Pyetje: Si duhet të jetë besimi ynë në lidhje me Pejgamberët, në mënyrë të shtjelluar?
Përgjigje: Është detyrë për ne t’i besojmë të gjithë Pejgamberët dhe të Dërguarit, për të cilët është vërtetuar se janë Pejgamberë dhe të Dërguar, në mënyrë të përgjithshme dhe specifike.
Besojmë se Allahu i Lartësuar i ka dalluar ata me shpalljen e Tij, duke i bërë ndërmjetës mes Tij dhe robërve të Tij në komunikimin e fesë dhe dispozitave të Tij. Ai i ka përkrahur ata me argumente (mrekulli) që tregonin për vërtetësinë e tyre dhe të shpalljes hyjnore që ata komunikuan.
Pejgamberët dhe të Dërguarit janë krijesat më të përsosura në dije dhe në vepra, më të sinqertët, më të bindurit ndaj Allahut, më të devotshmit dhe më të përkryerit në sjellje. Allahu i Lartësuar i ka veçuar në vlera, aq sa nuk mund t’i arrijë në to askush. I ka ruajtur dhe distancuar nga prirjet negative dhe veset e ulëta. Pejgamberët dhe të Dërguarit ishin të pagabueshëm në lidhje me çfarë përcollën nga Allahu. Çdo gjë që ata përcollën ishte e vërtetë, e papërzier me të kotën.
Duhet të besohen që të gjithë ata, si dhe të besohet çdo gjë që ata komunikuan nga Zoti. Për ne është obligim që t`i duam, t`i nderojmë dhe t`i respektojmë. Ne e besojmë, e duam, e nderojmë dhe e respektojmë Pejgamberin tonë, Muhamedin (Paqja dhe lavdërimi e Allahut qofshin mbi të!) vulën e profetëve, në mënyrën më të plotë. Ne duhet që ta njohim atë, si dhe të njohim shpalljen që solli, në mënyrë të përgjithshme dhe të shtjelluar, sipas mundësisë.
Duhet që ta besojmë atë që ai ka kumtuar dhe përcjellë, të kapemi pas saj, t’i besojmë lajmet e tij, t’i bindemi urdhrit të tij e të largohemi nga çdo gjë që ai e ka ndaluar. Duhet të besojmë se Muhamedi (Paqja dhe lavdërimi e Allahut qofshin mbi të!) është vula e Pejgamberëve, nuk ka Pejgamber pas tij. Legjislacioni i tij i ka shfuqizuar të gjithë legjislacionet e mëparshme, dhe është i vetmi legjislacion i i vlefshëm deri në Ditën e Gjykimit.
Besimi në të Dërguarin e Allahut, nuk mund të jetë i plotë nëse nuk besojmë në gjithçka të cilën ai komunikoi. Mendja e shëndoshë si dhe argumentet e bazuara në përvojën njerëzore dhe dukuritë e prekshme, dëshmojnë për vërtetësinë dhe besueshmërinë e Pejgamberit (Paqja dhe lavdërimi e Allahut qofshin mbi të!)
(Pyetje pergjigje – Abdurrahman ibn Nasir ES SA’DI)
Të Ngjashme
- Dobitë e dhikrit të mëngjesit dhe të mbrëmjes Udha e Besimtarëve
- Një dijetar si Ibn Tejmije Udha e Besimtarëve
- Rregull i pandryshueshëm: Çdo gjë që përdoret për të kundërshtuar Allahun, ajo ka për tu prishur. Udha e Besimtarëve
- Statusi dhe vlera e fikhut në Islam Udha e Besimtarëve
- Në cilën anë të imamit është më mirë të falemi? Shejh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin