Shenja e dytë
– Çarja e hënës në kohën e profetit Muhamed -alejhi selam-
Allahu i Madhëruar në Kuran thotë:
اقْتَرَبَتِ السَّاعَةُ وَانْشَقَّ الْقَمَرُ * وَإِنْ يَرَوْا آيَةً يُعْرِضُوا وَيَقُولُوا سِحْرٌ مُسْتَمِرٌّ
“U afrua ora e fundit dhe u ça hëna. * Ata kur shohin ndonjë mrekulli thonë; magji e vazhdueshme.”[1]
Imam Ibn Rexhebi -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me këtë ajet, thotë: “Allahu i Madhëruar e ka bërë çarjen e hënës prej shenjave të orës së fundit, dhe çarja e saj ka ndodhur në Meke para emigrimit të Profetit -alejhi selam.”[2]
Sqarimi i Ibn Rexhebit -Allahu e mëshiroftë- është marrë nga thëniet e sahabëve si; Abdullah bin Mesudi, Hudhejfe bin El-Jeman -radiallahu anhuma- etj.
Abdullah bin Mesudi -radiallahu anhu- thotë: “Pesë shenja kanë kaluar: detyra (dënimi i përgënjeshtruesve të Mekës), Romakët (fitorja e Romakëve mbi Persët), mbërthimi (humbja e mushrikëve në Bedër), hëna (çarja e hënës), dhe tymi (shfaqja e tymit).”[3]
Ndërsa Hudhejfe bin El-Jeman -radiallahu anhu- në një hytbe të xhumasë të mbajtur në El-Medain i ka këshilluar njerëzit duke u thënë: “Allahu i Madhëruar thotë: [U afrua ora e fundit dhe u ça hëna.] Ora e fundit është afruar, hëna është çarë dhe dynjaja është duke u larguar. Sot është përgatitja për garë dhe nesër është gara.”[4]
Pra, çarja e hënës është shenjë e afrimit të orës së fundit të dynjasë dhe është prej shenjave që janë shfaqur që në kohën e profetit Muhamed -alejhi selam. Dhe është pikërisht ajo që është cituar në ajetet e sures me të njëjtin titull ‘El-Kamer’ që në shqip do të thotë ‘Hëna’, siç e komentojnë atë sahabët -radiallahu anhum.
Përshkrimi i ngjarjes.
Sipas lajmeve të përcjella nga sahabët kjo ngjarje ka ndodhur në periudhën e Mekës, periudha e parë e profetësisë së profetit Muhamed -alejhi selam.
Enes bin Maliku -radiallahu anhu- në lidhje me ngjarjen thotë: “Banorët e Mekës i kërkuan Profetit -alejhi selam- që t’ju tregonte një mrekulli dhe ai u tregoi çarjen e hënës në dy pjesë, derisa panë mes tyre shpellën e Hirasë.”[5]
Xhubejr bin Mut’im -radiallahu anhu- tregon: “Është çarë hëna në kohën e Profetit -alejhi selam- derisa u nda në dy copa, një mbi këtë kobër dhe një mbi këtë kodër. Atëherë njerëzit thanë: Na bëri magji Muhamedi. Disa prej tyre thanë: Nëse neve na bëri magji, nuk u bën dot të gjithëve.”[6]
Abdullah bin Mesudi -radiallahu anhu- tregon: “Është çarë hëna në dy pjesë në kohën e të dërguarit të Allahut -alejhi selam-, njëra mbi kodër dhe tjetra poshtë saj dhe Profeti -alejhi selam- tha: Dëshmoni!”[7]
Abdullah bin Mesudi -radiallahu anhu- në një transmetim tjetër thotë: “Është çarë hëna në kohën e Profetit -alejhi selam- dhe Kurejshët thanë: Kjo është magjia e Ibn Ebi Kebshe (nofkë që e përdornin për të përqeshur Profetin -alejhi selam-). Ata thanë: Shikoni çdo të thonë udhëtarët, sepse Muhamedi nuk mund t’u bëjë magji të gjithëve. Kur erdhën udhëtarët thanë se kanë parë të njëjtën gjë.”[8]
Çarja e hënës është përmendur gjithashtu edhe nga disa sahabë të tjerë si; Aliu, Abdullah bin Umeri dhe Abdullah bin Abasi -radiallahu anhum-, derisa është thënë se hadithet për këtë ngjarje janë muteuatira[9], që do të thotë se ato nuk mund të refuzohen sepse kanë arritur në kulmin e saktësisë.
Nga përshkrimet të përmendura në hadithe, përfitojmë:
1- Çarja e hënës ka ndodhur në kohën e Profetit -alejhi selam- në periudhën e Mekës.
2- Shkaku i kësaj mrekullie ka qenë kërkesa sfiduese e mushrikëve të Mekës.
3- Çarja e hënës ka qenë çarje reale dhe e dukshme, sepse sahabët thanë: [derisa panë shpellën e Hirasë mes tyre].
4- Mushrikët pas çarjes së hënës vazhduan në mohimin e tyre dhe e quajtën atë magji dhe deshën t’a vërtetojnë lajmin nga njerëz të tjerë jo prezent në mexhlisin e Profetit -alejhi selam-, madje prej atyre jashtë Mekes prej udhëtarëve dhe e gjetën atë të saktë.
5- Profeti -alejhi selam- kërkoi prej njerëzve të dëshmojnë për këtë mrekulli të madhe të shfaqjes së fuqisë së Allahut, me qëllim që t’i nxisë ata për në madhërimin e Allahut dhe besimin e fortë të vërtetësisë së dërgesës së tij.
Rëndësia e kësaj ngjarje.
Kjo ngjarje përveçse është shenjë prej shenjave të afrimit të orës së fundit të dynjasë, ajo në vetvete është mrekulli e profetit tonë Muhamedit -alejhi selam- sepse është shfaqur në një mexhlis debati me kundërshtarët dhe përgënjeshtruesit e profetësisë së tij. Ardhja e ndihmës së Allahut të Madhëruar në momente të tilla sfiduese është mrekulli e madhe dhe argument i qartë përkrahjeje nga Allahu i Madhëruar. Dijetarët e Islamit e shohin gjithashtu këtë mrekulli të rëndësishme edhe në një këndvështrim tjetër, nga fakti se hëna është trup qiellor.
Imam El-Khatabi -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me këtë çështje thotë: “Çarja e hënës është mrekulli e madhe aq sa gati nuk barazohet me të asnjë mrekulli e profetëve, sepse ajo ka ndodhur në trupat qiellorë -jashtë natyrës së kësaj bote të ndërlikuar- tek të cilët askush nuk mund të arrijë me hile, prandaj dhe argumentimi me të është më i fortë, më i qartë dhe më i habitshëm.”[10]
Ndërsa Ibn Hubejra (dijetar i njohur i periudhës abasite i vdekur në vitin 560 H -Allahu e mëshiroftë-), thotë: “Në këtë ngjarje ka argumente të prera për Profetin -alejhi selam- të cilat e vendosin atë në krye të të gjithë profetëve. Allahu i Madhëruar i çau detin Musës -alejhi selam- dhe ajo pa dyshim është mrekulli e madhe, por detin e çajnë edhe anijet dhe mjetet lundruese, e nëse jo të gjithin të paktën pak prej tij. Ndërsa hëna është në kupë të qiellit dhe larg arritjeve të banorëve të dynjasë. Kështu që çarja e saj për Profetin -alejhi selam- është prej atyre mrekullive që tregojnë për pozitën e tij tek Allahu i Madhëruar, siç është edhe shpërthimi i ujit mes gishtave të tij më lart se shpërthimi i tij prej gurit të Musait -alejhi selam. Prej gurëve mund të shpërthejnë edhe lumenj, ndërsa shpërthimi i tij mes gishtave të njerëzve nuk ka ndodhur veçse me Profetin -alejhi selam.”[11]
Filozofët dhe mrekullia e çarjes së hënës.
Sipas librave të historisë ka pasur disa filozofë të cilët e kanë mohuar këtë mrekulli dhe mohimi i tyre bazohet në dy këndvështrime:
E para: Trupat qiellorë nuk janë të përshtatshme për çarje dhe ngjitje.
E dyta: Sikur të kishte ndodhur çarja e hënës do t’a kishin parë të gjithë banorët e tokës dhe jo vetëm banorët e Mekës.
Në lidhje me këndvështrimin e parë, Ibn Haxheri -Allahu e mëshiroftë- thotë: “Ata ashtu kanë thënë edhe për hapjen e portave të qiellit natën e Israsë, kanë mohuar gjithashtu mbështjelljen e diellit ditën e kiametit etj. Kështu, përgjigja ndaj tyre është se nëse nuk janë prej myslimanëve, atëherë si fillim me ta duhet të debatohet për vërtetësinë e Islamit e pastaj t’u thuhet siç u thuhet edhe atyre që e kanë mohuar atë prej myslimanëve; myslimani nëse e pohon atë në një rast dhe e mohon në një tjetër ka rënë në kundërshtim. Kjo sepse ai nuk mund t’a mohojë çarjen dhe ngjitjen e trupave qiellorë që do të ndodhë ditën e kiametit, dhe kështu ai duhet t’a pranojë mundësinë e ndodhjes së kësaj mrekullie për Profetin -alejhi selam.”[12]
Ndërsa në lidhje me të dytën Ebu Is’hak El-Zexhaxh -Allahu e mëshiroftë- si përgjigje për ta thotë: “Çarja ka ndodhur natën kur shumica e njerëzve janë në gjumë dhe i kanë dyert e mbyllura, siç ndodh edhe me eklipsin e hënës apo shfaqja e yjeve të mëdha dhe nuk i shohin ato veçse pak njerëz. Kështu edhe çarja e hënës ishte mrekulli që ka ndodhur natën për një popull që e kërkoi dhe e sugjeroi, ndërsa të tjerët nuk ishin duke e pritur. Dhe gjithashtu mundet që hëna të ketë qenë në ndonjë pozicion që të tjerët s’mund t’a shihnin.”[13]
Kurse imam Ibn Kethiri -Allahu e mëshiroftë- thotë: “Nëse thuhet se pse kjo mrekulli nuk njihet tek të gjithë banorët e tokës? Përgjigja është se ata e mohojnë këtë gjë, sepse distanca kohore është e gjatë dhe gjithnjë ka mohues që i mohojnë mrekullitë e Allahut. Ndoshta ata kur janë lajmëruar se kjo është mrekulli e profetit Muhamed -alejhi selam- mundet që nga opinionet e tyre të gabuara janë orientuar drejt fshehjes së këtij fakti dhe harrimit të tij. Edhe pse shumë prej shtegtarëve njoftojnë se kanë parë në Indi një tempull në të cilin shkruhej: Ndërtuar në natën e çarjes së hënës. Pastaj çarja e hënës ka qenë natën dhe ata mund të mos e kenë parë atë për shkak të pengesave si p.sh.; retë e ngjeshura në vendet e tyre, koha e gjumit për shumë prej tyre etj. Allahu e di më së miri!”[14]
Dr. Abdullah Nabolli
—————————————–
[1] Suretu El-Kamer: 1-2.
[2] Shih librin e autorit me titull “El-Hikem El-Xhedira”: 10.
[3] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
[4] E transmeton Hakimi dhe e saktëson Imam Dhehebiu dhe sheih Albani.
[5] E transmeton Buhariu.
[6] E transmeton Tirmidhiu dhe Ahmedi, dhe e saktëson sheih Albani.
[7] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
[8] E transmeton Ebu Daud Et-Tajalisij me zinxhir të saktë.
[9] Shih tefsir Ibn Kethir: 7/472.
[10] Shih librin e autorit me titull “Elam El-Hadith”: 3/1618.
[11] Shih librin e autorit me titull “El-Ifsah an Mea’nij Es-Sihah”: 2/38.
[12] Shih librin e autorit me titull “Feth El-Barij”: 7/185.
[13] Shih fjalët e tij te libri “Feth El-Barij” i Ibn Haxherit: 7/185.
[14] Shih librin e autorit me titull “El-Bidaje ue En-Nihaje”: 6/85.
Të Ngjashme
- Mirësitë e Allahut kërkojnë falënderim Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Dhjetë mënyra për tu mbrojtur nga shejtani Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Ramazani – testi dhe dhurata e radhës Emin Bilali
- Mësime dhe dobi të përfituara nga surja El Ihlas Udha e Besimtarëve
- Mbështetja tek Allahu Udha e Besimtarëve