Shpjegimi i Librit të Teuhidit – 14

Kapitulli: Ai i cili përmbush (zbaton plotësisht) Teuhidin hyn në xhenet pa llogari.

Fjala e Allahut të Lartësuar:

إِنَّ إِبْرَاهِيمَ كَانَ أُمَّةً قَانِتًا لِّلَّهِ حَنِيفًا وَلَمْ يَكُ مِنَ الْمُشْرِكِينَ

“Me të vërtetë që Ibrahimi ishte shembull për t’u ndjekur, gjithmonë i bindur ndaj Allahut dhe gjithmonë në adhurim ndaj Tij. Ishte Hanijf (i drejtohej Allahut me adhurim dhe i kishte kthyer shpinën plotësisht çdokujt tjetër që adhurohet përveç Allahut), musliman (i nënshtruar ndaj Allahut) dhe nuk ishte prej idhujtarëve.”

Surja En Nahl, ajeti 120.

وَالَّذِينَ هُم بِرَبِّهِمْ لَا يُشْرِكُونَ

“Ata të cilët nuk bëjnë shirk ndaj Zotit të tyre (nuk adhurojnë tjerë krahas Tij).”

Surja El Mu’minun, ajeti 59.

————————————-

Arsyeja e vendosjes së këtij kapitull në Librin e Teuhidit:

Pasiqë autori (Allahu e mëshiroftë) përmedi Teuhidin dhe vlerën e tij, ishte e përshtatshme që tashmë të pëmendet zbatimi dhe realizimi i tij sepse kulmi i vlerës dhe mirësisë së Teuhidit arrihet me kulmin e zbatimit dhe përmbushjen e tij.

‘përmbush (zbaton plotësisht)’: e pastroi, e kulloi plotësisht nga papastërtitë e shirkut, bidatit dhe gjynaheve.

‘pa llogari’: pa dhënë llogari.

‘أُمَّةً’: Shembull për t’u ndjekur, Imam dhe mësues i së mirës.

‘قَانِتًا: Vazhdimësi e rregullt në bindje ndaj Allahut dhe adhurim.

‘حَنِيفًا’: Hanijf, i drejtuar nga Allahu me adhurim. I kthen shpinën dhe bojkoton të tjerët përveç Allahut në adhurim.

‘لَمْ يَكُ’: origjina është لَمْ يَكُن por është fshirë ن  për lehtësim.

nuk ishte prej idhujtarëve’: ishte larguar dhe shkëputur prej idhujtarëve me zemër, gjuhë, e trup, dhe refuzonte e hidhte poshtë idhujtarinë të cilën e vepronin ata.

Ata të cilët nuk bëjnë shirk ndaj Zotit të tyre’: nuk adhurojnë të tjerë krahas Tij.

۞۞۞

Kuptimi i përgjithshëm i ajetit të parë:

Allahu i pa të meta dhe i Lartësuar e përshkruan mikun e Tij Ibrahimin (alejhi selam) me katër cilësi.

Cilësia e parë: Ishte shembull për t’u ndjekur në të mirë për shkak se arriti kulmin në durim dhe bindje. Dy gjëra me të cilat arrihet Imamllëku në fe (të të ndjekin njerëzit si shembull).

Cilësia e dytë: Ishte gjithmonë i përulur dhe i bindur, dhe gjithmonë në adhurim ndaj Allahut të Lartësuar.

Cilësia e tretë: I kishte kthyer shpinën dhe ishte larguar plotësisht nga shirku (adhurimi i të tjerëve përveç Allahut), ishte i kthyer nga Allahu dhe i drejtohej vetëm Atij me adhurim.

Cilësia e katërt: Largimi i tij prej shirkut dhe shkëputja nga idhujtarët.

۞۞۞

Arsyeja e vendosjes së ajetit të parë në këtë kapitull:

Allahu e përshkruan mikun e Tij me këto cilësi të cilat janë piedestali i realizimit dhe zbatimit të Teuhidit. Ai na ka urdhëruar t’a ndjekim Ibrahimin (alejhi selam) në fjalën e Tij: “Me të vërtetë që ju kishit një shembull të mirë për t’u ndjekur tek Ibrahimi dhe ata të cilët e ndjekin atë.” El Mumtehineh; 4.

۞۞۞

Arsyeja e vendosjes së ajetit të dytë në këtë kapitull:

Allahu i Lartësuar përshkruan besimtarët të cilët garojnë për në xhenete me disa cilësi lavdëruese, ku më madhështorja e tyre është se ata nuk bëjnë asnjë lloj shirku ndaj Zotit të tyre (nuk adhurojnë të tjerë përveç Allahut), as shirk të dukshëm e as të fshehtë. I tilli ka arritur kulmin në realizimin dhe zbatimin e Teuhidit, dhe do të hyjë në Xhenet pa dhënë llogari (para Allahut si njerëzit e tjerë) dhe pa u dënuar në zjarr.

۞۞۞

Dobitë e përfituara nga dy ajetet:

1 – Vlera e Ibrahimit (alejhi salatu ue selam).

2 – Kërkohet ndjekja e tij në këto cilësi madhështore.

3 – Shfaqja dhe sqarimi i cilësive me të cilat arrihet zbatimi dhe përmbushja e Teuhidit.

4 – Obligueshmëria e largimit nga shirku dhe idhujtarët, dhe distancimi prej tyre.

5 –  Përshkrimi i besimtarëve si; njerëzit të cilët e zbatojnë plotësisht Teuhidin.

۩۩۩