Shpjegimi i Librit të Teuhidit – 12

Trasmetohet nga Ebu Seid el Khudrij (radiAllahu anhu) se Profeti ﷺ ka thënë:

قال موسى: يا رب علمني شيئا أذكرك وأدعوك به. قال: قل يا موسى: لا إله إلا الله، قال: كل عبادك يقولون هذا. قال: يا موسى لو أن السماوات السبع وعامرهن غيري والأرضين السبع في كفة، ولا إله إلا الله في كفة، مالت بهن لا إله إلا الله.رواه ابن حبان والحاكم وصححه.

“Musai ka thënë: O Zot! Më mëso ndonjë gjë me të cilën të të lavdëroj dhe të afrohem tek Ti me të Allahu tha: Thuaj o Musa: La ilahe il-lAllah. Tha: Të gjithë robërit e Tu e thonë këtë. Allahu tha: O Musa! Sikur shtatë qiejt dhe çka në ta përveç Meje dhe shtatë tokat dhe çka në to të vendoseshin në njërën anë të peshores, dhe fjala ‘La ilahe il-lAllah’ të vendosej në anën tjetër, peshorja do të anonte dhe do të peshonte më rëndë fjala ‘La ilahe il-lAllah’.” Trasmeton ibnul Hibani dhe el Hakim, dhe e kanë saktësuar.[1]

——————————————

‘Ebu Seid el Khudrij’: është Ebu Seid el Khudrij, Sead ibn Melik ibn Sinan el Khazraxhij el Ensarij el Khudrij. El Khudrij i referohet fisit Beni Khudrah. Është sahabij i nderuar, bir i një sahabiu të nderuar. Ka transmetuar nga Profeti hadithe të shumta. Ka vdekur në vitin 74 hixhrij.

Musa’: është Musa ibn Imran, i dërguari i Allahut tek Beni Israilët, dhe është njeriu të cilit Allahu i fliste drejtpërdrejtë.

‘أذكرك’: Të të lavdëroj dhe falenderoj.

‘وأدعوك به’: të afrohem tek ti me këtë gjë kur të lutem.

Të gjithë robërit e Tu e thonë këtë’: e thonë këtë fjalë.

dhe çka në ta’: Banorët që janë në ta.

në njërën anë të peshores’: nëse vendosen këto krijesa në njërën prej dy anëve të peshores dhe vendoset fjala ‘La ilahe il-lAllah’ në anën tjetër.

do të anonte’: do të peshonte më rëndë.

۞۞۞

Kuptimi i përgjithshëm i hadithit:

Musai (alejhis saletu ues selam) kërkoi nga Zoti i tij (Azze ue Xhel-le) që t’i mësonte ndonjë dhikër (diçka me të cilën përmendet Allahu) me të cilin t’a lavdëronte Allahun dhe të afrohej tek Ai me të. Allahu e udhëzoi për tek thënia ‘La ilahe il-lAllah’. Musai e dinte se kjo është një fjalë e njohur që përmendet shumë në gjuhët e njerezve ndërsa ai po kërkonte diçka të veçantë, të posaçme me të cilën të dallohej nga të tjerët në përmendjen e Allahut. Allahu i’a sqaroi vlerën madhështore të këtij dhikri tek i cili e udhëzoi Allahu, se asgjë nuk krahasohet me të në vlerë.

۞۞۞

Arsyeja e vendosjes së këtij hadith në këtë kapitull:

Në këtë hadith ka sqarim të vlerës së fjalës së Teuhidit (La ilahe il-lAllah) dhe se asgjë nuk krahasohet me të në vlerë e rëndësi.

۞۞۞

Dobitë e përfituara nga hadithi:

1 – Vlera madhështore e fjalës ‘La ilahe il-lAllah’ duke qenë se përfshin Teuhidin dhe dedikimin e

plotë të adhurimit për Allahun.

2 – Vlera e Musait (alejhi saletu ue selam) dhe perkujdesja e tij për t’u afruar tek Allahu.

3 – Adhurimi është në rregull vetëm nëse është sipas asaj që ka shpallur Allahu, dhe nuk ka vend

për njeriun që të shpikë në çështje të adhurimit nga vetja. Kjo ngase Musai kërkoi prej Zotit të tij t’a

mësonte se si t’a lavdërojë.

4 – Gjëja për të cilën kanë nevojë dhe domosdoshmëri njerëzit për të, ajo gjë është

më e përhapura. Duke qenë se njerëzit kanë shumë nevojë për fjalën ‘La ilahe il-lAllah’, kjo fjalë

ishte dhikri më i përhapur dhe më i lehtë për t’u vërejtur e gjendur.

5 – Allahu është mbi qiejt siç thotë në Kuran: “Sikur të shtatë qiejt dhe çka në ta përveç Meje”.

6 – Kur përmendet kjo fjalë (La ilahe il-lAllah) duhet medoemos shqiptimi i plotë i saj, e jo

mjaftimi me emrin ‘Allah’ siç veprojnë disa njerëz të padijshëm.

7 – Pohimi dhe vërtetësia e peshores së veprave të mira (në Ditën e Gjykimit).

8 – Profetët kanë nevojë për t’i vënë në dijeni të vlerës së fjalës ‘La ilahe il-lAllah’ (nuk i dinë të

gjitha dobitë dhe vlerat e shumta të kësaj fjale).

9 – Numri i tokave (shtresave të Tokës) është shtatë, aq sa numri i qiejve.

۩۩۩

 

[1]  Trasmeton Ibnul Hibani me nr. 2324, El Hakimi në ‘El Mustedrak’ 1/528, En Nesai në ‘Amel el jeum uel lejleh’ me nr. 834 dhe 1141. E ka saktësuar Ibnul Hibani dhe El Hakimi, dhe ka rënë dakort edhe Dhehebiu. El Hejthemi ka thënë: Në ‘Mexhmeuz-Zeueid 10/82: Transmeton Ebu Jeale dhe transmetuesit e tij janë të besueshëm një pjesë, ndërsa një pjesë tjetër kanë dobësi në transmetim.