Rreziku i lëshimit të gjuhës

January 26, 2023

Allahu i Madhëruar ka thënë:

“Nuk ka fjalë që ai (njeriu) e nxjerr nga goja veçse për të është një vëzhgues pranë tij i gatshëm (për ta shënuar atë).” |Kaf: 18|

Transmetohet nga Sehl ibën Sad se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Kush më siguron që do të ruajë gjuhën dhe organin e tij, atëherë unë i siguroj atij Xhenetin.” Transmeton Buhariu 11/308, 6474, dhe Tirmidhiu me nr. 2408.

Gjithashtu, transmetohet nga Muadh ibën Xhebeli, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë: I thashë të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem:

– Më trego një vepër që më fut në Xhenet dhe më largon nga zjarri.

– Ke pyetur për një çështje të madhe, e ajo është e lehtë për atë që ia lehtëson Allahu. Adhuroje Allahun e mos i shoqëro shok në adhurimin e Tij, fale namazin, jepe zekatin, agjëroje Ramazanin, dhe kryej ritualin e Haxhit nëse të jepet mundësia.

Pastaj i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem vazhdoi duke thënë:

-A do që të të tregoj dyert e së mirës? Agjërimi është mburojë, lëmosha e largon dhe e zhduk mëkatin ashtu siç e shuan uji zjarrin, dhe namazi në mesin e natës.

Pastaj lexoi:

“Anët e shtatit të tyre braktisin shtratin për të lutur Zotin e tyre në frikë e shpresë. Ata shpenzojnë (në mirësi e për Çështjen e Allahut) nga ato (begati) të cilat ua kemi dhuruar. Askush nuk e di se çfarë është ruajtur për ta nga kënaqësitë e syrit si shpërblim për çfarë punuan.” |Surja Sexhdeh: 16-17|

A do që të të tregoj për gjënë më me vlerë, shtyllën dhe kulmin e saj?

– Po o i Dërguar i Allahut.

– Gjëja më me vlerë është Islami, shtylla e tij është namazi, kulmi i tij (Islamit) është lufta dhe sakrifica në rrugën e Allahut.

A do të të tregoj se si mund t’i përmbledhësh të gjitha (që të përmenda)?

Iu përgjigja: – Po o i Dërguar i Allahut.

Atëherë i Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e kapi gjuhën e tij e iu drejtua duke i thënë: – Ruaje këtë!

Unë (Muadhi) ia ktheva:

– O i Dërguar i Allahut, a mos vallë do të merremi në llogari për atë që flasim?

– Mos të pastë nëna o Muadh (nuk është për qëllim lutja në këtë rast por tërheqja e vemendjes sh.p.)! E çfarë tjetër përveç asaj që kanë korrur njerëzit me gjuhët e tyre do t’i hedhë ata në zjarr (xhehnem)!” E transmeton Tirmidhiu me nr. 2616.

Shpjegimi i hadithit:

Rreziku i lëshimit të gjuhës është i madh. Rreth paralajmërimit nga kjo vepër janë transmetuar argumente të shumta, e kjo si rrjedhojë e të këqijave të shumta që sjell dhe lehtësia e rënies në këto gabime për ata të cilët nuk arrijnë ta ruajnë e ta përdorin në të mira. Për këtë shkak, i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem na ka treguar se lëshimi i saj është prej sebepeve më të mëdha të cilat e fusin njeriun në zjarr.

Dobitë:

  • Rreziku i lëshimit të gjuhës dhe obligueshmëria e ruajtjes së saj, sepse njeriu mund të hidhet në zjarr ndoshta edhe për një fjalë të cilës nuk i jep rëndësi.
  • Lëshimi i gjuhës në mëkate është shkak për hyrjen në zjarr, ndërsa ruajtja e saj është prej shkaqeve të hyrjes në xhenet.
  • Gabimi i shumë prej njerëzve dhe hutimi i tyre ndërkohë që lëshojnë gjuhën pa i vënë fre në gjëra të padobishme.

 

Përktheu: Ardit Ulqinaku

Loading...