Shqiptarët dhe betimet

January 4, 2020

Shqiptarët dhe betimet

Edhe shqiptarët si çdo popull tjetër kanë në shprehjet e tyre betime të cilat vijnë si nevojë e komunikimit të përditshëm midis njerëzve. Ato janë të nevojshme siç u tha edhe në fillim të kësaj teme, si në lidhje me vërtetësinë e fjalës sepse është e pamundur që çdo gjë të vërtetohet me fakte, ashtu edhe në lidhje me premtimet sepse ato shërbejnë si nxitje për mbajtjen e tyre.

Shqiptarët në shprehjet e tyre kanë edhe betime të pastra në Zot, siç ishte zakoni i profetëve, edhe betime shirku dhe idhujtarie të cilat tregojnë për mbeturina të paganizmit.

Betimet e pastra

Betimet e pastra janë betimet në Zot apo betimet në ndonjë prej emrave të Tij, si: Allahu,  Krijuesi, Dhuruesi, Furnizuesi etj. Betimet në Zot i gjen kudo në Shqipëri, si mes myslimanëve ashtu edhe mes të krishterëve. Ato vijnë si rezultat i kontaktit të shqiptarëve me mësimet e profetëve të cilët nuk kanë pasur në shprehjet e tyre betim tjetër veç betimit në Zot, dhe kjo për dy arsye:

E para: Zoti në mësimet e profetëve ishte gjëja më e shtrenjtë dhe betimet pikërisht këtë synojnë; thënien e së vërtetës apo mbajtjen e premtimit duke u betuar në gjënë më të shtrenjtë.

E dyta: Betimet në ligjet e profetëve janë madhërime, dhe duke qenë se ata ishin dërguar me njësimin e Zotit dhe vetëm për adhurimin e Tij, nuk mund t’ia kushtonin këto madhërime veçse Zotit të tyre.

Kontaktet e shqiptarëve me këtë zakon të profetëve janë nëpërmjet krishtërimit dhe nëpërmjet Islamit, dhe nuk njihet në historinë e dokumentuar të popullit tonë ndonjë kontakt tjetër me zakonet e tyre. Jemi njoftuar në Kuran se në çdo popull është dërguar një profet lajmëtar, mirëpo kjo duhet të ketë qenë në historinë e hershme para Ibrahimit (alejhi selam). Pas Ibrahimit të gjithë profetët e dërguar kanë qenë nga familja e tij prej së cilës rrjedhin arabët dhe hebrenjtë, dhe ky është shkaku se pse gjurmët e monoteizmit në historinë e dokumentuar të njerëzimit vijnë vetëm nga lindja.

Në betimet e shqiptarëve në Zot dhe veçanërisht myslimanëve është shumë i njohur betimi në një emër të veçantë të Tij; “Allahu”.

Emri “Allah” me të cilin i kanë thirrur profetët Zotit të Madhëruar dhe gjithashtu janë betuar në të, është emër shumë i vjetër. Ai shfaqet si në gjuhën arabe, gjuha e profetit tonë Muhamed (alejhi selam),  ashtu edhe në gjuhën hebraike gjuha e profetëve të bijve të Izraelit. Ky emër në këtë gjuhë është përafërsisht me të njëjtat gërma dhe me të njëjtin tingull; “Alohim”.

Shejh dr. Muhamed Tekijudin El-Hilali (Allahu e mëshiroftë) (dijetar i njohur i gjuhës arabe dhe i fesë Islame, ka patur njohuri të gjera në fushën e linguistikës dhe ka qenë zotërues i disa gjuhëve të huaja) në lidhje me këtë çështje thotë: “Kushdo që ka mësuar sado pak nga gjuhët samite të cilat janë simotra të gjuhës arabe, nuk ka për t’iu sosur çudia nga debati rreth emrit Allah a është emër i ngurtë apo i prejardhur. Ai ka për të kuptuar se ai debat është i kotë dhe ka për të gjykuar me plot siguri se emri i shtrenjtë Allah është i ngurtë dhe larg prejardhjes, sepse ai me këtë tingull është në të gjitha gjuhët samite. Në sirianisht është ‘Alaha’. Banorët e anës së lindjes prej tyre e shqiptojnë ‘Alahu’. Kështu është në të tre gjuhet me shkronjën A dhe në hebraisht është ‘Alohim’. Gjuhët e popujve samitë nuk kanë dallime në lidhje më këtë emër të nderuar.[1]

Studiuesi do të thotë se emri ‘Allah’ është emër i parmë i Allahut, dhe për këtë shkak e gjen në të gjitha gjuhët e popujve të lindjes të cilët kanë njohur profetët e Allahut. Këtij emri duhet t’i kushtohet një rëndësi e veçantë sikurse edhe betimet në Zot apo në Allah duhen ruajtur, sepse ai është betim i pastër monoteizmi dhe traditë e trashëguar nga profetët e Allahut.

Betimet e shirkut.  

Betimet e shirkut dhe të idhujtarisë janë betimet në gjëra të shenjta apo të shtrenjta përveç Allahut. Edhe këto betime janë të njohura mes shqiptarëve dhe të shpeshta në shprehjet e tyre.

Betimet në gjëra të shenjta janë:

1- Betimet në idhuj.

Betimet në idhuj janë betimet e hershme të kohës pagane si; betimet në Tokën, Qiellin, Malet, Fushat, Ujin, Zjarrin, Gurin, Diellin, Hënën, Yjet etj.

Shqiptarët në kohët e hershme i besonin për zot këto emërtime si shumë popuj të tjerë të rajonit, dhe gjithashtu betoheshin në to. Këta popuj mbetën në injorancë dhe paganizëm edhe pse Allahu i Madhëruar ka dërguar në çdo popull profet – siç u tha më lart. Shejhu i Islamit Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- kur flet për filozofët e Greqisë të cilët edhe pse kanë qenë pas Ibrahimit, Musait etj. nuk kanë njohur profetët dhe udhëzimet e tyre, thotë: “Kjo dukuri ka dy përgjigje:

E para: Shumica prej tyre nuk i kanë njohur profetët, sepse siç thotë Allahu i Madhëruar në Kuran:Ne kemi dërguar te çdo popull një të dërguar që t’ju thotë: Adhuroni Allahun dhe largojuni idhujtarisë! Prej tyre kishte që i udhëzoi Allahu dhe prej tyre kishe që shkuan në humbje, prandaj udhëtoni në tokë dhe shihni përfundimin e përgënjeshtruesve.[2]

Ata që zgjodhën kundërshtimin e profetëve nuk u mbetën më as lajmet e profetëve dhe as fjalët e tyre.

E dyta: Fjala e Allahut:Pasha Allahun, Ne kemi dërguar lajmëtarë te popujt para teje, por Shejtani ua zbukuroi punët (e këqija) dhe ai sot është kujdestari i tyre.[3]

Kështu, kur Shejtani ua zbukuroi punët e këqija pati prej tyre popuj që i humbën gjurmët e profetësisë.”[4]

Pra, shejhu i Islamit Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- shpjegon se ata janë lajmëruar me fenë e drejtë por i humbën gjurmët e saj; ose për shkak se ata kundërshtuan profetët e Allahut dhe qëndruan në injorancë, ose për shkak se Shejtani pas profetëve ua zbukuroi të keqen dhe ata kaluan nga dija në injorancë.

Betimet pagane vazhdojnë akoma të jenë të pranishme te shqiptarët veçanërisht tek banorët e vendeve malore, dhe duhet punuar fort që të pastrohen shprehjet e njerëzve prej shirkut dhe idhujtarisë.

2- Betimet në shenjtorë.

Betimet në shenjtorë -siç besojnë disa prej njerëzve- janë betimet në: Krisht, baballarë, dervishë etj.

Betimi në Krishtin apo Isain -alejhi selam- siç njihet tek myslimanët gjendet tek besimtarët e krishterë, ndërsa betimi në baballarë e dervishë gjendet tek disa sekte që kanë lidhje me Islamin. Kjo traditë për fat të keq i është bashkangjitur fesë, edhe pse siç u tha më lart te profetët nuk është njohur veçse betimi në Zotin e tyre. Ajo ka hyrë te shqiptarët për shkak të ndryshimeve që kanë pësuar mësimet e profetëve në periudha të ndryshme kohore pas largimit të tyre. Ja çfarë thotë Ibn Kethiri -Allahu e mëshiroftë- prej komentuesve më të mëdhenj të Kuranit dhe një ndër historianët më të njohur të Islamit, në lidhje me ndryshimet që kanë pësuar mësimet e profetit Isa -alejhi selam.

Ai thotë: “Romakët të cilët quhen ndryshe edhe ‘të verdhët’ (ndoshta për shkak ngjyrës së flokëve) kanë qenë në fenë e grekëve. Grekët rrjedhin nga Jafith i biri i Nuhut dhe janë bij xhaxhallarësh me turqit. Ata adhuronin shtatë planetet lëvizëse (Dielli, Hëna, Jupiteri, Merkuri, Saturni, Venusi dhe Marsi) të cilat quhen gjithashtu planetet e hutuara (sepse ndryshojnë trajektoren e tyre) dhe faleshin në drejtim të polit të veriut. Ata kanë themeluar Damaskun dhe kanë ndërtuar faltoren e saj me dhoma të drejtuara nga veriu, dhe kanë qenë në fenë e tyre deri treqind vjet pas Mesihut. Sundimi i Shamit dhe Mesopotamisë ka qenë i tyre dhe sunduesi quhej Çezar.

I pari prej tyre që ka përqafuar krishtërimin ka qenë Kostandini i biri i Kostasit dhe nëna e tij Maria Helena e Shedkanit nga Harrani (vend mes Sirisë dhe Turqisë së sotme). Ajo kishte përqafuar krishtërimin para tij dhe e ftoi atë në krishtërim. Ai më përpara ishte filozof dhe pastaj ndoqi nënën e tij, dhe thuhet se këtë gjë e bëri për hipokrizi. Të krishterët u bashkuan me të dhe kanë debatuar shumë në kohën e tij me Arjusin (prift i cili mohonte anën hyjnore të Mesihut – alejhi selam) me të cilin ranë në kundërshtime të mëdha. Mirëpo një grup prej tyre afërsisht treqind e tetëmbëdhjetë veta i shkruan Kostandinit librin e besimit të cilin e quajtën ‘Amaneti i madh’ (formula e pagëzimit)….[5] Pastaj thotë: “Ky perandor është ai që e ka tjetërsuar fenë e Mesihut duke shtuar dhe pakësuar, dhe për hir të tij janë vendosur ligjet dhe ‘Amaneti i madh’. Në kohën e tij është lejuar mishi i derrit, janë falur në drejtim të lindjes, i kanë zbukuruar kishat me ikona dhe kanë shtuar në agjërimin e tyre dhjetë ditë për shkak të një gabimi që kishte bërë, dhe kështu u bë feja e Mesihut feja e Kostandinit.[6]

Edhe ndryshimet në Islam pothuajse kanë ndodhur në të njëjtën mënyrë nga njerëzit që vinin nga popuj që nuk kanë njohur librat e Allahut, si; Persët, Indianët dhe literatura filozofike Greke të cilët mbartnin pikëpamje të gabuara besimi jashtë udhëzimeve profetike. Ata më vonë u bënë shkak për futjen e atyre pikëpamjeve të gabuara edhe në besimin e pastër të profetit Muhamed -alejhi selam- dhe formimin e disa sekteve, si p.sh. Sufitë të cilët janë të njohur për shenjtërimin e individit. Ja çfarë thotë një studiues egjiptian në lidhje me ndikimin e sufive në besimin e njerëzve.

Ai thotë: “Shkon burri te kadiu (gjykatësi) dhe ai i thotë (për ndonjë çështje që kërkohet betim): Betohu në Zot! Dhe ai betohet sa të dojë: një herë, dy herë, tri herë, katër herë etj. Pastaj kadiu i thotë: Betohu në Bedeviun (një prej shenjtorëve të sufive) se nuk e ke bërë filan gjë. Dhe ai i thotë: Jo. Dridhet para tij dhe nuk betohet në Bedeviun. Kjo gjendje tregon se ai i frikësohet Bedeviut më shumë se Allahut dhe detyrimisht e madhëron atë më shumë se Allahun.[7]

Ja çfarë bëjnë sektet e devijuara me njerëzit. Ata më shumë kanë kultivuar tek ata kultin e individit sesa madhërimin e Zotit dhe frikën prej Tij.

Kjo dukuri gjendet edhe në mesin e shqiptareve myslimanë e të krishterë, por dallimi mes myslimanëve dhe të krishterëve është se mes myslimanëve gjithmonë ka pasur dhe do të ketë njerëz që i kritikojnë dhe i luftojnë këto dukuri. Shejhu i Islamit Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- thotë: “Muslimanët edhe pse në mesin e tyre kanë pasur njerëz që kanë bërë ndryshime dhe devijime në fe, shumica e tyre i kanë refuzuar ata sepse Profeti -alejhi selam- ka thënë:Ka për të mbetur mes ymetit tim një grup fitimtar në të vërtetën të cilëve nuk do t’u bëjnë dëm ata që i kundërshtojnë dhe as ata që i braktisin deri në ditën e fundit të dynjasë.[8] [9]

3- Betime në objekte të shenjta.

Betimet në objekte të shenjta janë betimet në: kisha, kryqe, varre, tyrbe, teqe etj.  Edhe këto betime gjenden te shqiptarët, si te të krishterët ashtu edhe te disa prej sekteve që kanë lidhje me Islamin. Ato vijnë, siç u tha më lart në lidhje me individin, nga ndjekja e zakoneve të paganizmit sepse shenjtërimi i objekteve është zakon i vjetër në historinë e njerëzimit. Në këtë zakon ranë popujt paganë para Ibrahimit -alejhi selam- pastaj ranë hebrenjtë dhe të krishterët para Islamit, duke ndjekur shembullin e popujve të mëparshëm edhe pse i njihnin udhëzimet e Allahut, dhe së fundi ranë edhe një pjesë e myslimanëve pas ardhjes së tij. Profeti Muhamed -alejhi selam- në lidhje me shenjtërimin e objekteve thoshte: “Ata që ishin para jush i merrnin varret e profetëve dhe njerëzve të mirë të tyre faltore. Mos i merrni ato për faltore se unë u ndaloj juve nga kjo gjë![10] Dhe ka thënë gjithashtu: “Dijeni se njerëzit më të këqij te Allahu janë ata që morën varret e profetëve për faltore.[11]

Edhe nëse disa objekte kanë rëndësi të vërtetë fetare si; Qabja, xhamia e Profetit dhe xhamia e Aksasë, nuk lejohet betimi në to siç u përmend edhe më lart, sepse janë madhërim objektesh. Aq më tepër nuk lejohet betimi në objekte të tjera që nuk e kanë rëndësinë e tyre, apo ato të cilat çdo gjë rreth tyre është e shpikur si p.sh. çështja e varreve.

Prej gjërave të çuditshme të cilat ndoshta u bëjnë dobi të krishterëve që betohen në kisha apo edhe disa myslimanëve të paditur shqiptarë të cilët betohen në kisha duke ndjekur të krishterët, është edhe fakti se Mesihu -alejhi selam- ka ndaluar nga betimi në qytetin e Jerusalemit siç përmendet në librat e tyre.[12] Qyteti i Jeruzalemit është qyteti që përmban faltoren e Daudit -alejhi selam-, apo xhamia e Aksasë e cila njihet tek myslimanët, atëherë si mund t’u lejohet njerëzve të betohen në objekte çfarëdo qofshin ato?

Betimet në gjëra të shtrenjta janë:

1- Betimet në gjëra të shtrenjta për jetesën si; buka dhe kripa.

2- Betimet në njerëz të shtrenjtë si; prindërit, vëllezërit, motrat dhe fëmijët.

3- Betimet në cilësi të shtrenjta si; nderi, besa, ideali etj.

Edhe këto betime janë të pranishme në shprehjet e shqiptarëve dhe janë mbeturinë e idhujtarisë në të cilën çdo gjë e shtrenjtë adhurohej. Betimet në to kanë qenë edhe te arabët para Islamit si u tha më lart, por ato i ka ndaluar Profeti Muhamed -alejhi selam- që të mos madhërohet askush veç Allahut. Allahu me të vërtetë ka urdhëruar që këto gjëra të shtrenjta të nderohen dhe të respektohen, mirëpo jo të madhërohen deri në atë gradë sa të barazohen me Të. Allahu i Madhëruar  në Kuran thotë: “Zoti yt ka urdhëruar që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij, dhe të silleni mirë me prindërit.[13]

Ky ajet ka sqarim të plotë rreth kësaj çështjeje duke bërë dallim mes adhurimit dhe respektit. Adhurimin e ka kërkuar për veten e Tij, ndërsa respektin për prindërit dhe për çdo gjë tjetër të shtrenjtë. Profeti -alejhi selam- thotë: “Respektojeni bukën![14] Po ashtu edhe për besën Allahu i Madhëruar thotë: “Mbajeni besën se për të do të pyeteni![15] Të gjitha këto janë gjëra të shtrenjta pa të cilat nuk mund të jetohet në tokë, duhen respektuar e nderuar por jo adhuruar si Allahun e Madhëruar i Cili ka urdhëruar që ato të respektohen. Betimet në gjëra të shtrenjta nuk janë në të njëjtën gradë me betimet në gjërat e shenjtëruara, sepse betimet në to përmbajnë nënshtrim ndaj tyre me frikë dhe shpresë dhe prandaj njerëzit u luten atyre dhe janë shirk i madh. Ndërsa betimet në gjëra të shtrenjta janë teprim në dashuri dhe nuk përmbajnë nënshtrim, por gjuha duhet të pastrohet prej tyre që adhurimi të jetë vetëm për Allahun e Madhëruar.

Këto janë betimet e shqiptarëve të peshuara në peshoren e saktë të udhëzimeve të Allahut dhe profetëve të Tij. Ajo që më ka nxitur të shkruaj për këtë temë është një udhëtim që kam bërë në një zonë të Shqipërisë ku betimet e shirkut në shenjtor apo objekte të shenjtëruara janë shumë të përhapura, për shkak të ndikimit të bestytnive dhe të njerëzve të papargjegjshëm të cilët duan të ngrejnë për interesat e tyre kultin e individit. Betimet e shirkut te popullsia e thjeshtë janë përhapur shumë kohët e fundit, ndërsa betimet e pastra janë rralluar aq sa nëse nuk e ngrejmë zërin kundër kësaj dukurie do të zëvendësojnë plotësisht betimin në Zot. Shumë jam gëzuar një herë kur po kthehesha me autobuz nga një zonë e Shqipërisë të cilën kjo dukuri ka filluar ta prekë shumë, kur dëgjova dy të moshuar të betoheshin në Allah. Ata të dy ishin ulur në një sedilje dyshe përbri meje dhe siç dukej nga biseda e tyre nuk ishin burrë e grua por të afërm të njëri-tjetrit. I moshuari donte t’i paguante të moshuarës biletën ndërsa ajo i thoshte: “Pasha Allahun, nuk do ta paguash se do t’a paguaj vetë.” Ky betim më gëzoi jashtë mase sepse është betim i pastër në Zot dhe në emrin më të veçantë të Tij “Allah”, siç ishte tradita e profetëve (alejhim selam). T’a dëgjosh këtë betim në këtë kohë dhe në këtë gjendje që janë njerëzit e thjeshtë në ato zona të bën të fluturosh nga gëzimi.

Lus Allahun e Madhëruar t’a bëjë këtë përpjekje modeste shkak për pastrimin e besimit të njerëzve dhe të shprehjeve të tyre nga shirku dhe idhujtaria! Amin!

 

Dr. Abdullah Nabolli

———————————————–

[1] Shih artikullin e shejh dr. Muhamed Tekijudin El-Hilali -Allahu e mëshiroftë- me titull: Ma ueka’ fil-Kurani bigajri lugatul-arab.

[2] Suretu El-Nahl: 36.

[3] Suretu En-Nahl: 63.

[4] Shih fjalët e autorit në librin En-Nubuat: 1/196-197.

[5] Shih tefsir Ibn Kethir: 6/301.

[6] Shih tefsir Ibn Kethir: 2/48.

[7] Shih shpjegimin Ed-Durr En-Nedid Muhamed Hasen Abdul-Gaffar.

[8] E transmeton Muslimi.

[9] Shih librin e autorit me titull El-Xheuab Es-Sahih: 2/413.

[10] E transmeton Muslimi.

[11] E transmeton imam Ahmedi dhe e saktëson shejh Albani.

[12] Shih ‘Ungjilli sipas Metës’: 5/34-37.

[13] Suratu El-Isra: 23.

[14] E transmeton Hakimi dhe Bejhakiu, dhe e saktëson shejh Albani.

[15] Suratu El-Isra: 34.

Loading...