5. Kthimi nga kibla gjatë kryerjes së nevojës së madhe ose të vogël.
Ebu Ejub el Ensari transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush shkon për të kryer nevojën të mos kthehet përballë kibles dhe as t’i kthejë shpinën asaj, por të drejtohet kah lindja ose perëndimi.” E përcjell Ahmedi, Buhariu, Muslimi dhe autorët e Suneneve.
Dijetarët kanë pasur mospajtime rreth kësaj çështjeje duke sjellë mendime të ndryshme.
Prej atyre që kanë mbajtur mendimin se ky veprim (kthimi nga kibla gjatë kryerjes së nevojës) është i ndaluar (haram), janë shejhul-Islam Ibën Tejmije dhe Ibën Kajimi.
Ibën Kajimi ka thënë: Nuk ka dallim mes vendit të hapur apo ndërtesës (banesës) në këtë çështje, dhe për këtë ka më shumë se dhjetë argumente.
Shejh Ibën Kasim ka thënë: Ky është mendimi më i saktë në këtë çështje dhe nuk ka asnjë argument të vlefshëm për ata që bëjnë dallim.
6. Një tjetër shkelje është mosruajtja nga papastërtia e urinës për të cilën ka një paralajmërim shumë të ashpër.
E si të mos jetë ashtu kur Profeti ﷺ e ka konsideruar atë një nga mëkatet e mëdha?!
Buhariu transmeton në Sahihun e tij nga Abdullah bin Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me ta, se:
“I Dërguari i Allahut ﷺ kaloi pranë një muri nga muret e Medines dhe dëgjoi zërat e dy personave që po ndëshkoheshin në varret e tyre.
Profeti ﷺ tha: Ata po ndëshkohen dhe nuk po ndëshkohen për diçka të madhe (sipas mendimit të tyre), pastaj tha: Sigurisht se njëri prej tyre nuk ruhej nga papastërtia e urinës, ndërsa tjetri përhapte thashetheme.
Pastaj kërkoi një degë hurme, e ndau atë në dy pjesë dhe vendosi një pjesë mbi çdo varr.
I thanë: O i Dërguar i Allahut! Pse e bëre këtë? Ai tha: Ndoshta do të lehtësohet dënimi për ta përderisa këto degë të mos thahen.”
7. Një tjetër shkelje e cila lidhet me atë të mëparshmen, është se disa njerëz kur kryejnë nevojën personale nuk mbulojnë siç duhet pjesët e turpshme të trupit, por mjaftohen ose përqëndrohen vetëm në mbulimin e pjesës së përparme dhe të pasme duke neglizhuar pjesët e tjera. Kjo bie ndesh me atë që ka ardhur nga Profeti ﷺ ku ai ka urdhëruar për mbulimin e kofshës, duke e konsideruar atë pjesë të turpshme (auret).
Imam Ahmedi, Ebu Daudi, Tirmidhiu, Ibn Hibani dhe Hakimi kanë transmetuar me zinxhir të saktë se Profeti ﷺ kaloi pranë një personi të quajtur Xhurhedh dhe i tha: “O Xhurhedh mbuloje kofshën tënde, sepse kofshët janë pjesë e turpshme (auret).”
Gjithashtu Hakimi në librin e tij “El Mustedrek” transmeton fjalën e Profetit ﷺ: “Ajo që është mes kërthizës dhe gjurit është pjesë e turpshme.”
Kjo transmetohet me zinxhir të mirë.
Shkroi: Dr. Abdul Aziz es Sed’han
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: abdesi, pastrimi ritual
Të Ngjashme
- Shkelje që ndodhin gjatë pastrimit ritual dhe abdesit Udha e Besimtarëve
- Shkelje që ndodhin para pastrimit ritual Udha e Besimtarëve
- Shkeljet që ndodhin gjatë marrjes së abdesit – 1 – Udha e Besimtarëve
- Si mund të jetë namazi ndihmë për njeriun? Udha e Besimtarëve
- Namazi me xhemat Udha e Besimtarëve