Afërsia e Allahut me atë që bën dhikër
Përmendja e Allahut – të Madhëruar – është shkak për afërsinë e Allahut të Lartësuar me robin e Tij. Siç thotë hafidh Ibn Kajjim (Allahu e mëshiroftë): “Sikur dhikri (përmendja e Allahut) të mos kishte asgjë tjetër përveç kësaj (afërsisë së Allahut), kjo do të mjaftonte si vlerë.”[1]
Pra do të mjaftonte si vlerë që Allahu të jetë me ty. E nëse Allahu i Madhëruar është me ty, çfarë mund të humbësh? E kush e ka Allahun me vete, nga çfarë duhet të frikësohet? Çfarë mund ta shqetësojë, t’i prishë qetësinë apo ta trishtojë?
Siç transmetohet në një hadith të saktë Kudsij nga Profeti ﷺ se Allahu i Lartësuar ka thënë: “Unë jam tek mendimi që robi im ka për Mua dhe Unë jam me të kur Ai më përmend. Nëse më përmend në vetvete, edhe Unë e përmend në Veten Time. Nëse më përmend në një tubim, Unë e përmend në një tubim më të mirë se ai. Nëse afrohet tek Unë një pëllëmbë, Unë i afrohem një parakrah. Nëse afrohet një parakrah, Unë i afrohem një hap të madh. Nëse vjen tek Unë duke ecur, Unë shkoj tek ai duke vrapuar.”[2]
Ajo që vlen të theksohet është fjala: “Unë jam me të kur Ai më përmend.” Ky është një gjykim që lidhet me një kusht: “Nëse më përmend.” Dhe kur një gjë lidhet me kusht, ajo shtohet me shtimin e tij dhe pakësohet me pakësimin e tij. Pra, përfundimi është: sa më shumë që robi e përmend Zotin e tij, aq më shumë përfiton nga afërsia e Allahut, mbrojtja, kujdesi dhe përkujdesja e Tij. Këtu bëhet fjalë për afërsinë e veçantë (ma‘ijeh khassah). Ky dhikër ndryshon sipas mënyrës: nëse e përmendim Atë në veten tonë, Ai na përmend në Veten e Tij; nëse e përmendim në një tubim, Ai na përmend në një tubim më të mirë se ai – në tubimin e lartë të engjëjve. Në hadithin kudsij thuhet: “O bir i Ademit, kur më përmend mua në vetmi, Unë të përmend ty në vetmi; dhe kur më përmend në një tubim, Unë të përmend në një tubim më të mirë se ai në të cilin më përmende.”[3]
Kjo çështje qëndron në kulmin e nderimit dhe rëndësisë: që Allahu t’a përmendë robin e Tij: “Më përmendni Mua, Unë do t’ju përmend juve” el-Bekare: 152, Apo që Allahu – të jetë afër me të. Pra janë dy gjëra të jashtëzakonshme! Nëse një njeri e përmend dikush prej të pasurve të kësaj bote, apo nga ata me pozitë, nder dhe famë, dhe i thuhet: “Filani të përmendi, ose filani të përmendi në tubimin e tij” – edhe nëse e përmend thjesht me emër duke pyetur se çfarë bëri filani? Do ta quante gjë të madhe! Vallë, si do të ndihej nëse ai do ta lavdëronte dhe ta ngrinte lart emrin e tij? Njeriu padyshim do gëzohej me këtë dhe do ndihej krenar. E pra, ku qëndron kjo në krahasim me përmendjen që Allahu i Lartmadhëruar ia bën robit të Tij?!
Allahu thotë: “Më përmendni Mua, Unë do t’ju përmend juve”. El Bekare 152.
Ky është nga përfitimet më të mëdha të dhikrit (përmendjes së Allahut), krahas përfitimit tjetër të madh: afërsisë së Allahut me robin e Tij.
Në hadithin kudsij, Allahu thotë: “Unë jam me robin Tim kur ai më përmend dhe kur buzët e tij lëvizin duke më përmendur.” Kjo sepse dhikri i vlefshëm është ai që del nga gjuha, i cili lexohet në namaz, në mëngjes e mbrëmje, pas faljeve, kur njeriu zbret në një vend apo në situata të tjera të ngjashme. Në të domosdo duhet të lëvizin gjuha dhe buzët, edhe kur bëhet në heshtje.
Ndërsa mendimi i brendshëm (dhikri i heshtur) pa lëvizjen e gjuhës dhe buzëve, nuk quhet dhikr nga ana e sheriatit dhe nuk e zëvendëson atë në namaz apo në kohët e dhikrit të ligjëruar.
Kjo është pra “afërsia e e veçantë, kur Allahu thotë: “Unë jam me robin Tim kur ai më përmend dhe kur buzët e tij lëvizin duke më përmendur.” Është një afërsi e posaçme për besimtarët, për miqtë e Allahut, dhe ndryshon nga afërsia e përgjithshme që është me dituri dhe përfshirje. Sepse Allahu i Lartësuar ka dituri të plotë për gjithçka, dhe dija e tij i përfshin të gjitha krijesat. Por kjo tjetra është një afërsi e veçantë, e mbrojtjes, dashurisë, ndihmës dhe suksesit.
Siç thotë Allahu i Lartmadhëruar:
- “Allahu është me ata që kanë frikë (prej Tij) dhe me ata që bëjnë mirësi.” (en-Nahl: 128)
- “Allahu është me ata që durojnë.” (el-Bekare: 249)
- “Vërtet Allahu është me ata që bëjnë mirë.” (el-Ankebut: 69)
- Dhe fjala e Pejgamberit drejtuar Ebu Bekrit[4] ﷺ: “Mos u trishto, se Allahu është me ne.” (et-Teube: 40)
Ai që ka Allahun me vete, nuk e kaplon kurrë trishtimi, sepse Allahu e ruan, e mbron, e ndihmon, hakmerret për të dhe e merr në kujdesin e Tij të plotë.
Allahu i Lartësuar i tha Musait dhe Harunit – paqja qoftë mbi ta: “Shkoni tek Faraoni, sepse ai ka kaluar çdo kufi.” (Taha: 43)
Kur ata e shprehën frikën e tyre nga Faraoni, duke thënë se i frikësoheshin ashpërsisë dhe tiranisë së tij, Allahu u tha: “Mos u frikësoni, Unë jam me ju, dëgjoj dhe shoh.” (Taha: 46)
Ngjashëm, Profeti ﷺ i tha Ebu Bekrit: “Mos u trishto, Allahu është me ne.” (Et-Teube: 40) – dhe kështu u zhduk frika dhe trishtimi.
Edhe këtu, me Musain dhe Harunin – paqja qoftë mbi ta – u tha:
“Mos u frikësoni, Unë jam me ju, dëgjoj dhe shoh.” (Taha: 46)
Ajo që më së shumti e trazon dhe shqetëson zemrën e njeriut është: trishtimi dhe frika –. Atij ose I ndrydhet zemra nga gjëra që I pret të ndodhin dhe ka frikë prej tyre në të ardhmen. Por në këtë ajet Allahu i mohoi të dyja, pra frikën dhe trishtimin. Sepse pa këto të dyja, njeriu mbetet në kulmin e qetësisë dhe rehatisë – në një lloj begatie, pa shqetësime: “Mos u trishto, Allahu është me ne.”
El Hafidh Ibn Kajim el-Xheuzije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Përmendësi i Allahut gëzon një hise të madhe nga kjo afërsi e posaçme me Allahun, sepse Allahu është me robin e Tij kur Ai e përmend Atë, dhe kur gjuha e tij lëviz me këtë përmendje.”[5]
Kjo afërsi (ma‘ijje) që i jepet përmendësit të Allahut është një afërsi që nuk i ngjan asnjë tjetre – madje është më e posaçme sesa ajo që i jepet bamirësve dhe të devotshmëve.[6] Sepse siç e kemi thënë, përmendja e Allahut është një vepër që nuk krahasohet me asnjë vepër tjetër të mirë. Ashtu sikurse ai që e përmend shumë Allahun ua kalon edhe bamirësve, qëndron më lart se luftëtarët, më lart se agjëruesit dhe namazfalësit e natës. Dhe dihet se kush është i lidhur me këtë përmendje (dhikr), ajo e çon drejt çdo të mire e virtyti, dhe e mbron nga çdo ligësi e ves, siç do ta përmendim. Kjo është afërsia që i jepet përmendësit të Allahut.
Kështu, kush dëshiron që Allahu të jetë me të, le ta përmendë shumë Allahun – me zemër, me gjuhë dhe me gjymtyrë. Le ta ketë gjuhën gjithmonë të freskët me përmendjen e Allahut të Madhëruar. Nga kjo përmendje, rrjedhin përfundime të mëdha: ajo e mbron njeriun nga shejtani, duke e bërë atë si në një kështjellë të fortifikuar kundër tij.
Sa të nevojshme e kemi këtë, o ju të dashur! Sepse shejtani – siç thotë Allahu i Lartësuar: “Vërtet, shejtani është armiku juaj, pra merreni si armik.” (Fatir: 6)
Qysh nga armiqësia me babain tonë Ademin – paqja qoftë mbi të –u përpoq me çdo mënyrë ta mashtrojë, derisa e bëri të hante nga pema e ndaluar dhe e nxori nga xheneti. Pastaj u betua: “Unë do ti humbas patjetër pasardhësit e tij, përveç një pakice të vogël.” (Isra: 62)
Ai (shejtani) i kap ata nga nofullat, duke i kërcënuar këta pasardhës (të njeriut) me mashtrim dhe devijim, me synimin që t’i hedhë në kufër, në mënyrë që të arrijnë fatkeqësinë e plotë në dynja dhe në ahiret.
Nëse nuk arrin t’i fusë në kufër, mundohet t’i zhysë në devijime, pasime të dëshirave dhe në bidate. Nëse nuk arrin në këtë, përpiqet t’i rrëzojë në mëkatet e mëdha. Nëse nuk arrin as aty, mundohet t’i fusë në mëkatet e vogla. E nëse as këtë nuk e arrin, atëherë i shqetëson dhe i mundon me mendime të liga, duke i rrethuar me ushtrinë e tij, kalorësinë dhe këmbësorinë, duke hedhur në zemrat e tyre frikëra, mendime dhe turbullira ngacmuese. Kështu, këta njerëz rrotullohen dhe mbeten në një botë iluzionesh, duke u frikësuar nga gjëra që shpesh as nuk i dinë çfarë janë.
Nganjëherë ai (shejtani) i frikëson ata me gjëra të perceptueshme, por që ende nuk u kanë ndodhur. I frikëson me vdekjen, duke u pëshpëritur se u ka ardhur ora; i frikëson me sëmundje të rënda që ende nuk i kanë goditur; i frikëson me fatkeqësi që mund t’u ndodhin familjarëve, fëmijëve ose bashkëshortëve të tyre; i frikëson me aleatët, ushtarët dhe pasuesit e tij. Ashtu siç ka thënë Allahu i Lartësuar: “Në të vërtetë, ai është vetëm shejtani që ju frikëson me ithtarët e tij. Mos u frikësoni prej tyre, por frikësohuni nga Unë nëse jeni besimtarë.” (Al Imran: 175)
Kur u thanë besimtarëve: “Njerëzit janë mbledhur kundër jush, kështu që frikësohuni prej tyre!” (Ali Imran: 173). Sepse këta njerëz janë palë e shejtanit, ndaj kini frikë prej tyre. Por besimtarët e vërtetë, që janë miqtë e Allahut të Lartësuar, nuk i kaplon kjo lloj frike; sepse Allahu i mbron ata. Dhe këto frikëra që hedh shejtani nuk arrijnë të depërtojnë në zemrat e besimtarëve të vërtetë.” “Kjo ua shtoi më shumë besimin dhe thanë: “Neve na majfton Allahu, dhe Ai është mbrojtësi më i mirë.” Al Imran 173
Allahu – i Lartësuar– i përshkruan këto frikëra, thënie dhe lajme shkurajuese që shpërndahen mes besimtarëve, duke thënë: “Ai është vetëm shejtani që ju frikëson me ithtarët e tij. Al Imran: 175.
Kuptimi i fjalës “që ju frikëson me ithtarët e tij.” është: ai ju frikëson prej tyre, i zmadhon ata në sytë tuaj, u jep madhështi, forcë dhe hijeshi të rreme, saqë ata që kanë besim të dobët u frikësohen dhe u kushtojnë më shumë rëndësi se sa dënimit, ndëshkimit dhe hidhërimit të Allahut të Lartësuar.
Pra, “Ai është vetëm shejtani që ju frikëson me ithtarët e tij.” Al Imran: 175. Por Allahu thotë: “Mos i kini frikë ata, por frikësohuni prej Meje, nëse jeni besimtarë të vërtetë.”
Sepse ata, në të vërtetë, nuk janë asgjë përballë madhështisë, forcës dhe pushtetit absolut të Allahut.
Kështu, përmendja e Allahut është një mburojë e fortë për ne kundër shejtanit. Sa shumë njerëz kemi dëgjuar dhe kemi parë që ndihen të trishtuar, të ngushtuar, të dëshpëruar, pa e ditur pse? Kjo është nga shejtani.
Kushedi sa njerëz e hamendësojnë të keqen dhe mendojnë se ajo është më afër se dora tek goja? Kjo është nga shejtani.
Kushedi sa shumë njerëz mendojnë se sëmundjet e lehta që u ndodhin, madje edhe thjesht ato që i përfytyrojnë vetë, janë një fatkeqësi e madhe dhe një katastrofë. Mund të shohësh njerëz të shtrirë në shtrat, të pushtuar plotësisht nga këto iluzione, vetëm për shkak të një përshtypjeje se ngjyra e fytyrës, dorës apo këmbës së tij është paksa e ndryshuar, ose për disa puçrra, flluska apo gjëra të vogla e të zakonshme që i ndodhin çdo njeriu, por që shejtani hedh frikë në zemrën e tij.
Mbajeni mend këtë rregull dhe këtë dobi: nëse i hapet shejtanit një dritare, qoftë edhe sa një vrimë e vogël, ai hedh prej saj të gjitha llojet e frikërave. Prej kësaj dritareje ai mbledh dhe nis t’i hedhë mendime, pastaj i dërgon dikë që t’i flasë e t’i thotë: “Fytyra jote tregon se je goditur nga një sëmundje”, ose: “Zëri yt tregon se je i prekur nga syri i keq”, ose: “Hapja e gojës tregon se je prekur nga filan gjë.” Dhe bashkë me këto fjalë ai e mbërthen më shumë.
Pastaj futet e lexon në internet për këtë sëmundje, për shenjat e saj, dhe i merr mbi vete të gjitha ato shenja derisa bie, tronditet, përpëlitet, ndërkohë që nuk ka asnjë sëmundje.
Ndoshta endet pa pushim prej një rrukjexhiu te një tjetër, pa e gjetur dot qetësinë as në ushqim, as në pije, as në shoqërimin me njerëzit. Ai ndiqet vazhdimisht prej këtyre iluzioneve dhe shqetësimeve, dhe të gjitha këto janë nga shejtani, ndërkohë që nuk ka asgjë në realitet.
Sa herë që shejtani e sheh atë të përkushtuar në bindje, në adhurim dhe në afrim me Allahun e Madhëruar, i vjen dhe ia prish qetësinë. Në mos kur kur është zgjuar, i shfaqet në ëndrra, duke e bërë të shohë ëndrra të këqija dhe shqetësuese. Por Pejgamberi ﷺ ia mbylli rrugën këtij mashtrimi duke thënë se këto ëndrra janë nga shejtani dhe nuk e dëmtojnë njeriun. Pra, kaq është, mbaroi!
Atëherë pse duhet të të ndjekin këto gjëra në gjendje të zgjuar? Njeriu çohet nga gjumi me shpirt të rënduar, i dëshpëruar e i mërzitur, duke pritur se çfarë do të ndodhë nga ajo që ka parë, dhe shkon e kërkon komentues ëndrrash. Pse e gjithë kjo?
Shejtani nuk e lë njeriun, ai është armik. Madje mund t’i vijë edhe në adhurim e t’ia turbullojë mendjen, duke i thënë: “Nuk u fale siç duhet, nuk e bëre tekbirin e ihramit (tekbirin e hyrjes në namaz) siç duhet.
Fatihaja është shtyllë e namazit, por ti nuk e lexove siç duhet…” dhe nis ta përsërisë e ta përsërisë namazin ndoshta me orë të tëra, derisa ia rëndon, aq sa mund ta braktisë krejt namazin – dhe kjo është ajo që do shejtani.
Nëse bën ndonjë mëkat e dëshiron të pendohet, shejtani i thotë: “Ti je duke u tallur me pendimin, po përçmon pozitën e Zotit, je hipokrit. Si bën gjynahe fshehurazi e para njerëzve shfaqesh si i mirë e i devotshëm? Kjo është hipokrizi.” Njeriu ndoshta i beson. Por kjo nuk është hipokrizi. Ai duhet të pendohet. Edhe sikur shejtani t’i thotë: “Po ç’do të bësh, a kërkon të bësh pendim të sinqertë?” e kur t’i thuash po, ai përgjigjet: “Jo, jo, më ke keqkuptuar, unë s’dua nga ti pendim të sinqertë, dua të shfaqësh mëkatet dhe gjynahet haptazi, që të bëhet njësoj pamja e jashtme me brendësinë tënde. Që kur na qenka bërë ky armik këshilltar i sinqertë për birin e Ademit, ndërkohë që ai nuk lë të qetë askënd?!
Nëse njeriu dallon me dije, i vjen nga ajo anë; nëse ka guxim ose xhelozi për fenë, e prek nga ajo anë; nëse merret me Kuran, me lexim e mësim përmendësh, ka zë të bukur e u prin njerëzve në namaz, ai hyn nga kjo anë. Dhe kështu ndodh gjithnjë.
Prandaj, ne nuk kemi nevojë për këto ngarkesa. Sa shumë njerëz vuajnë nga këto frikëra, mendime dhe vesvese që u hedh shejtani në zemra. Sepse kush lë pas dore përmendjen e Allahut, atë ka për tae ndjekur shejtani si hija e tij – siç thotë Ibn Kajjimi Allahu e mëshiroftë.[7]
Allahu thotë: “Kush largohet nga përmendja e Mëshiruesit, Ne ia caktojmë një shejtan e ai i bëhet shoqërues.” (Ez-Zuhruf: 36).
Pra, shejtanit i bëhet e lehtë të tallet e të luajë me ata njerëz, të cilëve u është dobësuar përmendja e Zotit të tyre – të Lartësuarit e të Bekuarit, dhe shpirtrat e tyre janë tharë, ndërkohë që Allahun e përmendin vetëm pak. Për këtë arsye ai arrin të luajë me ta, të pushtojë mendjet dhe shpirtrat e tyre, përveç atyre që Allahu – i Lartësuar– i ka mëshiruar.
Në hadithin e transmetuar nga Ebu Musa (Allahu qoftë i kënaqur me të), prej Profetit ﷺ – në hadithin e gjatë – thuhet se Allahu e urdhëroi Jahjan birin e Zekerijas me pesë porosi, që t’i zbatonte vetë dhe ti urdhëronte bijtë e Israilit që t’i zbatonin ato. Në mesin e tyre ishte edhe kjo:
“Unë ju urdhëroj që të përmendni Allahun e Lartësuar. Sepse shembulli i kësaj është si shembulli i një njeriu të cilin armqitë e ndjekin pas me shpejtësi, derisa kur arrin tek një kështjellë e fortifikuar futet brenda saj dhe shpëton prej tyre. Po kështu është edhe robi, nuk mund të ruajë veten nga shejtani veçse me përmendjen e Allahut.”[8]
Shejtani nuk mund të mposhtet me armë materiale, nuk mund të mbrohesh prej tij duke i dhënë pasuri, nuk mund të ruhesh prej tij duke forcuar trupin dhe duke e ndërtuar atë me forcë fizike. Kjo është e pamundur! Shejtani nuk bën dallim nëse njeriu ka muskuj të fortë apo është i dobët, i sëmurë, apo i brishtë. Ajo që bën dallimin është përmendja e Allahut. Ndoshta një njeri mund të jetë shtatlartë, i fuqishëm e me trup të plotë, por mund të jetë më i dobti para shejtanit nëse nuk e përmend Allahun.
Ky hadith është dëshmi e qartë për këtë të vërtetë. Mjafton vetëm kjo dobi e vetme e dhikrit që robi të mos e ndalë gjuhën nga përmendja e Allahut në çdo gjendje e në çdo kohë. Sepse nuk ka asnjë mënyrë tjetër për t’u ruajtur nga ky armik i përbetuar, i cili kërcënon dhe kanos vetëm se përmes dhikrit. Dhe ky armik nuk mund të depërtojë tek njeriu përveçse nga porta e pakujdesisë. Kur robi bëhet i pakujdesshëm, ai hyn dhe depërton. Siç ka thënë edhe Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë).[9]
Por nëse robi e përmend Allahun, atëherë shejtani tkurret, zvogëlohet e shndërrohet sikur një zog i vogël apo si një mizë. Ai zhduket e tretet, prandaj quhet “el-vesvuas el-hannas” (shejtani që pëshpërit dhe që tërhiqet). Ai pëshpërit në gjoksin e birit të Ademit, por kur robi e përmend Allahun, ai struket, tërhiqet dhe zhduket.
Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: “Shejtani qëndron i ulur mbi zemrën e birit të Ademit. Kur robi shpërqendrohet e tregohet i pakujdesshëm, ai pëshpërit. Por kur robi e përmend Allahun, ai tërhiqet e struket.”[10]
E lusim Allahun e Madhëruar të na bëjë dobi me atë që dëgjuam, të na mbrojë prej shejtanit dhe kurtheve të tij. O Allah, mëshiroji të vdekurit tanë, shëroje të sëmurin tonë dhe bëje ahiretin më të mirë se dynjaja jonë.
Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi Profetin tonë Muhamedin ﷺ, mbi familjen dhe mbi shokët e tij.
Dr. Halid bin Uthman es Sebt
Përktheu: Fatjon Isufi
[1] “El Uabilu es Sajjib” fq 42.
[2] E përcjell Buhariu në librin e Teuhidit me nr 7405 dhe Muslimi në librin e Dhikrit dhe Duasë me nr 2675.
[3] E përcjell Bezari në Musnedin e tij me nr 5138. Bejhakiu në Shuab el Ijman me nr 547 dhe e ka saktësuar Albani në Sahih el Xhami me nr 2009.
[4] E përcjell Buhariu në librin Shokët e Profetit, vlera e Muhaxhirëve dhe virtytet e tyre me nr 3652. Muslimi në librin e Zuhdit me nr 2009.
[5] “El Uabilu es Sajib” fq 65-66.
[6] El Uabilu es Sajib” fq 66.
[7] “Miftah Dar es Seadeh” 1/44.
[8] E përcjell Ibn Huzejme në sahihun e tij me nr 1895, Hakimi në El Mustedrak me nr 1534 dhe ka thënë: Ky hadith është i saktë sipas kushteve të vëna nga Buhariu dhe Muslimi por që nuk e kanë tranmetuar në librat e tyre.
[9] El Uabilu es Sajib fq 36.
[10] E përcjell Ebu Davudi në librin e Zuhdit me nr 337 dhe Ibn Ebi Shejbe në El Musanef me nr 24774.
Dosje: Dhikri
Të Ngjashme
- Shpjegimi i librit “Mburoja e Muslimanit” – 3 – Udha e Besimtarëve
- Dy forcat themelore të shpirtit njerëzor Ibn Kajim el-Xheuzije
- Shpjegimi i librit “Mburoja e muslimanit” – 2 – Udha e Besimtarëve
- Shpjegimi i librit “Mburoja e muslimanit” – 1 – Udha e Besimtarëve
- Komenti i librit “Sëmundja dhe ilaçi” – 5 – Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër