Shfrytëzimi i kohës dhe gjendja e kësaj bote

February 28, 2011

Kjo botë gjithmonë është në largim dhe çdo gjë në të është mësim. Dielli që lind herët në mëngjes e në mbrëmje fshihet dhe largohet, të kujton njeriun që vjen në këtë jetë, jeton dhe në fund shuhet. Hëna që fillimisht duket e re dhe e vogël, shtohet  e plotësohet, por në fund pakësohet duke u kthyer si një degë e tharë hurme. E njëjta ndjesi ndodh me muajt, njeriu sheh muajt që do t’i vijnë duke thënë: Ky është muaji i dymbëdhjetë dhe për Ramazanin kanë ngelur edhe tetë muaj, sa larg janë ato!? Por pa e ndjerë ato kalojnë menjëherë sikur të ishin një orë e ditës.

Kështu ndodh me jetën e njeriut, i cili e sheh vdekjen shumë larg, por papritur vëren se filli i shpresës këputet dhe cdo gjë ndërpritet.

Shpeshherë i mban të tjerët në tabut, i mbulon me dhé, pastaj mediton: Kur do vijë rradha ime? Kur do të përfundoj në këtë gjendje? Kur ja, vdekja sapo e ka vizituar dhe i duket sikur ka jetuar një paradite ose një mbrëmje. Këto fjalë i them për të nxitur veten dhe vëllezërit e mi në shfrytëzimin e kohës dhe të mos humbim asnjë çast pa e ditur se cfarë kemi fituar prej tij. Të pyesim veten a i jemi afruar Allahut me adhurime, apo qëndrojmë në vendnumëro? Si do të vejë puna jonë? T’u biem gjërave mbrapa para se të mbarojë koha, eh sa afër që është Ahireti me Dunjanë.

Ebu Bekri — radijAllahu anhu — gjithmonë recitonte vargje të një poezie që thoshte:

Në shtëpitë tona vdekja do na vijë, ajo është më afër se lidhëset e këpucëve.

O Zot na jep të mira në këtë botë dhe në Botën Tjetër si dhe na ruaj nga dënimi i zjarrit! Lus Allahun për vete dhe për ju që jetët tona të mbyllen me të mira, dhe të ardhmen tonë ta bëjë më të mirë se të shkuarën, dhe të na ndihmojë në përmendjen, falenderimin dhe përsosjen e adhurimit të Tij!

Amin!

Muhamed bin Salih Uthejmin

“Lika el babil meftuh” (Takim për pyetje të hapura) 2/179.

Dosje: ,

Loading...