Si duhet të qëndrojmë gjatë hytbes?

April 18, 2019

Si duhet të qëndrojmë gjatë hytbes?

Që hytbet të arrijnë qëllimin e tyre kërkohet prej besimtarëve të heshtin gjatë kohës që imami ligjëron, dhe të dëgjojnë me vëmendje fjalët e tij.
Kjo porosi është përmendur në Kuran ku thuhet: “Kur të lexohet Kurani, dëgjojeni atë me vëmendje dhe heshtni, se ndoshta do të mëshiroheni!” Suretu El-Earaf: 204.
Muxhahidi, komentuesi i njohur i Kuranit, në lidhje me këtë ajet thotë: “Kur të lexohet Kurani është detyrë të heshtësh në dy raste; në namaz kur lexon imami dhe gjatë të xhumasë kur mban hytben hatibi.” E transmeton imam Taberiu.
Pra, Allahu i madhëruar në këto dy momente që lexohet Kurani ku njëri prej tyre është hytbja, urdhëron për dëgjim me vëmendje dhe heshtje. Ai premton mëshirë për ata që e zbatojnë këtë porosi, sepse fjala [ndoshta] e përmendur në ajet është prej Allahut dhe është premtim.
Ibn El- Kajimi -Allahu e mëshiroftë- thotë: Fjala ndoshta në lidhje me Allahun është detyrë (që do të thotë se patjetër do të realizohet nëse plotësohet kushti i saj). Shih librin e autorit me titull “I’lam El-Muekkijn”.
Dy kushtet i këtij premtimi janë:
1- Dëgjimi me vëmendje.
2- Heshtja.
Dëgjimi me vëmendje është bërë kusht për shkak se pa të nuk arrihet ndikimi i Kuranit në zemra dhe përkujtimi me të. Allahu i madhëruar kur tregon se kush përfiton prej Kuranit, thotë: “Vërtet, këtu ka përkujtim për këdo që ka zemër, dëgjon me vëmendje dhe është prezent.” Suretu Kaf: 37.
Ibn El-Kajim në lidhje me këtë ajet sqaron: Që të përfitojë njeriu prej Kuranit duhet që të ketë zemër të shëndoshë, si dhe të dëgjojë me vëmendje dhe zemra e tij të jetë prezente (jo gafil dhe i shkujdesur). Shih librin e autorit me titull ‘El-Feuaid’.
Ndërsa heshtja është bërë kusht për shkak se ajo është pengesë e dëgjimit me vëmendje, sepse njeriu nuk bën dot dy punë të kundërta njëkohësisht. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: “Nuk i ka bërë Allahu asnjë njeriu dy zemra në kraharorin e tij.” Suretu El-Ahzab: 4.
Ibn El-Kajimi -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me këtë ajet sqaron: “Zemra nuk merr dot veçse një drejtim. Nëse ajo anon nga një anë nuk anon dot edhe nga një anë tjetër (njëkohësisht). Dhe robi nuk ka dy zemra që me njërën t’i bindet Allahut dhe të zbatojë porositë e tij, dhe me tjetrën për dikë tjetër.” Shih librin e autorit me titull “Reudat El-Muhibbijn”.
Në hadithet e Profetit -alejhi selam- jemi njoftuar se heshtja kërkohet edhe ndaj veprimeve të gabuara të të tjerëve. P.sh. kur dikush flet gjatë hytbes, nuk bën t’i flasësh për t’a pushuar, sepse Profeti -alejhi selam- thotë: “Nëse i thua shokut tënd ‘Hesht’ kur imami është duke mbajtur hytbe, ke bërë veprim të kotë.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Sheih Albani -Allahu e mëshiroftë- sqaron: T’i thuash tjetrit ‘Hesht’ është urdhërim për në të mira por që në këtë rast është ndaluar për t’i dhënë rëndësi dëgjimit me vëmendje të hytbes.
Ndalimi i fjalëve përfshin edhe ndalimin e çdo veprimi tjetër i cili nuk është fjalë, por që e shkujdes robin apo e preokupon atë nga dëgjimi me vëmendje. Profeti -alejhi selam- thotë: “Kush prek guralecët (gjatë hytbes) ka bërë punë të kotë.” E transmeton Muslimi.
Fjala guralecët është përmendur në hadith, sepse xhamia në atë kohë ka qenë e shtruar me rërë dhe këtë gjykim e merr çdo veprim tjetër i kotë.

A arrihet shpërblimi i xhumasë për atë që bën veprime të kota gjatë hytbes dhe a i quhet e xhumaja?

Thamë që dëgjimi me vëmendje dhe heshtja sipas ajetit të lartpërmendur janë kusht për arritjen e mëshirës së Allahut të Madhëruar. Mirëpo, jemi njoftuar se ato janë kusht edhe për arritjen e shpërblimit të xhumasë.
Profeti (alejhi selam) thotë: “Në xhuma prezantojnë tre lloje njerëzish:
1- Ai që prezanton dhe bën veprime të kota dhe vetëm ato fiton prej saj.
2- Ai që prezanton dhe merret me dua të cilat Allahu nëse do i’a jep dhe nëse do i’a pengon.
3- Ai që prezanton dhe hesht, dëgjon me vëmendje, rri i qetë, nuk kapërcen mbi qafën e ndonjë myslimani dhe nuk mundon njeri. E xhumaja për të është pastrim deri në xhumanë tjetër duke shtuar dhe tre ditë, kjo ngase Allahu i Madhëruar thotë: “Kush bën një vepër të mirë do të shpërblehet dhjetëfish.” [Suretu El-En’am: 160]” E transmeton imam Ahmedi dhe Ebu Daudi, dhe e saktëson sheih Albani.
Shihet qartë nga hadithi se lloji i parë, pra ai që është marrë me punë të kota gjatë hytbes, është i përjashtuar nga shpërblimi.
Ndërsa lloji i dytë, pra ai që është marrë me dua apo dhe me ndonjë punë tjetër të mirë e cila është ibadet si p.sh.; tesbih, edhe ky lloj nuk shpërblehet për xhumanë. Madje kjo gjë mund t’ua pengojë atyre edhe pranimin e ibadetit tjetër me të cilin janë marrë, mirëpo kjo mbetet nën dëshirën e Allahut të Madhëruar.
Ndërsa lloji i tretë, pra ai i cili i është përkushtuar plotësisht xhumasë dhe normave të saj është ai që arrin shpërblimin e premtuar të xhumasë.
Çështja tjetër e kësaj teme është: A ndikojnë punët e kota edhe në refuzimin e plotë të xhumasë?
Është transmetuar nga Profeti -alejhi selam- se ka thënë: “Kush bën punë të kota, nuk ka xhuma për të.” E transmeton Ahmedi, Ebu Daudi etj.
Saktësimi i këtij hadithi është i diskutueshëm në mesin e dijetarëve, mirëpo sheih Albani (Allahu e mëshiroftë) mendon se ai mund të saktësohet për nga ana e përmbajtjes duke e krahasuar me hadithet e tjera. Fjala e tij [nuk ka xhuma për të], ka të bëjë me shpërblimin që do të thotë se xhumaja e tij pranohet por ai nuk shpërblehet me shpërblim të plotë.
Shpërblimi i saj në këtë rast është sa namazi i drekës, sepse në një hadith tjetër i cili ka të bëjë me të njëjtën çështje thuhet: “Kush bën punë të kota dhe kapërcen mbi qafat e njerëzve, xhumaja për të është sa namazi i drekës.” E transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson sheih Albani.
Kjo ndoshta ngase xhumaja nuk është vetëm hytbe. Ajo ka edhe namazin madje namazi është kryesori, kështu që do të mbetet për të shpërblimi i namazit nëse ai nuk do të bëjë të njëjtën gjë edhe në namaz. Allahu e di më së miri!

Dr. Abdullah Nabolli

Dosje:

Loading...