Ato gjëra që ua kam ndaluar mundohuni t’iu largoheni – Pjesa e parë

Shpjegimi i hadithit: “Ato gjëra që ua kam ndaluar mundohuni t’iu largoheni”.

-Pjesa e parë-

Transmetohet nga Ebu Hurejra Abdurrahman bin Sahri (radijAllahu anhu) se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) të thotë: “Ato gjëra që ua kam ndaluar mundohuni t’iu largoheni, ndërsa për ato që u kam urdhëruar mundohuni t’i praktikoni sa të mundeni. Popujt që jetuan para jush u shkatërruan për shkak të pyetjeve të shumta dhe kundërshtimit ndaj profetëve të tyre.” Hadithin e transmeton Buhariu (7288) dhe Muslimi (1337).

Shejh Salih el-Feuzani (Allahu e ruajtë) ka thënë: Ky hadith skicon rrugën e qartë për muslimanin në të cilën ai duhet të eci. Shkaku i këtij hadithi – siç ka ardhur në transmetimin e Muslimit- është se Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) tha: “O njerëz! Me të vërtetë Allahu ua ka bërë obligim haxhin, prandaj kryejeni atë.”

Një nga të pranishmit u ngrit dhe tha: O i Dërguari i Allahut! Për çdo vit? I Dërguari (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) heshti dhe përsëriti të njëjtat fjalë: “O njerëz! Me të vërtetë Allahu ua ka bërë obligim haxhin, prandaj kryejeni atë.” Ndërsa pyetësi e përsëriti pyetjen tri herë.

Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) tha: “Nëse do të thoja “Po” atëherë mbetej obligim i domosdoshëm” – d.m.th. për çdo vit “dhe ju nuk do të kishit mundësi.”

Ngase kryerja e haxhit ka nevojë për udhëtim, ka nevojë për shpenzime dhe për fuqi trupore. Prandaj dhe Allahu i Lartësuar e ka bërë obligim vetëm një herë në jetë.

Pastaj Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) tha: “Më lini për aq sa u lë” d.m.th. mos pyesni për gjëra me të cilat nuk jeni urdhëruar, ndërsa gjërat për të cilat jeni urdhëruar i përmbushni dhe largohuni nga ato që jeni ndaluar. Por të pyesni për gjëra për të cilat nuk jeni urdhëruar, kjo nuk është në dobinë dhe të mirën tuaj.

“… ndërsa për ato që u kam urdhëruar mundohuni t’i praktikoni sa të mundeni.” Kjo është prej mëshirës së Allahut të Madhërishëm që njeriu të veprojë (ato) urdhëresa që mundet t’i përmbushë. Ndërsa ai që s’mundet (për arsye legjitime) ai (urdhër/obligim) bie prej tij, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Dhe frikësojuni Allahut sa të mundeni.” Et-Tegabun: 16.

Dhe thotë: “Allahu nuk ngarkon askënd përtej mundësive që ka.” El-Bekare: 286.

Atë që njeriu ka mundësi ta kryejë prej obligimeve fetare ai e kryen (përmbush) atë, ndërsa atë që s’ka mundësi ajo bie prej tij derisa të largohet arsyetimi që ka. Ky është nga lehtësimi i këtij legjislacioni i cili ka larguar nga njerëzit vështirësinë e kryerjes së urdhëresave.

Thotë Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Ato gjëra që ua kam ndaluar mundohuni t’iu largoheni.”

 

“El-Minhatu er-Rabanijjeh fi sherh El-Erbein en-Neueuijjeh.”

Përktheu: Unejs Sheme