Rregullat e përsosura në lidhje me emrat e mirë të Allahut dhe cilësitë e Tij të larta – (2)

March 4, 2008

 

 

 Rregullat e përsosura në lidhje me emrat e mirë të Allahut dhe cilësitë e Tij të larta – (2)

 

Rregulli i dytë: Emrat e Allahut janë simbole emërtimi dhe cilësi. Janë simbole emërtimi nëse i shohim në aspektin se ato tregojnë për qenien e Allahut, ndërsa janë cilësi në aspektin e kuptimeve specifike që bartin. Sipas aspektit të parë janë sinonime të njëri tjetrit sepse tregojnë për të njëjtin të emërtuar: Allahun, ndërsa sipas aspektit të dytë janë të ndryshëm nga njëri tjetri sepse secili tregon një kuptim të veçantë të ndryshëm nga tjetri. P sh,: el Haju (i Gjalli), el Alim (i Dijshmi), el Kadir (i Gjithëfuqishmi), es- Semiu (Dëgjuesi i gjithçkaje), el Besiru (Shikuesi i çdo gjëje), er RRahmanu (i Gjithëmëshirshmi), er Rahimu ( Mëshiruesi), el Azizu (më Krenari), el Hakimu (më i Urti), të gjithë këto emra tregojnë për të njëjtin të emërtuar: Allahun, por kuptimi i el Haju (i Gjalli) është i ndryshëm nga el Alim (i Gjithëdijshmi), po ashtu el Alim ka kuptim të ndryshëm nga el Kadir, etj. Ne thamë janë simbole emërtimi dhe cilësi sepse Kurani ka argumentuar për këtë, si p sh në ajetin kuranor: “Ai është Mëkat-falësi Mëshiruesi” (Junus-107) dhe në ajetin: “Zoti yt është poseduesi i Mëshirës” (Kehf-58).

 

Ajeti i dytë tregoi se Rrahimi (Mëshiruesi) është i përshkruar me cilësinë e mëshirës.

 

Gjithashtu dijetarët e gjuhës janë unanim rreth faktit se nuk mund t’i thuhet i ditur përveçse atij që ka dituri, nuk i thuhet dëgjues veçse atij që ka dëgjim, nuk i thuhet shikues veçse atij që ka shikim, etj. Kjo çështje është aq e qartë saqë nuk ka nevojë për sqarim dhe argument.

 

 Nga këtu kuptojmë devijimin e atyre që emrave të Allahut i heqin çdo kuptim siç bëjnë ehlu et-tatil (ata që i mohojnë emrat dhe cilësitë e Allahut) duke thënë: Allahu është dëgjues pa dëgjim, Shikues pa shikim, Krenar pa krenari, etj. Arsyetimi i tyre ishte se pohimi i cilësive nënkupton shumëzimin e Zotit (pra ekzistencën e shumë zotave secili me nga një emër të veçantë). Ky arsyetim i tyre është i sëmurë, bile i vdekur, siç hidhet poshtë nga tekstet[1] dhe logjika. Për sa i përket teksteve: Allahu e ka cilësuar veten e Tij me cilësi të shumta megjithëse Ai është Një i Vetëm, ka thënë: “Kapja e Zotit tënd është e ashpër, Ai e fillon (krijimin) dhe e rikthen, Ai është Mëkat-falësi, i Dashuri, Poseduesi i Arshit (Fronit), i Lavdëruari, i cili vepron çfarë të dojë” (Buruxh 12-15), dhe: “Madhëroje emrin e Zotit tënd, Më të Lartit, i cili krijoi dhe përsosi, i cili përcaktoi dhe udhëzoi, i cili nxori nga toka kullotën dhe më pas e bëri pluhur të shpërndarë” (E’ala 1-5). Në këto ajete fisnike përmenden cilësi të shumta të të njëjtit të cilësuar dhe megjithatë nuk nënkuptoi shumëzimin e të cilësuarve.

 

Arsyetimi logjik: cilësitë nuk janë qenie më vete të shkëputura nga i cilësuari ashtu që më pas të pretendohet për këtë shkak shumëzimi i të cilësuarve sepse në të vërtetë ato janë cilësi me të cilat është i përshkruar ky i cilësuar dhe që ekzistojnë me ekzistencën e tij. Nga këtu bëhet e qartë një çështje tjetër: që fjala ed-Dehru (koha) nuk është nga emrat e Allahut sepse është emër i “ngurtë” (pa rrënjë fjale) nuk përmban ndonjë kuptim që e bën atë të vlefshëm për t’iu bashkangjitur emrave të përsosur të Allahut sepse ed-Dehru është emër nga emrat e kohës, vaktit. Allahu duke treguar thënien e mohuesve të ringjalljes thotë: “Thanë: Nuk ka tjetër veç jetës tonë vdesim dhe lindim dhe nuk na shkatërron gjë tjetër veç kohës” kishin për qëllim: kalimin e ditëve dhe netëve, kurse fjala e Profetit -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të-: Allahu ka thënë: “Më lëndon Mua biri i Ademit duke sharë kohën, Unë jam koha në dorën Time është çështja, rrotulloj natën dhe ditën”. Allahu është Krijuesi i kohës dhe  i çdo gjëje që ndodh në të, Ai sqaroi se e rrotullon natën dhe ditën (e cila është koha) si të dojë dhe nuk mund të jenë të njëjtë: Rrotulluesi, Ndryshuesi (i ngjarjeve dhe kohës) me atë që rrotullohet dhe ndryshohet. Nuk ngelet tjetër veçse të hidhet poshtë pretendimi se me kohën e përmendur në këtë hadith është vetë Allahu xhele shanuhu.

 

Rregulli i  tretë: Emrat e Allahut nëse tregojnë për një cilësi që ka ndikim (tek krijesat) të drejtpërdrejtë, atëherë në këtë rast duhet të pohojmë tre gjëra:

 

1)Pohimin e atij emri për Allahun.

2)Pohimin e cilësisë që ai emër përmban.

3)Pohimin e dispozitës dhe ndikimit që ka ajo cilësi.

 

Në lidhje me këtë të tretën: kjo çështje është përdorur si argument nga dijetarët për mosekzekutimin e ndëshkimit ndaj grabitësve të rrugës (banditëve) nëse pendohen para se të kapen, duke u bazuar në ajetin Kuranor: “Përveç atyre që pendohen para se ti kapni,atëherë dijeni se Allahu është Mëkat-falës, Mëshirues” (Maideh 34) sepse përdorimi i këtyre dy emrave (Mëkat-falës, Mëshirues) në këtë rast nënkupton se Allahu ua ka falur gjynahet nëse pendohen dhe i mëshiron duke hequr ndëshkimin e merituar më parë.

 

Shembulli ilustrues i këtij rregulli: Emri es-Semiu (Dëgjuesi), përmban: Pohimin e këtij emri për Allahun, pohimin e cilësisë së dëgjimit për Allahun, pohimin e dispozitës dhe ndikimit të kësaj cilësie që do të thotë se Ai e dëgjon të fshehtën dhe të hapurën siç thotë i  Lartësuari: “Allahu e dëgjon dialogun tuaj, vërtetë Allahu është Dëgjues, Shikues” (Muxhadileh:1). Kurse nëse emri  tregon për një cilësi që nuk ka ndikim (të drejtpërdrejtë tek krijesat) atëherë përmban dy gjëra:

 

1)Pohimin e atij emri për Allahun.

2)Pohimin e cilësisë që përmban.

 

Shembulli i kësaj: Emri el Hajju (i Gjalli) përmban pohimin e këtij emri për Allahun dhe pohimin e cilësisë së jetës për Allahun.

 

 

Vazhdon . . .

 

Autor: Muhamed bin Salih el Uthejmin

Përktheu: Shuajb Rexha

 



[1] Me fjalën tekstet janë për qëllim tekstet e argumenteve nga Kurani dhe Suneti. Ky term do përsëritet shpesh ndaj tregohu i vëmendshëm rreth kuptimit të tij

Loading...