Shpjegimi i hadithit: “Islami ndërtohet mbi pesë shtylla” – Pjesa e tretë

Shejh Salih el-Feuzani (Allahu e ruajtë) shpjegon: Tha: “….. dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut“. Nuk mjafton (vetëm) dëshmia “la ilahe il-lAllah – nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Allahut”, duke mos besuar në mesazhin e Muhamedit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Kjo ngase çifutët dëshmojnë “la ilahe il-lAllah” por ata nuk besojnë në mesazhin e Muhamedit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), e kjo (vetëm dëshmia ‘la ilahe il-lAllah’) nuk i fut ata në Islam.

Kush dëshmon “la ilahe il-lAllah – nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Allahut” kjo nuk i bën dobi atij derisa të besojë në mesazhin e Muhamedit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), t’i bindet atij në atë që urdhëron, të largohet nga ajo që ai ndalon, si dhe ta adhurojë Allahun e Lartësuar me legjislacionin e të Dërguarit të Tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Pra mos ta adhurojë Atë sipas tekave të tij, me bidate dhe me shpikje.[1]

Duhet patjetër të besohen të dy dëshmitë dhe të shqiptohen, ose të dëshmojë me gojë “la ilahe il-lAllah – nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Allahut” me besimin e tij se Muhamedi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) është i Dërguari i Allahut.

Ndërsa të thotë: “Unë dëshmoj la ilahe il-lAllah – se nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Allahut” por nuk dëshmoj se Muhamedi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) është i Dërguari i Allahut, këtij i thuhet: Ti je mohues i Allahut dhe e ke asgjësuar deklarimin tënd “la ilahe il-lAllah”. Allahu i Madhëruar është Ai që e ka dërguar Muhamedin, prandaj nëse mohon të Dërguarin ti ke mohuar Atë që e ka dërguar atë dhe besimi në to (dëshmitë) është i pandashëm.

 

Vijon…

“El-Minhatu er-Rabbanijjeh fi sherh El-Erbein en-Neueuijjeh.”

Përktheu: Unejs Sheme

——————————————

[1] Dijetari i Islamit Muhamed bin Abdulvehab (Allahu e mëshiroftë) në librin e tij “Tri Parimet dhe argumentet e tyre“, thotë: “Argumenti i pjesës së dytë së dëshmisë “Dhe se Muhamedi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) është i Dërguari i Allahut” është fjala e Allahut të Madhëruar: “Vërtet që u ka ardhur një i Dërguar nga vetë ju. Ai pikëllohet nëse u bie ndonjë lëndim e vështirësi.  Ai ua dëshiron të mirën me gjithë zemër dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët.” Et-Teube: 128. Kuptimi i dëshmisë: “Dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut” është:

– bindja ndaj tij në atë që ka urdhëruar,

– besimi në atë që ka lajmëruar,

– shmangia nga ajo që ka ndaluar,

– të mos adhurohet Allahu ndryshe vetëm se me atë që Ai ka ligjësuar.” (sh.p.)