Transmetohet nga Abdullah bin Umer radijAllahu anhuma se ka thënë: “Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, Ebu Bekri dhe Umeri e falnin namazin e Bajramit (fitër dhe kurban Bajramit) para hutbes.”
Transmetuesi hadithit:
Abdullah bin Umer radijAllahu anhuma.
Nxjerrja e hadithit:
Buhariu (963) dhe Muslimi (888)
Tema e hadithi:
Namazi i Bajramit falet para hutbes.
Shejh Abdurrahman es-Sadij (Allahu e mëshiroftë!): Dijetarët kanë mendime të ndryshme përsa i përket namazit të bajramit. Medh’hebi i imam Ahmedit thotë se ai është farz kifaje, ndërsa xhumhurët thonë se është farz ajn (obligim individual)[1]. Ky është një transmetim nga Ahmedi, fjala e dijetarit të Islamit Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) dhe një grupi prej sahabëve. Kjo është më e sakta. Bazuar në argumentet e shumta ku prej tyre -siç do vij më pas- është se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem urdhëroi të dalin (për në namazgja) gratë me menstruacione dhe ato që rrijnë mbyllur në dhomat e tyre (të rejat e pamartuara ende), të cilat nuk e kanë traditë (detyrë) të prezantojnë në namazet me xhemat.
Thuhet: Namazi i Bajramit është Sunet.
Edhe pse në mesin e dijetarëve ka kundërshtim përsa i përket gjykimit të namazit të Bajramit, ata janë të një mendimi se nëse njerëzit e një vendi e lënë atë (nuk e falin) imami i lufton ata.
Ai është si namazi i xhumasë vetëm se ndryshon në disa gjëra:
Prej tyre: Namazi i xhumasë falet (në xhami) në qytet (e fshatra), ndërsa namazi i Bajramit është e pëlqyeshme që të falet në namazgja. Madje ai nuk falet as në xhaminë profetike, sepse ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e ka falur në namazgja edhe pse ishte në Medine. Por nga kjo gjë përjashtohet Meka. Është e pëlqyeshme që namazi i Bajramit të falet në Xhaminë e Shenjtë.
Prej tyre: Për namazin e xhumasë thirret ezan (dhe ikamet), ndërsa namazi i Bajramit nuk ka ezan as ikamet.
Prej tyre: Imami ditën e xhuma i përshëndet besimtarët me selam kur ngjitet në minber dhe drejtohet nga ta, ndërsa në namazin e Bajramit një gjë e tillë nuk veprohet.
Prej tyre: Tekbiret shtesë dhe dhikri që bëhet mes saj (faljes se namazit) është Sunet në namazin e Bajramit, ndërsa në namazin e xhumasë nuk bëhet.
Prej tyre: Është e pëlqyeshme për atë që shkon në namazgja për faljen e namazit të Bajramit që të shkoj nga një rrugë e të kthehet nga një rrugë tjetër, ndërsa një gjë e tillë nuk veprohet në namazin e xhumasë.[2]
Prej tyre: Koha e xhumasë fillon nga ngritja e diellit deri në hyrjen e kohës së ikindisë, ndërsa koha e namazit të Bajramit fillon nga ngritja e diellit deri para zevalit.
Prej tyre: Namazit i Bajramit kur i del koha (siç është rasti kur njerëzit e marrin me vonesë lajmin se sot është Bajram) mund të falet dhe ditën tjetër në të njëjtën formë, ndërsa namazi i xhumasë nuk mund të falet nëse i del koha. Por në vend të saj falet namazi i drekës.
Prej tyre: Dy hutbet e xhumasë janë shtyllë, ndërsa në namazin e Bajramit ato konsiderohen Sunet.
Prej tyre: Bashkimi (tubimi) për faljen e xhumasë është detyrë, ndërsa për namazin e Bajramit ka kundërshtim në mesin e dijetarëve (në bazë të asaj që a është farz ajn apo farz kifaje namazi Bajramit). Siç u përmend dhe më sipër.
Prej tyre: Urrehet që përsoni kur vjen për faljen e namazit të Bajramit të fal namaz vullnetar (nafile) para dhe pas tij në namazgja (ose xhami), ndërsa për namazin e xhumasë një gjë e tillë është e pëlqyeshme.
Prej tyre: Për namazin e Bajramit është e pëlqyeshme që gratë të marrin pjesë, ndërsa përsa i përket namazit të xhumasë prezantimi nga ana e grave është njësoj si namazet e tjera; nuk ndalohen të marrin pjesë, por shtëpitë e tyre janë më të mira për to.
Prej tyre: Dijetarët janë të një mendimi se hutbja e xhumasë hapet (fillon) duke falënderuar Allahutn e Lartmadhëruar. Ndërsa për hutben e namazit të Bajramit ata kanë mendime të ndryshme. Medh’hebi i imam Ahmedit thotë se ajo fillon me tekbire. Kjo është ajo që njerëzit veprojnë sot. Po ashtu prej tij transmetohet se hutbja e namazit të Bajramit fillon duke falënderuar Allahun e Lartmadhëruar. Këtë mendim ka zgjedhur dhe dijetari i Islamit Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!). E kjo është e sakta.
Prej tyre: Hutbja e namazit të xhumasë është para namazit, ndërsa në namazin e Bajramit (hutbja) mbahet pas namazit. Prandaj dhe autori (Allahu e mëshiroftë!) ka përmendur hadithin që e transmeton Ibën Umeri radijAllahu anhuma: “Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, Ebu Bekri dhe Umeri e falnin namazin e Bajramit para hutbes.”
Muslimanët që nga ajo kohë deri në kohën e sotme vazhdojnë të veprojnë në këtë formë -duke falur namazin e Bajramit para hutbes-. Derisa disa prijësa nga Beni Umejeh filluan të mbanin hutben para faljes së namazit të Bajramit. Veprim që e kritikoi ashpër sahabi i nderuar Ebu Seid radijAllahu anhuma. Prandaj nuk ka përmirësim për njerëzit vetëm se me pasimin e Sunetit në të gjitha situatat (gjendjet) e tyre.[3]
Sherh Umdetil-Ahkam
Përktheu: Unejs Sheme
[1] Fjala e shejhut (Allahu e mëshiroftë!) se namazi Bajramit është farz ajn sipas shumicës së dijetarëve është gabim. Në “El-Mugnij” nuk përmendet se ai është vaxhib për secilin veçse te Ebu Hanife. E më pas këtë mendim e ka pasur dhe dijetari i Islamit Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!). Këtë mendim e shfuqizon mosfalja e këtij namazi nga ana e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ditën e çlirimit të Mekes dhe vitin e haxhit të lamtumirës, ngase një gjë e tillë nuk përmendet në hadith autentik e as në hadith të dobët. Ky është argument më i fortë se namazi i Bajramit nuk është fraz ajn. Ibën Ebi Musa ka thënë: “Namazi i Bajramit është Sunet.” Fjala e atyre që thonë se namazi i Bajramit është farz kifaje është më e drejta (sakta). Allahu e di më së miri se kush është e sakta! Shejh Muhamed bin Sulejman el-Besam.
[2] Edhe pse disa dijetarë janë të mendimit se një gjë e tillë bëhet dhe për namazin e xhumasë. Sh.p.
[3] Me disa shkurtime
Dosje: Bajramet
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve