhur: “Të thotë Bismilah Allahu Ekber

22- Është e pëlqyeshme që gjatë therrjes Kurbani të jetë në drejtim të Kiblës. Ibën Kasim (Allahu e mëshiroftë) ka përmendur në “Er-Raudhul-Murbi’ 4/226” Ixhmain për këtë. Mirëpo kush nuk e therr drejt Kiblës, atij i quhet dhe e ka të lejuar ta hajë.

23- Kur të fillojnë dhjetë ditët e para të muajit Dhil-Hixheh, ai që do të bëj Kurban, e ka të ndaluar të heqë diçka prej flokëve, thonjve dhe lëkurës së tij derisa të therrë Kurbanin. Argument për këtë është hadithi i Umu Selemes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj), se profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Kur të hyjnë dhjetë ditët dhe ndonjëri prej jush dëshiron të bëj Kurban, të mos heqë asgjë prej flokëve dhe lëkurës së tij.” (Transmeton Muslimi me nr. 1977)

Koha e ndalesës së heqjes së flokëve, thonjve dhe lëkurës, fillon që nga perfundimi i diellit të ditës së parë të muajit Dhil-Hixheh dhe mbaron me therrjen e Kurbanit, njësoj nëse e therr Kurbanin në ditën e festës, në ditën e parë apo në ditën e dytë të ditëve të Teshrikut.

Përgatiti: Bledar Ali