Shkelje që ndodhin gjatë pastrimit ritual dhe abdesit – 2 –

May 7, 2025

12 – Bindja i disa njerëzve se është e domosdoshme të lahet pjesa intime (ferxhi) para çdo abdesi, edhe nëse nuk ka patur ndonjë arsye për papastërtinë e asaj pjese. Ky është një gabim shumë i përhapur.

Qëndrimi i saktë në këtë çështje është të thuhet se atë që e zë koha e namazit dhe më parë ka fjetur ose ka patur gazra, i mjafton të marrë abdes dhe nuk ka nevojë të lajë pjesën intime. Kush beson të kundërtën ai ka futur një risi në fenë e Allahut, dhe njëkohësisht është përfshirë në llojet e vesveseve.

Por nëse muslimani dëshiron të kryej nevojën fiziologjike para abdesit, atëherë në këtë rast është detyrim të lajë pjesën intime dhe të pastrojë vendin e urinës apo jashtëqitjes.

Këtë e vërtetojnë argumentet në vijim:

Abdullah ibn Abasi ka thënë: “Fjeta një natë tek halla ime Mejmuna, dhe në një pjesë të natës Profeti ﷺ u ngrit dhe mori abdes lehtë nga një enë e varur.” Këtë hadith e transmeton Buhariu. Në këtë transmetim Ibn Abasi nuk përmend që Profeti ﷺ të ketë larë pjesën intime.

Po ashtu, Buhariu transmeton se një burrë i tha Abdullah bin Zejdit: “A mund të më tregosh si e merrte abdesin i Dërguari i Allahut ﷺ? Tha: Po, – dhe kërkoi ujë. Më pas hodhi ujë mbi duart e tij dhe i lau dy herë… (vijon hadithi).” Edhe në këtë transmetim nuk përmendet se ai lau pjesën intime dhe as nuk ka ndonjë aludim për këtë.

Shejhu ynë i nderuar, Abdulaziz ibn Bazi ka thënë: “Istinxhaja (pastrimi me ujë) ose istixhmari (pastrimi me gur ose diçka tjetër të ngjashme) janë të detyrueshme vetëm pas urinimit apo jashtëqitjes ose çfarëdo që është në kuptimin e tyre, dhe ky pastrim duhet bërë para abdesit.” (1)

13 – Prej shkeljeve që kanë të bëjnë me abdesin është ajo që shpesh ndodh tek shumë njerëz: moslarja e plotë e duarve deri te bërrylat.

Sqarimi për këtë është si vijon:

Kur myslimani merr abdes ai e fillon me emrin e Allahut (bismilah), pastaj lan pëllëmbët, pastaj shplan gojën dhe hundën, lan fytyrën dhe më pas lan duart deri te bërrylat. Por pikërisht këtu ndodh gabimi: shumë njerëz fillojnë larjen e duarve nga kyçi i pëllëmbës e deri në fund të bërrylit. Një veprim i tillë është i mangët sepse detyrimi është që duart të lahen tërësisht, nga majat e gishtave e deri te bërrylat.

Për këtë ka tërhequr vërejtjen shejhu ynë Abdullah ibn Xhibrini, Allahu e mëshiroftë.

Gjithashtu ka tërhequr vëmendjen edhe shejhu Muhamed ibn Salih el Uthejmin, Allahu e mëshiroftë.

Në një prej hutbeve të tij shejhu ka thënë: “Kini kujdes prej një gabimi që shumë njerëz bien në të; disa prej tyre kur i lajnë duart pas larjes së fytyrës fillojnë nga fundi i parakrahut deri te bërryli, por nuk i lajnë pëllëmbët e dorës. Kjo është gabim sepse pëllëmbët përfshihen në kuptimin e dorës, prandaj është detyrim që duart të lahen pas fytyrës nga majat e gishtave e deri te bërrylat.

Gjithashtu, disa njerëz në ditët e ftohta veshin shumë rroba dhe kur i përveshin mëngët, i përveshin pa e zbuluar mirë bërrylin, kështu që ai (bërryli) nuk përfshihet në larje. Ky është gabim sepse është detyrë që njeriu t’i përveshë mëngët e tij në atë mënyrë që uji të kalojnë përtej bërrylave, në mënyrë që edhe bërrylat të përfshihen në larje.” (1)

14 – Nga shkeljet e tjera që lidhen me pastrimin është edhe ajo që ndodh me disa njerëz gjatë larjes (guslit) pas ejakulimit, veçanërisht tek ata që janë të shëndoshë në trup.

Në trupat e tyre ndodhen pjesë ose palosje ku lëkura dhe dhjami mbivendoset mbi njëra-tjetrën, si në zonën e kraharorit. Kur derdhet uji gjatë larjes ai rrëshqet vetëm mbi shtresën e sipërme të lëkurës duke mos arritur tek pjesët e mbuluara poshtë saj, dhe ato pjesë mbeten të thata pa u lagur me ujë.

Në këtë rast, larja (gusli) është e mangët dhe nuk është e vlefshme.

✍ Dr. Abdul Aziz es Sed’han

Dosje: ,

Loading...