Rregullat e mes’hit mbi meste dhe mbi çorape

Rregullat e mes’hit mbi meste dhe mbi çorape.

Falënderimet i takojnë Allahut dhe gjithë përshëndetjet janë mbi Pejgamberin tonë, familjen dhe shokët e tij! Ky është një përshkrim i shkurtër rreth rregullave të mes’hit mbi meste ku kam përzgjedhur çështjet që i kanë argumentet më të sakta. Lus Allahun të më japë sukses dhe sinqeritet!

Përkufizimi i mes’hit.

Mestet janë veshje të holla lëkure që vishen në këmbë. Shumësi i tyre është hifafe.
Ndërsa në aspektin fetar mes’hi është të mbulosh këmbët me meste apo diçka tjetër deri në zogun e këmbës.
Mesteve u bashkagjiten në gjykim edhe çorapet prej leshi, prej pambuku apo të ngjashme me to.
Mes’hi është prekja me dorë të lagur dhe kalimi mbi to.

Gjykimi mbi mes’hin.

Mes’hi është i legjitimuar nga Kurani, nga suneti mutevatire dhe nga konsensusi i dijetarëve musliman. Kush i ka veshur mestet është më e pëlqyeshme t’u japë mes’h mesteve sesa t’i lajë ato. E kush nuk i ka veshur mestet, larja e këmbëve është më parësore sesa dhënia mes’h. E kjo është dhe mënyra që ka ndjekur vetë Pejgamberi (alejhi selam).

Argumentet për ligjërimin e mes’hit.

1- Fjala e Allahut: ”O ju besimtarë! Kur doni të falni namaz lani fytyrën dhe duart deri mbi bërryla, kurse kokën fshijeni me dorë të lagur, lani edhe këmbët deri në nyje.” Surja El-Maide; 6.
Te fjala e Allahut; ”… edhe këmbët deri në nyje” ka dy lexime të sakta nga Pejgamberi (alejhi sela) prej shtatë leximeve të Kuranit.
E para: Lidhësja me fjalën (ue uxhuhekum) në rasën kallëzore nënkupton larjen. E dyta: është në rasën gjinore me (bi ruusikum) që nënkupton mes’hin mbi meste dhe jo larjen, siç dëshmon për të suneti i Pejgamberit (alejhi selam).

2- Transmeton Mugira Ibnu Sheube se kur Pejgamberi (alejhi selam) mori abdes ai u ul t’ia hiqte mestet, por Profeti i tha: ”Lëri ato sepse i kam veshur të pastra.” – pastaj u dha atyre mes’h. Transmeton Buhariu me nr. 206, dhe Muslimi me nr. 274.
3- Konsensusi i dijetarëvë musliman për legjitimitetin e mes’hit.

Kushtet e mes’hit mbi meste.

Mes’hi ka katër kushte:

Kushti i parë: Të jenë mestet të veshura kur këmbët janë të pastërta. Argument për këtë është fjala e Pejgamberit (alejhi selam) për Mugira Ibnu Sheube: ”Lëri ato sepse i kam veshur të pastra.”
Kushti i dytë: Të jenë mestet e pastërta, e nëse janë të pista nuk lejohet t’u japësh mes’h. Një ditë Pejgamberi (alejhi selam) po falej me shokët e tij dhe kishte veshur nallane të cilat i hoqi gjatë namazit. Ai tha se Xhibrili e lajmëroi se në to kishte papastërti. Transmeton Ebu Daudi; 650.
Kjo tregon se nuk pranohet namazi kur në to ka papastërti, sepse nëse i jep mes’h personi e prek papastërtinë me dorë dhe përlyhet dora dhe rrobat.
Kushti i tretë: Të jepet mes’hi kur pastrohesh nga papastërtia e lehtë dhe jo kur bëhesh xhunub apo çfarë e bën të detyrueshëm gusulin. Nga Safuan Ibnu As-Sali (Zoti qoftë i kënaqur prej tij) transmetohet: ”Kur ishim udhëtarë Pejgamberi (alejhi selam) na urdhëroi të mos i heqim mestet tre ditë dhe tre netë, përveç nëse bëhemi xhunub. Pra jo nga gjumi, urina dhe jashtëqitja.” Transmeton Tirmidhiu me nr. 96, Nesaiu me nr. 126, Ibnu Maxheh me nr. 478.
Kushti i katërt: Të jetë sipas kohës së përcaktuar në argumentet fetare; Një ditë dhe një natë për vendasit dhe tre ditë dhe tre netë për udhëtarin. Transmetohet nga Aliu (Zoti qoftë i kënaqur prej tij) se ka thënë: ”Pejgamberi (alejhi selam) e caktoi mestin për vendasin një ditë dhe një natë, ndërsa për udhëtarin tre ditë e tre netë. Kjo për mes’hin mbi meste”. Tansmeton Muslimi me nr. 276.
Mes’hi fillon direkt me prishjen e parë të abdesit, dhe vazhdon 24 orë për vendasin dhe 72 orë për udhëtarin.

Çështje të rëndësishme rreth mes’hit:

1- Shumica e dijetarëve janë të mendimit se mes’hi nuk është i saktë kur çorapja apo këpuca është poshtë nyjes së këmbës. Kjo është më e sakta prej dy fjalëve të dijetarëve.
2- Dijetarët kanë kundërshtime në saktësinë e mesteve të grisura. Shejhul Islam Ibën Tejmija dhe shejh Uthejmini janë të mendimit se mes’hi është i saktë përderisa ajo mbulon pjesën më të madhe të këmbës, dhe kur kepuca është e saktë të vishet dhe ecet mbi të.
3- Dijetarët kanë rënë në kundërshtim nëse duhet t’u japësh mes’h çorapeve të holla. Një grup prej dijetarëve prej tyre Ibën Uthejmini, mendon se lejohet t’i jepet mes’h nëse është e mundur ecja mbi to.
4- Nëse i vesh në vendbanim e më pas udhëton, i mban veshur aq sa duhet t’i mbajë udhëtari.
5- Kur i vesh mestet në udhëtim pastaj nuk udhëton i mban mestet të veshura kohën e vendaliut.
6- Nëse ka veshur meste apo çorape pastaj vesh të tjera mbi to para se të prishë abdesin, i jep mes’h cilës të dëshirojë prej tyre.
7- Nëse merr abdes dhe vesh meste apo çorape, pastaj e prish abdesin dhe vesh çorape të tjera mbi to, mes’hi është i saktë mbi çorapet që janë veshur me abdes dhe jo mbi ato që janë veshur pa abdes.
8- Nëse i vesh mestet apo çorapet e pastra dhe e prish abdesin, pastaj merr abdes dhe jep mes’h e vesh çorape të tjera, i lejohet të japë mes’h mbi to duke llogaritur kohën kur ka dhënë mes’hin mbi çorapet e para. Ky është mendimi i shejh Uthejminit.
9- Kur vesh çorape mbi çorape apo meste mbi meste me abdes dhe pastaj u jep mes’h. Pastaj i heq njërën palë mes’hi dhe vazhdon mbi ato të tjerat. Shejh Uthejmini e ka përkrahur këtë mendim.
10- Cilido që jep mes’h pastaj i heq ato, abdesi i tij është i rregullt por nuk ka mes’h. E nëse merr abdes duhet t’i lajë patjetër këmbët pasi abdesi i tij konsiderohet i prishur. Ky është mendimi i Ibën Tejmijes, dhe gjithashtu e ka përzgjedhur atë edhe Shejh Uthejmini (Allahu i mëshiroftë).
11- Kujt i mbaron koha e mes’hit dhe nuk e ka prishur abdesin, atij i lejohet falja përderisa është me abdes. Ky është mendimi i përzgjedhur nga Ibën Tejmije dhe Ibën Uthejmini (Allahu i mëshiroftë).

Si jepet Mes’hi mbi meste

Mes’hi jepet mbi kurrizin e këmbës të mbuluar me meste dhe që lahet gjatë abdesit, dhe jo pjesa e poshtme e këmbës. Argument për këtë është fjala e Aliut (Allahu qoftë i kënaqur prej tij): ”Po të ishte feja duke vënë gjykatës logjikën, do t’i jepej mes’h shputës së këmbës dhe jo kurrizit të saj.” Transmeton Ebu Daudi me nr. 162, dhe e ka saktësuar shejh Albani.

Përgatitur nga as. dr. Hamed Bin Muhamed El-Haxhiri.
Kryetar i katedrës së fikhut dhe politikës së Sheriatit në Universitetin e Kuvajtit.
Më 21 Dhil Hixheh 1434, që i korrespondon 26.10.2013.

Përktheu: Ajran Gazidede