Shkolla, nxënësit dhe librat e medhhebit të imam Shafiut

May 15, 2025

Sa i përket Shafiut, imamit Muhamed bin Idris esh-Shafi’i ai nuk jetoi gjatë. Ai lindi në vitin kur vdiq imami Ebu Hanife, pra në vitin 150 hixhri, dhe vdiq në vitin 204 hixhri. Jetoi vetëm 54 vjet. Jetoi midis Mekës, Jemenit dhe Medinës. Në Jemen hyri vetëm një herë, në Medinë disa herë, në Bagdad tri herë, dhe në Egjipt ndërroi jetë. Para se të vdiste jetoi në Egjipt dhe më parë shkonte e vinte atje.

Muhamed bin Idris esh-Shafi’i ishte autoritet në gjuhën arabe. Qysh i vogël u shoqërua me beduinët. Siç është e njohur te dijetarët e gjuhës, marrja si argument e thënieve të poetëve dhe atyre që shkruanin në prozë në gjuhën e pastër arabe është marrë parasysh deri në vitin 150 hixhri që është viti i lindjes së Shafiut. Ata thonë se poeti i fundit nga i cili merren si argument poezitë e tij është Ibrahim bin Hirmeh, dhe “Divani” i tij është botuar dhe është i njohur.

Por Shafiu nuk u shoqërua me njerëzit që jetonin me joarabët që sapo kishin pranuar Islamin, përkundrazi, ai shkoi te beduinët në shkretëtirë dhe mori një gjuhë të pastër. Po, ai lindi pas vitit 150 dhe jetoi deri në vitin 204, por dijetarët e gjuhës, fikhut dhe diturisë janë unanimë se gjuha arabe që përdorte Shafiu është argument. Pse po e përmend gjuhën në këtë kontekst? Sepse kuptimi i sheriatit ka si themel njohjen e gjuhës arabe. Kuptimi i Kuranit ka themel njohjen e gjuhës arabe. Kuptimi i sunetit ka themel kuptimin e gjuhës. Pra, nëse njeh gjuhën arabe në fjalët dhe ndërtimet e saj dhe çfarë çon tek të kuptuarit e arabëve në stilin e të folurit të tyre, atëherë ti e kupton domethënien e librit (Kuranit) dhe sunetit.

Prandaj ai e mësoi gjuhën e arabëve herët dhe mësoi librin “El Muatta”. Libri i “El Muattas” i erdhi derisa ishte duke qëndruar në Mekë dhe e mësoi përmendësh qysh në moshë të vogël, para se të takonte imam Malikun. Pastaj shkoi te Maliku dhe ai e testoi. Shafiu i tha: “Do ta lexoj “El Muattan”. Ai deshi ta lexonte përmendësh prandaj i tha: “Lexoje”, dhe e testoi. Ai e lexoi përmendësh dhe Maliku u mahnit nga kujtesa e tij për librin “El Muatta”. Kështu imam Maliku e afroi dhe e bëri nga nxënësit më të afërt dhe me një pozitë të madhe.

Prandaj imam Maliku është shejhu (mësuesi) i Shafiut, pastaj Shafiu është shejhu i imam Ahmedit. Këta të tre e kanë shkollën e njëjtë në bashkimin ndërmjet hadithit, sunetit dhe fikhut. Bazat e tyre janë të afërta, si bazat e fikhut dhe rregullat juridike e të tjera. Muhamed bin Idris es-Shafii ishte i fortë, posedonte dëshirë të madhe për dije dhe kërkim të saj andaj udhëtoi shumë. Shkoi në Jemen dhe mori dije atje, pastaj u kthye në Mekë, shkoi në Medinë e në Bagdad.

Prandaj thuhet për thëniet e Shafiut se thëniet e tij në Irak janë “të vjetrat”. Disa mendojnë se ai shkoi në Irak vetëm një herë dhe qëndroi në Sinai. Por e vërteta është – siç e sqaroi dijetari Ahmed Shakir në hyrjen e librit “Er-risale” – se ai shkoi në Bagdad tri herë gjatë jetës së tij. Herën e fundit qëndroi disa muaj në vitin 199 hixhri, pastaj u kthye në Egjipt dhe mbeti atje derisa vdiq, pesë vite nga viti 199 deri më 204 hixhri.

Imam Shafiu pati shumë nxënës dhe shumë u ndikuan prej tij sepse ai bashkoi mes fikhut, memorizimit dhe njohjes së gjuhës arabe. Imam Ahmed bin Hanbeli, mbajtës i hadithit me kujtesë të gjerë, shkoi në Meke dhe kërkoi të takohej me Muhamed bin Idris esh-Shafiin. Shkoi në një kohë kur Muhamed bin Idrisi (Shafiu) ishte i ri ose zinxhiri i tij i transmetimit nuk ishte aq i lartë, d.m.th. kishte prej atyre që ishin më të mëdhenj se ai. I thanë Ahmedit: “Sufjani është atje”, d.m.th. donin që ai ta linte Shafiun.

Por ai tha një fjalë që u bë traditë për dijetarët: “Po më humb hadithi i Sufjanit, por si të më humbë mendja e Shafiut? Nuk kam parë njeri më të mençur se Muhamed bin Idris es-Shafii.” Këtë e thotë imam Ahmed bin Hanbeli.

Këtu qëllimi i fjalës “mendje” nënkupton atë mendje të natyrshme që ndihmon në kuptimin e librit dhe sunetit. Jo mendja e mutekeliminëve (skolastikëve) dhe filozofëve që bie ndesh me sheriatin, por mendja e shëndoshë dhe e dobishme.

“A mendon se shumica prej tyre dëgjojnë apo kuptojnë?”

Mendja e dobishme është ajo me të cilën kupton atë që e ka zbritur Allahu, lidhja që ke me Allahun përmes asaj që Ai ka zbritur nga libri dhe suneti.

Shafiu pati nxënës në Meke, në Medine, në Bagdad, dhe më pas pati shumë edhe në Egjipt. Ai kishte trajtuar shumë çështje të fikhut. Nxënësit e tij i lanë fjalët e tij të quajtura “të vjetra” në atë që regjistruan nga ai në Irak, dhe më pas regjistruan përgjigje të ndryshme prej tij në Egjipt. Kur Shafiu e ndjeu se ishin shkruar shumë çështje nga ai, deshi ta përmblidhte për nxënësit dhe për ata që do ta transmetonin pas tij. Ai kishte një grup të mirë nga memorizuesit e fortë. Ndër më të veçantët ishte Rabia bin Sulejman el Muradi, El Buvejti dhe të tjerë.

Rabia transmetoi nga Shafiu dhe ky i fundit ia diktoi librat e tij, si; “Er-risale”, “Ihtilaful-hadith” e libra të tjerë. Ndërsa El Buvejti transmetoi prej Shafiut fjalët e tij në fikh të radhitura, që më vonë u quajtën “El Umm”.

“El Umm” është përpunuar nga El Buvejti mes shkrimit dhe diktimit të Shafiut, me renditje të mirë. Një pjesë padyshim është nga shkrimi i Shafiut, dhe një pjesë tjetër nga dëgjimi i El Buvejtit.

“El Umm” ishte libri i parë i përpiluar i sistemuar nga njëri prej katër imamëve në fushën e fikhut. Prej nga e mori këtë renditje? E filloi me shtyllat e Islamit, pastaj me xhihadin e kështu me radhë. Ai e mori nga metoda e Malikut në “El Muatta” me risi dhe përpunim të tij.

Pas vdekjes së Shafiut, Allahu e mëshiroftë dhe e shpërbleftë me të mirat më të mëdha, në trashëgiminë dhe librat e tij që la pas pati tre burime kryesore që u bënë themeli i dijetarëve shafij në atë që ai shkroi.

E para: “El Umm”, siç ju përmenda që është vepër e El Buvejtit.

E dyta: librat e ndryshëm si “Er-risale” për bazat e fikhut, “Ihtilaful-hadith” dhe të tjera që janë nga Rabia bin Sulejmani.

E treta: El Muzeni, nxënësi i Shafiut i cili ka meritë të madhe. Ai shkroi për herë të parë një përmbledhje të sistemuar në historinë e librit juridik në një libër që e quajti “El muhtesar”. Ky libër u bë i njohur tek dijetarët dhe shafijtë si “Muhtesari i Muzeniut”, dhe ky u bë libri bazë për ta më vonë.

Shafijtë u mbështetën mbi këtë. Më pas filloi përpilimi në shkollën shafiite me përmbledhje, komentime, dhe përsëri përmbledhje e komentime derisa arritën në shekullin e katërt dhe të pestë hixhri. Në fundin e shekullit të pestë filluan të shfaqen drita të tjera nga vepra të reja për të cilat do flasim më vonë.

Ndër librat e rëndësishëm që do t’i përmendim në fillim janë librat kryesorë të shafijve në fushën e kundërshtimeve dhe krahasimeve, dallimet mes tabiinëve dhe atyre që erdhën më pas. Librat e Bejhakiut, imamit dhe mbajtësit të hadithit i njohur si “Sunen el kubra”. Libri i tij i rëndësishëm në këtë fushë është “Marifetu es-sunen uel-athar”. Të gjitha këto janë libra të shtypura. Në këtë libër ka shumë fjalë për medhhebet, dallimet mes imamëve dhe fjalët e tabi’inëve dhe sahabëve në çështjet juridike.

 

Autor: Shejh Salih Al Esh Shejh

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje: ,

Loading...