Si merrte abdes i Dërguari i Allahut?

July 2, 2017

Transmetohet nga Humrani, robi i liruar i Uthmanit (radijAllahu anhu) se: “Uthmani kërkoi ujë për abdes, pastaj hodhi ujë nga ena në dy duart e tij dhe i lau ato tri herë. Pastaj futi ujë në gojë e në hundë, lau fytyrën tri herë dhe krahët deri në bërryla tri herë. I dha mes’h (me dorë të lagur) kokës së tij dhe lau këmbët deri te zogthi nga tri herë, pastaj tha: Kështu e kam parë të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) të marrë abdes si mora unë.”[1] E transmeton Buhariu (164, 159, 160, 1934, 6433), Muslimi (226), Ebu Daudi (106, 107 -110) dhe Nesai (1/64-65).

Shejh Salih el-Feuzani (Allahu e ruajtë) ka thënë: Ky hadith tregon për disa çështje madhore gjatë abdesit.

E para: Është e pëlqyeshme larja e duarve para fillimit të abdesit. Kjo është prej suneteve në të drejtën e atij që nuk është ngritur nga gjumi i natës (ndërsa ai që ngrihet nga gjumi e ka detyrë larjen e tyre).

E dyta: Hadithi tregon se është e pëlqyeshme larja nga tri herë e fytyrës, duarve dhe këmbëve.

E treta: Hadithi tregon se dhënia mes’h kokës bëhet një herë të vetme. Fillohet me pjesën e përparme të saj, pastaj shkon deri tek pjesa e fundit e flokëve (aty ku fillon qafa), pastaj i kthen duart aty ku filloi mes’hin (në pjesën e përparme të kokës).

E katërta: Hadithi tregon se është detyrë (vaxhib) dhënia mes’h veshëve. Pjesëve të jashtme dhe të brendshmëve të tyre sepse veshët bëjnë pjesë (futen) në dhënien mes’h kokës.

E pesta: Hadithi tregon se është detyrë radhitja gjatë abdesit. Së pari fillon me larjen e fytyrës, pastaj lahen duart deri te bërrylat, i jepet mes’h kokës dhe në fund larja e këmbëve. Allahu i Lartësuar në këtë formë e ka përmendur abdesin: “O besimtarë! Kur të ngriheni për të falur namaz [2] lani fytyrën dhe duart deri në bërryla, fërkoni kokën me dorë të lagët dhe lani këmbët deri në nyje.[3]” Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) kështu ka marrë abdes, siç e transmeton Uthmani (radijAllahu anhu) dhe të tjerët.

Shkëputur me disa shkurtime nga libri: “Tes’hilul ilmam bifik’hil ehadith min bulug el-meram”, vëll. 1.

 

Përktheu: Unejs Sheme

———————————————————

[1] Hadithi vazhdon: “Pastaj tha: Kush merr abdes kështu siç mora unë, pastaj fal dy rekate në të cilat nuk flet me vete (por përqendrohet në namaz), atij i falen të gjitha gjynahet që ka bërë më parë.”

[2] Kur të ngriheni për të falur namaz të detyrueshëm (pesë namazet e ditës dhe natës), vullnetar apo namazin e xhenazes, duke qenë se nuk e keni pastërtinë e vogël (abdesin) por keni vetëm të madhen (guslin), atëherë merrni abdes në mënyrën e përshkruar në vijim të ajetit.

[3] Ajeti rendit pjesët e trupit që duhen larë gjatë pastrimit të posaçëm (abdes) për të falur namaz, kurse tradita profetike sqaron në hollësi mënyrën e marrjes së abdesit; duke filluar me larjen e duarve së pari, pastaj me shpëlarjen e gojës dhe të hundës të cilat përfshihen në fytyrë, pastaj me larjen e fytyrës, pastaj me larjen e parakrahëve deri në bërryla duke filluar me të djathtin, të gjitha këto duke i larë nga tre herë. Pastaj fërkon kokën me njërën ose me të dyja duart e lagëta, dhe në fund lan këmbët deri në kyçe duke filluar me larjen e këmbës së djathtë pastaj të së majtës.

Loading...