Si ishte jeta në Arabi para Islamit?
Para Islamit Arabia ishte në një gjendje shumë të keqe. Kur ata u bekuan me Islamin dhe u bënë ndjekës të këtij besimi, populli i Arabisë u kthye në gjendjen më të mirë sepse u bënë udhëheqës të kombeve dhe kombi më i mirë që erdhi ndonjëherë për njerëzimin.
E keqja që ishte e pranishme në Arabi para Islamit u manifestua në shumë mënyra saqë ne nuk mund t’i rendisim të gjitha në këtë përgjigje sepse janë të shumta. Por kjo nuk na pengon të përmendim më të rëndësishmet prej tyre të cilat përfshijnë:
1 – Besimet.
a – Arabët ishin adhurues idhujsh. Ata u afroheshin atyre, ofronin sakrifica para tyre dhe i nderonin plotësisht. Idolët bëheshin nga njerëzit dhe nganjëherë i bënin nga hurmat, argjila dhe gjëra të tjera. Numri i idhujve rreth Qabes së Shenjtë ishte afro 360.
Allahu xh.sh. duke i përshkruar këta njerëz injorantë thotë: “Dhe ata adhurojnë përveç Allahut atë që nuk u bën dëm as nuk u bën dobi, dhe thonë: Këta janë ndërmjetësuesit tanë tek Allahu.” [Junus 10:18]
b -Ata përdornin ogurin që nëse njëri prej tyre dëshironte të martohej, të udhëtonte ose të merrej me tregti, ai hidhte një zog në ajër. Nëse fluturonte si duhet ai shkonte përpara me planet e tij dhe besonte se ato ishin të mira dhe të dobishme. Por nëse zogu fluturonte majtas, ai i anulonte planet e tij dhe nuk bënte përpara, dhe besonte se ato ishin të këqija.
c -Ata besonin në bestytni; pra nëse dikush prej tyre dëgjonte zërin e një bufi ose shihte një sorrë, ai ndihej i shqetësuar dhe besonte se ndonjë dëm do t’a godiste atë ditë. Ata nuk martoheshin në muajin Sheval duke besuar se martesa në atë muaj nuk ka sukses.
Nga ana tjetër populli i Arabisë ishte besnik ndaj fuqive të ndryshme të mëdha të kohës së tyre. Disa prej tyre ishin besnik të Bizantinëve, të tjerë ndaj Persëve dhe të tjerë ndaj Etiopianëve.
2 – Morali, sjellja dhe zakonet.
Gjatë periudhës paraislame arabët sulmonin dhe vrisnin njëri-tjetrin për arsyet më të rëndomta. Luftërat midis tyre vazhdonin për shumë vite me radhë, ku burrat vriteshin dhe gratë dhe fëmijët ziheshin robër.
Një shembull i kësaj ishte lufta e Al-Basus, e cila zgjati për tridhjetë vjet për shkak të një deveje që shkelte në vezën e një larku [një lloj zogu] dhe e kishte thyer atë. Një tjetër ishte Lufta e Daahis dhe Al-Ghabraa, e cila zgjati për dyzet vjet sepse një kalë ja kaloi një kali tjetër në garë.
Ata nuk largoheshin nga ngrënia e gjërave të papastra, p.sh. ata hanin mishin e kafshëve të ngordhura për shkaqe natyrore dhe pinin gjakun e tyre.
Fise të tjera përveç Kurejshëve bënin tavaf rreth Qabes duke qenë lakuriq, gra dhe burra, nëse Kurejshët nuk u bënin favorin për t’ju dhënë rroba që t’i vishin. Ata besonin se një rrobë në të cilën dikush ka kryer mëkat, nuk ishte e përshtatshme të vishej në kohën kur bënte tavaf. Një grua prej tyre thoshte: Sot shfaqet e gjitha ose diçka, dhe çfarëdo që të shfaqet unë nuk mund ta lejoj!
Zinaja (imoraliteti, kurorëshkelja) ishte e përhapur mes tyre së bashku me pasojat e saj, më e keqja e të cilave ishte atribuimi i një fëmije dikujt tjetër përveç burrit.
Është transmetuar se Aisha, gruaja e Profetit (bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: Kishte katër lloje martesash gjatë xhahilijes (periudhës para Islame):
1 – Një lloj ishte si martesa e njerëzve sot, ku një burrë i kërkonte leje tjetrit të martohej me një grua nën kujdestarinë e tij, ose vajzën e tij, dhe ai do t’i jepte asaj një pajë pastaj do të martohej me të.
2 – Lloji i dytë ishte kur një burrë i thoshte gruas së tij kur ajo pastrohej nga menstruacionet: Shko tek filani dhe kryej marrëdhënie me të. Pastaj burri i saj do të qëndronte larg saj dhe nuk do t’a prekte derisa të bëhej e qartë se ajo kishte mbetur shtatzënë nga ai burrë me të cilin pati marrëdhënie. Kur shtatzënia e saj bëhej e qartë, burri i saj kryente marrëdhënie me të nëse dëshironte. Ai e bënte këtë vetëm që të mund të kishte një fëmijë me karakteristika të mira. Kjo lloj martese quhej Nikah al-istibda.
3 – Një lloj tjetër martese ishte kur një grup burrash, më pak se dhjetë, mblidheshin së bashku dhe shkonin tek një grua dhe të gjithë kryenin marrëdhënie me të. Pastaj nëse ajo mbetej shtatzënë dhe lindte, disa ditë pas lindjes ajo i thërriste ata, dhe askush prej tyre nuk refuzonte të vinte. Kur mblidheshin të gjithë para saj, u thoshte: Ju e dini se çfarë keni bërë dhe tani unë kam lindur. Ai është djali jot, o filan – duke përmendur këdo që dëshironte, dhe fëmija i saj do t’i atribuohej atij dhe ai nuk mund të refuzonte t’a merrte atë.
4 – Lloji i katërt i martesës ishte rasti kur shumë njerëz shkonin tek një grua dhe ajo nuk refuzonte këdo që vinte. Ato ishin prostitutat të cilat vendosnin flamuj në dyert e tyre si shenjë, kështu që kushdo që donte hynte (dhe kishte marrëdhënie me to). Nëse njëra prej tyre mbetej shtatzënë dhe lindte, të gjithë ata burra do të mblidheshin së bashku dhe do të thërrisnin dikë të aftë në njohjen e ngjashmërisë së fëmijës me babanë e tij. Atëherë ata njerëz të aftë do t’ia atribuonin fëmijën atij që mendonin që i ngjante më shumë, dhe fëmija do të quhej djali i tij dhe ai nuk mundej t’a refuzonte atë.
Por kur Muhamedi (bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) u dërgua me të vërtetën (Islamin) ai i shfuqizoi të gjitha llojet e martesave që ishin të njohura gjatë periudhës së injorancës (para Islame), përveç llojit të martesës që njerëzit njohin sot.
E përcjell Buhariu me nr. (4834).
Ata i vrisnin fëmijët e tyre për shkak të varfërisë ose sepse kishin frikë se mos binin në varfëri. Disa prej tyre i varrosnin vajzat të gjalla nga frika se mos ato kapeshin robëresha dhe i turpëronin. Prandaj Allahu i Lartësuar thotë:
“Dhe mos i vrisni fëmijët tuaj nga varfëria; Ne do tju furnizojmë juve dhe ata.” [El-Enam 6: 151].
“Dhe mos i vrisni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë, Ne do të sigurojmë për ta dhe për ju. Në të vërtetë, vrasja e tyre është një mëkat i madh.” [El-Isra 17:31]
“Dhe kur njëri prej tyre informohet për [lindjen] e një femre, fytyra e tij errësohet dhe e kap pikëllimi. Ai fshihet nga njerëzit për shkak të asaj për të cilën është informuar. A duhet t’a mbajë atë me poshtërim apo t’a varrosë në tokë? Padyshim, e keqe është ajo që ata vendosin.” [En-Nahl 16: 58-59].
Ata krenoheshin me paraardhësit dhe prejardhjen e tyre deri në atë masë sa i kujtonin paraardhësit dhe mburreshin me ta gjatë sezonit të Haxhit dhe gjatë kryerjes së ritualeve të Haxhit.
Ebu Hurejra tregon se i Dërguari i Allahut (bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Allahu i Madhëruar e ka hequr krenarinë e periudhës së injorancës dhe mburrjen me paraardhësit. Njeriu është ose besimtar i drejtë, ose keqbërës i dënuar. Ju jeni bij të Ademit dhe Ademi u krijua nga dheu. Njerëzit duhet të ndalojnë nga mburrja me njerëzit [paraardhësit e tyre] që nuk janë më shumë se thëngjij të Ferrit, ose që janë më të parëndësishëm tek Allahu sesa brumbulli që rrotullohet me hundë.”
E përcjell Tirmidhiu (3955) dhe Ebu Daudi (5116), dhe është klasifikuar si hasen nga Albani në Sahih et-Tirmidhi.
Ata merreshin me riba (fajde) në forma të ndryshme.
Xhafer bin Ebi Talib (Allahu qoftë i kënaqur me të) e përmblodhi situatën e arabëve gjatë kohës së injorancës para-Islame kur tha para Nexhashiut (sundimtarit) të Etiopisë, kur kishte migruar atje: “Ne ishim popull që jetonim në injorancë! Adhuronim idhujt, hanim mishin e ngordhur dhe bënim gjëra të neveritshme. Ndërprisnim lidhjet farefisnore, nuk shkonim mirë me fqinjin dhe të fortët mes nesh i përpinin të dobëtit.”
E përcjell Ahmedi (3/265), dhe është klasifikuar si hadith hasen nga saktësuesi i Musnedit.
Gratë gjatë periudhës së injorancës para-Islame.
Gratë i nënshtroheshin llojeve më të këqija të keqtrajtimit, poshtërimit dhe degradimit gjatë kësaj periudhe. Kjo mori forma të ndryshme, përveç rasteve kur varroseshin të gjalla në foshnjëri, siç u përmend më lart.
Gratë privoheshin nga trashëgimia, kështu që një grua nuk do të kishte asnjë pjesë të pasurisë që la djali, babai ose nëna e saj, edhe nëse do të ishte e shkëlqyeshme. Kjo është përmendur në ajet (interpretimi i kuptimit):
“O ju që keni besuar, nuk është e lejueshme për ju të trashëgoni gratë me detyrim.” [En-Nisa 4:19]
Buhariu me nr. (4303) transmeton se Ibn Abasi ka thënë: Kur një burrë vdiste, trashëgimtarët e tij kishin më shumë të drejta se gruaja e tij. Nëse dikush prej tyre dëshironte të martohej me të, ai e bënte këtë, e nëse donin t’a martonin me dikë tjetër edhe kjo ndodhte, dhe nëse dëshironin nuk e martonin fare sepse kishin më shumë të drejta ndaj saj sesa vetë familja e saj. Ky ajet zbriti në lidhje me këtë.
Ata e detyronin gruan të martohej me dikë që nuk i pëlqente, ose do t’a ndalonin atë nga martesa.
Disa burra i linin gratë e tyre pezull, kështu që një grua nuk do të trajtohej me dinjitet si gruaja e tij dhe nuk do të ishte në gjendje të martohej me askënd tjetër. Për shembull, një burrë do t’a ndalonte gruan e tij nga afrimiteti dhe do t’a konsideronte atë si nënën ose motrën e tij; ose ai do të betohej që të mos kryente marrëdhënie me të, kështu që ajo do të mbetej pezull. Pastaj erdhi Islami dhe e ndaloi dhiharin [një formë divorci e kohës së injorancës në të cilin një burrë i thoshte gruas së tij; Ti je për mua si shpina e nënës sime.] Islami i caktoi një afat atij që u betua se nuk do të kryente marrëdhënie me gruan e tij, përkatësisht katër muaj, pas së cilës ai ose duhet të ofrojë shlyerjen e betimit të tij dhe të kryejë marrëdhënie me të, ose ai do të detyrohej të divorcohej prej saj. Kjo është ajo që quhet El ilaa dhe përmendet në ajetet Kuranore.
“Për ata që betohen se nuk do të kenë marrëdhënie seksuale me gruan e tyre, është një kohë pritje prej katër muajsh. Por nëse ata kthehen [në marrëdhëniet normale] atëherë me të vërtetë, Allahu është Falës dhe i Mëshirshëm. Dhe nëse ata vendosin për divorc, atëherë me të vërtetë Allahu është Dëgjues dhe i Mëshirshëm.” [El-Bekare 2: 226-227]
Shikoni se çfarë bënte një grua pasi i vdiste burri.
Zejneb bint Ebi Seleme tregon: Kur vdiste burri i ndonjë gruaje ajo hynte në një kasolle dhe vishte rrobat e saj më të këqija, dhe nuk hidhte parfum derisa të kalonte një vit. Pastaj i sillnin një kafshë, një gomar, dele ose zog, dhe ajo fërkonte duart mbi të. Rrallë (një grua e tillë që fërkonte duart mbi ndonjë gjë) ndodhte që të vdiste, vetëm atëherë ajo dilte nga kasollja ku i jepej një copë bajgë të cilën ajo e hidhte.
E përcjell Buhariu me nr. (5024) dhe Muslimi me nr. (1489).
Islami me vendimet e tij të mençura, i ndryshoi të gjitha këto zakone dhe vendime injorante dhe i zëvendësoi ato me diçka më të mirë. Ne mbase nuk mund t’i renditim të gjitha ndryshimet që u bënë nga periudha e injorancës para-Islame, sepse do të kërkohej një vëllim i madh. Por është e mjaftueshme të përmendim disa nga zakonet e kohës së injorancës dhe disa nga ndryshimet që solli Islami. Për më shumë informacion, mund të shikoni librat: Bulug el Irab fi Mearifeti Ahual el Arab nga Mahmud Shukri al-Alusi, El-Mufessal fi Tarikh el-Arab kable el-Islam, dhe Tarijh el-Arab kable el-Islam.
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: Martesa
Të Ngjashme
- Ngjarje që më bëri të kuptoj një hadith Udha e Besimtarëve
- Rënia e Granadas (2 Janar 1492) Udha e Besimtarëve
- Si të veprosh kur të ftojnë në një gosti Shejh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin
- Disa popuj që i ka lavdëruar Profeti Udha e Besimtarëve
- Cila është mënyra më e mirë për të memorizuar? Meshhur Hasen