Dhikri, thesari i shpërblimeve!
Prej veprave që shpesh i lëmë pas dore dhe na marrin mendjen gjëra të dorës së dytë, që nuk i afrohen as për nga vlera e as për nga grada është përmendja e Allahut, dhikri. E në të vërtetë ai është më i miri dhe më i pastërti i veprave.
Në udhëtimin tonë drejt botës së amshuar ne jemi në një tregti me Allahun e Lartësuar. Dhe për shkak të shkurtësisë së jetës sonë kemi nevojë të mësojmë se cilat janë veprat më të rëndësishme, më madhështore dhe më të vyera, në mënyrë që t’iu kushtohemi atyre dhe ta mbushim jetën me to, të takohemi me Zotin tonë me një tregti të begatë me vepra që rëndojnë në peshoren e shpërblimit.
Ky është vetë udhëzimi hyjnor që i jepet robit dhe bën pjesë në dhuntitë e mëdha që përfshihen në lutjen që e përsërisim në çdo rekat të namazit: “Na udhëzo në rrugën e drejtë.” | El Fatiha: 6.
Një nga format më të çmuara të këtij udhëzimi është që Allahu ta drejtojë robin e Tij drejt veprave më të larta e më të pëlqyeshme, sepse njeriu mund ta harxhojë jetën duke u marrë me vepra më pak të rëndësishme ndërkohë që ka të tjera që janë më të merituara, më të thella dhe më shpërblyese.
Ne e dimë se një nga veprat më madhështore është kur njeriu e flijon jetën për hir të Allahut në rrugën e Tij, apo kur e jep pasurinë e zemrës – pasurinë materiale – në rrugë të Allahut duke kërkuar kënaqësinë e Tij. E megjithatë, përmendja e Allahut është më madhështore se të gjitha këto.
Ajo është një vepër që Zoti i Lartësuar na ka urdhëruar por që nuk na kërkon as mund e as lodhje. Kam përmendur shembuj të shumtë për këtë në një ligjëratë me titull: “Kush prej jush është i paaftë ta veprojë këtë?”
I Dërguari i Allahut ﷺ i drejtohet umetit të tij me këtë thirrje: “A t’ju tregoj për veprën tuaj më të mirë?”1
Domethënë për veprën më të vlefshme, sepse fjala “më e mirë” këtu ka kuptimin e krahasimit dhe të përparësisë. Pra, “vepra më e mirë” do të thotë më e vlefshmja ndër të gjitha.
“…Dhe më e pastra tek Sundimtari juaj…”
Fjala “ezkaha” (më e pastra) përfshin dy kuptime themelore:
1. Pastërtinë.
2. Rritjen dhe shtimin; atë që rritet dhe shtohet në shpërblim tek Allahu.
Siç dihet veprat në vetvete janë të prirura për tu shumëfishuar në shpërblim. Allahu kujdeset për sadakanë robit të vet, pra e shton atë (në shpërblim), por cila vepër është më e pastër (në dy kuptimet) tek Allahu?
Është dhikri, përmendja e Allahut.
Ajo është vepra më e pastër tek Sundimtari juaj dhe më e larta në gradë. Ka edhe vepra të tjera që sjellin ngritje të gradëve, por cila është më e larta prej tyre? Cila sjell më shumë ngritje në shkallë? Është dhikri.
“Ai është më i mirë për ju sesa të shpenzoni arin dhe argjendin.” pra pasurinë e cila është pjesë e pandashme e shpirtit njerëzor.
“Madje është më i mirë për ju se sa të përballeni me armikun në luftë dhe të goditni qafat atyre dhe ata t’ju godasin qafat.”
Vallë, a ka vepër më të lartë se kjo?
Ata i thanë: “Po, o i Dërguar i Allahut (na trego për këtë vepër).” Ai u përgjigj shkurt duke thënë: “Përmendja e Allahut.”
Dhikri është më i mirë se të gjitha këto: më i mirë se flijimi i jetës, më i mirë se flijimi i pasurisë, dhe më i mirë se çdo gjë tjetër që vjen pas tyre. Pra më e vlefshme se agjërimi dhe shumë vepra të tjera!
Një njeri i tha Pejgamberit ﷺ: “O i Dërguar i Allahut, ligjet dhe dispozitat e Islamit janë bërë të shumta për mua; më thuaj për një vepër që të kapem pas saj, diçka që ta kem bosht e mbështetje.” – sepse veprat janë të shumta dhe ai nuk kishte mundësi t’i arrinte të gjitha.
Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ i tha:
“Le të jetë gjuha jote gjithmonë e njomë me përmendjen e Allahut.”3
Kjo fjalë vlen si shpjegim i dhikrit të shumtë për të cilin folëm më lart.
Në Kuran thuhet: “Përkujtuesit e shumtë të Allahut, burra e gra.”
– Cila është masa dhe kriteri për këtë përmendje të shumtë?
Më vonë do të vijë një sqarim më i hollësishëm për këtë, me dëshirën dhe vullnetin e Allahut, por mund të thuhet se masa dhe kriteri për përmendjen e shumtë është që gjuha e njeriut të jetë e njomë në çdo kohë dhe çast me përmendjen e Zotit, të Adhuruarit dhe Sundimtarit të Vetëm, i Lartësuar qoftë Ai.
Në kuptimin që njeriu nuk duhet të jetë i shkujdesur, nuk duhet të pushojë, sepse po të shikonte secili prej nesh në jetën e tij të përditshme, se sa shumë orë i kalojmë pa e përmendur Allahun, do të vërenim se janë ndërprerje të gjata brenda ditës e natës, edhe pse ndoshta gjatë atyre orëve nuk jemi të zënë me diçka që realisht na pengon nga dhikri.
Njeriu për shembull mund të jetë duke ngarë makinën për orë të tëra. Po të numëronte se sa kohë i kalon në ditë duke udhëtuar, do të shihte se ajo është kohë e gjatë. Prova për këtë është se ai mund të dëgjojë lehtësisht ligjërata që zgjasin më shumë se një orë, madje ndonjëherë dëgjon një ligjëratë një apo dy herë, e ndoshta edhe dy apo tri ligjërata në një ditë e natë. Kjo tregon se ai kalon kohë të gjatë në udhëtim apo në ecje.
Por nëse do vështronte gjuhën e tij gjatë kësaj kohe, në shumicën e rasteve do gjente se ka qenë i shkujdesur ndaj dhikrit dhe nuk e ka përmendur Zotin e tij.
Po ashtu, ndodh që dikush të qëndrojë duke pritur në ndonjë vend, si p.sh. në një klinikë apo për ndonjë punë tjetër, e kjo pritje mund të zgjasë edhe për orë të tëra dhe ai mërzitet. Por po të kthehej tek vetja e tij do të vërente se gjuha i është tharë nga përmendja e Allahut, i është tharë nga dhikri dhe kjo është shkujdesje, është gaflet.
Kur zbriti fjala e Allahut: “E ata që grumbullojnë ar dhe argjend dhe nuk e shpenzojnë në rrugën e Allahut…” | Et-Teube: 34.
Zoti i kërcënoi ata që i ruajnë e i grumbullojnë këto dy lloje pasurish me një dënim të frikshëm në këtë ajet:
“…do t’u digjen me to ballët, anët dhe shpinat e tyre.” | Et-Teube: 35.
Atëherë sahabët i thanë të Dërguarit të Allahut ﷺ: “Ky ajet zbriti për arin dhe argjendin. Sikur ta dinim se cila është pasuria më e mirë që të mos e bëjmë thesarin tonë prej arit e argjendit që janë kërcënuar me këtë dënim.”
Në ç’drejtim i udhëzoi i Dërguari i Allahut ﷺ?
A u tha: Grumbulloni prona e shtëpi? Grumbulloni ushqime e furnizime? Grumbulloni mobilje e orendi? Grumbulloni kafshë e mjete udhëtimi? Jo.
I Dërguari i Allahut ﷺ, kur e pyetën se cila është pasuria më e mirë që të vendosin ta kenë, u tha:
“Më e mira prej kësaj pasurie është: një gjuhë që përmend Allahun, një zemër falënderuese dhe një grua besimtare që e ndihmon në çështjet e besimit.”
Ky është thesari i vërtetë!
Ata që janë të përhumbur pas kërkimit të tregtive fitimprurëse dhe burimeve alternative që sjellin të ardhura të mëdha, ata që ndjekin pas shifrat e larta me shumë zero në llogaritë e tyre bankare le ta dinë se më e mira ndër gjithë pasuritë është: një gjuhë që përmend Allahun, një zemër falënderuese dhe një bashkëshorte besimtare që të përkrah në besimin tënd.
Ndërsa të kundërtat e këtyre tri gjërave zakonisht bëhen shkak për një gjendje të thellë pakujdesie dhe një gjendje gafleti të rrënjosur.
Njeriu që i ka të gjitha shpresat dhe përpjekjet e tij të përqëndruara te grumbullimi i pasurisë, në shumicën e rasteve kjo pasuri bëhet shkak që ai të shkujdeset nga përmendja e Allahut, qoftë me gjuhë apo me zemër.
Sepse zemra (kur ndotet me epshe dhe pasuri) trazohet, ngatërrohet dhe e humbet kthjelltësinë. Prandaj është transmetuar nga Hudhejfe se ai kërkonte mbrojtje nga Allahu prej shpërndarjes së zemrës. Kur u pyet se çfarë nënkuptonte me këtë, ai tha: “Që njeriu të ketë pasuri në çdo luginë.” 4
Nuk është çudi sepse shpirtrat janë të prirur nga natyra për ta dashur pasurinë, por përsëri më e vlefshmja dhe më e mira prej të gjithave është; një gjuhë që e përmend Allahun, një zemër falënderuese dhe një grua besimtare që të ndihmon në besimin tënd.
Nëse gruaja nuk është e tillë atëherë ajo e turbullon mendimin e burrit, ia ngarkon zemrën me preokupime dhe e shtyn drejt grumbullimit të pasurisë, drejt ndjekjes së kënaqësive kalimtare dhe zbukurimeve të përkohshme të kësaj bote.
I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Cilido që është i paaftë ta përballojë natën (nuk ka forcë për të falur namaz nate), është dorështrënguar për të shpenzuar pasurinë, dhe është i dobët për të luftuar kundër armikut të tij, atëherë le ta shtojë dhikrin.” 5
Flitet për tre vepra që janë nga më të mëdhatë: namazi i natës, shpenzimi në rrugë të Allahut dhe lufta për hir të Tij. Pra kush nuk është në gjendje për këto tri vepra atëherë le ta shtojë dhikrin, dhe do arrijë përmes tij, madje do jetë më përpara se të tjerët që angazhohen me këto vepra të mëdha.
Në një hadith tjetër i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Parakaluan el muferridunët! I thanë: Kush janë el muferridunët o i Dërguar i Allahut? Tha: Ata që e përmendin Allahun shumë prej burrave dhe prej grave.” 6
Ata i parakaluan të tjerët dhe Profeti ﷺ nuk e kufizoi këtë përparësi, duke thënë: “I parakaluan el muferridunët ata që shpenzojnë pasurinë në rrugë të Allahut”. As nuk tha: “I parakaluan agjëruesit,” as: “I parakaluan luftëtarët në rrugën e Allahut.”
Por e la të hapur: “Parakaluan el muferridunët.” – që do të thotë se ata i parakaluan të gjithë, të gjithë ata që bëjnë vepra të mira dhe të pastra.
Ky është një veprim që nuk krahasohet dhe nuk matet me asnjë tjetër.
Kur ata e pyetën: “E kush janë el muferridunët o i Dërguar i Allahut? Ai tha: “Ata që e përmendin Allahun shumë prej burrave dhe prej grave.”
E vërteta është se kur gjuha është vazhdimisht e njomë me përmendjen e Allahut të Lartësuar dhe zemra është e gjallë dhe e mbushur me këtë përmendje, atëherë kjo gjendje e udhëheq njeriun drejt të gjitha virtyteve.
Atij i bëhet e lehtë të shpenzojë pasurinë, i bëhet e lehtë të flijojë shpirtin e tij, i bëhet e lehtë të heq dorë nga pasionet, kënaqësitë, dëshirat dhe gjërat që ia do vetja.
Por nëse shpirti thahet dhe gjuha hesht nga dhikri, atëherë njeriu bëhet koprrac ndaj asaj që ka në dorë për shkak të dobësisë së bindjes dhe besimit. Kështu bëhet prej atyre që ngurojnë të shpenzojnë në rrugë të Allahut dhe fillon t’a rëndojë edhe adhurimi: namazi i natës i duket i vështirë, agjërimi i ditës e rëndon, madje edhe vetë namazi farz i bëhet barrë.
Mjafton që Allahu i Lartësuar e përshkroi gjendjen e hipokritëve se ata e përmendin Allahun vetëm pak. Kjo është një shenjë, një tregues që njeriu të ketë frikë për veten se mos vallë vlen për të ky përshkrim.
Allahu a ka lajmëruar gjithashtu për ta duke thënë: “Kur ngrihen për namaz, ngrihen me përtesë.” | En-Nisa: 142.
Ndërsa ai që e përmend shumë Zotin edhe zemra e tij është e mbushur me dashurinë dhe përkujtimin e Allahut. Kur dëgjon thirrjen e ezanit nuk e preokupon asgjë nga ezani. Kishte prej të parëve tanë të devotshëm (prej selefëve) njerëz me zemra të gjalla; kur e ngrinin çekiçin për të goditur dhe dëgjonin ezanin, nuk e përfundonin goditjen. E lëshonin menjëherë veglën dhe e linin atë që kishin ndërmend të bënin.
Disa prej tyre kur e dëgjonin thirrjen e ezanit e bënin devenë e tyre të ulej aty ku ishte, pa e shtyrë as edhe pak më tej. Ndaleshin menjëherë në vend që t’i përgjigjeshin thirrjes: “Ejani në namaz, ejani në shpëtim!” Allahu është më i Madh se çdo gjë tjetër me të cilën mund të preokupohet njeriu.
Po të shikonim dallimin mes atij që është në gaflet (i shkujdesur) dhe atij që është në dhikr (përmendje), do të gjenim një dallim të madh mes tyre.
Pejgamberi ﷺ e përmblodhi këtë dallim në fjalët e tij në hadithin e transmetuar nga Ebu Musa, Allahu qoftë i kënaqur me të,: “Shembulli i atij që e përmend Zotin dhe atij që nuk e përmend është si shembulli i të gjallit me të vdekurin.” 7
Këto janë dy gjendje të kundërta, nuk bashkohen e as nuk barazohen:
– i gjalli dhe i vdekuri,
– ai që e përmend Zotin dhe ai që nuk e përmend.
Po ai që e përmend pak? Apo shumë rrallë? Ky është si i sëmuri.
Nëse është kështu atëherë mos pyet më se çfarë mund ta godasë: prej sëmundjeve, shqetësimeve, mangësisë në furnizim dhe në udhëzim, mungesës së suksesit, vështirësisë në zemër, mërzisë, ngushtimit në gjoks dhe frikës nga çdo anë.
Ai jeton me ankth, në pasiguri, me drojë nga çdo gjë, dhe këto janë në të vërtetë cilësitë e hipokritëve: “Ata mendojnë se çdo zë është kundër tyre.” | El Munafikun: 4.
Ata jetojnë në një ankth të vazhdueshëm sepse nuk kanë bindje të vërtetë. E si mundet që një njeri i tillë të jetë bujar qoftë edhe me një shpenzim të vetëm?
Ndërkohë, dhikri është rrugë e sigurt shpëtimi nga ndëshkimi i Allahut të Lartësuar.
Për këtë arsye është transmetuar në mënyrë të saktë se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk ka vepër që mund ta bëjë njeriu e të jetë më shpëtuese për të nga dënimi i Allahut sesa përmendja e Tij.
E pyetën: As xhihadi në rrugën e Allahut? Sepse ata e dinin që xhihadi është ndër veprat më të larta. Ai u përgjigj: As xhihadi në rrugën e Allahut përveç nëse njeriu lufton me shpatën e tij derisa të thyhet.” 8
E kush është ai që mund ta arrijë këtë?
Përmendja e Allahut u bë shkak për shpëtim nga ndëshkimi. Këtu ndëshkimi është përmendur në mënyrë të përgjithshme, gjë që përfshin si ndëshkimin në dynja ashtu edhe atë në ahiret.
Ajo që na ndodh në këtë botë prej fatkeqësive dhe vështirësive është rezultat i veprave të duarve tona. Njeriu mund të ndëshkohet në dynja dhe të ndëshkohet edhe në ahiret. Andaj rruga e shpëtimit kalon përmes përmendjes së Allahut të Lartësuar, pra duke e përmendur Atë shpesh dhe në vazhdimësi.
Lus Allahun e Lartësuar të më ndihmojë mua dhe juve në përmendjen e Tij, falënderimin dhe adhurimin ndaj Tij në mënyrën më të mirë.
O Allah, mëshiroji të vdekurit tanë, shëroji të sëmurët tanë, jepu shëndet të sprovuarve dhe bëje jetën tonë të përhershme më të mirë se jetën e kësaj bote! O Allah, përmirësoje gjendjen e muslimanëve, shëroi të sëmurët e tyre, jep lehtësim për ata që janë në sprova! O Allah, ndihmoi ata kundër armikut Tënd dhe armikut të tyre!
Paqja dhe lavdërimi qofshin mbi Profetin tonë Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij!
Autor: Dr. Halid bin Uthman es Sebt
Përktheu: Fatjon Isufi
————————————————————–
1-Transmeton Tirmidhiu në “Kapitujt e lutjeve nga i Dërguari i Allahut ﷺ”, kapitulli mbi virtytin e përmendjes së Allahut nr. 3377. Ibn Maxheh në “Kapitujt e sjelljes”, po ashtu mbi vlerat e dhikrit nr. 3790. Hadithi është saktësuar nga Albani në “Sahih el Xhami‘” me nr. 2629.
2- Transmeton Tirmidhiu në “Kapitujt e lutjeve nga i Dërguari i Allahut ﷺ”, kapitulli mbi virtytin e përmendjes së Allahut me nr. 3375, dhe Ibn Maxheh në “Kapitujt e sjelljes”, po ashtu mbi vlerat e dhikrit nr. 3793. Hadithi është saktësuar nga Albani në “Sahih el Xhami‘” me nr. 7700.
3- Transmeton Ebu Daudi në librin e tij “Ez-Zuhd” me nr. 223, dhe Ebu Nuajm në “Hiljetul-eulija’” 1/219. Gjithashtu përmendet edhe në “Ez-Zuhd” të Ibn Mubarekut dhe “Ez-Zuhd” të Nuajm ibn Hamadit 1/224, me nr. 635.
4- Transmeton Bazzari në Musnedin e tij me nr. 4904, dhe Bejhekiu në “Shuabul-iman” me nr. 505.
5- Transmeton Muslimi në “Librin e dhikrit, lutjes, pendimit dhe kërkimit të faljes”, kapitulli për nxitjen në përmendjen e Allahut, me nr. 2676.
6- Transmeton Buhariu në “Librin e lutjeve”, kapitulli mbi virtytin e përmendjes së Allahut, nr. 6407, dhe Muslimi në “Librin e namazit të udhëtarëve dhe shkurtimit të tij”, kapitulli për rekomandimin e faljes së nafileve në shtëpi me lejimin e faljes së tyre edhe në xhami, nr. 779.
7- Transmeton Taberani në “El muxhemul evsat”, nr. 2296. Ai tha: “Ky hadith nuk është transmetuar nga Jahja veçse nga Ebu Halidi, vetëm El Ferjabi e ka transmetuar nga ai.” Po ashtu, përmendet në “El Muxhemus-sagir” me nr. 209, me koment se ky hadith nuk është transmetuar nga Ebu Zubejri veçse nga Jahja ibn Said el Ensari, e as nuk është transmetuar prej tij veçse nga Ebu Halidi, vetëm El Ferjabi e ka përcjellë.
Dosje: Dhikri
Të Ngjashme
- Mëkatari apo i binduri? Ibn Kajim el-Xheuzije
- Prej kësaj po ikin Kurejshët?! Udha e Besimtarëve
- Besimtari midis veprave të mira dhe mëshirës së Allahut Udha e Besimtarëve
- Shpjegimi i librit “Mburoja e Muslimanit” – 4 – Udha e Besimtarëve
- Dy forcat themelore të shpirtit njerëzor Ibn Kajim el-Xheuzije