Rreziku i mëkateve është shkak për zbritjen e dënimit të Allahut

September 23, 2019

Gjurmët e mëkateve tek individët dhe popujt.

Shejhu i nderuar Ibën Uthejmini[1] (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: Pasha Allahun, me të vërtetë mëkatet ndikojnë në sigurinë e vendeve, ndikojnë në mirëqënien dhe ekonominë e tyre dhe ndikojnë në zemrat e popullit.[2]

Dobitë që përfitohen:

E para: Rreziku i mëkateve dhe se ato janë shkak për zbritjen e dënimit të Allahut. I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Nëse shfaqet (përhapet) e keqja në tokë, atëherë Allahu zbret mbi banorët e tokës dënimin e tij.”[3]

E dyta: Mëkatet janë shkak për zbritjen e fatkeqësive. Prijësi i besimtarëve Ali bin Ebi Talibi (radijAllahu anhu) ka thënë: “Nuk zbresin fatkeqësitë veçse si pasojë e gjynaheve, dhe nuk largohen vetëm se duke u penduar prej tyre.[4]

Shejh Ibën Bazi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: Fatkeqësitë janë thirrje dhe paralajmërim për njerëzit që t’i kthehen Allahut.[5]

E treta: Mëkatet janë shkak për largimin e mirësive të Allahut. Imam Ibnul-Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: Mëkatet i zhdukin mirësitë dhe bëhen pengesë për arritjen e mirësive të tjera.[6]

E katërta: Shtimi i mëkateve është shkak për ardhjen e dënimit të Allahut edhe nëse në mesin e tyre gjenden njerëzit e mirë. E kanë pyetur të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): A mund të na përfshijë dënimi teksa gjenden midis nesh edhe njerëz të mirë? I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) tha: “Po, nëse shtohen të këqijat.[7]

E pesta: Prej mëkateve të përhapura sot janë:

a) Ngrënia e kamatës dhe kurvëria. Transmetohet nga Abdullah bin Mesudi (radijAllahu anhu) se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Allahu e ka mallkuar; ngrënësin e kamatës, kredituesin, dëshmitarët dhe shkruesin e saj.” Pastaj ai (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) tha: “Nuk shfaqet në një popull kurvëria dhe kamata, veçse ai popull i’a ka bërë të lejuar vetvetes ndëshkimin e Allahut.[8]

Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kur të shisni e blini me Ijne (lloj kamate), të shkoni pas bishtit të lopëve (pasurive të dynjasë), t’u kënaqin të mbjellat dhe të lini xhihadin në rrugën e Allahut, atëherë Allahu do të hedhë mbi ju poshtërim të cilin nuk ka për t’a hequr nga ju deri sa të ktheheni në fenë tuaj.[9]

Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) thotë[10]: Rreth këtij hadithi kam folur në raste të shumta e të ndryshme, por desha të qëndroj pak vetëm në fjalën e tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Kur të shisni e blini me Ijne”. Ijne është nga llojet e të punuarit me fajde. As këtu nuk desha të hyj me hollësi, por a ka ndonjë prej jush që nuk e di se muslimanët punojnë me lloje të ndryshme të fajdeve, dhe se këto bankat me fajde janë ngulur me rrënjë në të gjitha vendet muslimane dhe janë pranuar si të ligjshme nga të gjitha sistemet qeverisëse në vendet Islame?

Kthehem dhe them se kjo nuk është vetëm nga udhëheqësit por edhe nga nënshtetasit, sepse nënshtetasit janë ata të cilët punojnë me këto banka dhe janë pikërisht ata me të cilët kur diskutohet dhe u thuhet: Ju e dini se fajdet janë haram dhe se çështja e tyre është ashtu si ka thënë Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Një dirhem nga fajdet që e ha njeriu është më e rëndë tek Allahu i Madhëruar se 36 herë bërje kurvëri.”[11] (Kur i thua dikujt): Përse vëlla punon me fajde? Ai të thotë: “Si t’ja bëjmë? Do të jetojmë.” Në fakt populli i meriton këta udhëheqës të tillë, dhe siç i thonë: Këta udhëheqës nuk na kanë zbritur nga Marsi, por ata kanë dalë nga ne dhe tek ne. Prandaj, nëse dëshirojmë përmirësimin e gjendjes sonë, kjo nuk bëhet duke shpallur luftë guerilase kundër udhëheqësve tanë dhe të harrojmë vetet tona, ndërkohë që problemi i vërtetë i botës Islame sot jemi vet ne. I këshillojmë muslimanët që të kthehen te feja e tyre dhe të praktikojnë atë që dinë prej saj;

وَيَوْمَئِذٍ يَفْرَحُ الْمُؤْمِنُونَ

dhe atë ditë besimtarët do gëzohen (me ndihmën e Allahut).”[12]

Transmetohet nga Ibën Umeri (radijAllahu anhu) se Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Nuk është përhapur kurvëria në ndonjë popull e të mos përhapen në mesin e tyre sëmundjet ngjitëse dhe epidemi të cilat nuk kanë ekzistuar te paraardhësit e tyre.”[13]

Shejh Mesh’hur Al Selman (Allahu e ruajtë!) në lidhje me këtë hadith thotë: Pasha Allahun! Ky fragment i hadithit meriton të shkruhet (vendoset) në të gjitha spitalet dhe të jetë motoja e ministrisë së shëndetësisë, në mënyrë që t’i ruajmë njerëzit nga sëmundjet dhe epidemitë që janë shfaqur (përhapur) e nuk kanë ekzistuar te paraardhësit e tyre.[14]

b) Mangësia në peshim, padrejtësia në gjykim dhe mosmbajtja e premtimit. Allahu i Madhëruar në librin e Tij thotë: “Mjerë për ata që hanë në peshë (dhe matje), që kur masin për veten e marrin masën të plotë, ndërsa kur u masin të tjerëve me litër ose me kandar ua pakësojnë.[15]

Ibën Abasi (radijAllahu anhu) ka thënë: Nuk shfaqet smira në mesin e një populli veçse Allahu ka për t’u futur në zemrat e tyre frikën. Nuk përhapet imoraliteti në një popull veçse do të shtohen vdekjet në mesin e tyre. Nuk e pakëson një popull matjen dhe peshoren veçse do t’u ndërpritet atyre furnizimi. Nuk gjykohet padrejtësisht në një popull veçse shtohen në të gjakderdhjet, dhe nuk e thyen një popull premtimin veçse i pushton ata armiku.[16]

c) Mohimi i mirësive të Allahut. Allahu i Lartësuar është Dhuruesi i mirësive dhe i begative të shumta që poseodjnë njerëzit. Këto mirësi qëndrojnë dhe shtohen nëse njeriu është falënderues ndaj Allahut. Allahu në librin e tij thotë: “(Kujtoje) Kur Zoti juaj kumtoi: Nëse tregoheni mirënjohës Unë do t’ua shtoj edhe më shumë begatitë e Mia, por nëse i mohoni mirësitë e Mia (atëherë dijeni se) dënimi Im është i rëndë”.[17]

Po ashtu thotë: “Megjithatë, Ai nuk është i kënaqur me mosmirënjohjen e robërve të Tij, por kënaqet me ju nëse e falënderoni.”[18]

Imam Ibën el-Mubareku (Allahu e mëshiroftë!) në librin e tij “Ez-Zuhd” (2/51) tregon: Një grua nga Beni Israilët pastroi jashtëqitjen e fëmijës së saj me një copë buke. Për shkak të këtij veprimi Allahu i Lartësuar zbriti mbi të urinë derisa ajo një ditë (nuk kishte çfarë të hante) e hëngri copën e bukës me të cilën pastroi jashtëqitjen e fëmijës së saj.

por, nëse ju mohoni mirësitë e Mia (atëherë dijeni se) dënimi Im është i rëndë.[19]

E gjashta: Namazi dhe dhënia e lëmoshës (sadakaja) janë prej shkaqeve madhore në largimin e dënimeve, fshirjen e të keqijave dhe shumëfishimin e të mirave.[20]

E shtata: Shtimi i istigfarit është shkak që Allahu mos t’i dënojë njerëzit. Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu nuk do t’i ndëshkojë ata përderisa i kërkojnë falje Atij.[21]

E teta: Shtimi i istigfarit është shkak për zbritjen e mëshirës së Allahut. Hasen el-Basri (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: Shpeshtojeni kërkimin e faljes nga Allahu; në shtëpitë tuaja, në tryezat tuaja, në lagjet tuaja, në tregjet tuaja, në tubimet tuaja dhe kudo që të jeni, sepse ju nuk e dini kur zbret mëshira e Tij.[22]

 

Shkëputur nga libri: “Perla dhe margaritarë nga dijetarët tanë”.

Përgatiti: Unejs Sheme

———————————————–

[1] Ai është dijetari i nderuar, fekihu, mufesiri dhe asketi Muhamed bin Salih bin Muhamed bin Sulejman bin Abdurrahman el Uthejmini. Shejhu lindi në muajin e begatë të Ramazanit të vitit 1347 hixhri në Unejze/Kasim. Ai mësoi tek shumë dijetarë ku ai që ndikoi më shumë tek ai është shejhu i nderuar Abdurrahman es-Sadij (Allahu e mëshiroftë!). Tek Shejh Es-Sadij ai mësoi; tefsirin, hadithin, historinë e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), teuhidin, fikhun, trashëgiminë etj. Shejh Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!) kur shkoi në Amerikë për kurim mjekët i thanë: “Do të japim një ilaç i cili t’i rrëzon të gjitha qimet e trupit. Shejhu u tha: Edhe të mjekrës? Mjekët: Po. Shejhu: Nuk e dua ilaçin, ngase turpërohem të dal para Allahut pa mjekër.” Shejhu vdiq në vitin 1421 hixhri.

[2] “Etherul-Measij” (12).

[3] “Es-Silsiletu es-Sahihah” (3156).

[4] “Ed-Dau ued-Deua”.

[5] “Mexhmu fetaua ue mekalat”, vëll. 5.

[6] “Ed-Dau ued Deua”.

[7] Shënon Buhariu me nr. (7059)  dhe Muslimi me nr. (2880).

[8] Hadith i mirë (hasen). Shënon Ahmedi në “Musnedin” e tij me nr. (3808). Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) e ka konsideruar të mirë në “Sahihul-Xhami”.

[9] Hadith i saktë (sahih). “Es-Sahihah” (11).

[10] “El-Huda uen-Nur” (760).

[11] “Es-Sahihah” (1033).

[12] Rrum, 4-5. Mbaroi fjala e Shejh Albanit (Allahu e mëshiroftë!).

[13] Hadith i mirë (hasen). Shënon Ibën Maxhe me nr. (4019) dhe El-Hakimi (4/540). E ka konsideruar të mirë (hasen) Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) në “Sahihu Ibën Maxhe” me nr. (4019) dhe në  “Es-Sahihah” (106).

[14] “Gjurmët e mëkateve tek individët dhe popujt”.

[15] El-Mutaffifin, 1-3.

[16] Shih “El Mishkah” me nr. (5370) me recensimin e Shejh Albanit (Allahu e mëshiroftë!) dhe “Es-Sahihah” (1/219).

[17] Ibrahim, 7.

[18] Ez-Zumer, 7.

[19] Ibrahim, 7.

[20] Shejh Ibën Bazi (Allahu e mëshiroftë!) në “Mexhmu fetaua ue mekalat”, vëll. 3.

[21] El-Enfal, 33.

[22] E ka përmendur Hafidh Ibën Rexhebi (Allahu e mëshiroftë!) në “Xhamiu el-Ulum uel-Hikem”.

Loading...