Shndërrimi i zemrave

June 29, 2017

Prej meditimeve gjatë leximit të Kuranit në muajin e Ramazanit.

– Shndërrimi i krijesave.

Shndërrimi i krijesave është një realitet për të cilin ka folur Kurani dhe suneti. Ai sipas gjuhës së Kuranit njihet me fjalën [meskh] dhe ka ardhur në disa ajete. Mes tyre përmendim:
Ajeti i sures El-Bekare: “Ju i dini ata të cilët i kapërcyen kufijtë e Allahut në lidhje me të shtunën, dhe ne u thamë: Kthehuni në majmunë të nënçmuar.” Suretu El-Bakara: 65.
Ajeti i sures Jasin: “Ne sikur të donim do t’i shndërronim ata në vend dhe nuk do të kishin mundësi as të shkonin e as të ktheheshin.” Suretu Jasin: 36.
Dijetari i madh i njohurive të Kuranit Err-Rragib El-Esfahani i vdekur në vitin 502 H thotë: “Shndërrimi (meskh) është prishja e moralit dhe e pamjes duke i ndryshuar ato nga një formë në një tjetër. Disa prej njerëzve të urtë kanë thënë se shndërrimi është dy llojesh: Shndërrim i veçantë i cili ndodh nganjëherë dhe që është shndërrimi i pamjes. Dhe shndërrim që ndodh në çdo kohë dhe që është shndërrimi i moralit kur njeriu mbart ndonjë moral të nënçmuar, si p.sh. veset e disa prej kafshëve duke u bërë në merak apo kujdes si qeni, grykës si derri, dhe në vrull pa logjikë si kau.”
Shkaku i meskhut është kapërcimi i kufijve të Allahut, siç u tha në ajetin e lartpërmendur: “Ju i dini ata të cilët i kapërcyen kufijtë e Allahut.”

– Shndërrimi i pamjes.

Ky shndërrim është shndërrimi më i rëndë dhe është pasojë e ndonjë prej gjynaheve shumë të shëmtuara. Ai është përmendur në Kuran për Beni Israilët kur thyen shenjtërinë e ditës së shtunë, dhe ja çfarë thotë Allahu i Madhëruar në Kuran:
“Pyeti ata (Beni Israilët) për fshatin që ishte pranë detit kur shkelnin shenjtërinë e së shtunës. Atyre u vinin peshqit ditën e shtunë qartazi, ndërsa ditëve të tjera nuk u vinin. Kështu ne i sprovuam ata për shkak se dilnin jashtë kufijve (të Allahut). * Disa prej tyre u thanë të tjerëve: Pse po i këshilloni ata të cilët Allahu do t’i dënojë me një dënim të ashpër? Ata u thanë: E bëjmë këtë për t’u arsyetuar te Zoti dhe ndoshta ata frikësohen. * Kur harruan atë që u përkujtuan, i shpëtuam ata të cilët ndalonin nga e keqja dhe i dënuam ata të cilët bënë padrejtësi me një dënim shumë të dhembshëm për shkak se dilnin jashtë kufijve. * Kur e shkelën atë që u ndaluan ne thamë: Kthehuni në majmunë të mallkuar.” Suretu El-Earaf: 163-166.
Ky fshat për të cilin bëhet fjalë në Kuran mendohet të jetë qyteti Ejla, siç thotë Ibn Abasi, Muxhahidi, Ikrima, Katadja dhe Es-Suddij etj. Ejla është pranë detit të kuq dhe i përket Shamit, siç thonë gjeografët, e cila në atë kohë banohej nga Beni Israilët dhe sot është porti i Akabesë së Jordanisë.
Fjala e Allahut “shkelnin shenjtërinë e së shtunës” tregon se dita e shtunë ishte festë për Beni Israilët, dhe atyre u ishte ndaluar peshkimi në këtë ditë për tu marrë me adhurim. Në të vërtetë, Allahu u pati kërkuar ditën e xhuma por ata ranë në kundërshtim mes tyre -siç e kanë pasur zakon-, dhe në vend të saj zgjodhën të shtunën. Siç tregon Ebu Hurejra -radiallahu anhu- se Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Ne jemi të fundit (në dynja) dhe të parët ditën e kiametit, edhe pse atyre iu dha libri para nesh e neve na u dha pas tyre. Kjo është dita të cilën Allahu ua kishte obliguar (për festë) por ata ranë në kundërshtim, kurse neve na udhëzoi Allahu për në të. Ata janë pas nesh, hebrenjtë e kanë nesër (të shtunën) dhe të krishterët pasnesër (të dielën).” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Kur zgjodhën të shtunën Allahu i madhëruar i sprovoi ata duke ua ndaluar peshkimin në këtë ditë, madje ua ndaloi të gjitha punët, siç thotë Es-Sem’anij në komentimin e ajetit: Allahu ua kishte ndaluar atyre punën me përjashtim të adhurimit.
Ibn Kethiri thotë: Ata ishin të kapur pas fesë së Teuratit në lidhje me shenjtërimin e ditës së shtunë…. Atyre u ishte ndaluar peshkimi në atë ditë dhe gjithashtu të gjitha punët, tregtitë dhe çdo gjë fitimprurëse.
Fjala e Allahut: [Atyre u vinin peshqit ditën e shtunë qartazi ndërsa ditëve të tjera nuk u vinin], tregon për sprovimin që u bëri Allahu duke ua larguar peshqit ditëve të tjera veç ditës së shtunë. Ibn Kethiri –Allahu e mëshiroftë- thotë: “Peshqit ditën e shtunë e mbulonin anën e tyre të detit, dhe u vinin nga çdo anë haptazi dhe me qetësi”. Prandaj më pas Allahu thotë: [Kështu Ne i sprovuam ata]. Kjo sprovë u erdhi për shkak të shkeljeve të mëparshme të kufijve të Allahut, sepse Allahu thotë: [… për shkak se dilnin jashtë kufijve (të Allahut)] d.m.th. më përpara.
Ibn Kethiri tregon: “Ata kur e panë këtë gjë bënë hile për t’i gjuajtur peshqit ditën e shtunë, duke i hedhur rrjetat dhe duke hapur gropa në mënyrë që peshqit kur të vijnë të mos kenë mundësi të dalin. Ata e bënë këtë gjë ditën e xhuma, dhe kur vinin peshqit lirshëm ditën e shtunë ngecnin në këto mjete gjuetie dhe kur kalonte e shtuna i merrnin. Allahu u zëmërua me ta dhe i mallkoi për shkak të hileve ndaj urdhërit të Tij dhe shkeljes së kufijve të Tij, hile këto që nga ana e jashtme duken tjetër dhe nga ana e brendshme janë kundërshtim i plotë.”
Fjala e Allahut: [Disa prej tyre u thanë të tjerëve: Pse po i këshilloni ata të cilët Allahu do t’i dënojë me një dënim të ashpër?] Kjo tregon se ata të cilët refuzuan këtë veprim u ndanë në dy grupe:
Grupi i parë: Ata të cilët e mohuan punën e atyre që kundërshtonin me hile urdhrin e Allahut.
Grupi i dytë: Ata të cilët heshtën ndaj saj duke mos e ndaluar atë punë, madje u thanë grupit të parë: [Pse po i këshilloni ata të cilët Allahu do t’i dënojë?] D.m.th. nuk ka dobi në ndalimin e tyre sepse ata patjetër do të dënohen.
Grupi i parë i përgjigjet të dytit [… e bëjmë këtë gjë për t’u arsyetuar te Zoti dhe ndoshta ata frikësohen], d.m.th. për t’u arsyetuar te Allahu sepse ai na ka porositur të urdhërojmë për të mira dhe të ndalojmë nga të këqijat. Pra ne e bëjmë këtë gjë nga frika e dënimit të Allahut dhe gjithashtu edhe se ndoshta ata për shkak të këshillës tonë e lënë atë punë, dhe kështu Allahu i ruan nga dënimi i Tij dhe i fal ata.
Fjala e Allahut: [Ata kur harruan atë që u përkujtuan, i shpëtuam ata të cilët ndalonin nga e keqja dhe i dënuam ata të cilët bënë padrejtësi.] tregon për tre gjëra:
1- Dënimi i atyre që shkelën shenjtërinë e së shtunës pas përkujtimit.
2- Shpëtimi i atyre që kritikonin veprimin e shkelësve.
3- Lënia në heshtje e çështjes së atyre që nuk e kritikuan veprimin e shkelësve.
Kjo gjë i ka bërë komentuesit e Kuranit të bien në kundërshtim në lidhje me çështjen e grupit të tretë, nëse ata ishin prej të dënuarve apo jo? Ibn Kethiri thotë: Thuhet se kanë shpëtuar siç është thënë gjithashtu se janë dënuar, por më e sakta tek studiuesit është e para (kanë shpëtuar) dhe te ky mendim është kthyer Ibn Abasi -radiallahu anhu- pas një debati me shërbëtorin e tij Ikrimen, duke i dhuruar atij një rrobë të bukur.
Ikrime tregon se Ibn Abasi thoshte: Nuk e di për ata që thanë [… pse po i këshilloni ata të cilët Allahu do t’i dënojë] a shpëtuan apo jo? Ikrime thotë: Unë fillova t’i flisja derisa iu mbush mendja se ata kanë shpëtuar, dhe ai më dhuroi një rrobë për t’u mbështjellë në të. Në disa transmetime të tjera thuhet se Ikrime është argumentuar me fjalën e Allahut: [Ata kur harruan atë që u përkujtuan], sepse duket se bëhet fjalë vetëm për shkelësit.
Ibn Kethiri -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me shkakun se pse Allahu nuk e përmendi shpëtimin e tyre, thotë: Ata nuk u përmendën me të shpëtuarit megjithëse e urryen me zemrat e tyre atë punë të shëmtuar, sepse duhej ta kritikonin atë me gojë gjë e cila është grada e mesme prej tre gradëve të ndryshimit të së keqes. Më e larta është ndryshimi me dorë dhe pas saj ndryshimi me gojë, dhe e fundit ndryshimi me zemër. Kështu ata kur nuk i përkujtuan shkelësit nuk i përmendi Allahu me të shpëtuarit, edhe pse shpëtuan duke mos u përfshirë në të keqen por duke e refuzuar atë me zemër.
Fjala e Allahut: [Ata kur e shkelën atë që u ndaluan ne u thamë: Kthehuni në majmunë të mallkuar.] Kjo tregon llojin e dënimit që morën shkelësit duke u kthyer në majmunë të shëmtuar. Në këtë ajet nuk janë përmendur derrat por janë përmendur në një ajet tjetër, ku Allahu i madhëruar thotë: “Thuaj: A t’ju tregoj për ata që kanë dënimin më të keq te Allahu? Janë ata të cilët i ka mallkuar Allahu, është zëmëruar me ta dhe ka bërë prej tyre majmunë, derra dhe adhurues të tagutit.” Suretu El-Maide: 60.
Përsa i përket shndërrimit në derra të përmendur në këtë ajet thuhet se i përkasin të njëjtës ngjarje, dhe në majmunë janë shndërruar të rinjtë e fshatit kurse në derra pleqtë e tyre. Por është thënë gjithashtu se i përkasin një ngjarje tjetër të Beni Israilëve. Allahu e di më së miri.

– Pse u dënuan me këtë lloj dënimi (me shndërrim)?

Beni Israilët janë të njohur edhe për gjynahe të tjera, si ngrënia e kamatës dhe e pasurive të njerëzve pa të drejtë, siç thotë Allahu i Madhëruar në Kuran: “Për shkak të padrejtësisë së atyre që thanë: Ne jemi jehudë, u ndaluam atyre të mirat që i kishin hallall dhe për shkak të pengimit të shpeshtë nga rruga e Allahut. * Marrjes së kamatës për të cilën ishin ndaluar dhe ngrënies së pasurisë së njerëzve pa të drejtë. Ne u kemi përgatitur mohuesve prej tyre një dënim të dhembshëm.” Suretu En-Nisa: 160-161.
Sheihul-Islam Ibn Tejmije thotë: Beni israilët kanë ngrënë edhe kamatën edhe pasuritë e njerëzve pa të drejtë, siç ka treguar Allahu në librin e Tij, dhe ajo është më e rëndë se ngrënia e gjuetisë së ndaluar në një kohë të caktuar. Ata nuk janë dënuar me shndërrim siç u dënuan ata të cilët e lejuan të ndaluarën me hile, por janë dënuar me dënime të tjera si dënimet e të tjerëve. Kjo tregon, dhe Allahu e di më së miri, se këta janë me gjynah më të madh dhe janë si puna e munafikëve të cilët nuk e pranojnë gabimin.
Pra me shndërrim dënohen, siç u tha edhe më lart, ata të cilët kanë gjynahe të shëmtuara si puna e Beni Israilëve që u sollën me Allahun në mënyrë të shëmtuar duke e bërë haramin hallall me hile. Madje, sheihul islam Ibn Tejmije në fjalët e tij vë një rregull dhe thotë: Dënimi me shndërrim (meskhu) është për bërjen hallall të haramit me hile.

– Pse i shndërroi Allahu i Madhëruar veçanërisht në majmunë?

Allahu i Madhëruar në punët e Tij ka urtësi prandaj dhe veprat e Tij nuk janë të rastësishme. Fakti se Allahu zgjodhi t’i shndërrojë ata në majmunë dhe jo në një formë tjetër ka një arsye, dhe ja çfarë thotë Ibn Tejmije dhe po ashtu nxënësi i tij Ibn El-Kajimi –Allahu i mëshiroftë-:
Ata u shndërruan në majmunë sepse nuk u kapën pas fesë së Allahut veçse me vepra që i ngjajnë fesë nga ana e jashtme dhe jo kapje reale, prandaj dhe Allahu i shndërroi ata në një lloj kafshe që u ngjan atyre nga ana e jashtme por që në realitet është ndryshe, në përputhje të plotë me punën e tyre.
Ibn El-Kajimi –Allahu e mëshiroftë- tregon gjithashtu se majmunët janë kafshë që njihen për dinakëri, mashtrim dhe shthurje. Dhe kështu këta njerëz kur përdorën hile me Allahun Ai i shndërroi ata në pamjen e asaj kafshe që njihet për atë gjë. Allahu e di më së miri.

– A jetojnë të shndërruarit dhe a lënë pasardhës?

Fakti se Allahu i ka shndërruar këta njerëz në majmunë mund të bëjë të mendosh se rraca e majmunëve është prej shndërrimit të njerëzve, mirëpo kjo nuk është e saktë dhe ja si e shpjegon këtë Ibn Abasi -radiallahu anhu-.
Ibn Abasi në komentimin e ajeteve të kësaj ngjarje thotë: “Ata që u shndërruan nuk jetuan veçse tre ditë, dhe as ka jetuar ndonjëherë ndonjë shndërrim më shumë se tre ditë. Ata as nuk hëngrën, as nuk pinë dhe as patën pasardhës. Majmunët dhe derrat i ka krijuar Allahu me të gjitha krijesat e tjera në gjashtë ditët e përmendura në librin e Tij. Ai i shndërroi këta njerëz në majmunë dhe kështu Ai bën me kë të dojë dhe si të dojë, duke e shndërruar si të dojë.” E transmeton Taberiu.
Këtë që thotë Ibn Abasi e vërteton edhe një thënie e Profetit -alejhi selam- siç tregon Abdullah bin Mesudi -radiallahu anhu-: “Një burrë tha: O i dërguar i Allahut! A janë majmunët dhe derrat prej shndërrimit? Profeti -alejhi selam- i tha: Allahu i Madhëruar nuk ka shkatërruar apo nuk ka dënuar ndonjë popull e pastaj t’u bëjë atyre pasardhës. Majmunët dhe derrat kanë qenë para tyre.” E transmeton Muslimi.

– A ka pasur shndërrime te xhinët?

Ka ardhur një hadith nga Profeti -alejhi selam- që tregon se edhe te xhinët ka pasur shndërrime, siç tregon Ibn Abasi -radiallahu anhu- se Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Gjarpërinjtë janë të shndërruar nga xhinët siç u shndërruan majmunët dhe derrat nga Beni Israilët.” E transmeton Taberani dhe e saktëson sheih Albani.
Sheih Albani -Allahu e mëshiroftë- thotë: “Dije se hadithi nuk do të thotë se gjarpërinjtë që janë sot janë prej xhinëve të shndërruar, por do të thotë se te xhinët ka pasur shndërrim siç ka ndodhur me jehudët kur Allahu i shndërroi në majmunë dhe derra. Ata nuk kanë lënë pasardhës, siç ka ardhur në hadithin e saktë.”
Është shumë e përshtatshme të ketë pasur shndërrime te xhinët madje u përshtatet atyre më shumë sesa njerëzve, sepse cilësitë negative si dinakëria, mashtrimi, shthurja etj. tek ata janë më të shumta se te njerëzit.

– A do të ketë shndërrime të tjera?

Kanë ardhur disa hadithe që tregojnë se do të ketë edhe shndërrime të tjera madje edhe në këtë umet, siç tregon Imran bin El-Husain se Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Në këtë umet ka për të pasur fundosje, shndërrime, dhe gjuajtje me gurë. Një burrë prej myslimanëve e pyeti: Kur o i dërguar i Allahut? Ai i tha: Kur të shfaqen këngëtaret, veglat muzikore dhe të pihet alkooli.” E transmeton Tirmidhiu dhe e transmeton sheih Albani.
Sheihul-islam Ibn Tejmije thotë në lidhje me këtë hadith: Kjo do të ndodhë kur ta bëjnë haramin hallall me interpretime të kota. Ai argumentohet me hadithin tjetër ku Profeti -alejhi selam- thotë: “Në umetin tim ka për të pasur njerëz që do ta bëjnë hallall mëndafshin, alkoolin, veglat muzikore…… të cilët Allahu do t’i shndërrojë në majmunë dhe derra deri në ditën e kiametit.” E transmeton Buhariu.
Fjala [do ta bëjnë hallall] d.m.th. me interpretime të kota, sepse nëse do mendonin se i kanë hallall në origjinë do të ishin qafira dhe jo prej umetit të tij.
Mesa duket këto do të jenë para orës së fundit të dynjasë sepse atëherë do të shtohet prishja dhe do të shfaqet gjynahet e mëdha, siç tregon Abdullah bin Mesudi -radiallahu anhu- se Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Afër orës së fundit të dynjasë ka për të pasur shndërrim, fundosje dhe gjuajtje me gurë.” E transmeton Ibn Maxhe dhe e saktëson sheih Albani.

Bazuar në përkufizimin e lartpërmendur të shndërrimit (El-Meskh), përveç shndërrimit të jashtëm i cili është shndërrimi i pamjes ka edhe shndërrim të brendshëm, dhe ai është shndërrimi i zemrave.
Ibn El-Kajimi -Allahu e mëshiroftë- kur flet për këtë çështje thotë: “Zemra shndërrohet siç shndërrohet edhe pamja, dhe kështu zemra bëhet si zemër e ndonjë kafshe të cilës i ngjan morali, veprat dhe natyra e tij. Prej zemrave ka që shndërrohet në zemër derri për shkak të ngjashmërisë së madhe që ka ai që e mbart atë zemër me të, dhe prej zemrave ka që shndërrohet në zemër qeni, gomari, gjarpri, akrepi etj.”
Më pas Ibn El-Kajimi argumentohet me një ajet Kurani ku Allahu i madhëruar thotë:
“Nuk ka ndonjë gjallesë që ecën në tokë apo fluturon me dy krahë veçse janë bashkësi si ju.” Suretu El-En’am : 38.
Ai vazhdon dhe thotë: Kështu e ka komentuar ajetin dijetari i kohës pas tabi’inëve Sufjan bin Ujejne -Allahu e mëshiroftë-. Prej tyre ka që kanë moral si morali i egërsirave grabitqare, prej tyre ka që kanë moral si morali i qenve, derrave, gomarëve. Prej tyre ka që zbukurohet në rrobat e tij siç bën fazani me puplat e tij, prej tyre ka që është pa logjikë si gomari, prej tyre ka që i jep përparësi të tjerëve si gjeli. Prej tyre ka që afrohet dhe zbutet si pëllumbi, prej tyre ka që është ziliqar si deveja, prej tyre ka që është i gjithi hajër si bagëtitë e imta, dhe prej tyre ka që janë të ngjashëm me dhelprat në dinakëri. Këto duke pasur parasysh se edhe Allahu Vet i ka përngjasuar banorët e zjarrit dhe të humbjes nganjëherë me gomarët, nganjëherë me qenin dhe nganjëherë me bagëtitë.

– Shndërrimi i brendshëm çon në shndërrimin e jashtëm.

Ibn El-Kajimi -Allahu e mëshiroftë- thotë: Ngjasimi i brendshëm (me kafshët) forcohet nga brenda derisa shfaqet në pamjen e jashtme, por në fillim jo e qartë të cilën mund ta dallojnë ata që kanë firase (intuitë). Pastaj shfaqet në punë dhe mund ta dallojë çdokush, pastaj vazhdon të forcohet derisa të prishet pamja dhe të ndryshohet me lejen e Allahut. Ky është shndërrimi i plotë duke ia shndërruar Allahu i madhëruar pamjen e jashtme në pamjen e asaj kafshe, siç ka bërë me jehudët dhe të tjerë si ata dhe siç do të bëhet me disa njerëz prej këtij umeti të cilët do t’i shndërrojë në majmunë dhe derra.
Ibn El-Kajimi në një citat tjetër thotë: “Medito në urtësinë e Allahut të madhëruar në shndërrimet e atyre që ka shndërruar prej njerëzve në pamje të ndryshme dhe të përshtatshme me veprimet e tyre. Atyre kur iu shndërruan zemrat dhe u bënë si zemrat e atyre kafshëve dhe natyrës së tyre, rezultoi prej urtësisë së madhe të Allahut të bëheshin pamjet e tyre si pamjet e atyre kafshëve që të plotësohet përshtatshmëria dhe ngjashmëria.”
Pastaj Ibn El-Kajimi shton dhe thotë: “I lartësuar qoftë Allahu! Sa zemra ka që janë të përmbysura dhe mbartësi i saj nuk e ndien! Sa zemra ka që janë të shndërruara dhe të shuara! Sa njerëz ka që janë të sprovuar me lavdërimin e njerëzve dhe të mashtruar me mbulesën e Allahut, dhe sa njerëz po tërhiqen drejt humbjes të mashtruar me mirësitë e Allahut! Të gjitha këto janë dënime dhe përulje të cilat injoranti i mendon se janë nderime.”

Dr. Abdullah Nabolli

Dosje:

Loading...