Shpjegimi i librit “Mburoja e muslimanit” – 2 –

July 28, 2025

Tubimet tona!

E kemi shumë të nevojshëm një rishqyrtim të sinqertë për të parë gjendjen tonë që ka të bëjë me tubimet dhe përmendjen e Allahut ﷻ.

Në këto ndeja dhe tubime me çfarë është e angazhuar gjuha jonë? Kur përzihemi dhe bashkëbisedojmë me të tjerët cila është tema e bisedave tona? Në çfarë bisedash jemi të zhytur?

Profeti ﷺ na ka njoftuar për gjendjen e atyre tubimeve që janë të zbrazëta nga përmendja e Allahut të Lartësuar. Prej tij ﷺ është transmetuar në mënyrë të saktë se ka thënë:

“Nuk ka ndodhur që një grup njerëzish të jenë ulur në ndonjë tubim e më pas të jenë shpërndarë prej aty pa e përmendur Allahun, veçse janë shpërndarë sikur të ishin ndarë nga kufoma e një gomari. Ai tubim do të jetë për ta një brengë dhe pendesë në ditën e gjykimit.”1

E transmetojnë Ahmedi dhe Ebu Daudi, dhe është saktësuar nga shejh Nasirudin el Albani, Allahu e mëshiroftë.

“Sikur të ishin ndarë nga kufoma e një gomari dhe ai tubim do të jetë brengë për ta…” 

Vini re, në këtë hadith Profeti ﷺ nuk përmendi se ata u morën me fjalë të ndaluara. Edhe sikur të ishin angazhuar vetëm me biseda të lejuara por pa përmendur Allahun e Lartësuar, prapëseprapë ndeja e tyre do kishte atë përshkrim të rëndë. Atëherë, si mund të jetë gjendja nëse bisedat përmbajnë gjëra që Allahu i ka ndaluar si: shpifje, fjalë të ndyra, përgojim, cënim të nderit të njerëzve, përçarje e fjalë të kota, e shumë gjëra të tjera fjalë dhe vepra që Allahu i ka ndaluar?! Me çfarë do ndahen prej atij tubimi? E si do jetë ai mexhlis për ta në Ditën e Gjykimit?!

A janë ndejat tona të gjallëruara me përmendjen e Allahut ﷻ?

Secili prej nesh duhet të ndalet e të përqëndrohet me sinqeritet tek vetja e tij, ta korrigjojë dhe ta disiplinojë atë, ta nxisë në bindje ndaj Zotit dhe Sundimtarit të tij ﷻ dhe ta mësojë këtë gjuhë me përmendjen e Allahut. Nëse sheh ndokënd në tubim që merret me përmendjen e njerëzve dhe jo të Allahut, atëherë udhëzoje me butësi që ta angazhojë gjuhën e tij me tesbih, tehlil dhe tekbir, sepse kjo është ajo që do t’i bëjë dobi dhe do ta ngrejë në gradë.

Kur vështrojmë se cilat janë veprat më të dashura tek Allahu i Lartësuar, sepse besimtari gjithnjë kërkon të dijë se cilat janë ato vepra që më së shumti i do Zoti i tij sidomos kur jemi të vetëdijshëm se jeta jonë është e shkurtër dhe kohëzgjatja në këtë botë është e kufizuar. Kërkohet që në këtë udhëtimin drejt Zotit të Lartësuar dhe në këtë tregti që kemi me Të të synojmë veprat më fisnike, më të larta në vlerë për t’u angazhuar me to dhe për t’i mbushur çastet dhe frymëmarrjet tona, në mënyrë që të paraqitemi para Zotit me një tregti fitimprurëse.

Ahireti është një vend ku nuk mund të kenë hise njerëzit e falimentuar (nga veprat e mira).

Allahu i Lartësuar thotë: “Po, vërtet që njeriu do dëshmojë kundër vetvetes edhe sikur të paraqesë shfajësimet e veta.” | El Kijame: 14-15.

Njeriu mund të debatojë për veten e vet, mund të justifikojë pakujdesinë e tij, por tek Allahu i Lartësuar nuk fshihet asgjë nga gjendja jonë, nga veprat dhe angazhimet tona. I suksesshëm është ai që Allahu e bën të suksesshëm.

Muadh ibn Xhebeli, Allahu qoftë i kënaqur me të, thoshte: “Fjalët e fundit që kam dëgjuar nga i Dërguari i Allahut ﷺ kur u ndava prej tij, ishin kur i thashë: “Cila është vepra më e dashur tek Allahu?

Sahabët pyesnin për gjëra të tilla për të ditur cilat vepra janë më të dashura për Allahun, që të afrohen tek Ai përmes tyre.

E si iu përgjigj Profeti ﷺ? Ai tha: Të vdesësh ndërkohë që gjuha jote është e njomë me përmendjen e Allahut.”2

Gjuha e njomë me përmendjen e Allahut nuk arrihet ndryshe përveçse duke e shtuar dhikrin, pra që njeriu të mos pushojë kurrë së përmenduri Allahun.

Në një transmetim tjetër thuhet: “Më trego për veprën më të mirë dhe më të afërt me Allahun?”

Dhe meqë ky adhurim (dhikri) nuk kërkon ndonjë lodhje të madhe e as ndonjë përgatitje fizike apo gjendje të veçantë, sepse nuk është kusht që njeriu të jetë i kthyer nga kibla, të qëndrojë në këmbë apo të jetë me abdes, asgjë nga këto nuk është domosdoshmëri për dhikrin. Për këtë arsye urdhëri erdhi për ta përmendur Allahun e Lartësuar sa më shumë në të gjitha gjendjet.

Nuk ka ndonjë formë tjetër adhurimi që Allahu i Lartësuar të na ketë urdhëruar me të dhe ta ketë lidhur urdhrin me fjalën “shumë” (كَثِيرًا), përveçse me dhikrin. Kur jemi urdhëruar të falim namazin, Ai thotë: “Falni namazin.” Kur jemi urdhëruar për zekatin, thotë: “Jepni zekatin.”

Por për dhikrin thotë: “O ju që besuat! Përkujtoni Allahun me përkujtim të shumtë.” | El Ahzab: 41.

Ai (dhikri) është vet jeta e vërtetë. Zemra nuk mund të jetojë një jetë reale, të pastër dhe të vërtetë nëse është e larguar, e thatë dhe e shkujdesur nga përmendja e Zotit të saj. Një zemër e tillë goditet nga sëmundje dhe epidemi të cilat nuk mund të përshkruhen me fjalë.

Prandaj Ai thotë: “Përkujtoni Allahun me përkujtim të shumtë dhe lavdërojeni Atë mëngjes e mbrëmje.” | El Ahzab: 41–42.

Po ashtu thotë: “E kur të kryeni ritet tuaja (të haxhit), përkujtoni Allahun ashtu siç përkujtoni etërit tuaj madje edhe më shumë se kaq!” | El Bekare: 200.

Sepse arabët në sezonin e haxhit, kur ktheheshin nga Arafati në Mina zakonisht angazhoheshin me përmendjen e etërve dhe krenoheshin me lavditë e të parëve. Por Allahu i Lartësuar pas këtij adhurimi madhështor dhe të nderuar që është shkak për shlyerjen e mëkateve, saqë njeriu kthehet prej tij i pastër si ditën kur e lind nëna e tij. (4) Ai i urdhëroi që të shtojnë përmendjen e Allahut:

“Përkujtoni Allahun ashtu siç përkujtoni etërit tuaj, madje edhe më shumë se kaq!”

Robi në rrugën e tij drejt Allahut nuk mund të bëjë kurrë pa përmendjen e Tij në asnjë rrethanë. Madje edhe pas këtij adhurimi madhështor që është ngritur me qëllim të përmendjes së Allahut të Lartësuar siç është; haxhi, umreja, ritet, tavafi, sa’ji, të gjitha këto adhurime synojnë përmendjen e Allahut. E megjithatë Ai përsëri thotë: “E kur t’i keni përfunduar ritet tuaja, atëherë përmendeni Allahun sikurse përmendni etërit tuaj, madje edhe më shumë.” | El Bekare: 200.

Gjithashtu, në pozitën e lavdërimit për besimtarët Allahu thotë:

“Ata që e përmendin Allahun në këmbë, ulur dhe të shtrirë anash.” | Al Imran: 191.

Kur njeriu e vendos veten përballë këtyre ajeteve fillon të ketë frikë nga hipokrizia, sepse besimtarët e përmendin Allahun në çdo gjendje; në këmbë, ulur dhe shtrirë. Të tillët janë ata që Allahu i ka lavdëruar duke thënë: “Edhe burrat që e përmendin shumë Allahun, edhe gratë që e përmendin shumë Allahun, Allahu u ka përgatitur atyre falje dhe shpërblim të madh.” | El Ahzab: 35.

Lus Allahun e Lartësuar të na bëjë dobi neve dhe juve me atë që dëgjuam!

 

Dr. Halid bin Uthman es Sebt

Përktheu: Fatjon Isufi

———————————————————————

1. Imam Ahmedi në “Musnedin” e tij 7093 dhe është konsideruar hadith i saktë nga studiuesit, ndërsa shejh Albani e ka saktësuar në “Es-Silsiletu Sahiha” 76.

2. E transmeton Tirmidhiu në Librin e lutjeve nga i Dërguari i Allahut ﷺ, kapitulli mbi vlerën e dhikrit 3375, si dhe Ibn Maxheh në Librin e Etikës, kapitulli mbi vlerën e dhikrit 3793. E ka saktësuar shejh Albani në “Sahihul Xhami” 7700.

3. E transmeton Ibn Hibani në “Sahihun” e tij 818 me fjalët: “Cili është veprimi më i dashur tek Allahu? Profeti ﷺ tha: Të vdesësh ndërkohë që gjuha jote është e njomë nga përmendja e Allahut.” Gjithashtu e transmeton Taberani në “Ed-dua” dhe në “Muxhemul Kebir”. Shejh Albani e ka cilësuar të mirë në “Sahihul Xhami”165.

4. E transmeton Buhariu në Librin e Haxhit, kapitulli mbi vlerën e haxhit të pranuar 1521.

Dosje: ,

Loading...