Mëkatet rëndojnë për disa shkaqe:
1- Këmbëngulja dhe vazhdimësia. Prandaj dhe kanë thënë: “Nuk ka mëkat të vogël me këmbëngulje dhe nuk ka mëkat të madh me istigfar (kërkim falje).”
2- Përçmimi i mëkatit. Sa më i madh t’i duket njeriut mëkati aq më i vogël është tek Allahu, dhe sa më i vogël t’i duket mëkati aq më i madh është tek Allahu. Kjo ngase kur njeriut i duket i madh mëkati kjo do të thotë se ai e urren me zemër, dhe urrejtja bën që mëkati të mos ketë ndikim të madh tek ai. Ndërsa kur njeriut i duket i vogël mëkati kjo tregon se atij i pëlqen ky mëkat, dhe për pasojë mëkati ka ndikim të madh në zemrën e tij. Zemra është ajo që na kërkohet ta ndriçojmë me vepra të mira dhe na ndalohet ta errësojmë me vepra të këqija.
Në një transmetim thuhet: ‘’Besimtarit i duket mëkati i tij si një mal që qëndron mbi të dhe trembet se mos i bie sipër. Ndërsa hipokritit i duket mëkati i tij si një mizë që kalon te hunda e tij dhe ai e largon!’’ Buhariu.
3-Shprehja e gëzimit dhe mburrjes me kryerjen e mëkatit duke e konsideruar mundësinë për ta bërë atë si një mirësi, dhe duke qenë i pandërgjegjshëm se një gjë e tillë është shkak i mjerimit dhe ndëshkimit. Sa më shumë t’i ëmbëlsohet mëkati njeriut aq më i rëndë bëhet ai mëkat dhe aq më shumë errësohet zemra e tij, derisa të bëhet prej atyre që mburren dhe krenohen me mëkatet e tyre dhe të thotë: “A nuk e pe si e poshtërova filanin? Si e turpërova duke i përmendur të metat? Si e përçmova? Si e ngatërrova?” Ai që merret me tregti thotë: “A nuk e pe si ia hodha duke i shitur mall joorigjinal? Si e mashtrova? Si e bëra të dilte me humbje? Si e bëra të dukej mendjelehtë?” Në këtë mënyrë mëkatet rëndohen.
Mëkatet janë shkatërruese për njeriun. Nëse ai bie në mëkat dhe shejtani ia del ta shtyjë në mëkat, ai duhet të ndihet keq për shkak të ngadhënjimit të armikut ndaj tij dhe për shkak të largimit prej Allahut të Madhëruar. I sëmuri i cili gëzohet për thyerjen e enës në të cilën gjendet ilaçi ngaqë kështu shpëton prej sikletit të pirjes së tij, nuk mund të shpresojë të shërohet.
4- Shpërfillja duke përfituar nga mbulimi, urtësia dhe afatizimi i Allahut ndaj tij, por nuk e di qyqari se po i jepet afat me përbuzje të zhytet më shumë në mëkate. Ndërsa ai pandeh se mundësia që i është dhënë për të mëkatuar është mirësi prej Allahut të Madhëruar, gjë e cila ndodh ngase ai ndihet i sigurt nga kurthi i Allahut dhe ngase është i vetëmashtruar. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Ata thonë në vetvete: ‘Përse nuk na dënon Allahu për atë që themi?!’ Atyre u mjafton xhehenemi, në të do të hidhen, e sa përfundim i keq është ai!’’ | Muxhadeleh: 8|
5- Publikimi i mëkatit pas kryerjes ose kryerja e tij në publik. Ky veprim përbën cënim të mbulesës së Allahut ndaj tij si dhe nxit dëshirën e keqe tek ai që e sheh apo e dëgjon. Këto i bashkangjiten mëkatit që ai ka bërë dhe e rëndojnë atë. E nëse këtyre u bashkangjitet dhe përshtatja e kushteve ndaj të tjerëve për të mëkatuar, atëherë ky është një tjetër krim që i shtohet mëkatit dhe e rëndon atë akoma më shumë. Në hadithin profetik thuhet: “I tërë umeti im është i falur përveç atyre që i publikojnë mëkatet e tyre.’’ Buhariu dhe Muslimi.
Kur muslimani mëkaton dhe nuk e publikon mëkatin e tij, Allahu e mbulon atë dhe çështja e tij i përket Allahut të Madhëruar. Prej cilësive dhe mirësive të Allahut është se Ai e nxjerr në pah të mirën dhe e mbulon të keqen, kështu që publikimi i mëkatit përbën mohim ndaj kësaj mirësie. Një njeri i ditur ka thënë: “Mos mëkato! E nëse detyrohesh të mëkatosh atëherë mos nxit të tjerët të mëkatojnë sepse kështu bën dy mëkate.” Allahu i Madhëruar ka thënë: “Hipokritët dhe hipokritet janë pjesë e njëri-tjetrit. Ata urdhërojnë për të keqen dhe ndalojnë nga e mira.’’ | Teube: 61| Një njeri i ditur nga të parët ka thënë: “Poshtërimi më i madh që mund t’i bëjë dikush vëllait të tij është që ta ndihmojë për të mëkatuar dhe për t’ia bërë t’i duket mëkati i lehtë.’’
6- Kur mëkatuesi është njeri i ditur që merret si shembull nga të tjerët. Nëse ai e bën mëkatin në publik atëherë mëkati i tij rëndohet, si p.sh. cënimi i nderit të të tjerëve me fjalë dhe poshtërimi i palës kundërshtare në debat e sipër, duke synuar përçmimin e kundërshtarit dhe duke mësuar vetëm ato dije që i shërbejnë për të fituar famë, siç janë shkenca e debatit dhe dialogut. Këto janë mëkate në të cilat dijetari që i bën merret si shembull nga të tjerët, andaj ai vdes ndërsa e keqja e tij qëndron pas e përhapur nëpër katër anët e botës për një kohë të gjatë. Lum ai që vdes dhe bashkë me të vdesin dhe mëkatet e tij! Allahu i Madhëruar ka thënë: “Ne mbajmë shënim punët që ata kanë bërë dhe gjurmët që kanë lënë pas vetes.’’ | Jasin: 12| Gjurmët janë punët që vijojnë pas vdekjes së vepruesit. (Shiko librin “Ihjau ulum ed-din” i Gazalit.)
Marrë nga libri: “Orjentimi i muslimanëve”.
Autor: Muhamed Xhemil Zejnu.
Përktheu: Rexhep Milaqi
Dosje: Teube