Rregulli i tretë: Ruaje betimin tënd!

Rregulli i tretë: Ruaje betimin tënd!

Ky rregull ka lidhje me ato betime të cilat nuk përmbajnë njoftime por përmbajnë premtime në emër të Allahut të Madhëruar. Për shembull kur dikush thotë: Pasha Allahun, do t’a bëj këtë gjë! Ose; Pasha Allahun, nuk do t’a bëj atë gjë!

Gjykimi i këtyre betimeve është se ato duhen ruajtur, veçse nëse janë të paqëllimta siç thotë Allahu i Madhëruar në Kuran:

لَا يُؤَاخِذُكُمُ اللَّهُ بِاللَّغْوِ فِي أَيْمَانِكُمْ وَلَكِنْ يُؤَاخِذُكُمْ بِمَا عَقَّدْتُمُ الْأَيْمَانَ فَكَفَّارَتُهُ إِطْعَامُ عَشَرَةِ مَسَاكِينَ مِنْ أَوْسَطِ مَا تُطْعِمُونَ أَهْلِيكُمْ أَوْ كِسْوَتُهُمْ أَوْ تَحْرِيرُ رَقَبَةٍ فَمَنْ لَمْ يَجِدْ فَصِيَامُ ثَلَاثَةِ أَيَّامٍ ذَلِكَ كَفَّارَةُ أَيْمَانِكُمْ إِذَا حَلَفْتُمْ وَاحْفَظُوا أَيْمَانَكُمْ كَذَلِكَ يُبَيِّنُ اللَّهُ لَكُمْ آيَاتِهِ لَعَلَّكُمْ تَشْكُرُونَ

“Allahu nuk u kërkon llogari për betimet e paqëllimta, por u kërkon llogari për betimet që i bëni me qëllim. Shlyerja e gjynahut për thyerjen e betimeve është; ushqyerja e dhjetë të varfërve me mesataren e ushqimit të familjes suaj, ose t’i vishni ata, ose të lironi një skllav. Ai që nuk gjen mundësi për këto, le të agjërojë tri ditë. Kjo është shlyerja për thyerjen e betimeve tuaja nëse betoheni. Ruani betimet tuaja! Kështu ua shpjegon Allahu fjalët dhe ligjet e Veta në mënyrë që të jeni mirënjohës.”[1]

Ky ajet përmban disa gjykime në lidhje me këto lloj betimesh:

Gjykimi i parë: Nuk ka përgjegjësi para Allahut për betimet e paqëllimta.

Allahu i Madhëruar për t’i lehtësuar robërit e Tij e ka hequr për ta përgjegjësinë e betimeve të paqëllimta, të cilat janë ato betime që thuhen nëpër biseda nga nxitimi dhe pa u menduar mirë, siç thoshte Aishja (radiallahu anha): “Janë për qëllim fjalët e burrit: Jo, pasha Allahun, dhe: Patjetër, pasha Allahun![2]

Kjo ngase këto betime janë të shpeshta në gojët e besimtarëve, dhe nëse ata do të mbanin përgjegjësi për to do të ishte shumë e mundimshme.

Në gjykimin e betimeve të paqëllimta futen edhe betimet e gabuara si p.sh.: Kur dikush e mendon një gjë në një formë dhe ajo në realitet është ndryshe, apo betimet në momente zemërimi kur njeriu nuk e logjikon atë që thotë, apo betimet që shkelen nga harresa veprim për të cilin Allahu i Madhëruar e ka larguar përgjegjësinë, siç është përmendur nga shumë prej komentuesve të Kuranit.[3]

Për këto betime njerëzit nuk kanë përgjegjësi, që do të thotë se atyre as nuk u kërkohet medoemos t’i zbatojnë betimet dhe as u kërkohet t’i shlyejnë në rast të shkeljes së tyre.

Gjykimi i dytë: Betimet e qëllimta duhen ruajtur dhe njeriu ka përgjegjësi për to para Allahut të Madhëruar; ose zbatimin e tyre, ose shlyerjen e tyre sipas punës për të cilën janë betuar.

Betimet e qëllimta janë ato betime pas të cilave zemra është kapur fort gjë e cila tregon se i betuari e ka dashur betimin, dhe për këtë arsye ato duhen ruajtur sepse siç thamë më lart ato janë madhërime për Allahun.

Përgjegjësia për betimet e qëllimta ndryshon sipas veprave për të cilat është bërë betimi, kështu që kemi disa raste betimesh.

Rasti i parë: Kur vepra për të cilën është betuar dikush është detyrë prej Allahut të Madhëruar.

Kur veprat në origjinë janë detyrë prej Allahut, atëherë betimi i besimtarit për kryerjen e tyre është forcim i përgjegjësisë së tij.

Shejhu i Islamit Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- thotë:

Ai i cili betohet për të bërë një vepër e cila është detyrë për të, si; namazi, zekati, agjërimi, haxhi, mirësia ndaj prindërve, mbajtja e lidhjeve farefisnore, bindja ndaj prijësit dhe këshillimi i tij, apo heqja dorë nga kryengritja dhe luftimi i tij, shlyerja e një borxhi të marrë, dhënia e të drejtave atyre që u takojnë, pengimi i padrejtësive dhe largimi nga moralet e ulëta etj. Të gjitha këto vepra para betimit janë detyrë dhe ato pas betimit janë detyrë më e fortë. Po ashtu, edhe ajo punë e cila para betimit është e ndaluar pas betimit bëhet akoma më shumë e ndaluar.[4]

Nëse këto detyra para betimit nuk duhen neglizhuar atëherë janëë akoma më parësore pas betimit, sepse betimi e ka shtuar përgjegjësinë ndaj tyre. Shejhu i Islamit Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- përsëri citon:

Çdo akt përmbushja e të cilit është detyrë  pa betim, nëse betohet për të atëherë betimi është forcim i përgjegjësisë prandaj nuk lejohet prishja e tij. Madje është përmendur në hadithet e sakta se Profeti -alejhi selam- ka thënë: Kush i ka katër cilësi është hipokrit i plotë (munafik), dhe kush ka njërën prej tyre ka një cilësi të hipokritit derisa t’a braktisë atë; kur flet gënjen, kur i besohet diçka nuk e ruan, kur e jep fjalën e shkel, dhe kur grindet i kalon kufijtë.”[5][6]

Thyerja e betimit në këtë rast është hipokrizi. Në lidhje me të nuk bëhet fjalë për shlyerje me dëshirë të betimeve veçse nëse besimtarit në momente dobësie i bie vullneti dhe e shkel betimin. Ai duhet të pendohet për këtë cilësi dhe pastaj t’a shlyej betimin e tij siç thonë disa dijetarë[7], pastaj të angazhohet përsëri në kryerjen e detyrave sepse ato vepra janë detyra me porosinë e Allahut të Madhëruar pavarësisht nga betimi i tij.

Rasti i dytë: Kur vepra për të cilën është betuar dikush është punë e lejuar (as detyrë dhe as e ndaluar).

Kur veprat në origjinë janë punë të lejuara prej Allahut atëherë betimi i besimtarit për kryerjen e tyre është forcim i vullnetit të tij për përfshirjen në ato punë. Nëse ato vepra janë punë që përmbajnë mirësi të cilat i do Allahu i Madhëruar si p.sh.; lëmosha, kurbani, namazi vullnetar, ndihmesa e të tjerëve etj. atëherë është më mirë të mbahen se sa të shlyhet betimi. Profeti -alejhi selam- thotë: “Kush zotohet për t’iu bindur Allahut le t’i bindet atij.”[8]

E nëse ato vepra për të cilat betohet përmbajnë pengim nga veprimi i këtyre mirësive atëherë betimi është më mirë të shlyhet, sepse Allahu i Madhëruar thotë:

وَلَا تَجْعَلُوا اللَّهَ عُرْضَةً لِأَيْمَانِكُمْ أَنْ تَبَرُّوا وَتَتَّقُوا وَتُصْلِحُوا بَيْنَ النَّاسِ وَاللَّهُ سَمِيعٌ عَلِيمٌ

Mos e bëni betimin në Allahun pengesë për kryerjen e veprave të mira, largimin prej të ligave dhe për pajtimin e njerëzve. Allahu i dëgjon dhe i di të gjitha.[9]

Kështu ka vepruar Ebu Bekri -radiallahu anhu- në lidhje me një sahab që quhet Mistah i cili i kishte përfolur bijën e tij Aishen (radiallahu anha). Kur u qartësua në Kuran se Aishja ishte e pafajshme, atëherë Ebu Bekri u betua se nuk do t’a ndihmonte më Mistahun. Më pas zbresin disa ajete ku Allahu thotë:

وَلَا يَأْتَلِ أُولُو الْفَضْلِ مِنْكُمْ وَالسَّعَةِ أَنْ يُؤْتُوا أُولِي الْقُرْبَى وَالْمَسَاكِينَ وَالْمُهَاجِرِينَ فِي سَبِيلِ اللَّهِ وَلْيَعْفُوا وَلْيَصْفَحُوا أَلَا تُحِبُّونَ أَنْ يَغْفِرَ اللَّهُ لَكُمْ وَاللَّهُ غَفُورٌ رَحِيمٌ

Njerëzit e ndershëm dhe të pasur ndër ju të mos betohen se nuk do t’u japin të afërmve, të varfërve dhe të mërguarve në rrugën e Allahut. Le t’i falin ata dhe të mos ua marrin për keq. Vallë, a nuk doni që t’ju falë Allahu? Allahu është Falës e Mëshirëplotë.[10]

Atëherë Ebu Bekri -radiallahu anhu- tha: Po, pasha Allahun, unë dua të më falë Allahu, – dhe ia vazhdoi atij ndihmën dhe e shleu betimin.[11]

E nëse ato vepra nuk përmbajnë mirësi dhe as pengim mirësish, atëherë i betuari edhe mund t’a mbajë betimin edhe mund t’a shlyej atë nëse e sheh se shlyerja është më e mirë. Kjo ngase Profeti -alejhi selam- thotë: “Nëse betohesh për ndonjë gjë dhe pastaj e sheh se diçka tjetër është më e mirë se ajo, atëherë shlyeje betimin tënd dhe bëj më të mirën.”[12]

Rasti i tretë: Kur vepra për të cilën është betuar dikush është punë e ndaluar.

Kur veprat në origjinë janë punë të ndaluara prej Allahut si p.sh.; shkëputja e lidhjeve farefisnore, vrasja e tjetrit etj. atëherë betimi i besimtarit për kryerjen e tyre nuk ndryshon nga origjina e këtyre veprave.

Profeti -alejhi selam- thotë: “Nuk ka zotime dhe betime, as për çfarë nuk e ke në pronësi, as për kundërshtime dhe as për shkëputjen e lidhjeve farefisnore.”[13]

Dhe thotë gjithashtu: “Kush zotohet për t’a kundërshtuar atë (Allahun), të mos e kundërshtojë Atë!”[14]

Madje ky veprim në një hadith tjetër është quajtur punë për shejtanin dhe jo punë për Allahun, siç tregon Ibn Abasi -radiallahu anhu- se Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Zotimet për të kundërshtuar Allahun janë për shejtanin dhe nuk kërkohet për to zbatim. Ato shlyhen si shlyerja e betimit.”[15]

Shejhu i Islamit Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- në lidhje më këtë rast betimi thotë: “Nëse ajo punë për të cilën është betuar dikush përmban lënie të një detyre apo veprimin e një të ndaluare, atëherë nuk lejohet zbatimi i saj sipas mendimit të të gjithë dijetarëve dhe bëhet detyrë shlyerja e betimit tek shumica e tyre.[16]

Gjykimi i tretë: Mënyra e shlyerjes së betimeve.

Në këtë ajet ka gjithashtu qartësim të plotë edhe për mënyrën e shlyerjes së betimeve rregull me të cilin është veçuar ky ymet, siç thotë shejhul Islam Ibn Tejmije – Allahu e mëshiroftë: “Kur në ligjet e mëparshme të Allahut (ligjet para Islamit) nuk kishte shlyerje, betimi e bënte detyrë zbatimin e veprës për të cilën janë betuar. Prandaj Allahu i Madhëruar e urdhëroi Ejubin -alejhi selam- të marrë një tufë fijesh (bistaku i frutave të palmës) për të gjuajtur me to dhe të mos e thyej betimin e tij, sepse ai nuk kishte në ligjin e tij shlyerjen e betimit. Sikur të kishte pasur një gjë të tillë do t’a kishte më të lehtë t’a zbatonte atë sesa të ndëshkonte gruan e tij qoftë edhe me një tufë fijesh.[17]

Shlyerja e betimeve në Islam sipas ajetit të lartpërmendur është me një nga këto veprime:

Ushqyerja e dhjetë të varfërve me mesataren e ushqimit që përdor i betuari për familjen e tij, ose veshja e tyre, ose lirimi i një skllavi nga skllavëria. Nëse i betuari nuk ka mundësi për ndonjërën nga këto të treja ai duhet të agjërojë tri ditë në kompensim të saj. Përderisa në kohët e sotme skllavëria nuk është e pranishme, atëherë mbetet vetëm e drejta për të zgjedhur mes dy të parave; ose ushqimi i dhjetë të varfërve, ose veshja e tyre.

Të varfërit – siç thotë shejhu i islamit Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë; “Janë ata të cilët nuk e sigurojnë dot mjaftushmërinë, dhe kush është kështu prej myslimanëve e meriton të përfitojë prej sadakave.[18]

Pra, ai i cili nuk ka mjaftueshmëri në të ardhurat e tij dhe gjithmonë mbetet peng i nevojës, atij i jepet nga mesatarja e ushqimit apo veshjes me të cilat ushqen apo vesh i betuari familjen e tij. Ashtu si ka ardhur nga të paret e këtij ymeti në lidhje me mesataren e tyre; një vakt me bukë e qumësht, apo bukë me gjalp, apo bukë me vaj ulliri, apo bukë me uthull, apo bukë me mish. Në lidhje me veshjen thonin: Ajo veshje që të mundëson për të falur namazin (këmishë dhe pantallona). Ky ka qenë zakoni i tyre në lidhje me shlyerjen e betimeve dhe ky është një shembull i mirë për ne për të shlyer betimet në kohën tonë.

Pastaj ajeti përfundon me porosinë: “Ruani betimet tuaja! Kështu ua shpjegon Allahu fjalët dhe ligjet e Veta që të jeni mirënjohës.” Çfarë do të thotë se sipas  ligjeve të Islamit shlyerja e betimit është prej ruajtjes së tyre, me përjashtim të rastit kur vepra për të cilën është betuar njeriu në origjinë është detyrë prej Allahut siç u tha më lart, sepse ajo në këtë rast nuk varet nga betimi. Pastaj kjo gjë e shtyn besimtarin të jetë mirënjohës i Zotit të tij i Cili i’a ka sqaruar atij fenë dhe e ka udhëzuar për devotshmëri, si dhe është kujdesur për të që në rregullat e saj t’ia largojë mundimet dhe vështirësitë. Lëvdatat i takojnë Allahut, Zotit të botëve!

Dr. Abdullah Nabolli

—————————————-

[1] Suretu El-Maide: 89.

[2] E transmeton Buhariu.

[3] Shih tefsirin e Taberiut: 4/427-449.

[4] Shih fjalët e autorit në librin “Mexhmu El-Fetaua” 33/145.

[5] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[6] Shih fjalët e autorit në librin “Mexhmu El-Fetaua” 33/146.

[7] Shih çfarë thotë imam Neveviu -Allahu e mëshiroftë- në librin e tij ‘Raudatu Et-Talibijn’ 11/20.

[8] E transmeton Buhariu.

[9] Suretu El-Bekara: 224.

[10] Suratu En-Nur: 22.

[11] E transmeton Bejhakiu.

[12] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[13] E transmeton Nesaiu dhe e saktëson shejh Albani.

[14] E transmeton Buhariu.

[15] E transmeton Bejhakiu dhe e saktëson shejh Albani.

[16] Shih fjalët e autorit në librin “Mexhmu el-Fetaua” 35/253.

[17] Shih fjalët e autorit në librin “Mexhmu el-Fetaua” 33/148.

[18] Shih fjalët e autorit në librin “Mexhmu el-Fetaua” 11/68.