Ato gjëra që ua kam ndaluar mundohuni t’iu largoheni – Pjesa e fundit

Shpjegimi i hadithit: “Ato gjëra që ua kam ndaluar mundohuni t’iu largoheni…”

-Pjesa e fundit-

Shejh Salih el-Feuzani (Allahu e ruajtë) tregon se Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Ato gjëra që ua kam ndaluar mundohuni t’iu largoheni.” Përsa u përket atyre gjërave nga të cilat njeriu është ndaluar ai duhet t’u largohet të gjithave (ndalesave), sepse lënia (e gjërave) është më e lehtë sesa veprimi (i tyre). Atë vepër për të cilën je urdhëruar kryeje sa të mundesh, ndërsa lënien e gjërave të ndaluara secili ka mundësi t’u largohet. Prandaj dhe Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) tha: “Ato gjëra që ua kam ndaluar mundohuni t’iu largoheni.”

E nuk tha “largohuni sa të mundeni”, por tha; “Ato gjëra që ua kam ndaluar mundohuni t’iu largoheni.”

Cdo njeri ka mundësi t’i lërë (largohet nga) gjërat e ndaluara përveçse në ndonjë rast domosdoshmërie. Nëse e ka të nevojshme përdorimin e ndalesës ai e vepron atë si lehtësim, si p.sh. kur e ka të nevojshme të hajë të ngordhurën. Në këtë rast ai ha prej saj sa për të mbajtur shpirtin gjallë.

Pastaj Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) tërhoqi vërejtjen nga pyetjet e shumta për të cilat s’ka nevojë në çështjet e fesë. Në lidhje me këtë ai (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) solli shembull nga popujt e mëparshëm, ngase nëse shtohen pyetjet shtohet dhe vështirësia e njerëzve në përmbushjen e detyrave që mund t’u obligohen si shkak të pyetjeve të shumta. Si rrjedhojë personi që bën shumë pyetje mund të lërë dhe bindjen. Allahu i Lartësuar thotë: “O besimtarë! Mos pyesni për gjëra që sikur t’ju tregoheshin hapur do t’ju bënin të ndjeheshit keq,[1] e nëse pyesni për to gjatë shpalljes së Kuranit do t’ju bëhen të qarta.[2] Allahu ua ka falur ato. Allahu është Falës, i Butë.[3] Pyetje të tilla kanë bërë edhe disa njerëz para jush[4] por pastaj u bënë mohues të tyre.[5]” El-Maide: 101-102. Teprimi me pyetje të shumta është shkak për lënien e urdhëresave dhe zhytjen në gjëra që s’të takojnë.

Prandaj, përmbushe (kryeje) sa të mundesh atë që je urdhëruar, ndërsa nga ajo që je ndaluar largohu. Detyrë për ty është vetëm pasimi (i teksteve hyjnore), dhe mos hajde me gjëra nga vetja jote apo të bësh obligim gjëra që nuk janë obligim. Një gjë e tillë konsiderohet dalje para (urdhërit të) Allahut të Lartësuar dhe të Dërguarit të Tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që keni besuar! Mos nxitoni para (urdhërit të) Allahut dhe të Dërguarit të Tij.” El-Huxhurat: 1.

Mos thuaj; “Pse Allahu nuk e ka bërë detyrë këtë (kështu apo ashtu)?” “Pse Allahu nuk e ka ndaluar këtë gjë?” Mos bëj pyetje të tilla.

“El-Minhatu er-Rabbanijjeh fi sherh El-Erbein en-Neueuijjeh.”

Përktheu: Unejs Sheme

——————————————

[1] Allahu i ndalon robët e Tij nga pyetja për gjëra që nëse i mësojnë do i mërzisin dhe do i bëjnë të ndjehen keq, siç ishte për shembull pyetja e disa prej shokëve të Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) në lidhje me prindërit e tyre se; cili ishte vendi dhe gjendja e tyre në botën tjetër? Nëse dikujt do i thuhej se babai yt është në zjarr, padyshim se kjo gjë do e mërziste së tepërmi. Po kështu, pyetja për gjëra të supozuara, për gjëra të padobishme dhe që nuk i interesojnë askujt, apo pyetja për provokim.

[2] Nëse pyetja juaj përkon me kohën e shpalljes së Kuranit Allahu do jua sqarojë atë që ta kuptoni mirë, por nëse Allahu hesht për diçka atëherë mos pyesni, sepse Allahu ua ka falur dhe u ka bërë lëshim në të. E nëse do të pyesnit do u ngarkoheshin detyrime që do u rëndonin dhe do ishin të vështira për ju, ashtu si ndodhi me hebrenjtë që shumë prej detyrimeve të rënda i kishin si dënim për pyetjet e tyre.

[3] Allahu është gjithnjë Falës, i Butë dhe Bamirës, prandaj kërkoni faljen dhe mirësinë e Tij, mëshirën dhe kënaqësinë e Tij.

[4] Pyetje provokuese apo kërkim të mrekullive, por jo me qëllim të përfitimit por të arrogancës dhe talljes.

[5] E mohuan mrekullinë që kërkuan apo përgjigjen që u erdhi nga qielli, duke vulosur kështu mohimin dhe mosbesimin e tyre.