Secili le të shikojë çfarë ka përgatitur për të nesërmen!

Secili le të shikojë çfarë ka përgatitur për të nesërmen!

Falënderimet dhe lavdatat janë vetëm për Allahun, Zotin e botëve. Dëshmoj se nuk e meriton askush tjetër adhurimin me të drejtë përveç Allahut të Vetëm e të pa shok, si dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të, familjen dhe shokët e tij!

Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që keni besuar! Kijeni frikë dënimin e Allahut dhe le të shikojë secili se çfarë ka përgatitur për të nesërmen. Kijeni frikë dënimin e Allahut se me të vërtetë Ai është i njohur në hollësi të asaj ç’ka ju veproni.” [Surja Hashër: 18].

Ky ajet është madhështor në çështjen e marrjes në llogari të vetvetes, dhe secili e ka obligim të marrë në llogari veten e tij si dhe të shikojë çfarë ka përgatitur për të nesërmen përpara se Allahu t’a marrë në llogari në ditën e gjykimit. Është në të mirën e njeriut që të shikojë punët e tij se çfarë ka përgatitur për takimin e Zotit të tij, i Lartësuar qoftë emri i Tij! Vallë a ka vepruar vepra të mira dhe është larguar nga veprat e ndaluara dhe të urryera, e kështu e takon Zotin e tij i kënaqur? Apo veprat e tij janë që e hidhërojnë Allahun dhe e zemërojnë Atë, gjë e cila bën që ai të meritojë dënimin e Tij?
Ndaj le të shikojë njeriu në atë çka ka përgatitur për të nesërmen, duke e mbajtur në kujtesën e tij atë ditë (ditën e llogarisë) dhe qëndrimin para Allahut, duke kujtuar llogarinë dhe shfaqjen e punëve të tij. “Duke e ditur se çdo gjë që ka vepruar do t’i vijë atij e shkruar në një libër, libër i cili nuk ka lënë vepër të vogël apo të madhe vetëm se e ka shënuar atë. Ata do të gjejnë në të çdo gjë që kanë vepruar, e Zoti yt askujt nuk i bën padrejtësi.” [Surja Kehf: 49]

Ditën e gjykimit Zoti (i Lartësuar qoftë emri i Tij) do të thotë: “O robërit e Mi! Këto janë punët tuaja, Unë i kam ruajtur ato për ju që t’u shpërblej në bazë të tyre. Ndaj, ai i cili do të shikojë vepra të mira le të falënderojë Allahun, e ai i cili shikon vepra të liga mos të akuzojë askënd përpos vetes së tij.”
A nuk duhet që njeriu t’a marrë në llogari veten e tij? Dhe ashtu duhet të jetë! “Ai i cili shikon vepra të mira le ta falënderojë Allahun, e ai i cili gjen vepra të liga mos ta akuzojë askënd përpos vetes së tij.”
A nuk duhet që të shikojë atëherë kur është akoma në kohën që mund t’i ndryshojë punët e tij? Nëse shikon punë të mira atëherë le t’a falënderojë Allahun i Cili i’a lehtësoi ato punë dhe e ndihmoj në kryerjen e tyre. E nëse shikon vepra të liga le t’a ndryshojë veten e tij, sepse në ditën e gjykimit do t’i thuhet “mos të akuzojë askënd përpos vetes së tij!” Atë ditë nuk do të ketë mundësi të përmirësojë apo të pendohet. Nëse sot e llogarit vetveten dhe i shikon punët e tij, shikon punë të mira dhe falënderon Allahun, e nëse shikon punë të liga kjo duhet t’a bëjë të përmirësojë veten e tij. Ndërsa në ditën e gjykimit nëse shikon punë të këqija të mos akuzojë askënd përpos vetes së tij, sepse nuk do ketë mundësi të pendohet e as të kthehet edhe njëherë në jetën e kësaj bote për të punuar veç asaj që ka punuar.

Në këtë kuptim ka thënë edhe prijësi i besimtarëve Umer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) kur thotë: “Merreni në llogari veten tuaj para se të mirreni në llogari! Peshoini veprat tuaja para se t’u peshohen, dhe zbukurohuni me vepra të mira për ditën e paraqitjes së madhe. “Atë ditë do të ekspozoheni (para Zotit) duke mos mbetur fshehtë asnjë sekret i juaji.” [Surja Hakka: 18]

Marrja në llogari e vetvetes ashtu siç e kanë shpjeguar dijetarët bëhet në dy mënyra:
1 – Marrja në llogari e vetvetes para veprës. 2- Marrja në llogari e vetvetes pas veprës.

Përsa i përket llogaritjes së vetes pas veprës bëhet duke shikuar njeriu se çka ka vepruar prej punëve të tij për të cilat do japë llogari para Allahut të Lartësuar. Të shikojë punët që ka vepruar gjatë jetës së tij, a janë punë të mira apo janë punë të liga, apo janë të përziera mes të mirave e të ligave? Ditën e gjykimit njeriu do merret në llogari për çdo vepër të bërë më parë, porse Allahu ka bërë në ligjet e Tij një derë madhështore e të begatë e kjo derë është dera e pendimit. Pejgamberi ynë (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) na ka treguar se pendimi i fshin gabimet e mëparshme. Gjithashtu, na ka treguar se keqardhja është pendim ndaj njeriu le të shikojë në punët e tij. Nëse shikon se i ka të mira e të pastra le t’a falënderojë Allahun, e nëse shikon se janë vepra të liga dhe ka neglizhuar në atë çka i takon Allahut të Lartësuar, atëherë le të pendohet. “Thuaj: O robërit e Mi të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut se Allahu i falë të gjitha mëkatet. Ai është që shumë falë dhe është Mëshirues.” [Surja Zumer: 53]
Fjala e Allahut “mos e humbni shpresën” tregon se Allahu e pranon pendimin sado i madh që të jetë gabimi i bërë. Allahu e pranon pendimin e atij që pendohet. Pendimi i vërtetë dhe i sinqertë nga të gjitha gabimet është më e mirë për njeriun sesa njeriu t’a takojë Allahun me gabime të mëdha apo me shumë gabime.
Mënyra e dytë e llogaritjes së vetvetes është para se t’a kryesh veprën. Duke shikuar në veprën të cilën dëshiron që t’a kryejë mos të hedhë asnjë hap vetëm se të jetë në dijeni të asaj që vepron. Disa prej selefëve kanë thënë: “Prej mençurisë së njeriut është që ai të jetë në dijeni të asaj që ha, pi dhe ku ecën!” Duhet që njeriu të ketë njohuri të asaj çka dëshiron të veprojë se a është e lejuar kryerja e saj apo jo. Mos të shoqërohet me çdokënd, mos të hajë çdo gjë e mos të veprojë ç’të dëshirojë, porse të gjitha t’i peshojë me peshoren e Allahut të Lartësuar duke qenë në përputhshmëri me të dërguarin e Allahut (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të).

E lus Allahun e Lartësuar, Zotin e Arshit madhështor, me emrat e Tij më të bukur e cilësitë e Tij më të larta që të na i rregullojë çështjet tona. Mos të na bëjë të mbështetemi në vetet tona qoftë dhe sa hap e mbyll sytë. O Allah! Na i pastro shpirtrat tanë se Ti je më i Miri që pastron, dhe bëji të devotshëm sepse Ti je Ai i Cili kujdesesh për ta!

Paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të dërguarin e Allahut!

Shkroi: AbduRrezak el Bedër

Përktheu: Ylli Rama