Shpjegimi i hadithit: “Islami ndërtohet mbi pesë shtylla” – Pjesa e dytë

October 10, 2017

Shpjegimi i hadithit: “Islami ndërtohet mbi pesë shtylla” – Pjesa e dytë

Shejh Salih el-Feuzani (Allahu e ruajtë) ka thënë: Fjala e tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Mbi dëshminë se nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Allahut“, kuptimi i saj është besimi dhe bindja (siguria), e shoqëruar me shprehjen (shqiptimin) me gjuhë se askush nuk meriton të adhurohet me të drejtë përveç Allahut të Lartësuar. Adhurimi i çdo gjëje tjetër përveç Tij është e kotë dhe shirk edhe nëse quhet zot, por ai është zot/i adhuruar i kotë.

Zoti (i Adhuruari) i vërtetë – që meriton adhurimin me të drejtë – është vetëm Allahu i Lartësuar, ndërsa adhurimi i çdo gjëje tjetër përveç Tij konsiderohet i kotë. Allahu i Lartësuar thotë: “Kjo është kështu sepse Allahu është e Vërteta (i vetmi që meriton të adhurohet), kurse gjithçka që adhurohet përveç Tij është e pavërtetë. Dhe pa dyshim se Allahu është më i Lartësuari dhe i Madhërishmi.” El-Haxh: 62.

Duhet patjetër që njeriu të besojë me zemër, ta shpreh me gjuhë dhe të punojë me gjymtyrët se adhurimi me të drejtë i takon vetëm Allahut të Lartësuar dhe askush tjetër nuk e meriton atë. Nuk mjafton që ai të besojë se adhurimi me të drejtë i përket vetëm Allahut të Madhëruar, por patjetër duhet dhe të besojë se adhurimi i çdo gjëje tjetër përveç Tij është e kotë. Këto (mohimi dhe pohimi) janë prej të drejtave të dëshmisë se nuk ka të adhuruar tjetër të vërtetë përveç Allahut (la ilahe il-lAllah).

la ilahe” është mohim, ndërsa “il-lAllah” është pohim.

Pra, “mohimi” është; mohimi dhe zhvlerësimi i adhurimit për dikë tjetër përveç Allahut të Lartësuar.

Pohimi” është; pohimi i adhurimit vetëm për Allahun e Madhëruar.

Nuk mjafton vetëm mohimi pa pohim dhe as pohimi pa mohim, por patjetër duhen të dyja.

Ai që adhuron Allahun e Lartësuar dhe nuk adhuron dikë tjetër bashkë me Të, por nuk beson se adhurimi i idhujve dhe tagutëve është i kotë duke thënë: “Njerëzit janë të lirë përsa u përket besimeve (bindjeve) të tyre. Secili ka besimin e tij (ku beson në atë që dëshiron).” Ai konsiderohet jobesimtar për shkak se ai ka rënë në kundërshtim me dëshminë “la ilahe il-lAllah”, ngase kjo fjalë përmban mohimin dhe pohimin.

“El-Minhatu er-Rabbanijjeh fi sherh El-Erbein en-Neueuijjeh.”

 

Përktheu: Unejs Sheme

Loading...