Si shfaqet begatia e tokës së Shamit?
Begatia e përmendur e tokës së Shamit në citatet e Kuranit dhe Sunetit shfaqet në prodhimet e asaj toke. Imam Taberiu -Allahu e mëshiroftë- e shumë komentues të tjerë të këtyre citateve, thonë: “Allahu i madhëruar e bekoi Shamin në jetesë, ushqime, të mbjella dhe fruta.”[1]
Këto begati për të cilat flet Imam Taberiu -Allahu e mëshiroftë- janë të shumta dhe të larmishme në Sham, ndryshe nga vendet e tjera të Lindjes.
Studiuesi i njohur i zonës së Shamit, Muhamed Kurd Ali -Allahu e mëshiroftë- thotë: “Në Sham mbillet gruri, elbi, misri i kuq, misri i bardhë, orizi, të gjitha llojet e perimeve, pambuku, susami etj.”[2]
Ndërsa në lidhje me pemët frutore thotë: “Në Sham rriten shumë lloje pemësh. Më të përhapurat janë; ulliri, rrushi, portokalli, limoni, kajsia, fiku, fistiku dhe arra. Pastaj vijnë; molla, dardha, pjeshka, bajamja, shega, ftoi, hurmat, myrtusi, kaktusi, mani, hidja, karuba etj.”[3]
Që në kohët e vjetra Shami ka qenë i njohur për begatinë e tij, sa thuhej: “Shami i mbyt me begati banorët e tij.”[4]
Këto begati në përgjithësi, me përjashtim të perimeve, arrihen pa pasur nevojë për ujitje dhe janë shkak që banorët e Shamit bëjnë jetë të lumtur. Për këtë shkak, në këtë zonë janë shfaqur shumë civilizime përgjatë historisë.
Për disa prej këtyre begative ka folur edhe Kurani në suren Et-Tin, duke e quajtur vendin e Xhamisë Aksa vendin e fikut dhe të ullirit.
Allahu i Madhëruar në Kuran thotë:
وَالتِّينِ وَالزَّيْتُونِ
“Pasha Fikun dhe Ullirin!” Suretu Et-Tin: 1.
Shejhu i Islamit IbnTejmije -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me këtë ajet thotë: “Fiku dhe Ulliri janë toka nga e cila është dërguar Mesiu -alejhi selam- (pra Xhamia Aksa në Sham). Shpesh herë toka emërtohet me çfarë rritet në të, dhe thuhet: Filani shkoi te Pjergulla, Ulliri apo Shega, dhe ka për qëllim vendin ku ndodhen ato.”[5]
Këto pemë gjenden dhe në vende të tjera të pellgut të Mesdheut, ama ato të Shamit japin fruta më mira dhe më të shijshme, siç ka thënë Allahu i Madhëruar për vajin e ullirit me të cilin ndizeshin kandilat:
يُوقَدُ مِنْ شَجَرَةٍ مُبَارَكَةٍ زَيْتُونَةٍ لَا شَرْقِيَّةٍ وَلَا غَرْبِيَّةٍ يَكَادُ زَيْتُهَا يُضِيءُ وَلَوْ لَمْ تَمْسَسْهُ نَارٌ
“Ai (kandili) ndizet nëpërmjet vajit të një peme të begatë, ullirit, i cili është as në lindje as në perëndim. Vaji i tij gati sa nuk ndrin edhe pa e prekur flaka.” Suretu En-Nur: 35.
Komentuesi i njohur i Kuranit Ibn Zejd El-Adeuij, në lidhje me këtë ajet thotë: “Pema e ullirit (në këtë ajet) është prej pemëve të Shamit, sepse pemët e Shamit janë as në lindje as në perëndim. Pemët e Shamit janë më të mirat pemë dhe ajo është tokë e bekuar.”[6]
Pra, Shami është tokë e bekuar dhe kush banon atje shijon begatitë e Allahut të Madhëruar.
[1] Shih tefsir Et-Taberij: 17/351.
[2] Shih librin e autorit “Khutat Esh-Sham”: 4/176.
[3] Shih librin e autorit “Khutat Esh-Sham”: 4/179.
[4] Një poet i vjetër arab të cilit i pëlqente Shami por që nuk i pëlqente të thuhej për të “i mbyt”, thoshte:
Thonë se begatia e Shamit, i vret banorët e tij!
E nëse nuk shkoj atje, mos do të gjej përjetësi?!
Etërit dhe gjyshërit, Irakun preferuan,
por me shmangien e Shamit, vdekjes s’i shpëtuan!
Shkeputurnga libri “Muxhem ma Istaxhem” me autorin Andaluzian Ebu Ubejd El-Bekri: 3/773.
[5] Shih librin Minhaxh Es-Sunneh: 7/230.
[6] Shih Tefsir El-Kurtubi: 12/259.
Dr. Abdullah Nabolli
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve