Rreziku i shoqërisë së keqe dhe mirësia e shoqërisë së mirë

March 7, 2026

Nga Ebu Seid el-Hudrij — radijallahu anhu — përcillet se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

​«لَا تُصَاحِبْ إِلَّا مُؤْمِنًا، وَلَا يَأْكُلْ طَعَامَكَ إِلَّا تَقِيٌّ»

«Mos shoqëro kënd tjetër përveç besimtarit dhe mos ta hajë ushqimin tënd kush tjetër përveç të devotshmit!» [Sahih et-Tergib vet-Terhib, 3036].

​Kjo është një porosi e shtrenjtë që Allahu (përmes Profetit) ia drejton çdo muslimani në çdo skaj të botës, në çdo kohë dhe vend. Bëhet fjalë për shoqërinë, o robër të Allahut! Për miqësinë e ngushtë! Për bashkëudhëtarin, o umeti i Islamit! Sa e sa njerëz janë udhëzuar drejt çdo të mire falë shoqërimit me të mirët (el-Salihin), dhe sa e sa njerëz janë udhëzuar drejt çdo të keqeje për shkak të shokëve të këqij dhe miqve të ligj.

​ Njeriu, nga natyra dhe instinkti i tij (fitra), nuk mund të bëjë pa njerëzit dhe nuk mundet (të jetojë i vetmuar).

Ai patjetër duhet të përzihet me njerëzit, patjetër duhet të ulet me njerëzit dhe patjetër duhet të ketë miq dhe bashkëbisedues. Duke qenë se Islami është feja gjithëpërfshirëse dhe e përsosur, të cilën Allahu e pëlqeu si fe për njerëzimin derisa Ai të trashëgojë tokën dhe gjithçka mbi të, Islami ka rregulluar të gjitha çështjet e jetës: rregulloi marrëdhënien e individit me Zotin e tij, si dhe rregulloi marrëdhënien e individit me të tjerët.

​Muslimani në këtë botë nuk është “i lirë” (pa kufizime) në zgjedhjen e shokëve dhe miqve; ai është i lidhur me urdhërat që kanë ardhur në Libër (Kuran) dhe Sunet për përzgjedhjen e miqve dhe bashkëudhëtarëve. Prandaj, kanë ardhur urdhërat përmes Kuranit dhe Sunetit që urdhërojnë shoqërimin me të mirët e të zgjedhurit, dhe ndalojnë uljen me të prishurit e të ligjtë…

​Allahu i Lartësuar thotë:

​﴿وَاصْبِرْ نَفْسَكَ مَعَ الَّذِينَ يَدْعُونَ رَبَّهُم بِالْغَدَاةِ وَالْعَشِيِّ يُرِيدُونَ وَجْهَهُ وَلَا تَعْدُ عَيْنَاكَ عَنْهُمْ تُرِيدُ زِينَةَ الْحَيَاةِ الدُّنْيَا وَلَا تُطِعْ مَنْ أَغْفَلْنَا قَلْبَهُ عَن ذِكْرِنَا وَاتَّبَعَ هَوَاهُ وَكَانَ أَمْرُهُ فُرُطًا﴾ [El-Kehf: 28]

​”(Përmbaje veten me ata që lusin Zotin e tyre mëngjes e mbrëmje, duke dëshiruar Fytyrën (kënaqësinë) e Tij. Dhe mos i largo sytë prej tyre për të kërkuar stolitë e kësaj jete, e mos iu bind atij, zemrën e të cilit ia kemi lënë të shkujdesur ndaj përmendjes Sonë, i cili ndjek epshin e tij dhe çështja e tij ka marrë fund).”

​Këtu Ai urdhëron shoqërimin me të mirët dhe largimin nga të prishurit.

Tek porosia që permendem (në hadith), ai ﷺ thotë: “Mos shoqëro kënd tjetër përveç besimtarit dhe mos ta hajë ushqimin tënd kush tjetër përveç të devotshmit!” Dhe thotë ﷺ: “Njeriu është në fenë e mikut të tij të ngushtë, prandaj le të shikojë secili prej jush se kë po zë mik!” [Transmeton Tirmidhiu].

Islami erdhi duke urdhëruar shoqërimin me të mirët dhe duke ndaluar shoqërimin me të ligjtë. A e dini përse?

​Sepse shoqërimi me të devotshmit të tërheq drejt çdo të mire, ndërsa shoqërimi me të ligjtë të tërheq drejt çdo të keqeje.

​Profeti ynë fisnik ﷺ na jep për këtë një shembull të mrekullueshëm, duke thënë:

«مَثَلُ الْجَلِيسِ الصَّالِحِ وَالْجَلِيسِ السَّوْءِ، كَحَامِلِ الْمِسْكِ وَنَافِخِ الْكِيرِ، فَحَامِلُ الْمِسْكِ إِمَّا أَنْ يُحْذِيَكَ، وَإِمَّا أَنْ تَبْتَاعَ مِنْهُ، وَإِمَّا أَنْ تَجِدَ مِنْهُ رِيحًا طَيِّبَةً، وَنَافِخُ الْكِيرِ إِمَّا أَنْ يُحْرِقَ ثِيَابَكَ، وَإِمَّا أَنْ تَجِدَ مِنْهُ رِيحًا مُنْتِنَةً» [Muttefekun alejhi].

​«Shembulli i shokut të mirë dhe shokut të keq është si ai i shitësit të miskut (parfumit) dhe farkëtarit. Shitësi i miskut ose do të të dhurojë diçka, ose do të blesh prej tij, ose (të paktën) do të ndjesh prej tij një erë të mirë. Ndërsa farkëtari (shoku i keq) ose do të t’i djegë rrobat, ose do të ndjesh prej tij një erë të qelbur.»

​Po, pasha Allahun! Nëse ulesh me një të mirë, përfiton prej tij në çdo aspekt; përfiton prej tij kur flet dhe kur hesht. Ndërsa nëse shoqërohesh me të ligjtë, ata të dëmtojnë në çdo mënyrë dhe të tërheqin drejt çdo humbjeje.

​O robër të Allahut, secili prej nesh ka shokë. Sa e sa njerëz kanë ndjekur rrugën e udhëzimit dhe rrugën e Xhenetit për shkak të shoqërimit me të mirët! Dhe sa e sa njerëz kanë ndjekur rrugën e humbjes dhe rrugën e Zjarrit — shtëpisë së shkatërrimit — për shkak të shoqërimit me të ligjtë dhe mëkatarët e prishur! Le të shohim: a përfiton shoku nga shoku i tij nëse ai është i mirë?

​A e godet njeriun e keqja prej shokut të keq nëse shoqërohet me të? Mendoj se të gjithë ne e dimë këtë nga realiteti ynë: ky këtu nuk falet për shkak të shokëve të këqij, ndërsa ai tjetri falet falë qëndrimit me të mirët; ky agjëron sepse shoqërohet me njerëz të mirë ndërsa ai tjetri nuk agjëron e kështu me radhë.

​O robër të Allahut: Ta dini se shoqëria me të mirin të bën dobi në këtë botë, pas vdekjes dhe në Ditën e Gjykimit.

​Sa i përket kësaj bote: nëse shoqërohet me të mirët e sinqertë, ata e ftojnë drejt çdo të mire. Prej tyre mëson namazin, mëson sinqeritetin, bujarinë dhe guximin; mëson thjeshtësinë ndaj muslimanëve dhe veprat e mira. Kur shoku yt besimtar hyn në shtëpinë tënde, ai ul shikimin; nëse ha te ti, lutet për ty; kur del prej teje, të lëvdon; nëse ulet në një kuvend, të përmend për mirë; e nëse dikush në atë kuvend të përgojon, ai të mbron në bindje ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij.

​Nëse ulesh me shokun e mirë, ai të kujton Allahun nëse harron dhe të ndihmon nëse e kujton Atë. Nëse të sheh në mëkat, të urdhëron për të mirë dhe të ndalon nga e keqja.

​Shoqërimi me të mirin të bën dobi (edhe në raste ekstreme): Njeriu që vrau njëqind veta, kur u ul me dijetarin, me njeriun e mirë, i tha: “Kam vrarë njëqind veta, a ka pendim (teube) për mua?” Dijetari i tha: “Po, kush mund të ndërhyjë mes teje dhe pendimit?”

Shikoni, o robër të Allahut, se si ai e shtyu drejt pendimit dhe ia hapi derën e shpresës! Kështu, ky njeri përfitoi nga qëndrimi me të mirin duke u penduar te Allahu. Më pas dijetari i tha: “Mos u kthe te familja jote, as te fshati yt e as te shokët e tu të këqij, por shko në filan vend, sepse aty ka njerëz që adhurojnë Allahun, andaj adhuroje Allahun bashkë me ta.”

E urdhëroi për të mirë dhe e ndaloi nga e keqja. Në fund të hadithit, ky njeri vdiq në mes të rrugës dhe për të debatuan engjëjt e mëshirës (me engjëjt e dënimit)…

Në fund, Allahu e futi atë në Xhenet edhe pse nuk kishte bërë asnjë sexhde për Të. Çfarë i bëri dobi atij? Qëndrimi me dijetarin dhe qëndrimi me të mirin; kështu, ai përfitoi në këtë botë nga shoqërimi me të devotshmit.

​Sa i përket momentit të vdekjes: Kur je në shtratin e vdekjes, nëse të vjen shoku yt besimtar dhe ulet pranë teje në ato çaste të fundit të kësaj bote, ai të kujton Allahun dhe të kujton mëshirën e Tij. Me këtë, ai të bën që të kesh mendim të mirë për Allahun (husnu edh-dhan). E mendimi i mirë për Allahun në çastin kur shpirti po del, është nga veprat më të mira te Allahu i Madhëruar.

​Po ashtu, shoku i mirë, kur ulet pranë vëllait të tij ndërsa shpirti po i del, i thotë atij: “Thuaj La ilahe il-lAllah”, duke zbatuar urdhrin e të Dërguarit të Allahut ﷺ: «لَقِّنُوا مَوْتَاكُمْ لَا إِلَهَ إِلَّا اللَّهُ» (“Mësojuani (u jepni telkin) të vdekurve tuaj ‘La ilahe il-lAllah'”), “O vëllai im, thuaj: La ilahe il-lAllah!”. Vëllai e thotë: “La ilahe il-lAllah”, dhe del nga kjo botë me këtë dëshmi. E Profeti ynë thotë: «مَنْ كَانَ آخِرُ كَلَامِهِ لَا إِلَهَ إِلَّا اللَّهُ دَخَلَ الْجَنَّةَ» (“Ai që fjala e fundit e tij është ‘La ilahe il-lAllah’, hyn në Xhenet”). [Sahih el-Xhami, 6355].

​Kështu, ai përfitoi nga shoku i tij besimtar në çastin e daljes së shpirtit.

​Sa i përket periudhës pas vdekjes: Shoku besimtar lutet për vëllain e tij që ka ndërruar jetë në mungesë të tij (pa e parë njeri), ashtu siç thotë Zoti ynë i Madhëruar:

​﴿وَالَّذِينَ جَاءُوا مِن بَعْدِهِمْ يَقُولُونَ رَبَّنَا اغْفِرْ لَنَا وَلِإِخْوَانِنَا الَّذِينَ سَبَقُونَا بِالْإِيمَانِ﴾ [El-Hashr: 10]

“(Edhe ata që kanë ardhur pas tyre thonë: ‘O Zoti ynë, na fal ne dhe vëllezërit tanë, të cilët para nesh u pajisën me besim…’)”

​Gjithashtu, shoku i mirë lutet për ty pas vdekjes tënde, të viziton te varri dhe lutet për ty aty. Pas vdekjes tënde, ai interesohet për fëmijët e tu me butësi dhe duke i udhëzuar në të mire, me urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja, me butësi dhe dhembshuri. Kështu, ti përfitove prej tij në këtë botë, gjatë vdekjes dhe pas vdekjes.

​Sa i përket Ditës së Gjykimit: Shoku i mirë nuk e harron kurrë vëllanë e tij në atë ditë. Miqësitë në Ditën e Gjykimit shndërrohen në armiqësi, përveç atyre që u lidhën për hir të Allahut. Allahu i Lartësuar thotë:

​﴿الْأَخِلَّاءُ يَوْمَئِذٍ بَعْضُهُمْ لِبَعْضٍ عَدُوٌّ إِلَّا الْمُتَّقِينَ﴾ [Ez-Zuhruf: 67]

“(Atë ditë shokët e ngushtë do të jenë armiq të njëri-tjetrit, përveç të devotshmëve).”

​Përveç të devotshmëve; në këtë botë u deshën për Allahun, ndërsa në Ditën e Gjykimit do të jenë së bashku nën hijen e Allahut, në ditën kur nuk ka hije tjetër përveç hijes së Tij. Ai ﷺ thotë: “Shtatë kategori njerëzish do t’i strehojë Allahu në hijen e Tij, në ditën kur nuk do të ketë hije tjetër përveç hijes së Tij…” dhe përmendi mes tyre: “…dy njerëz që janë dashur për hir të Allahut; janë bashkuar për Atë dhe janë ndarë po për Atë.” [Muttefekun alejhi].

​O vëllezër, shoku besimtar është një pasuri e madhe në këtë botë, gjatë vdekjes, pas saj dhe në Ditën e Gjykimit.

Sa i përket shokut të keq, fol për të (për dëmet e tij) dhe mos ki drojë. Ejani dhe dëgjoni, o robër të Allahut: shoku i keq është ogurzi për mikun e tij në këtë botë, gjatë vdekjes, pas saj dhe në Ditën e Gjykimit.

​Në këtë botë, shoku i keq të tërheq drejt çdo mëkati. Për Allahun, sa e sa falës e lanë namazin për shkak të shokut të keq? Sa e sa njerëz që agjëronin, sot nuk agjërojnë për shkak të shokëve të këqij? Sa e sa njerëz që nuk konsumonin alkool, e pinë atë për shkak të shoqërisë së keqe? Shoku i keq e fton mikun e tij në mosbindje ndaj Allahut, sepse “zogjtë fluturojnë me llojin e tyre”.

​Nga dëmet e shokut të keq në këtë botë është se ai të fton në kufër (mohim) pasi ke qenë musliman. ​Ky është rasti i një burri në Mekë në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ (Ukbe bin Ebi Muajti). Ai ishte jobesimtar, por nuk e lëndonte Profetin ﷺ dhe gati sa nuk hyri në Islam. Madje thuhet se ai e pranoi Islamin, u bë musliman dhe besoi. Mirëpo, shoku i tij i ngushtë (Ubej bin Halefi) ishte udhëtar në vendet e Shamit. Kur u kthye në Mekë dhe mori vesh se miku i tij ishte bërë musliman ose po mendonte për Islamin, ky shok i keq shkoi tek ai dhe filloi t’i fliste e ta qortonte derisa ai u bë murted (u largua nga Islami)… dhe e urdhëroi (për ta fyer Profetin). Ai veproi ashtu siç i diktoi shoku i tij i keq, u largua nga Islami (u bë murted) dhe e lëndoi të Dërguarin e Allahut ﷺ.

​Për këtë rast, Allahu i Lartësuar thotë:

​﴿وَيَوْمَ يَعَضُّ الظَّالِمُ عَلَىٰ يَدَيْهِ يَقُولُ يَا لَيْتَنِي اتَّخَذْتُ مَعَ الرَّسُولِ سَبِيلًا * يَا وَيْلَتَىٰ لَيْتَنِي لَمْ أَتَّخِذْ فُلَانًا خَلِيلًا * لَّقَدْ أَضَلَّنِي عَنِ الذِّكْرِ بَعْدَ إِذْ جَاءَنِي ۗ وَكَانَ الشَّيْطَانُ لِلْإِنسَانِ خَذُولًا﴾ [El-Furkan: 27-29]

​”(Atë ditë zullumqari do të kafshojë duart e veta e do të thotë: ‘Ah, sikur ta kisha marrë rrugën me të Dërguarin! Mjerë unë, ah sikur të mos e kisha zënë filanin për mik! Ai më largoi nga Përkujtimi (Kurani) pasi ai më kishte ardhur.’ Vërtet, shejtani është tradhtar i njeriut (e lë në baltë atë).”

​Sa i përket momentit të vdekjes, shoku i keq: nëse të vjen kur je në shtratin e vdekjes, të fton në kufër (mohim) pas Islamit dhe në bidat pas Sunetit. Përmes shembujve bëhet më i qartë sqarimi:

​Rasti i Ebu Talibit, i cili ishte në shtratin e vdekjes, në çastet e tij të fundit në këtë botë. Pranë tij ishte Ebu Xhehli — Allahu e mallkoftë. Kur mori vesh i Dërguari i Allahut ﷺ, shkoi te xhaxhai i tij dhe i tha: “O xhaxha, thuaj: La ilahe il-lAllah! Një fjalë me të cilën do të mbroj ty te Allahu në Ditën e Gjykimit.” Ndërsa shoku i keq, Ebu Xhehli, thoshte: “A po e braktis fenë e Abdulmutalibit?” I Dërguari ﷺ përsëriste: “O xhaxha, thuaj: La ilahe il-lAllah!”, kurse shoku i keq thoshte: “A po e braktis fenë e Abdulmutalibit?”, derisa shpirti i doli duke thënë: “Jo, por në fenë e Abdulmutalibit!”.

Doli nga kjo botë si jobesimtar për shkak të shokut të keq. I Dërguari ﷺ, i përlotur e i thyer nga largimi i tij si jobesimtar, tha: “Do të kërkoj falje për ty përderisa nuk më ndalohet”. Atëherë Allahu i zbriti të Dërguarit të Tij:

​﴿مَا كَانَ لِلنَّبِيِّ وَالَّذِينَ آمَنُوا أَن يَسْتَغْفِرُوا لِلْمُشْرِكِينَ وَلَوْ كَانُوا أُولِي قُرْبَىٰ مِن بَعْدِ مَا تَبَيَّنَ لَهُمْ أَنَّهُمْ أَصْحابُ الْجَحِيمِ﴾ [Et-Teube: 113]

“Nuk i takon Profetit dhe as atyre që besuan, të kërkojnë falje për idhujtarët, qofshin ata edhe të afërm të tyre, pasi u është bërë e qartë se ata (vdiqën si mohues dhe) janë banorë të Zjarrit (Xhehenemit).”

​Shoku i keq u bë shkak që ai të dilte nga kjo botë si jobesimtar.

​Sa i përket Ditës së Gjykimit: kjo shoqëri shndërrohet në armiqësi, ashtu siç ka thënë i Lartësuari:

​﴿الْأَخِلَّاءُ يَوْمَئِذٍ بَعْضُهُمْ لِبَعْضٍ عَدُوٌّ إِلَّا الْمُتَّقِينَ﴾ [Ez-Zuhruf: 67]

“(Atë ditë shokët e ngushtë do të jenë armiq të njëri-tjetrit, përveç të devotshmëve).”

​Në atë ditë, shoku i thotë shokut: “Ti më humbe mua!”, ndërsa tjetri i thotë: “Ti më humbe mua!”. Secili prej tyre thotë:

​﴿يَا لَيْتَ بَيْنِي وَبَيْنَكَ بُعْدَ الْمَشْرِقَيْنِ فَبِئْسَ الْقَرِينُ﴾ [Ez-Zuhruf: 38]

“(Ah, sikur mes meje dhe teje të kishte një distancë sa mes Lindjes dhe Perëndimit! Sa shok i keq që ke qenë!)”

​Prandaj, o vëllezër të Islamit: “Mos shoqëro kënd tjetër përveç besimtarit dhe mos ta hajë ushqimin tënd kush tjetër përveç të devotshmit!”

==========

​O robër të Allahut, i dërguari i Allahut ﷺ thotë: “Njeriu është në fenë e mikut të tij të ngushtë, prandaj le të shikojë secili prej jush se kë po zë mik!”.

Prandaj, Llukmani i urtë i thoshte djalit të tij ndërsa e këshillonte: “O biri im, zgjidhi kuvendet (mexhliset) me sytë e tu: nëse gjen njerëz që përmendin Allahun (që adhurojnë Allahun), ulu me ta. Nëse je i ditur, do të të bëjë dobi dija jote; nëse je i paditur, do të të mësojnë; e mbase Allahu i vështron ata me mëshirë, e cila të përfshin edhe ty bashkë me ta. Por, nëse gjen njerëz që nuk e përmendin Allahun, mos u ulu me ta. Nëse je i ditur, dija jote nuk do të të bëjë dobi; e nëse je i paditur, do të ta shtojnë humbjen (hutinë); e mbase Allahu i vështron ata me ndëshkim (nikmeh), i cili të godet edhe ty bashkë me ta.”

​O robër të Allahut: Shoku është tërheqës; ai të tërheq ose drejt së mirës, ose drejt së keqes; ose drejt udhëzimit, ose drejt humbjes. Ejani t’i dëgjojmë banorët e Xhenetit se çfarë thonë: Njëri prej tyre kishte pasur në dynja një shok që e ftonte në kufër (mohim), por ai nuk i ishte përgjigjur.

​Allahu i Lartësuar thotë për banorët e Xhenetit:

﴿فَأَقْبَلَ بَعْضُهُمْ عَلَىٰ بَعْضٍ يَتَسَاءَلُونَ * قَالَ قَائِلٌ مِّنْهُمْ إِنِّي كَانَ لِي قَرِينٌ﴾ — domethënë në dynja — ﴿يَقُولُ أَإِنَّكَ لَمِنَ الْمُصَدِّقِينَ * أَإِذَا مِتْنَا وَكُنَّا تُرَابًا وَعِظَامًا أَإِنَّا لَمَدِينُونَ﴾

“(Atëherë ata do t’i drejtohen njëri-tjetrit duke pyetur. Njëri prej tyre do të thotë: ‘Unë kam pasur një shok (në dynja), i cili më thoshte: A je edhe ti prej atyre që besojnë (ringjalljen)? Vallë, pasi të vdesim e të bëhemi pluhur e eshtra, vërtet do të gjykohemi?’)

​Ai shok e ftonte në ateizëm dhe kufër. Ky njeri i mirë në Xhenet u thotë shokëve të tij:

﴿قَالَ هَلْ أَنتُم مُّطَّلِعُونَ * فَاطَّلَعَ فَرَآهُ فِي سَوَاءِ الْجَحِيمِ﴾

“(Ai thotë: ‘A dëshironi ta shihni?’ Dhe ai vështroi dhe e pa atë (shokun e tij ateist) në mes të Zjarrit të ndezur).”

​﴿قَالَ تَاللَّهِ إِن كِدتَّ لَتُرْدِينِ * وَلَوْلَا نِعْمَةُ رَبِّي لَكُنتُ مِنَ الْمُحْضَرِينَ﴾ [Es-Saffat: 50-57]

“(E ai i tha: ‘Pasha Allahun, ti për pak sa nuk më shkatërrove edhe mua! Sikur të mos ishte mirësia e Zotit tim, edhe unë do të isha prej atyre që janë sjellë (në dënim).’)”

​Shikoni, o robër të Allahut: ai e ftonte në kufër dhe ateizëm, por ai nuk iu përgjigj. Sikur t’i ishte përgjigjur, do të ishte bashkë me të në mes të Xhehenemit. Prandaj, bëni kujdes nga shokët e këqij!

​Pasha Allahun, asnjë i penduar nuk është rikthyer në gjynahe (nuk ka dështuar në pendimin e tij) pas teubes, veçse për shkak të shokëve të këqij. Mos shoqëro kënd tjetër përveç besimtarit dhe mos ta hajë ushqimin tënd kush tjetër përveç të devotshmit!

​O Allah, na e trego të vërtetën si të vërtetë dhe na mundëso ndjekjen e saj; dhe na e trego të kotën si të kotë dhe na mundëso largimin prej saj!

Shejh Salih Taha, Ebu Islam

Përshtati: Fatjon Isufi

 

Dosje:

Loading...