Shkaqet që e shtynë imam Buharin të shkruante veprën e tij epike.
1- Thotë Ibn Haxheri (Allahu e mëshiroftë): Kur Imam Buhariu pa veprat e hadithit që kishin shkruar dijetarët para tij, gjeti se ato kishin mbledhur mes haditheve të sakta dhe të dobëta. Kjo bëri që të lindë tek ai dëshira për të shkruar një vepër që do të cekte vetëm hadithe të sakta.
2- Këtë vendosmëri që kishte në zemër e përforcoi edhe më shumë një fjalë që dëgjoi nga mësuesi i tij, udhëheqësi i besimtarëve në lëmin e hadithit dhe të fikhut Is’hak ibn Ibrahim el Handhalij, i njohur si Ibn Rahauejhi (ose Ibn Rahuuja).
Ebu Abdullah Muhammed ibn Ismail el Buharij thotë: “Ishim tek Is’hak ibn Rahauejhi dhe ai na tha: Sikur të shkruanit një libër të përmbledhur për sunetin e saktë të të Dërguarit të Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të! Kjo fjalë zuri vend në zemrën time dhe nisa të përpiloj “El Xhamiu Sahih” (i cili më vonë u quajt “Sahihul Buhari”).
3- Shkaku i tretë dhe nga më fisnikët ishte një ëndërr.
El Firabrij, njëri prej nxënësve të tij i cili ka përcjellë ‘Sahihun’, tregon se ka dëgjuar Buharin të thotë: “Pashë në ëndërr sikur qëndroja përpara Profetit – sal lall llahu alejhi ue sel lem – dhe në dorë mbaja një freskuse me të cilën e mbroja atë (nga insektet). Pyeta për këtë ëndërr njërin prej shpjeguesve të ëndrrave, dhe ai më tha: Ti do të largosh prej tij shpifjet. Kjo ishte ajo që më bëri t’i futem punës për mbledhjen e “Xhamius Sahih”.
Si e përpiloi Buhariu librin e tij të saktë?
Nëse dëshiron të njohësh fisnikërinë e kësaj vepre njerëzore dhe gjithashtu pozitën e lartë që ka fituar në mesin e dijetarëve ky libër, atëherë dëgjo se çfarë thotë vet autori i saj: “Nuk kam shkruar në librin tim të saktë asnjë hadith veçse përpara kësaj kam marrë gusul dhe kam falur dy rekate.”
Dhe thotë: “Hadithet e Sahihut i kam përzgjedhur në mesin e gjashtëqind mijë hadithesh.”
Synimi i tij nuk ishte mbledhja e të gjitha haditheve të sakta që përcillen prej Profetit – sal lall llahu alejhi ue sel lem – dhe për këtë ai thotë: “Nuk kam përmendur në librin tim veçse hadithe të sakta, dhe kam lënë jashtë tij prej haditheve të sakta më shumë.” Në një vend tjetër thotë: “Me qëllim që të mos zgjatej shumë libri.”
Muhammed ibn ebi Hatim el Buhari thotë: E pashë Muhammed ibn Ismail el Buhari në ëndërr duke ecur pas Profetit – sal lall llahu alejhi ue sel lem. Sa herë që Profeti – sal lall llahu alejhi ue sel lem – e ngrinte këmbën e tij, e vendoste Buhariu këmbën e tij në atë vend.”
Një ëndërr të ngjashme me këtë e ka parë edhe Nexhm ibn Fudajli.
El Ukajli thotë: Kur Buhariu e shkroi librin e tij të saktë i’a paraqiti atë Ahmed ibn Hanbelit, Jahja ibn Meinit, Ali ibnul Medinit dhe disa imamllarëve të tjerë. Të gjithë ata e vlerësuan dhe dëshmuan për saktësinë e tij përveç katër haditheve që gjenden në të. Ukajli shton dhe thotë: Dhe fjala më e saktë për ato katër është fjala e Buhariut se ato hadithe janë të sakta.
Përmbledhje nga libri “Hedjus-sarij” i Ibn Haxher el Askalani (Allahu e mëshiroftë).
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve