Shami është vendi i hixhretit të Ibrahimit -alejhi selam- dhe besimtarëve!

May 19, 2021

Veçoria e tretë: Shami është vendi i hixhretit (emigrimit) të Ibrahimit – alejhi selam – dhe i besimtarëve të sinqertë të këtij umeti.

Vijon….

Hixhreti për hir të Allahut është lënia e vendit të shirkut dhe të kufrit, për në një vend tjetër ku mundesh të adhurosh Allahun i lirë dhe pa frikë. Këtë veprim për herë të parë e ka bërë Ibrahimi – alejhi selam – pas përhapjes së injorancës tek njerëzit. Ibn Xhurejxhi dhe Mukatili (dy komentues të njohur të Kuranit të vdekur në vitin 150 H) kanë thënë: Ibrahimi është i pari i njerëzve që ka bërë hixhret për hir të Allahut.
Këtë veprim si shumë veprime të tjera të Ibrahimit, Allahu i Madhëruar e ka përmendur tri herë në Kuran.
Ajeti i parë: “Ai (Ibrahimi) tha: Unë do të bëj hixhret për te Zoti im. Ai është Ngadhënjyesi dhe i Urti.” Suretu El-Ankebut: 26.
Fjala e tij; [Unë do të bëj hixhret] d.m.th.: Do largohem nga ju, nga vendi juaj, nga veprat tuaja etj. Ai nuk i ka përcaktuar ato me fjalë që t’i përfshijë të gjitha.
Fjala e tij; [për te Zoti im] d.m.th.: Për të adhuruar i qetë Zotin tim ose për atje ku më ma urdhëruar Allahu për në vendin e Shamit, siç do të vijë më poshtë.
Fjala e tij; [Ai është Ngadhënjyesi dhe i Urti] d.m.th.: Triumfuesi që triumfon gjithmonë ndaj kundërshtarëve të tij, dhe i Urti që në fjalët dhe veprat e Tij ka urtësi.
Ndoshta ai e ka thënë këtë fjali për t’ju treguar se me këtë veprim nuk do të dobësohet, por përkundrazi, do të bëhet më i fortë dhe do fitojë mbi ta sepse Allahu është me besimtarët dhe besimi gjithmonë triumfon.
Ajeti i dytë: “Ai (Ibrahimi) tha: Unë do të shkoj te Zoti im dhe Ai do të më udhëzojë.” Suretu Es-Safat: 99.
Fjala e tij [Unë do të shkoj te Zoti im] është si ajeti i mëparshëm, mirëpo Katade thoshte në kuptimin e tij: Po shkoj me veprën time, zemrën time dhe nijetin tim.
Fjala e tij; [Ai do të më udhëzojë] d.m.th.: Do të më udhëzojë për çdo gjë që është e dobishme në dynjanë dhe ahiretin tim.
Imam Kurtubiu thotë: Ky ajet është baza e hixhretit dhe e braktisjes. I pari që e ka bërë është Ibrahimi – alejhi selam – kur e shpëtoi Allahu prej zjarrit.
Ajeti i tretë: “Ne e shpëtuam atë (Ibrahimin) dhe Lutin për në tokën e bekuar për të gjithë njerëzit.” Suretu El-Enbija: 71.
E veçanta e këtij ajeti është se ai tregon vendin për në të cilin bëri hixhret Ibrahimi – alejhi selam – duke përmendur një cilësi të tij dhe që është bekimi apo begatia. Ky vend sipas komentuesve të Kuranit është Shami:
Ubej bin Kab – radiallahu anhu – thotë: “Është Shami dhe nuk ka ndonjë ujë të ëmbël veçse ka dalë pre atij guri në Bejtul-Makdis (xhaminë e Aksas).” E transmeton Taberiu me zinxhir të saktë.
Katade (komentues i njohur i Kuranit i vdekur në vitin 100 e ca të hixhretit) në komentimin e ajetit thotë: “Ata ishin në Irak dhe shkuan për në Sham. Thuhej për Shamin se është “direku i shtëpisë së hixhretit”. E transmeton imam Taberiu me zinxhir të saktë.
Ky veprim i Ibrahimit – alejhi selam – më pas u bë veprim i këtij umeti të cilin e praktikoi Profeti ynë – salallahu alejhi ue selam – dhe shokët e tij. Ne si umet që ndjekim gjurmët e këtij Profeti do t’a ndjekim atë edhe në lidhje me vendin ku do bëjmë hixhret, dhe ja çfarë thotë hadithi.
Abdullah bin Amr bin El-As – radiallahu anhu – tregon se Profeti – alejhi selam – ka thënë: “Do të ketë hixhret pas hixhreti. Njerëzit më të mirë të tokës do të jenë ata që preferojnë vendin e hixhretit të Ibrahimit (Shamin), dhe do të mbesin në tokë njerëzit më të këqij të cilët i gjuan toka e tyre, i urren Allahu dhe i grumbullon zjarri me majmunët dhe derrat.” E transmeton EbuDaudi, Hakimi, AbduRrazaku, Ahmedi etj.
Pra, Shami do t’i strehojë gjithmonë besimtarët siç strehoi Ibrahimin – alejhi selam -, dhe do të mbetet gjithmonë shtëpia e besimit. Madje jo vetëm kaq, por edhe ata që e zgjedhin atë vend për emigrim do të jenë njerëzit më të mirë siç ishte edhe Ibrahimi – alejhi selam – ndër njerëzit dhe profetët më të mirë.

Ja çfarë thotë sheihul-islam Ibn Tejmije – Allahu e mëshiroftë – për familjen e tij pas përmendjes së hadithit të mësipërm: “Në këtë hadith ka një përgëzim për familjet tona që bënë hixhret nga Harrani dhe nga vende të tjera për në vendin e hixhretit të Ibrahimit, duke ndjekur fenë e Ibrahimit dhe mësimet e profetit tonë Muhamed – salallahu alejhi ue selam. Ky hixhret është si hixhreti i shokëve të profetit të Allahut Muhamedit edhe pse pas kohës së tyre, sepse hixhreti është për atje ku është Profeti dhe gjurmët e tij dhe vendi i hixhretit të Ibrahimit është për ne si vendi i hixhretit të Profetit tonë. Hixhreti për te vendi i hixhretit të Profetit tonë është ndërprerë pas çlirimit të Mekës.” Shih librin Mexhmu El-Fetaua: 27/509.
Familja e sheihul-Islam Ibn Tejmije – Allahu e mëshiroftë – ka emigruar nga Harrani për në Damask të Sirisë, pas sulmeve barbare të mongolëve në vitin 668H.
Të njëjtën gjë e shpreh edhe sheih Albani për hixhretin e babait të tij në fillim të viteve 1920 pas përmendjes së të njëjtit hadith, dhe thotë:
“Me këtë rast dua të shpjegoj diçka që lidhet me historinë dhe falënderimin ndaj babait tim – Allahu e mëshiroftë -. Hadithi është përgëzim për ne: Familja e babait tim i cili emigroi me familjen nga vendi i tij Shkodra, kryeqyteti i atëhershëm i Shqipërisë, dhe u largua për shkak të fesë nga revolucioni i Ahmed Zogut që Allahu ia devijoi zemrën duke vepruar me muslimanët e Shqipërisë siç veproi Ataturku me turqit.
Arrita me mirësinë dhe mëshirën e Allahut, për shkak të këtij emigrimi në Damask të Shamit atë që nuk mund t’ia kthej Zotit me falënderim edhe sikur të jetoj sa Nuhu – alejhi selam – ….” Shih librin Silsiletul-Ehadith Es-Sahiha: 7/615.

Vijon…………………..

Dr. Abdullah Nabolli

Loading...