Shokët e të Dërguarit të Allahut

May 30, 2023

Nga besimi i ehli sunetit dhe xhematit është se ata i duan sahabët e të Dërguarit të Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, e lusin Allahun të jetë i kënaqur me ta, kërkojnë falje për ta dhe i lavdërojnë.

Allahu i Madhëruar ka thënë:
“Me ata të cilët të parët përqafuan islamin nga muhaxhirët (besimtarët që u shpërngulën nga Meka në Medine) dhe ensarët (besimtarët e Medines që i strehuan dhe i ndihmuan ata), si dhe ata që i ndoqën besnikërisht (në besim), me këta Allahu është mjaft i kënaqur dhe ata janë të kënaqur me Të. Ai ka përgatitur për ta kopshte të begata nën të cilët rrjedhin lumenj për të banuar atje përgjithmonë. Ky është ngadhënjimi madhështor.” | Teube: 100 |
Pra, Allahu i Madhëruar është kënaqur me ata që e përqafuan Islamin të parët pa u vënë kusht pasimin me besnikëri, dhe kënaqet me ata që vijnë pas tyre vetëm me pasimin me besnikëri të sahabëve.

Allahu i Madhëruar ka thënë:
“Sigurisht që Allahu ishte i kënaqur me besimtarët kur ata të dhanë besën (o Muhamed) nën pemë.” | El Fet’h: 18 | E ai me të cilin Allahu kënaqet, nuk do të zemërohet më asnjëherë me të.

Transmetohet në një hadith të saktë se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë:
“Nuk hyn në zjarr asnjë nga ata që kanë dhënë besën nën pemë.” (Vendi ku i janë betuar të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem se do të merrnin hakun e njërit prej sahabëve para marrëveshjes së Hudejbijes. Sh. p.)

Allahu i Madhëruar i ka përmenduar muhaxhirunët (besimtarët që u shpërngulën nga Meka në Medine) dhe i ka cilësuar si të sinqertë, dhe ka thënë:
“(Ka gjithashtu një pjesë në këtë plaçkë) Për (muhaxhirët – muslimanët e shpërngulur nga Meka në Medine) të mërguarit e varfër, të cilët u përzunë nga shtëpitë e tyre për të kërkuar mirësinë e Allahut dhe për të fituar kënaqësinë e Tij, për të ndihmuar Allahun (për t’i shërbyer e për të ndihmuar Islamin, fenë e Tij) dhe të Dërguarin e Tij (Muhamedin). Padyshim që të tillët janë të vërtetët.” | El Hashr: 8 |
Pastaj ka përmendur ensarët (besimtarët e Medines që i strehuan dhe i ndihmuan muhaxhirët) duke thënë:
“Edhe ata të cilët para tyre patën shtëpitë e tyre (në Medine) dhe pranuan besimin, i duan ata që u shpërngulën tek ata dhe nuk kanë aspak zili në gjokset e tyre për atë që iu dhe atyre (nga plaçka e Beni Nadir). Ata i parapëlqejnë ata (të shpërngulurit) mbi veten e tyre, edhe pse ata vetë kishin nevojë për të. Kushdo që shpëton nga lakmia vetjake, të tillët do të jenë ngadhënjimtarët.” | El Hashr:  9 |

Më pas ka përmendur gjendjen e besimtarëve që vijnë pas tyre të cilët ndoqën me besnikëri sahabët e të Dërguarit të Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, duke thënë:
“Dhe ata që erdhën pas tyre, thonë: Zoti ynë! Na fal neve dhe vëllezërit tanë që qenë para nesh në besim, dhe mos na fut në zemrat tona asnjë grimcë urrejtjeje ndaj atyre që besuan. Zoti ynë! Vërtet që Ti je shumë Dashamirës, Mëshirëplotë.” | El Hashr: 10 |

Gjithashtu ka thënë:
“Muhamedi është i Dërguari i Allahut, dhe ata që janë me të janë të ashpër ndaj mohuesve (të Allahut) dhe të mëshirshëm ndërmjet veti. I sheh ata duke u përkulur (në ruku) dhe duke rënë me fytyrë në tokë (në sexhde), duke kërkuar begati nga Allahu dhe kënaqësinë e Tij. Shenja (e besimit të tyre) është në fytyrat e tyre nga gjurmët e sexhdes (gjatë faljes). Ky është përshkrimi i tyre në Teurat. Ndërsa shembulli i tyre në Inxhil përshkruhet si; një farë (e mbjellë) e cila lëshon filizin, pastaj e forcon atë dhe ai pastaj qëndron në trungun e vet duke i mahnitur mbjellësit, që Ai t’i tërbojë mosbesimtarët me anë të tyre. Atyre të cilët besojnë (në Njësinë e Allahut, në të Dërguarin e Tij Muhamedin, e ndjekin fenë e Allahut islamin deri në ditën e fundit) dhe punojnë mirësi e drejtësi (sipas këtij besimi), Allahu u ka premtuar falje dhe shpërblim të madh (kopshtet e begata të Xhenetit të pafund).” |El Fet’h: 29 | Ka thënë imam Maliku: “Ajeti (i mësipërm – sh.p.) ka për qëllim atë të cilin ka në zemrën e tij urrejtje për ndonjë prej shokëve të të Dërguarit të Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.”

Allahu i Madhëruar ka thënë:
“Ndërsa ata që besuan dhe migruan dhe luftuan fort në çështjen e Allahut (xhihad), si dhe ata të cilët u dhanë atyre strehim e ndihmë, këta janë me të vërtetë besimtarët e merituar. Për ta do ketë falje të madhe dhe rizkun kerim (begati të lartë, kopshtet e begata të Xhenetit).” | El Enfal: 74 |

Allahu i Madhëruar ka përmendur sahabët duke qartësuar gradën e lartë të atyre që shpenzuan dhe luftuan para çlirimit (marrëveshjes së Hudejbijes), mbi ata që shpenzuan dhe luftuan më pas. Të gjithë atyre që shpenzuan (para dhe pas çlirimit) u ka premtuar Xhenetin. Allahu i Madhëruar ka thënë:
“Nuk janë njësoj ndërmjet jush ata që shpenzuan dhe luftuan para çlirimit. Të tillët janë në gradë më të lartë se ata që shpenzuan dhe luftuan më pas. Por për të gjithë Allahu ka premtuar të mira dhe Allahu është i Mirënjohur për gjithçka që ju punoni.” | El Hadid: 10 |

Transmetohet në Sahihun e Buhariut dhe të Muslimit nga Ebu Seid el Hudri, radijAll-llahu anhu, se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Mos i shani shokët e mi!” Ndërsa në transmetimin e Muslimit thotë:
“Mos i shani shokët e mi! Nëse dikush do shpenzonte ar (për hir të Allahut) sa mali i Uhudit, nuk do të arrinte shpërblimin e një muddi që shpenzojnë ata e as gjysmën e tij.”

Muddi (në gjuhën arabe) është çereku i sa’ë (masë matëse e grurit afërsisht mes 2-3 kg). Ndërsa nesijf (kështu është në tekstin e hadithit në gjuhën arabe) është gjysma e muddit.

Pra, nuk ka arritur as këtë masë të vogël nga grada e sahabëve e as gjysmën e asaj mase.

Gjithashtu, transmetohet në Sahihun e Buhariut dhe të Muslimit nga Imran ibën Husejni se Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Gjenerata më e mirë është gjenerata ime, pastaj ata që vinë pas tyre, pastaj ata që vinë pas tyre.” Thotë Imrani (transmetuesi i hadithit): “Nuk e di a përmendi pas gjeneratës së tij dy apo tre gjenerata.” Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, vazhdon dhe thotë:
“Pastaj pas tyre do të vijë një popull që dëshmojnë dhe nuk u kërkohet të dëshmojnë, tradhëtojnë dhe nuk mund t’iu lihet amaneti, zotohen dhe nuk e kryejnë zotimin. Në mesin e tyre do shfaqet shëndoshja.” (Arsyeja e mosqënies e lavdëruar e kësaj cilësie është sepse vjen nga ngrënia e tepërt. Për më tepër shiko “Fet’hul Bari” të Ibën Haxherit.)

Gjithashtu, transmetohet në Sahihun e Buhariut dhe të Muslimit nga Enesi se Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë:
“Shenja e besimit është dashuria e ensarëve, ndërsa shenja e hipokrizisë është urrejtja e tyre.”

Transmetohet në Sahihun e Buhariut dhe të Muslimit nga Bera ibën Azib, radijAll-llahu anhu, se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë për ensarët:
“Ata i do vetëm ai që është besimtar dhe i urren vetëm ai që është hipokrit. Ai që i do ata Allahu e do atë, dhe ai që i urren ata Allahu e urren atë.”

Transmetohet në Sahihun e Muslimit nga Ebu Hurejra dhe nga hadithi i Ebu Seidit, Allahu qoftë i kënaqur me të dy, se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Ensarët i do vetëm ai që beson në Allahun dhe në ditën e gjykimit.”

Transmetohet në Sahihun e Buhariut dhe të Muslimit nga hadithi i Ali ibën Ebi Talib, radijAll-llahu anhu, se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë në tregimin e Hatib ibën Ebi Beltah (një nga sahabët e të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem kishte nisur lajmin e nisjes së tij për çlirimin e Mekës me anë të një gruaje, ngaqë kishte frikë për familjen dhe të afërmit e tij që kishte në Meke, por nuk ia arriti qëllimit):
“…Me të vërtetë që ai ka marrë pjesë në luftën e Bedrit. E ku e di, ndoshta Allahu ka shikuar ata që morën pjesë dhe ka thënë: Veproni ç’të doni, me të vërtetë që u kam falur.”

Transmetohet në Sahihun e Muslimit nga Xhabir ibën Abdilah, radijAll-llahu anhu, se ka thënë:
Më ka lajmëruar Umu Mubeshir se ka dëgjuar Pejgamberin, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, duke thënë te Hafsa (një nga gratë e tij): “Nuk do të hyjnë në zjarr (në dashtë Allahu) asnjë nga ata që janë betuar nën pemë.”
Numri i tyre është më shumë se 1400, ku prej tyre janë; Ebu Bekri, Umeri, Uthmani dhe Aliu (katër drejtuesit e muslimanëve pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).

Ehli Suneti beson se më të mirët e këtij umeti (populli) pas pejgamberit të tij janë Ebu Bekër es Sidiku e pastaj Umer el Faruku. Ky është unanimiteti i sahabëve dhe tabi’inëve dhe nuk e ka kundërshtuar këtë asnjëri prej tyre.
Ka ardhur në mënyrë të vazhdueshme (grup pas grupi) transmetimi nga prijësi i besimtarëve Ali ibën Ebi Talib, radijAll-llahu anhu, se më të mirët e këtij umeti pas pejgamberit të tij janë Ebu Bekri e më pas Umeri.
Pas atyre të dyve ehli suneti beson se i treti në rradhë është Uthman bin Afani, e pas tij vjen i katërti Ali ibën Ebi Talib, Allahu qoftë i kënaqur me të dy.

————————————————————

Shkëputur nga libri: “Besimi i saktë”.

Shkroi: AbduSelam ibën Berxhes AbdulKerijm

Përktheu: Ardit Ulqinaku

Dosje:

Loading...