Shpjegimet e ehlu sunetit rreth ajetit (Nisa 93)

April 6, 2010

Marrë nga Shpjegimi i Akides Uasitije të shejh Ibn Uthejminit në Mexhmual Fetaua ue rasail 8/218-221

Allahu thotë : “ E kush e vret një besimtar me dashje, ndëshkimi i tij është xhehenemi, ku do të jetë përgjithmonë, Allahu është i zemëruar me të dhe e ka mallkuar dhe ka përgatitur për të dënim të madh”
Shejhu i nderuar Muhamed ibn Uthejmini ka thënë:

Këto janë pesë dënime, nga të cilat do mjaftonte vetëm një prej tyre për ta frenuar atë që ka vërtetë zemër.

Ky ajet ka nevojë për përgjigje sqaruese sipas menhexhit të ehlu sunetit në mënyrë që të kuptohet sic duhet përmendja e përjetësimit në zjarr për shkak të mëkatit të vrasjes, ndërkohë që vrasja nuk është kufr dhe tek ehlu suneti, përjetësimi në zjarr ndodh vetëm për shkak të kufrit. Përgjigjet rreth këtij ajeti janë disa dhe të ndryshme:

Mendimi i parë: Ky ajet ka të bëjë me kafirin kur ai vret një besimtar.

Kjo përgjigje nuk vlen aspak, sepse kafiri është i ndëshkuar përjetësisht me xhehenem, edhe nqs ai nuk vret një besimtar : “ Allahu i ka mallkuar kafirat dhe ka përgatitur për ta zjarrin, aty do jenë përgjithmonë përjetësisht, nuk do gjejnë dot përkrahës dhe as mbrojtës” (Ahzab 64-65)

Mendimi i dytë: Ky ajet ka të bëjë me rastin kur vrasësi e konsideron të lejuar vrasjen, sepse ai që e konsideron të lejuar vrasjen e besimtarit bëhet kafir.

Imam Ahmedi është shprehur i habitur nga kjo përgjigje, duke thënë: Si mund të thuhet kjo?! Sepse nëse e beson si të lejuar vrasjen e besimtarit, ai është kafir edhe nqs nuk e vret faktikisht një besimtar, pra ky besim i tij i gabuar e bën atë të përjetësohet në zjarr edhe nqs nuk e vret një besimtar.

Pra dhe ky mendim nuk qëndron.

Mendimi i tretë: Ky ajet ka të nënkuptuar dicka, është fjali me kushtëzim, dmth: Ndëshkimi i tij është xhehenemi nqs do e ndëshkojë.

Mirëpo ky mendim lë vend për debat, sepse cfarë dobie do kishte thënia: “Ndëshkimi i tij është xhehenemi” përderisa është i kushtëzuar: Nqs do e dënojë. Sepse me të drejtë ngrihet pyetja: Nqs ndodh që e dënon, a do jetë ky ndëshkimi? Nëse përgjigjia është: Po, kjo do të thotë që do jetë përjetë në zjarr, pra u rikthyem në të njëjtën pikë të fillimit.

Sic shihet, këto tre mendime nuk shpëtojnë nga debati dhe nuk i japin përgjigje sqaruese problemit.

Mendimi i katërt: Ky ajet tregon se kjo vepër (vrasja e besimtarit) është shkak për të hyrë në zjarr, por nqs ekziston ndonjë faktor tjetër që e pengon përmbushjen e këtij kërcënimi, atëherë nuk realizohet ai ndëshkim. Psh lidhja familjare është shkak për të merituar trashëgimi, por nqs i afërmi trashëgues është i zënë rob nuk trashëgon, për shkak të robërisë.

Por ngrihet një pyetje tjetër në një aspekt tjetër: Nëse është kështu, atëherë cfarë dobie ka përmendja e këtij kërcënimi?

Dobia qëndron në frenimin e personit nga vrasja, sepse ai që vret besimtarin me dashje, ka vepruar shkakun për të cilin meriton ndëshkimin me përjetësim dhe ngelet për tu parë nëse ka ndonjë faktor pengues apo jo, pra ai është në një rrezik të madh. Prandaj Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “ Njeriu është i lirë, me hapësirë veprimi, në fenë e tij për sa kohë që nuk derdh gjak të ndaluar” dmth nqs e bën një vepër të tillë ia ngushton vetes fenë e tij derisa rrezikon të dalë prej saj. Pra, kërcënimi në këtë rast ka pasur për qëllim përfundimin tek i cili mund të arrijë, mund të bëhet vrasja shkak për të arritur në kufr, të vdesë si kafir dhe të përjetësohet në zjarr. Sipas këtij shpjegimi në ajet është përmendur shkaku i shkakut, që do të thotë se vrasja me dashje është shkak që njeriu të vdesë si kafir dhe kufri është shkak që ai të përjetësohet në zjarr.

Nëse e mediton thellë këtë mendim do shohësh se nuk lë keqkuptime pas.

Mendimi i pestë: Qëllimi i ajetit është qëndrimi i gjatë në zjarr dhe jo përjetësimi përgjithmonë, sepse në gjuhën arabe është i njohur përdorimi i shprehjes përjetë me kuptimin kohë e gjatë, si psh filani është përjetë në burg, dmth kohë të gjatë, sepse mund të ndodhë që të dalë për një arsye apo tjetër. Shembull tjetër: Thuhet: Filani është i përjetshëm sa malet, kur dihet që Allahu mund t`i shembë malet dhe t`i bëjë pluhur.

Kjo përgjigje është e thjeshtë, që nuk kërkon sforcim. Themi, Allahu në këtë ajet nuk e përmendi përjetësimin e përgjithmonshëm pa ndërprereje, pra nuk tha: Ebeden( përgjithmonë, pa ndërprereje) por tha: “Aty do jetë përjetë” dmth do të qëndrojë kohë të gjatë.

Mendimi i gjashtë: Ky ajet është nga ajetet që përmbajnë kërcënim dhe sic dihet, lejohet që kërcënimi të mos përmbushet nga vetë kërcënuesi, duke e zhvendosur gjykimin nga gjykimi i drejtë i merituar tek një vendim tjetër me bujari dhe falje, gjë e cila është lëvdatë dhe bujari. Psh nëse i thua fëmijës tënd: Nqs do shkosh në treg, do të të rrah me shkop. Ai shkon dhe kur kthehet ti e godet me dorë dhe jo me shkop. Ky dënim ishte më i lehtë se i pari. Pra, nëse Allahu e kërcënon vrasësin me këtë kërcënim dhe më pas e fal atë, kjo është bujari.

Faktikisht, ky arsyetim nuk i jep përgjigje problemit, sepse nqs kërcënimi përmbushet dhe realizohet, problemi ngelet sic ishte në fillim, kurse nqs nuk përmbushet atëherë nuk ka dobi prej tij.

Këto ishin gjashtë lloj përgjigjesh rreth këtij ajeti, ku përgjigjet më të pranueshme janë e katërta dhe e pesta.

Përktheu:  Shuajb Rexha

Loading...