Si ta lexojmë Kuranin?

March 24, 2023

Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe lexoje Kuranin ngadalë dhe qartë.” |El Muzemil: 4

Lexoje ngadalë sepse kjo të ndihmon në kuptimin e Kuranit dhe meditimin e tij. Umu Seleme u pyet për leximin e të dërguarit të Allahut, salAllahu alejhi ve sel-lem, dhe tha: “Ai e ndante leximin e tij ajet pas ajeti. Lexonte: Bismilahi Rrahmani Rrahijm. El Hamdu lilahi Rabil Alemin. Er Rahmani Rrahijm. Maliki Jeumid Din.”[1]

Preferohet që Kurani të lexohet ngadalë, duke e zbukuruar zërin dhe duke mos u nxituar në leximin e tij. Profeti, salAllahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Zbukurojeni Kuranin me zërat tuaj, sepse me të vërtetë që zërat melodioz e shtojnë bukurinë e Kuranit.”[2]

Ibën Mesudi ka thënë: “Mos e ndërprisni leximin në mënyrë të shpërndarë dhe as mos nxitoni në leximin e tij siç veprohet me poezinë. Ndaloni në mrekullitë e tij dhe lëvizini zemrat me të. Të mos jetë preokupimi i ndonjërit prej jush që të arrijë në fund të sures.”[3]

Nuk lejohen të thuhen në fund të leximit të Kuranit këto fjalë: “SadakAllahul Adhim – Allahu ka thënë të vërtetën.” Sepse leximi i Kuranit është një akt adhurimi dhe nuk lejohet të shtohet diçka përveç nëse është vërtetuar nga ndonjë tekst nga sheriati, ndërkohë që nuk ka asgjë që e vërteton këtë praktikë. Pejgamberi, salAllahu alejhi ve se-lem, e dëgjoi Ibën Mesudin të lexonte Kuran, dhe kur arriti tek fjala e Allahut: “Dhe Ne të sollëm ty dëshmitar mbi ta”- i tha: “Mjafton!”[4] Pra, Ibën Mesudi nuk tha: “SadakAllahul Adhim – Allahu ka thënë të vërtetën”, dhe as e urdhëruan ta bëjë këtë.

Kjo praktikë është bidat që në fakt ka zhdukur një sunet i cili është suneti i lutjes përmes Kuranit, bazuar në fjalën e Profetit, sal-lAllahu alejhi ve se-lem, që thotë: “Kush e lexon Kuranin le t’i lutet Allahut me të.”[5]

Recituesi (lexuesi) duhet t’i kërkojë Allahut çfarë të dojë pas leximit të Kuranit, dhe të kërkojë afrim tek Allahu përmes leximit të tij. Kjo ngase leximi i Kuranit është prej veprave të mira që shkakton pranimin e lutjes.

Shkëputur nga libri: “Si ta kuptojmë Kuranin?”

Autor: Muhamed Xhemil Zejno

Përktheu: Fatjon Isufi

——————————————-

[1] Hadithi është i saktë. E përcjell Tirmidhiu.

[2] Hadithi është i saktë. E përcjell Ebu Davudi dhe të tjerë.

[3] E përcjell Buhariu.

[4] E përcjell Buhariu.

[5] Hadithi është i mirë. E përcjell Tirmidhiu.

Dosje: ,

Loading...