Shenjat e Kijametit (Pjesa II)

Shenjat e Kijametit (Pjesa II)

Studim nga Dr.Abdullah Nabolli

Shenja e gjashtë e afrimit të Orës së fundit të dynjasë

Shtimi i pasurisë mes myslimanëve.

Shumica e myslimanëve në kohën e Profetit alejhis-salatu ues- selam ishin të varfër, e sidomos muhaxhirët, të cilët kishin emigruar nga Meka për në Medine duke lënë për hir të Allahut vendin, shtëpitë dhe pasuritë e tyre siç thotë Allahu në Kuran: “Sadakatë u takojnë fukarenjve që ranë në vështirësi duke ndjekur rrugën e Allahut dhe nuk kanë mundësi të qarkullojnë në tokë (për të fituar jetesën). Ai që nuk i njeh i mendon të pasur ngase nuk përulen dhe nuk u kërkojnë njerëzve lëmoshë” (Suretu el-Bakara: 273)

Gjithashtu thotë: “(Pasuria që grumbullohet pa luftë t`u shpërndahet edhe) fukarenjve të muhaxhirëve të cilët u nxorën nga shtëpitë dhe pasuritë e tyre duke kërkuar mirësinë e Allahut dhe kënaqësinë e tij dhe e ndihmojnë Allahun dhe profetin e tij. Këta janë ata të sinqertët”(Suretul-Hashr: 59)

Mirëpo më pas kohët do të ndryshonin dhe në mesin e myslimanëve do të shtohej pasuria siç lajmëron Profeti alejhis-salatu ues- selam: “Allahu ma mblodhi tokën dhe pashë lindjen dhe perëndimin e saj dhe sundimi i ymetit tim do të arrijë në çdo vend që kam parë dhe më janë dhënë dy thesaret: i kuqi dhe i bardhi (floriri dhe argjendi)”. E transmeton Muslimi.

Gjithashtu Profeti alejhis-salatu ues- selam lajmëron se shtimi i pasurisë në mesin e myslimanëve është edhe shenjë e afrimit të Orës së fundit siç transmetohet nga Auf bin Malik radijallahu anhu se Profeti alejhis-salatu ues- selam i ka thënë: “Numëro gjashtë gjëra para Orës së fundit: vdekja ime, pastaj çlirimin e xhamisë së Aksasë, pastaj një vdekje masive që ju merr mbarë si sëmundja e tërbimit të bagëtive, pastaj shtimi i pasurisë derisa i jepen njeriut 100 dinarë (monedha floriri) dhe ngelet i pakënaqur……..”. E transmeton Buhariu.

Imam El-Kastalanij thotë: [ngelet i pakënaqur] për shkak se e sheh shumë të vogël dhe të pavlerë.

Po ashtu edhe Ebu Hurejra radijallahu anhu transmeton se Profeti alejhis-salatu ues- selam ka thënë: “Nuk ka për të ardhur Ora e fundit e dynjasë derisa të shtohet pasuria tek ju dhe të jetë bollëk, derisa i zoti i pasurisë të bjerë në hall se kush mund tia pranojë sadakanë dhe derisa kur tia paraqesë dikujt të thotë ai që i paraqitet: nuk kam nevojë për të.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Imam Ibn Haxheri thotë: Ky hadith përfshin tre situata:

E para: Vetëm shtimi i pasurisë dhe kjo ka ndodhur në kohën e sahabëve. [(Në kohën e çlirimeve të mëdha ku u shtuan të ardhurat nga lufta në rrugën e Allahut. Ibn Kethiri shënon: Kur u çlirua qyteti El-Medain (kryeqyteti i persianëve) gjetën në arkën e Kisras 3 mijë, mijë, mijë, mijë dinar (monedha floriri që i bie të jenë 30 miliardë dinarë sipas mënyrës tonë në llogaritje)].

E dyta: Shtimi i pasurisë derisa të arrijë në masën e bollëkun dhe kjo përputhet me atë që ka ndodhur në kohën e Umer bin Abdulazizit. (Ibn Kethiri në El-Bidaje ue En-Nihaje shënon: Umer bin Abdulazizi erdhi në pushtet pas Sulejman bin Abdulmelikut, qëndroi dy vjet e gjysmë, e mbuloi tokën me drejtësi dhe u shtua pasuria aq sa njeriun e preokuponte se kujt t’ia jepte zekatin e tij).

E treta: Shtimi i pasurisë dhe arritja e bollëkut në kohën e Isait alejhi selam. [Për këtë situatë ka ardhur një hadith nga Profeti alejhis-salatu ues- selam dhe se pasuria do të shtohet në kohen e Isait alejhi selam aq sa nuk e pranon kush zekatin dhe për më gjatë do të flasim kur të arrijmë te shenjat e mëdha].

Shenja e shtatë e afrimit të Orës së fundit të dynjasë.

Mosmarrëveshjet mes sahabëve.

Allahu i madhëruar në Kuran thotë: “A menduan njerëzit se do të lihen të thonë besuam dhe të mos sprovohen* Ne i sprovuar ata që ishin para tyre dhe kështu Allahu do të dijë se kush është i sinqertë dhe kush është gënjeshtar” (Suretu El-Ankebut: 2-3).

Vënia e besimit në provë është praktika e Allahut me të gjithë popujt pa përjashtim dhe pas gjithë atyre mirësive që Allahu  u kishte dhënë  sahabëve dhe myslimanëve në përgjithësi, kishte ardhur koha që njerëzit të sprovoheshin në mënyrë që imani i tyre të vihej në provë.

Fillimi i kësaj sprove ishte vrasja e padrejtë e prijësit mysliman Othmanit radijallahu anhu e cila ndodhi në vitin 35 të hixhretit.

Shkaqet e vrasjes së Othmanit radijallahu anhu:

1- Lufta në rrugën e Allahut dhe zgjerimet islame sollën dy gjëra:

E para: Sollën në Islam prurje të reja njerëzish, të cilët nuk ishin rritur në Islam siç u rritën sahabët me edukimin e Profetit alejhis-salatu ues- selam.

E dyta: Sollën një jetë të sigurtë dhe një jetesë të rehatshme.

Këto dy gjëra i shtynë shumë njerëz me zemra të dobëta, prej myslimanëve të rinj që të rendin pas interesave të tyre personale.

2- Dinakëria dhe mashtrimet e armiqve të Islamit, të cilët nuk kursenin asgjë për ta luftuar atë bile deri edhe të ndërronin fenë për tu shfaqur si myslimanë dhe për ta goditur atë nga brenda, siç bëri organizuesi kryesor i këtyre fitneve Abdullah bin Sebe`,  një çifut nga Jemeni i cili pranoi Islamin (syefaqësisht) për ta luftuar atë.

Këto dy shkaqe ndezën një konflikt kundrejt Othmanit radijallahu anhu i cili përfundoi me vdekjen e tij shehid në Medine siç ka njoftuar Profeti alejhis-salatu ues- selam.

Enes binMaliku radijallahu anhu tregon se Profeti alejhis-salatu ues- selam u ngjit në malin e Uhudit bashkë me Ebu Bekrin, Omerin dhe Othmanin radijallahu anhum dhe mali u drodh. Profeti alejhis-salatu ues- selam e goditi me shkop malin dhe i tha:“Mos u dridh Uhud se mbi ty qëndrojnë një Profet, një Siddik (i sinqertë) dhe dy shehida (dëshmorë)” (E transmeton Buhariu).

Vrasja e Othmanit radijallahu anhu i tronditi sahabët për postin që kishte si prijës i besimtarëve, për afërsinë e tij me Profetin alejhis-salatu ues- selam duke qenë një prej tre shokëve të tij më të ngushtë të tij dhe për faktin se ai u vra pabesisht nga një grup myslimanësh.

Pas Othmanit radijallahu anhu në postin e prijësit të besimtarëve vjen Aliu radijallahu anhu ndërkohë që vendi ziente: vrasësit nga njëra anë kishin mbështetje të fortënga injorantët kurse disa sahabë nga ana tjetër të tronditur thellë nga vrasja e Othmanit kërkonin hakmarrje për të.

Aliu radijallahu anhu në këtë situatë të tillë e sheh të arsyeshme vonimin e hakmarrjes dhe kjo gjë i hap atij dy konflikte me sahabët që kërkonin hakmarrje të menjëhershme:

Konflikti i parë: Konflikti me Aishen radijallahu anha, me Talha bin Ubejdilahin dhe me Zubejr bin el-Auamin. Ky konflikt përfundon me një luftë që quhet lufta e Xhemelit.

Konflikti i dytë: Konfliti me Muavije bin Ebi Sufjanin i cili kishte nën vartësinë e tij të gjithë Shamin dhe ky ishte konflikti më i ashpër, sepse pas tij qëndronte i gjithë Shami. Ky konflikt gjithashtu shkon deri në luftë që quhet lufta e Siffinit dhe mbetet i ndezur deri në vitin 41 të hixhretit kur myslimanët bashkohen nën udhëheqjen e Muavije bin Ebi Sufjanit pas një marrëveshje mes palëve që i jep fund konfliktit.

Këto konflikte mes myslimanëve janë lajmëruar nga Profeti alejhis-salatu ues- selam dhe i ka renditur tek shenjat e afrimit të Orës së fundit.

Transmetohet nga Auf bin Maliku radijallahu anhu  se Profeti alejhis-salatu ues- selam i ka thënë: “Numëro gjashtë gjëra para Orës së fundit: vdekja ime, pastaj çlirimin e xhamisë së Aksasë, pastaj një vdekje masive që ju merr mbarë si sëmundja e tërbimit të bagëtive, pastaj shtimi i pasurisë derisa i jepen njeriut 100 dinarë (monedha floriri) dhe ngelet i pakënaqur, pastaj një fitne që nuk do të mbetet shtëpi prej shtëpive të arabëve pa hyrë…….”. (E transmeton Buhariu).

El-Kastalanij thotë: [pastaj një fitne që nuk do të mbetet shtëpi prej shtëpive të arabëve pa hyrë] fillimi i saj, vrasja e Othmanit radijallahu anhu.

Transmetohet nga Ebu Hurejra radijallahu anhu se Profeti alejhis-salatu ues- selam ka thënë: “Nuk ka për ardhur ora e fundit e dynjasë derisa të luftojnë dy grupe të mëdha dhe të vdesin shumë njerëz dhe pretendimi i tyre do të jetë i njëjtë”. (E transmeton Buhariu).

Imam En-Neveviu thotë: Kjo ngjarje është prej mrekullive të Profetit alejhis-salatu ues- selam dhe ka ngjarë në brezin e parë (brezin e sahabëve).

El-Kastalanij në shpjegimin e këtij hadithi thotë:

[dy grupe të mëdha] janë për qellim Aliu dhe pasuesit e tij dhe Muavija dhe pasuesit e tij.

[dhe të vdesin shumë njerëz] Ibn Khajtheme ka përmendur se janë vrarë prej dy grupeve 70 mijë veta dhe është thënë edhe më shumë.

[pretendimi i tyre do të jetë i njëjtë] secila prej tyre fton në islam dhe secila prej tyre arsyetohet se ka të drejtë.

Mosmarrëveshjet janë pjesë e jetës së njerëzve dhe kur palët kanë frikë Allahun dhe ruajnë kufijtë e Tij, atëherë ato përfundojnë në marrëveshje siç përfunduan këto konflikte mes sahabëve, prandaj dhe nga besimi i ehli sunetit dhe xhematit është të mos shahet asnjëra palë sepse që dyja palët kishin nijete të pastra.

Shenja e tetë e afrimit të Orës së fundit.

Shfaqja e khauarixhëve.

Fjala khauarixh është llagap që emërtohen me të myslimanët që dalin kundër të parit të tyre (prijësit).

Ne jemi urdhëruar që t`i dëgjojmë të parët tanë dhe t`u bindemi atyre siç thotë Allahu në Kuran: “O ju që keni besuar, bindjuni Allahut, bindjuni të dërguarit dhe prijësve tuaj”SuratuEn-Nisa: 59.

Transmetohet nga Enes bin Maliku radijallahu anhu  se Profeti alejhis-salatu ues- selam ka thënë: “Dëgjoni dhe binduni edhe nëse mbi ju vihet drejtues një rob nga Abisinia, koka e tij si kokërr rrushi e thatë(e zezë).” (E transmeton Buhariu).

Profeti alejhis-salatu ues- selam ka urdhëruar t`i bindemi prijësve tanë edhe nëse ata janë zullumqarë,biles urdhëron për bindje ndaj tyre edhe nëse na rrëmbejnë pasurinë dhe na gjuajnë në shpinë, siç transmetohet nga Hudhejfe bin El-Jemani radijallahu anhu  se ka pyetur profetin Profetin alejhis-salatu ues- selam dhe i ka thënë: “O i Dërguari i Allahut, ne ishim në mes të së keqes dhe Allahu na solli këtë mirësi që jemi në të, a ka të keqe pas kësaj mirësie? Ai tha: Po. I thashë: Po pas asaj të keqeje a ka mirësi? Ai tha: Po. I thashë: Po pas asaj mirësie, a ka të keqe? Ai tha: Po. I thashë: Si (do të ndodhë)? Ai tha: Pas meje do të vijnë ca prijës që nuk do të ecin sipas udhëzimit tim dhe as sipas praktikës time, nga mesi i tyre do të dalin ca njerëz, zemrat e tyre janë zemra shejtanësh në trupa njerëzish. I thashë: Si të veproj nëse e arrij atë kohë? Ai tha: Dëgjoje dhe bindju prijësit edhe nëse të gjuan në shpinë dhe ta merr pasurinë. Dëgjo dhe bindu!” ( Transmeton Muslimi).

Nuk përjashtohet nga ky rregull veçse ato urdhëra që bien ndesh me ligjin e Allahut siç transmetohet nga Ibn Umeri radijallahu anhuma se Profeti alejhis-salatu ues- selam ka thënë: “Është detyrë për myslimanin dëgjimi dhe bindja (e prijësit të tij) në ato që i pëlqen dhe ato që i urren me përjashtim kur të urdhërohet për kundërshtime (të ligjit të Allahut). Në raste se urdhërohet për të kundërshtuar Allahun atëherë nuk ka dëgjim as bindje”. (E transmeton Muslimi).

Allahu kur urdhëron për dëgjimin dhe bindjen ndaj prijësve zullumqarë nuk do të thotë se ai e do padrejtësinë, por sepse mosdëgjimi dhe mosbindja ka pasoja më të rënda dhe sipas rregullit të sheriatit kur në një gjë bashkohet e mira dhe e keqja dhe e keqja ia kalon të mirës atëherë ajo gjë ndalohet për shkak të asaj të keqeje të madhe.

Pra dëgjimi dhe bindja e prijësve është detyrë edhe nëse ata janë zullumqarë dhe kushdo që e prish këtë rregull është prej khauarixhëve dhe tani lind pyetja se cilat janë cilësitë e tyre?

Në  kohën e Profetit alejhis-salatu ues- selam ka ndodhur një ngjarje e cila ka qenë shkak për të për t`u përmendur cilësitë e khauarixhëve:

Transmetohet se një burrë nga fisi Beni Temim vjen te Profeti alejhis-salatu ues- selam kur po ndante ca plaçka të fituara nga lufta e Hunejnit duke  ua dhënë disa njerëzve me pozitë nga Nexhdi për t’ua fituar zemrën dhe për t`i afruar ata në Islam. Këtij burri nuk i pëlqeu fakti që Profeti alejhis-salatu ues- selam po u jepte atyre dhe nuk po u jepte të tjerëve dhe i drejtohet Profetit alejhis-salatu ues- selam dhe i thotë: O i Dërguari i Allahu, mbaj drejtësi! Profeti alejhis-salatu ues- selam i thotë: “Mjerë për ty! Kush do të mbajë drejtësi nëse nuk mbaj unë drejtësi. Allahu mi besoi mua banorët e tokës e ju të mos mi besoni?! Do të dalin si puna e këtij disa njerëz që do ta nënvleftësoni namazin tuaj para namazit të tyre dhe agjërimin tuaj para agjërimit të tyre,e lexojnë Kuranin dhe ai nuk ua kalon grykët (dmth: nuk u bën dobi ajo që lexojnë, nuk u mbërrin leximi në zemër), vrasin pasuesit e Islamit dhe i lënë pasuesit e kufrit, dalin nga feja siç del shigjeta nga harku. Nëse do e arrij kohen e tyre do t`i vras si popullin e Adit.” (E transmeton Buhariu dhe Muslimi).

Disa cilësi të tjera janë përmendur në një hadith të transmetuar nga Aliu radijallahu anhu se e ka dëgjuar Profetin alejhis-salatu ues- selam duke thënë: “Do të dalin në kohën e fundit të dynjasë ca njerëz në moshë të re (adoleshentë), mendjelehtë, flasin nga fjalët e më të mirit të krijesave(Profetit), nuk ua kalon imani i tyre fytin dhe dalin nga feja siç del shigjeta prej harkut. Kudo që t`i zini t`i vrisni sepse ka shpërblim për atë që i vret” (E transmeton Buhariu).

Cilësitë e khauarixhëve:

1- Dalja kundër prijësit me pretendimin se nuk  mban drejtësi dhe kjo shihet qartë në këtë hadith kur dolën edhe kundër Profetit alejhis-salatu ues- selam.

Ata gjithashtu dalin edhe kundër dijetarëve siç thotë njëri prej tabiinëve që quhet Jezid El-Fakiri: “Më kishte hyrë në zemër një ide prej ideve të khauarixhëve dhe dolëm një grup prej disa vetash për të bërë haxh, në mënyrë që pas haxhit të dalim (rebelohemi) kundra njerëzve. Ai thotë: Kaluam nëpër Medine dhe pamë Xhabir bin Abdilahin radijallahu anhu të mbështetur në një shtyllë duke u folur njerëzve fjalë nga të Profetit alejhis-salatu ues- selam. Ai ndërkohë përmend xhehenemlitë (ata myslimanë gjynahqarë që dalin nga xhehenemi për në xhenet). I thashë: O shoku i Profetit alejhis-salatu ues- selam, çfarë është kjo që po u flisni njerëzve kur Allahu thotë: [Ata që i fut në zjarr i ke poshtëruar] dhe thotë: [Sa herë që duan të dalin prej tij kthehen përsëri] pra, ç‘është kjo gjë që po thoni? Ai më thotë: E lexon Kuranin? I thashë: Po. Ai më thotë: A ke dëgjuar për pozitën e Muhamedit alejhis-salatu ues- selam në të cilën ka për ta ringjallur Allahu? I thashë: Po. Ai më tha: Ajo është pozita e lavdisë, e Muhamedit alejhis-salatu ues- selam me të cilën Allahu ka për të nxjerrë (nga zjarri) atë që do të nxjerrë. Pastaj ai përshkroi vënien e Siratit (urës për në xhenet e cila kalon mbi xhehenem) dhe kalimin e njerëzve mbi të dhe unë kam frikë se kam harruar ndonjë gjë, veçse mbaj mend se tha se ca njerëz kanë për të dalë nga zjarri pasi që janë futur në të, si copëza druri të djegura dhe futen në një lum prej lumenjve të xhenetit, lahen në të dhe dalin si fleta të bardha. Jezid El-Fakiri thotë : U kthyem dhe i thamë njëri-tjetrit: Mjerë për ju, a mendoni se ai plak gënjen ndaj Profetit alejhis-salatu ues- selam? Kështu ndërruam mendje dhe nuk dolëm kundër njerëzve më përjashtim të njërit.” (E transmeton Muslimi).

Pra, shihet qartë nga ky hadith se ata dalin edhe kundër dijetarëve duke menduar se gënjejnë dhe nuk e kanë frikë Allahun siç thanë edhe për Xhabirin radijallahu anhu.

2- Janë njerëz me shumë adhurime, biles më shumë se sahabët siç thotë Profeti alejhis-salatu ues- selam: [do ta nënvleftësoni namazin tuaj para namazit të tyre dhe agjërimin tuaj para agjërimit të tyre].

3- Janë njerëz të pa pjekur në islam, as nuk kanë dijen e duhur dhe as nuk kanë pastruar vetët e tyre me besim nga punët e ulëta si thotë vetë Profeti alejhis-salatu ues- selam: [ca njerëz me moshë të re (adoleshentë), mendjelehtë, flasin nga fjalët e më të mirit të krijesave (Profetit), nuk ua kalon imani i tyre fytin].

4- Dalin nga feja siç del shigjeta nga harku, vrasin pasuesit e Islamit dhe duke lënë rehat pasuesit e kufrit. Sheikh el-islam Ibn Tejmije thotë: [Dalin nga feja sepse konsiderojnë hallall gjakun e myslimanëve dhe pasuritë e tyre, siç thotë Profeti alejhis-salatu ues- selam: “Mysliman është ai prej të  cilit myslimanët ndihen të sigurt, nga goja dhe dora e tij ” e transmeton].

Pra, dalin nga Islami i përsosur dhe jo nga Islami në tërësi, duke pasur një islam të dobët me mangësi në zemrat e tyre siç thotë Ibn Haxheri në shpjegimin e këtij hadithi.

vazhdon…..