“Sherh el Mendhumeh el Haijjeh fi akideh ehlus sunneh uel xhemah”
Shejh Salih el Feuzani (Allahu e ruajttë!) thotë:
Fjala e autorit (Allahu e mëshiroftë!): “në mënyrë që të arrish shpëtimin” d.m.th. nëse dëshiron shpëtimin, e që është lumturia në dynja dhe në Botën Tjetër, atëherë kapu fort për Litarin e Allahut dhe ndiq udhëzimin. Kjo është rruga e shpëtimit.
“El Felahu” është: Shtimi i të mirës dhe arritja e lumturisë. Allahu i Madhëruar thotë: “Kanë shpëtuar besimtaret. Ata të cilët namazin e tyre e falin me frikrespekt.” (Muminun: 1-2)
Deri në fjalën e Tij: “Ata që janë të kujdesshëm ndaj namazit të tyre. Këta jane trashëguesit. Të cilët do të trashëgojnë Firdeusin duke qenë në të përgjithmonë.” (Muminun: 9-11) Këto janë shkaqet e shpëtimit.
Nëse dëshiron shpëtimin, atëherë kapu pas këtyre tri çështjeve:
- Kapu fort për Librin e Allahut.
- Ndiq udhëzimin.
- Lagohu nga bidatet.
Nëse mungon një nga këto atëherë ti do të humbasësh dhe kurrë nuk do të shpëtosh. “E kujt i rëndojnë peshoret (e punëve të mira) ata janë të shpëtuarit. E kush i ka ato të lehta, këta janë ata që humbën vetet e tyre.” (Muminun: 102-103)
E kundërta e shpëtimit është humbja, Allahu na ruajttë! Ata nuk humbën pasuritë, përkundrazi humbën vetet e tyre. Që njeriu të humbasë veten e tij kjo është prej llojeve më të rënda të humbjes, Allahu na ruajttë! “Thuaj: Të humburit janë ata të cilët humbën vetet dhe familjet e tyre ditën e Kiametit. Me të vërtetë kjo është humbja e qartë.” (Zumer: 15)
Fjala e tij: “që të arrish” kjo është shpresë, sepse prej akides së saktë është se ne nuk jemi të sigurtë për asnjë se ai është i shpëtuar, përveç atij që ka dëshmuar për të i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ose ka ardhur në Kuran se ai është prej të shpëtuarve. Ndërsa për atë që nuk ka ardhur diçka në Kuran apo në Sunet duke e specifikuar se ai është prej të shpëtuarve, ne nuk dëshmojmë me bindje të sigurtë se ai është i shpëtuar, por shpresojmë për vepër-mirin dhe frikësohemi për mëkatarin. Po ashtu muslimani nuk duhet të mashtrohet me veprën e tij.
Fjala e tij: “në mënyrë që të arrish shpëtimin” d.m.th. mos u mashtro me veprën tënde, por duhet të veprosh (sa më shumë) vepra të mira dhe të shpresosh tek Allahu që të të bëjë ty prej të shpëtuarve. Por, mos u mbështet vetëm tek shpresa duke mos punuar, sepse kjo është rruga e të humburve dhe kjo është “shpresa” e urryer dhe e kritikuar. Ndërsa shpresimi i lavdëruar është ai që shoqërohet me vepra të mira. Prandaj merr shkaqet dhe shpreso tek Allahu Lartësuar.
Autori (Allahu e mëshiroftë!) thotë:
- “Bëje Fenë tënde Librin e Allahut dhe Sunetet e Profetit
se vetëm kështu do të shpëtosh dhe do të fitosh”
Shpjegimi:
Shejh Salih el Feuzani (Allahu e ruajttë!): Fjala e tij (Allahu e mëshiroftë!): “ue din” d.m.th. ndiq në fenë tënde Librin e Allahut dhe paso sunetet e të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Bëj që vepra jote të ketë si bazë Librin e Allahut dhe Sunetin e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe jo të këtë si burim epshet dhe bidatet.
Fjala e tij: “Sunetet” është shumësi i fjalës “Sunet”, e që është: Rruga e të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, i cili ka thënë: “Ju këshilloj të kapeni fort për sunetin tim.” Pra rrugën time.
Tek dijetarët e hadithit dhe në dijen e terminologjisë së hadithit “Sunet” është: “Ajo që saktësohet nga (Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) prej fjalëve, apo veprave, apo aprovimeve, apo cilësive.” (Shën. red: Dijetarë të tjerë kanë futur këtu edhe gjërat që i ka lënë Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – , dmth edhe gjërat që ai ka pasur mundësi t’i vepronte por i ka lënë qëllimisht, edhe në to duhet pasuar Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – dmth: ato që ai i ka lënë edhe ne duhet t’i lemë)
Suneti ka kuptim të përgjithshëm, e ai është: rruga në të cilën ka qenë i Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Ka dhe kuptim të veçantë, e që është: shpjegimi detajuar i dijetarëve të hadithit.
Nga fjalën e autorit përfitohet se patjetër kemi nevojë për Sunetin pas Kuranit. Pra Suneti është burimi i dytë prej bazave të Islamit pas Kuranit.
Bazat e argumentimit në fe tek dijetarët që njohin mirë bazat e fesë janë dy llojesh:
- Lloji i parë janë atë për të cilat dijetarët kanë rënë dakord
- Lloji i dytë janë ato baza për të cilat dijetarët janë kundërshtuar dhe nuk kanë rënë dakord.
Ato për të cilat kanë rënë dakord janë katër baza:
Baza e parë: Kurani.
Baza e dytë: Suneti profetik, sepse ai është shpallja e dytë pas Kuranit. Allahu i Lartësuar thotë: “Atë që ju jep i Dërguari merreni dhe nga ajo që ai ju ndalon largohuni ”. (Hashr: 7)
I Lartësuari thotë: “Le të ruhen ata që kundërshtojnë rrugën e tij (të të Dërguarit) se ata do t’i zë ndonjë telash, apo do t’i godasë dënimi i dhembshëm.” (En Nur: 63)
Kjo është baza e dytë, e cila është Suneti i të Dërguarit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) bazë të cilën Zoti i tij e ka përshkruar duke thënë: “Dhe ai nuk flet nga mendja e tij. Ajo (që ai thotë) nuk është tjetër veç shpallje që i shpallet.” (Nexhm: 3-4)
Prandaj dhe dijetarët e kanë cilësuar atë (Sunetin) si “Shpallja e dytë” pas Kuranit. Ajo që saktësohet nga i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) bëhet detyrë për ne që ta marrim, ta pasojmë dhe të punojmë me të. Qoftë kjo nëse hadithi është ‘mutevatir’ (i ardhur nga shumë rrugë transmetimi) apo ‘ahad’ (i ardhur nga një ose dy rrugë transmetimi) . Ndryshe nga bidatçinjtë (shpikësit në fenë islame), të cilët e mohojnë Sunetin dhe thonë: “Neve na mjafton puna me Kuran.”
Ajo që dihet është se të punuarit me Sunet është pjesë e të punuarit me Kuran, sepse Allahu Lartësuar thotë: “Atë që ju jep i Dërguari merreni dhe nga ajo që ai ju ndalon largojuni”. (Hashr: 7) Ndërsa këta (bidatçinjtë) thonë: “Na mjafton puna me Kuran.”
Allahu Lartësuar thotë: “Kushdo që i bindet të Dërguarit ai i është bindur Allahut.” En Nisa, 80.
I Madhëruari thotë: “Ndiqeni atë në mënyrë që të udhëzoheni.” El Earaf, 158.
Dhe thotë: “Bindjuni të Dërguarit në mënyrë që të mëshiroheni.” En Nur, 56.
Këta janë gënjeshtarë në fjalën e tyre kur thonë: “Ne punojmë me Kuran.” Ata nuk punojnë aspak me Kuran derisa e kanë shfuqëzuar Sunetin (nuk punojnë me të, sepse Allahu në Kuran i ka urdhëruar që të punojnë edhe me Sunetin)
Përktheu: Unejs Sheme